Postuar më: 09 Maj 2017

Publikohet lista përfundimtare e zgjedhësve, për procesin zgjedhor të 18 Qershorit

Ministria e Punëve të Brendshme ka publikuar Listën Përfundimtare të Zgjedhësve për zgjedhjet e përgjithshme të datës 18 Qershor 2017 (Kliko këtu)

Të drejtën e votës e kanë 3.451.896 shtetas. Ndër ta, 136.239 zgjedhës votojnë për herë të parë.  51 % e zgjedhësve janë meshkuj dhe 49 % femra.

Në bazë të të dhënave të gjeneruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, Lista Përfundimtare e Zgjedhësve ka përmirësime të dukshme në raport me zgjedhjet e kaluara, qoftë ato për pushtetin vendor të vitit 2015, ashtu edhe ato parlamentare të vitit 2013.

Në listën e përditësuar është ulur numri i shtetasve pa adresë të përcaktuar, i dublikimeve, e po ashtu edhe i votuesve mbi 100 vjeçarë. Nga lista e re janë hequr gjithashtu emrat e personave që vuajnë dënimin në burgje, sipas përcaktimeve të ligjit, në kuadër të ‘dekriminalizimit’.

Ministria e Punëve të Brendshme thekson se i gjithë procesi i hartimit të Listës Përfundimtare të Zgjedhësve është kryer nën mbikëqyrjen e auditëve teknicienë të KQZ-së, të cilët kanë pasur akses të plotë në çdo etapë të këtij procesi.

Dy auditëve teknicienë të KQZ, të caktuar nga kryetari dhe n/kryetari i KQZ, iu është vënë në dispozicion e gjithë infrastruktura dhe materialet e nevojshme për të audituar procesin.

Gjatë aktivitetit të tyre pranë DPGJC-së, auditëve të KQZ iu është ofruar transparencë dhe akses i plotë për mbikëqyrjen e procesit të hartimit të Listave dhe jo vetëm. Aksesi i ofruar ka qenë dhe vazhdon të jetë i njëjtë me atë të Drejtorit të Përgjithshëm të DPGJC-së, deri në hartimin dhe publikimin e listës përfundimtare të zgjedhësve. Raportet periodike të auditëve të KQZ-së janë marrë në konsideratë nga DPGJC.

Ministria e Punëve të Brendshme ka pasur si objektiv sigurimin e një liste sa më të plotë zgjedhore, që do të garantojë të drejtën e votimit për çdo shtetas me të drejtë vote, duke shmangur në maksimum problemet e verifikuara në të kaluarën dhe duke plotësuar vërejtjet e vëzhguesve të huaj apo vendas.

Në vijim të komunikimeve për listën e zgjedhësve, nënvizojmë se ky proces ka nisur në zbatim të dekretit të Presidentit nr.9883, datë 05.12.2016, "Për caktimin e datës së zgjedhjeve për Kuvendin".

Më pas u hartua dhe miratua Udhëzimi i Ministrit të Punëve të Brendshme nr.671, i datës 06.12.2016 "Për procedurat e hartimit të listave të zgjedhësve për Zgjedhjet për Kuvendin".

Në datë 16.12.2016 u hartua në format elektronik ekstrakti me përbërësit zgjedhor duke përjashtuar shtetasit që kanë mbushur 100 vjeç deri në këtë datë. Hapat e procesit:

- ekstrakti i parë i përbërësve zgjedhor u publikua në 4 Janar 2017.

- ekstrakti dytë i përbërësve zgjedhor u publikua në datën 3 Shkurt 2017.

- ekstrakti tretë i përbërësve zgjedhor u publikua në datën 5 Mars 2017.

- ekstrakti katërt i përbërësve zgjedhor u publikua në datën  4 Prill 2017.

- ekstrakti i pestë i përbërësve zgjedhor u publikua në datë 4 Maj 2017.

Lista përfundimtare e zgjedhësve u publikua, në datë 8 Maj 2017, duke përmbyllur procesin e hartimit dhe shpalljes së Listës së zgjedhësve.

Për herë të parë, Ministria e Punëve të Brendshme në mbështetje dhe në zbatim të nenit 52, të Kodit Zgjedhor, siguroi dhe shpërndau fondin prej rreth 13.8 milion lekë, në dispozicion të Njësive të Qeverisjes Vendore për procesin e njoftimit të zgjedhësve derë më derë. Përmbushja e këtij detyrimi përveçse plotëson një nga vërejtjet permanente të vëzhguesve vendas dhe të huaj, tregon edhe vullnetin e palëkundur të qeverisë për të organizuar dhe siguruar zgjedhje të lira dhe të ndershme.

MPB-ja ka bërë të gjitha përpjekjet ligjore për të siguruar lista zgjedhore të sakta dhe nëse do t’u referohemi shifrave, sjellin në vëmendjen të opinionit dy momente:

- në listën përfundimtare të vitit 2013 kishte 348,346 zgjedhës me numër banimi 999, 888, 000, në listën përfundimtare për zgjedhjet e 18 Qershorit 2017 ka 290.038 zgjedhës me numër banimi 999, 888, 000.

- në listën përfundimtare të zgjedhësve të vitit 2013 kishte 2.948 dublime të dyshuara, në listën përfundimtare për zgjedhjet e 18 Qershorit 2017 ka 459 dublime.

Në listën përfundimtare për zgjedhjet e 18 Qershorit 2017 ka 1.367 subjekte të bllokuara, si objekt për herë të parë i ligjit të dekriminalizimit.

Në listën përfundimtare për zgjedhjet e 18 Qershorit 2017 janë 1.489 persona që kanë mbushur moshën 100 vjeç, të bllokuar në listën e zgjedhësve me metoda informatike.

Ministria e Punëve të Brendshme vlerëson punën e bërë nga DPGJC për mbarëvajtjen e procesit të hartimit të listave për zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit 2017, duke përmbushur në këtë mënyrë detyrimet në bazë të Kodit Zgjedhor, për përgatitjen e infrastrukturës zgjedhore.