Postuar më: 09 Mars 2017

Rritja më e madhe e pagave Policisë së Shtetit, për dinjitet në përmbushje të detyrës

Dokumentat e bashkëngjitura

9 Mars, Tiranë  –  VIDEO Fjala e ministrit të Punëve të Brendshme Saimir Tahiri gjatë aktivitetit në Komisariatin nr. 3 në Tiranë, lidhur me rritjen e pagave të punonjësve të Policisë së Shtetit:

Faleminderit  dhe përshëndetje të gjithëve,
Është me jo pak kënaqësi personale të ndaj me ju, për të disatën herë, rritjen e pagës për punonjësit e Policisë së Shtetit.

Kur ne dhe kjo qeveri morëm detyrën, punonjësit e Policisë së Shtetit ishin të braktisur, të keqtrajtuar, e kësisoj të tradhtuar, në pamundësinë e tyre për të bërë detyrën. Kur unë mora detyrën e kjo qeveri nisi punën, punonjësit e Policisë ishin lënë në mëshirë të pamundësisë infrastrukturore e buxhetore për të bërë siç duhet detyrën. Kjo nga uniformat, tek mjetet,  teknologjia, dhe pa asnjë diskutim pjesa më e rëndësishme: pagat.

Përpara se të merrja detyrën më është dashur shpeshherë të komunikoj me punonjës e drejtues Policie, dhe shqetësimi kryesor i secilit prej tyre ishte keqtrajtimi financiar. Një punonjës Policia ka sakrifica maksimale të cilat i përballon bashkë me familjen. Ka një punë të vështirë përballë të gjithë atyre që deri dje janë konsideruar të konsideruar të paprekshëm e të pabarabartë përballë ligjit. Dhe përveç tradhtisë nga eprorët, braktisjes e dyshimit publik, punonjësit e Policisë ishin të papaguar e të pavlerësuar për punën që bënin. Kjo sigurisht nuk ishte vetëm çështje e mundësisë financiare për të mbijetuar, por mbi të gjitha ishte çështje dinjiteti. Punonjësit të Policisë i mungonte dinjiteti përballë detyrimit që kishte për të përmbushur detyrën, e po kështu përballë qytetarëve. 

Është kjo arsyeja pse një ndër plagët më të rëndësishme ku filluam të vinim dorën e ta zgjidhnim në mënyrë definitive, ishte t’u jepnim të 11 mijë punonjësve të Policisë mundësinë që të ndjenin dinjitet në përmbushjen e detyrës.

Në vitin 2014 nisëm rritjen e parë të pagave për punonjësit e Policisë – deri në nivelin e 25%. Dhe  vlerësuam se do ishte më mirë që pagat të rriteshin më shumë për ata që punojnë në terren, për ata që kanë përballë qytetarit të cilit i shërbejnë, dhe vënë përballë shkelësit e ligjit. Dhe vendosëm që Drejtorit të Policisë të mos i rritej rroga, por  punonjësve të Policisë në nivelin bazë t’i rritej rroga deri në 25%. Kjo sepse vlerësuam sakrificën, përgjegjësinë që ka punonjësi i Policisë në terren përballë qytetarëve, vlerësuam vështirësinë, dhe mbi të gjitha u dhamë dinjitet punonjësve të Policisë.

Gjithashtu, qeveria mori një vendim tjetër duke vendosur taksën progresive. Sepse për ne ishte e papranueshme që një punonjës policie të paguante më shumë taksa se Drejtori i Policisë apo Ministri. Ne vendosëm një regjim të drejtë të taksimit. Dhe sot punonjësit e Policisë paguajnë më pak taksa se eprori i tyre dhe shumë më pak taksa se Ministri apo Kryeministri. Dhe kjo u përkthye përsëri në një rritje page për punonjësit e Policisë deri në 5%.

Këtë vit, që nga 1 Marsi ka filluar rritja e pagave për të gjithë punonjësit e Policisë. Për të 11 mijë punonjësit e Policisë rritet paga si kurrë më parë. Ju kujtoj këtu se rritja e fundit e pagave përpara se ne të merrnim detyrën ishte në vitin 2003. Qeveria a kaluar jo vetëm që nuk i rriti pagat, por i uli me 4%. Ndërkohë, nga ky vit, nga 1 Marsi qeveria vendos dhe fillon implementimi i sistemit të ri të pagave. Rriten pagat për çdo punonjës policie. Dhe për punonjësit e rolit bazë, pra për ata që janë në terren dhe që përballen me sakrifica të përditshme, ata që e kanë detyrën më të vështirë, ata që i shërbejnë qytetarëve, ata që përballen me krimin dhe më të gjithë ata që shkelin ligjin, rritja e pagës në total shkon deri në 50%.
 
Kjo është rritja më e madhe e pagave që ka ndodhur ndonjëherë në Policinë e Shtetit. Ky është vlerësimi ynë më i madh për të gjithë ata që punojnë ndershmërisht në Policinë e Shtetit. Kjo është mirënjohja jonë më e madhe për të gjithë ata që kanë sakrifikuar dhe vazhdojnë të sakrifikojnë për ta bërë Shqipërinë më të drejtë, më të sigurt, për t’i bërë qytetet, lagjet tona më të sigurta dhe për t’u shërbyer më mirë qytetarëve.
 
Nga ana tjetër po dje, qeveria ka miratuar një vendim shumë të rëndësishëm për t’u solidarizuar dhe për të ndihmuar çdo punonjës policie që ka pasoja nga përballja e tij me luftën kundër krimit. Një punonjësi policie të cilit i shkatërrohet prona për shkak të detyrës, qeveria dhe shteti merr përgjegjësinë ta dëmshpërblejë lek për lek. Qeveria dhe shteti merr përsipër, në mënyrën më solidare, përgjegjësinë t’i gjendet në krah punonjësit të policisë.

Po kështu kemi bërë me Sigurimin e Posaçëm Shëndetësor për forcat speciale FNSH dhe RENEA, që janë pjesë e krenarisë sonë për “Policinë që duam”.

Dhe shumë më shumë kemi bërë për uniformat, mjetet, infrastrukturën e teknologjinë që përdor punonjësi i policisë. Sepse ne besojmë që të jesh punonjës policie nuk është detyrë si çdo detyrë, por është një mision për t’u shërbyer qytetarëve.
 
Ka ende punonjës policie që nuk e mendojnë kështu. Ka ende punonjës policie që akoma nuk janë të bindur që kjo nuk është detyrë si çdo detyrë por mision. Ka ende punonjës policie që nuk e ka kuptuar se Shqipëria ka nisur një rrugë të re për t’u sjellë në mënyrë më të drejtë me qytetarin, për t’i shërbyer më mirë qytetarit, për t’i konsideruar të gjithë qytetarët të barabartë para ligjit, pa pasur as të preferuar e as të paprekshëm. Ka ende punonjës policie që bëjnë pis uniformën. Ka ende punonjës policie që nuk e meritojnë të jenë më në radhët e Policisë së Shtetit. Dhe është detyra e çdo punonjësi të ndershëm të Policisë së Shtetit, e secilit prej jush që i shërben me ndershmëri qytetarëve dhe përballet me forcë me paligjshmërinë, që të nxirrni jashtë radhëve tuaja të gjithë ata që deformojnë në mënyrë të pariparueshme besimin e publikut tek policia.
 
Sot sigurisht është arritje e madhe që, nga trupa më e korruptuar, Policia e Shtetit është trupa më e besuar nga qytetarët. Kjo falë jush pa asnjë diskutim. Por ka ende shumë më shumë punë për të bërë për të gjithë ata që nuk e kanë kuptuar ende. Dhe sot qytetarët presin shumë më shumë prej nesh. Sot bashkë me qytetarët kemi hapur një kapitull të ri që nuk ka të bëjë aspak me atë që kemi lënë pas.

Policia nuk kthehet dot më pas. Shqipëria nuk mbetet dot më peng e së shkuarës, pikërisht sepse puna që kemi bërë deri më sot ka përcaktuar të ardhmen e policisë dhe Shqipërisë që duam. E në se deri më sot kemi bërë maksimumin për të mbështetur çdo punonjës policie, dhe nëse deri sot kjo qeveri ka rritur pagat deri në 50% për punonjësit e policisë, nëse deri më sot bashkë me ju kemi bërë shtet, ne kemi diktuar një mënyrë tërësisht tjetër të të bërit të punës përballë qytetarëve, të të shërbyerit përballë qytetarëve, të të venit përpara përgjegjësisë të të gjithë atyre që shkelin ligjin. Shumë më shumë do bëjmë në vazhdim, me më shumë energji, për të pasur dhe një ekonomi më të fortë për familjet tuaja, për të pasur punësim të sigurt për të rinjtë, sepse kjo është rruga jonë.
 
Policinë e gjetëm të mbytur në borxhe të cilat i shlyem me të marrë detyrën. E gjetëm pa uniforma, me makina të shkatërruara pa asnjë lloj teknologjie. Dhe kjo ishte tradhtia më e madhe ndaj policisë.

Por sot na duhet të ecim një hap më përpara, na duhet të bëjmë akoma më shumë. Dhe rritja e pagës për secilin prej jush është një mbështetje për familjet tuaja. Janë 11 mijë familje, familjet e çdo punonjësi policie, që nuk ia kanë askujt borxh braktisjen e deridjeshme dhe që sot janë më të mbështetura nga kjo qeveri, falë mbështetjes që i kemi dhënë çdo punonjësi policie. Kjo nuk është mjaftueshëm, por kjo është një hap më shumë në rrugën që kemi nisur të gjithë bashkë. Kjo nuk është aq sa duhet, nuk mjafton për të përballur çdo sakrificë që ka punonjësi i policisë, por është një hap më shumë në rrugën e duhur.

Ka akoma më shumë punë për të bërë. Së pari, për të pasur më shumë integritet brenda policisë. Dhe së dyti, për të fituar besimin e çdo qytetari që sot ka akoma një pikëpyetje tek puna që bëjmë ne, tek puna që bëni ju. Dhe ndaj është shumë e rëndësishme që e gjithë mbështetja që iu kemi dhënë, të kthehet në punë më shumë, në shërbim më shumë, në detyra më shumë, në përgjegjësi më shumë. Ndaj është shumë e rëndësishme që qytetarët të ndihen më të fortë, më të mbrojtur e më komodë, duke pasur punonjësit e policisë në shërbim dhe në mbrojtje të tyre.

Nëse qeveritë i kanë lënë jetim qytetarët dhe familjet shqiptare, Policia e Shtetit nuk mund ta bëjë këtë, por duhet t’i gjendet në shërbim dhe në mbrojtje ndaj çdo qytetari, në çdo cep të Shqipërisë. Është kjo arsyeja pse mbi të gjitha kemi shpenzuar energji pa fund për të bërë shtet. Është kjo arsyeja pse mbi të gjitha kemi shpenzuar energji pa fund për të mbështetur punonjësit e policisë. Është kjo arsyeja pse në vazhdim, siç kemi bërë deri më sot por me më shumë energji, do bëjmë më shumë punë për një ekonomi më të fortë dhe për punësim të sigurt për të rinjtë.

Unë dua t’ju falënderoj për gjithçka keni bërë. Keni të gjithë mirënjohjen tonë dhe të gjithë mbështetjen e publikut. Por të gjithë bashkë duhet t’u premtojmë qytetarëve se çdo lek më shumë që kanë shpenzuar dhe shpenzojnë për pagat tuaja, Policia e Shtetit do e rikëmbejë me shërbim: shërbim ndaj qytetarëve, ndaj atyre që kanë më shumë nevojë, ndaj atyre që kanë nevojë për Policinë e Shtetit për të qenë më të mbrojtur dhe më të shërbyer.

Kemi ndërmarrë një sërë reformash që garantojnë ekzaktësisht mundësi më shumë që ju të bëni punën. Jam shumë i vetëdijshëm që shumë më shumë mund të kishim bërë e që shumë prej jush mendojnë se ka ende mundësi për të bërë akoma më shumë. Nuk është e lehtë ajo që kemi nisur bashkë. Është një rrugë që nuk ka kthim pas. Dhe falë punës që kemi bërë të gjithë bashkë, kemi mundur të rrisim pagat edhe për mësuesit, edhe për mjekët dhe për të gjithë ata që punojnë në këtë vend.

Ne shpërblejmë punën, jo përtacët. Ne shpërblejmë ata që i shërbejnë qytetarit. Jo ata që i shërbejnë vetes. Ne shpërblejmë me paga më të mira ata që garantojnë që qytetarët të jenë të barabartë para ligjit. Jo ata që deri dje kanë bërë të mundur që qytetarët të jenë të ndarë në disa skllevër e disa pronarë, disa të preferuar të pushtetit e disa jo,disa “të mirë” e disa “të këqij”, disa me derën hapur e disa me derën mbyllur gjithmonë, disa të përkëdhelur e disa të urryer gjithë kohës.

Ky besim i qytetarëve, dhe mbi të gjitha i qeverisë ndaj jush, duhet të shpërblehet me punë. Dhe unë besoj kam mundësi bashkë me ju t’ua premtojmë qytetarëve që çdo fije besimi që i kanë dhuruar Policisë së Shtetit është më shumë punë se çdo rritje page për ju e çdo mbështetje në infrastrukturë dhe teknologji do jetë më shumë punë. Dhe nuk kam asnjë dyshim që të gjithë bashkë do bëjmë shumë më shumë për Policinë që duam dhe për Shqipërinë që duam.

Ju faleminderit.