Postuar më: 13 Qershor 2017

Prezantohet grupi i drejtimit policor për menaxhimin e procesit zgjedhor 25 Qershor

VIDEO - Në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit është zhvilluar një takim prezantues, me grupin e drejtimit për menaxhimin e masave të sigurisë për procesin zgjedhor Qershor 2017, si dhe për të falënderuar prezencën e OSBE-së, për ndihmën e vazhdueshme dhe shumë të vlefshme dhënë Policisë së Shtetit në trajnimin e punonjësve të Policisë si dhe të prodhimit të "Librit të Xhepit - Kujtesë Detyrat e Policisë së Shtetit në Proceset Zgjedhore".

Në takim ishin të pranishëm zv/ministrja e Punëve të Brendshme Rovena Voda, zv/ambasadori i OSCE-së në Shqipëri Robert Wilton, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Haki Çako, si dhe drejtues të Lartë të Policisë së Shtetit, pjesë e grupit të drejtimit për menaxhimin e masave të sigurisë për procesin zgjedhor Qershor 2017.

Zv/ministrja e Punëve të Brendshme Rovena Voda ka vlerësuar mbështetjen e OSBE-së si një mbështetje e përhershme e Shqipërisë në vendosjen e standarteve më të mira zgjedhore, si dhe ka vlerësuar punën dhe rolin e Policisë.

"Policia e Shtetit këto 4 vite është renditur në institucionet e para më të besueshme për qytetarët e këtij vendi, dhe vazhdon me përkushtim t’i shërbejë mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve, përkushtim ky i shprehur sot dhe me hartimin e Librit të Xhepit për detyrat e Policisë në proceset zgjedhore. E bindur se Policia e Shtetit do të vazhdojë të jetë e gardiane e vlerave më të mira demokratike të shoqërisë sonë, uroj që ky dokument në formë kujtese për të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit të shërbejë maksimalisht në kryerjen e detyrave të tyre gjatë proceseve zgjedhore", theksoi znj.Voda.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Haki Çako gjatë fjalës së tij ka bërë prezent masat e marra nga Policia e Shtetit për menaxhimin e procesit zgjedhor, si dhe ka falënderuar prezencën e OSCE-së për mbështetjen që i ka dhënë Policisë së Shtetit në mënyrë të vazhdueshme. Gjithashtu ka theksuar se Policia e Shtetit ka qenë dhe mbetet e angazhuar për të zbatuar me paanshmëri ligjin dhe vetëm ligjin.

"Këtu jemi në qendrën e koordinimit dhe të mbikëqyrjes të masave për procesin zgjedhor të datës 25 Qershor për në Kuvendin e Shqipërisë dhe sot gjej rastin të shpalos një sërë masash të Policisë në kuadër të Kodit Zgjedhor, të Kushtetutës dhe të udhëzimit të Kodit Zgjedhor të zgjedhjeve.

Falënderoj OSBE-në, për të gjithë mbështetjen që i ka dhënë Policisë së Shtetit në zbatimin korrekt të detyrave dhe në ndjekjen rigoroze të të gjitha akteve normative që normojnë punën e Policisë së Shtetit, për të krijuar një ambient sa më të përshtatshëm të gjithë shtetasve shqiptarë për procesin zgjedhor.

Masat dhe angazhimi i Policisë ka qenë dhe mbetet i gjithanshëm qoftë i strukturave qendrore qoftë edhe i strukturave vendore, të cilat në bashkëveprim dhe në bashkërendim të ngushtë me të gjithë operatorët dhe faktorët e tjerë të cilët menaxhojnë dhe funksionojnë në terren për procesin zgjedhor janë të angazhuar gjatë gjithë kohës.

Por këtu duhet të theksoj dhe disa elementë të rëndësishëm të cilët nën orientimin dhe në ndjekjen dhe të Ministrisë të Punëve të Brendshme pasi kuptohet që janë detyra të vendosura qartazi që burojnë edhe nga vendimi i Këshillit të Ministrave dhe nga urdhëri i Kryeministrit për task-forcën që drejtohet nga Zv.kryeministrja ne jemi në zbatim të detyrave të task-forcës në mënyrë të vazhdueshme që lidhet me detyrimet e gjithë administratës por kryesisht dhe me zbatimin e detyrimeve, që burojnë nga ndryshimet e Kodit Penal të bëra nga Kuvendi i Shqipërisë lidhur me ato vepra penale të cilat janë ndryshuar tashmë ndjeshëm dhe që konsistojnë në shkelje të së drejtës së votës ose më saktë të shitblerjes së votës.

Në këto kushte janë ngritur task-forca edhe në Drejtoritë Vendore të Policisë por edhe mbikëqyren nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, masa të cilat presin por edhe vlerësojnë çdo informacion të ardhur nga çdo subjekt ose individ.

Këtu gjej edhe rastin ti kërkoj një bashkëpunim çdo qytetari por edhe çdo subjekti i cili bie në kontakt me shkelje të hapura të Kodit Penal përsa është përcaktuar qartë në shkelje, në shitblerjen e votës në mënyrë të veçantë si një nga elementët që kërkon një angazhim të të gjithë institucioneve dhe strukturave për të vënë përpara përgjegjësisë ligjore çdo individ ose grupim të caktuar i cili nëpërmjet veprimeve të veta kërkon të deformojë ose të vërë në presion qytetar të ndryshëm", tha Çako.

Zv/ambasadori OSBE-së ka vlerësuar bashkëpunimin e shkëlqyer me Policinë e Shtetit dhe ka shprehur bindjen se Policia e Shtetit dhe në këtë proces zgjedhor do të zbatojë detyrat që i ngarkon ligji zgjedhor me paanshmëri dhe profesionalizëm.

"Është kënaqësi e imja që jam me ju këtu sot edhe ju falenderoj z.Drejtor për mundësinë që të jap komentin tim të shkurtër për bashkëpunimin tonë në këtë fushë thelbësore për mirëfunksionimin e demokracisë në Shqipëri.
Puna jonë e përbashkët në këtë fushë është veç një pjesë e partneritetit tonë të vazhdueshëm në fushën e sigurisë . Ne kemi sfida të përbashkëta shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së, edhe Shqipëria si shtet pjesëmarrës i plotë . Natyrisht kemi edhe standarte të përbashkëta për mirëfunksionimin e sigurisë në demokraci edhe prandaj kemi veprime, kemi reagime, kemi qëndrime të përbashkëta .

Brenda këtij raporti, kësaj marrëdhënie gëzohem që si prezenca e OSBE-së kemi mundësine të mbështesim punën e Policisë së Shtetit në mbështetje për zgjedhje të qeta edhe mirëfunksionuese , gëzohem që kemi patur mundësi për t'ju mbështetur në përgatitjen e efektivavë të Policisë në detyrën e tyre , nëpërmjet guidës, një kujtesë për detyrat e Policisë gjatë ditës së zgjedhjeve, është një trajnim që kemi bërë më herët dhe që e vazhdojmë me mirëmbajtjen e standarteve demokratike dhe mirëmbajtjen e arritjes së Shqipërisë në standartet e plota demokratike të përputhshme me partnerët ndërkombëtare të Shqipërisë. Jam i nderuar që jam këtu sot të jap vëmendjen time në këtë trajnim të Policisë, optimist që Policia e Shtetit do të mbajë një rol profesional dhe të paanshëm në këtë proces gjatë fushatës edhe gjatë ditës së zgjedhjeve edhe nderohemi si OSBE që kemi mundësinë të vazhdojmë në këtë partneritet profesional.

Ju uroj sukses në detyrën tuaj tepër të rëndësishme", tha përfaqësuesi i OSBE.

Më pas takimi ka vijuar me prezantimin nga ana e Drejtorit të Departamentit për Sigurinë Drejtues i Lartë Altin Qato të sistemit të menaxhimit të masave të sigurisë, për procesin zgjedhor , të cilat janë:

Qëllimi i ndërtimit të një grupi të tillë është që të vlerësohet çdo informacion nga të gjithë burimet, të verifikohet dhe analizohet në kohë reale, të gjenden zgjidhjet ligjore, si dhe të jepen sqarimet përkatëse kur këto informacione nuk janë të vërteta.

Policia e Shtetit është e gatshme për ushtrimin e përgjegjësive të saj edhe në këtë drejtim, për realizimin e bashkëpunimit dhe të mbështetjes së organeve të qeverisjes vendore për mbarëvajtjen e fushatës zgjedhore.
Bashkëpunimi me Institucionet ndërkombëtare të OSBE/ODIHR që monitorojnë zgjedhjet dhe me Institucionet Shqiptare:

- Trajnimet e punonjësve të policisë janë kryer së bashku me Prezencën e OSCE në Shqipëri, KQZ dhe Prokurorinë e Përgjithshme.

- Janë përcaktuar koordinatorët e Policisë së Shtetit me institucionet ndërkombëtare dhe nëpunësi ndërlidhës i saj me KQZ dhe me Task Forcën në Kryeministri për zgjedhjet, duke bashkëpunuar ngushtë me këto institucione.

- Nuk kemi raste që punonjës të Policisë së Shtetit, të jenë evidentuar në shkelje të pozicionit të tyre ligjor dhe të kenë kompromentuar këtë pozicion të depolitizuar me qëndrime të njëanshme apo politike etj. 
- Drejtuesit e Policisë së Shtetit dhe të strukturave të saj vendore, e ndjejnë peshën e përgjegjësisë që kanë në këtë proces të rëndësishëm.

- Jemi të ndërgjegjshëm dhe besim plotë se do ja dalim, edhe pse shpesh na kanë anatemuar, ne kemi punuar dhe po punojmë fort me stafin për të mbajtur qëndrim vetëm ligjor në këtë proces.

 

Fjala e plotë e zv/ministres Voda:

I nderuar z. Drejtor  i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit,

I nderuar  z. Zëvendësambasador i OSBE,

Të nderuar pjesmarrës,

Zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit 2017 janë nga më të rëndësishmet të zhvilluara në Shqipëri, e lidhur kjo me të gjitha zhvillimet politike të kohëve të fundit, por mbi të gjitha me faktin se ato do të jenë një faktor determinant në rrugën për hapjen e negociatave të Shqipërisë për në Bashkimin  Europian.

Në rrugëtimin e zhvillimeve demokratike të Shqipërisë një aleat i përhershëm, në sfidën tonë për të vendosur standarde europiane gjatë gjithë këtyre viteve në zgjedhjet parlamentare dhe ato vendore, ka qenë dhe vazhdon të jetë Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë.

Si një mbështetëse e përhershme e Shqipërisë në vendosjen e standarteve më të mira zgjedhore dhe një mik kritik në vlerësimin dhe certifikimin e tyre, OSBE në bashkëpunim me Policinë Shtetit vjen me nje kontribut shumë të madh në këtë prag zgjedhjesh, Librin e Xhepit me detyrat e  Policisë së Shtetit në proceset zgjedhore.

Ky dokument i hartuar në formë kujtese për të gjithë punonjësit e Policisë e Shtetit, do të jetë në këtë proces zgjedhor “Kushtetuta”  e tyre, kjo në zbatim të garantimit të parimit të paanshmërisë dhe mospërfshirjes së Policisë së Shtetit në procesin zgjedhor, por njëkohësisht dhe garantimit  të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Policia e Shtetit këto 4 vite është renditur në institucionet e para më të besueshme për qytetarët e këtij vendi dhe vazhdon me përkushtim t’i shërbejë mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve, përkushtim ky i shprehur sot dhe me hartimin e Librit të Xhepit për detyrat e Policisë në proceset zgjedhore.

Në këtë manadat qeverisës një ndër objektivat kryesorë ka qenë kthimi i dinjitetit të Policisë së Shtetit dhe garantimi realisht i paanshmërisë politike të këtij institucioni, në ushtrimin e detyrave pa asnjë lloj ndikimi politik në zbatim vetëm të ligjit.

Si garanci në përmbushjen e këtyre objektivave përmend këtu ligjin e ri për Policinë e Shtetit, Rregulloren e dalë në zbatim të tij, si dhe një sërë urdhërash të nxjerrë nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.

Nuk mund të lë pa përmundur këtu dhe urdhërin e Ministrit të Brendshëm Xhafaj të majit 2016 lidhur me garantimin e një procesi zgjedhor transparent e të paanshëm, ku disa nga detyrat e përcaktuara në të për Policinë e Shtetit tashmë janë përmbushur siç janë:

- trajnimet e efektivëve të Policisë së Shtetit me kontributin e ekspertëve të OSBE 

- hartimi i Librit të Xhepit 

- hartimi i planit të masave lidhur me zgjedhjet 

- krijimi i Task-Forcave Vendore në bashkëpunim me Prokurorinë për parandalimin dhe hetimin e krimit elektoral.

E bindur se Policia e Shtetit do të vazhdojë të jetë e gardiane e vlerave më të mira demokratike të shoqërisë sonë, uroj që ky dokument në formë kujtese për të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit të shërbejë maksimalisht në kryerjen e detyrave të tyre gjatë proceseve zgjedhore.

Falënderoj OSBE-në për kontributin e saj të vazhdueshëm në cimentimin e demokracisë në Shqipëri dhe për arritjen e standarteve europiane në proceset zgjedhore në Shqipëri duke shërbyer në hapjen e  dyerve të Shqipërisë drejt anëtarësimit ne BE!