Postuar më: 10 Maj 2017

“Policia në funksion të respektimit e garantimit të ligjit, që garantojnë zgjedhjet”

VIDEO / Shkodër – Ministri i Punëve të Brendshme mori sot pjesë në inaugurimin e Gjykatës së Apelit në Shkodër. Pas ceremonisë, ai iu përgjigj interesit të gazetarëve në këtë prononcim për mediat.

 

Pyetje: Duke qenë se interesi kryesor dhe ndoshta dhe akuzat e fundit të politikës janë të lidhur drejtpërdrejt me zgjedhjet e 18 qershorit, sa është i garantuar ky proces dhe roli kryesor që do të ketë Policia në këtë mes?

Ministri Xhafaj: Zgjedhjet e 18 Qershorit janë absolutisht të garantuara, sepse zgjedhjet në përgjithësi i garanton Kushtetuta dhe ligji. Dhe Policia është në funksion të respektimit dhe garantimit të Kushtetutës e të Ligjit. Dhe Policia vetëm bën detyrën që i ngarkon ligji.
 
Pyetje: Janë të lidhura ndryshimet e drejtuesve kryesorë por dhe të Shefave të Komisariateve me këtë proces? Apo në këtë mes është edhe çështja e Kanabisit?
 
Ministri Xhafaj: Si mendoni ju, është më mirë që të ndryshojnë drejtuesit, apo të qëndrojnë në të njëjtin vend? Sepse çdo lloj rifreskimi, çdo lloj lëvizjeje, bën mirë për t’i dhënë ritëm të ri punës, ritëm të ri çështjeve e prioriteteve. Në kohë të ndryshme ka prioritete të ndryshme. Dhe natyrisht Kanabisi është një prioritet. Dhe në Shkodër, për hir të së vërtetës, është një prioritet  i rëndësishëm për shkak se, në vite, zona të caktuara mund t’i konsideroj edhe si Lazarati me kanabisin. Në vite të tëra, ndërkohë që flitej për Lazaratin, shpeshherë harronim që kishim dhe një Lazarat këtu në Shkodër. Por unë besoj që me punën e bërë në gjithë këto vite, me punën që po bëhet, me ndërgjegjësimin qytetar në radhë të parë, me vullnetin që është duke treguar Qeveria dhe gjithë strukturat e saj, ky fenomen do të vijë drejt shuarjes.
 
Pyetje: Do arrijë Policia ta fitojë këtë luftë edhe në një vit elektoral, si ky i sivjetshmi? 

Ministri Xhafaj: Absolutisht, të jeni të bindur. Shqipëria për vitin 2017 nuk do të figurojë më në hartën e kultivimit të kanabisit. Fiksojeni këtë gjë. Dhe do të jemi prap këtu në Shkodër. Natyrisht lufta kundër trafikut të drogës dhe kundër kriminalitetit është një proces që vazhdon dhe do të vazhdojë gjatë. Është një përballje mes ligjit dhe anti-ligjit, mes Policisë dhe shkelësve të ligjit. Ajo që ne po bëjmë është që kjo strukturë e rëndësishme e shtetit që mbahet nga taksapaguesit shqiptarë, të jetë një strukturë sa më efiçente, në mënyrë që t’u sigurojë qytetarëve edhe qetësinë e nevojshme , sigurinë e nevojshme. Natyrisht më pas, të gjithë bashkë për të dhënë drejtësinë e duhur – meqenëse jemi këtu në ‘shtëpinë’ e Drejtësisë.
 
Pyetje: Pas tre ditësh Opozita ka protestë. Keni një informacion për veprime të dhunshme?
 
Ministri Xhafaj: Kjo është një çështje që mbetet për t’u parë. Faleminderit.