Postuar më: 07 Prill 2017

Shkodër - Goditet tentativa për kultivim narkotikësh, masa edhe për punonjës policie

- Arrestohen 2 shtetas, procedohen në gjendje të lirë 4 persona, mes tyre 2 drejtues vendorë

- 5 masa ndëshkimore për punonjës të Policisë së Shtetit

Konferenca për media e Drejtorit të Policisë Vendore Shkodër Alban Çela:

Në bazë të Planit të Veprimit për zbulimin, parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike si dhe kontrolleve të pandërprera në gjithë territorin e qarkut, nga shërbimet policore në ambjentet e banesës së shtetasit Paulin Kola, në fshatin Rrenc, Njësia Administrative Gur i Zi, në një miniserë u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 87 kubik me kanabis të kultivuar në gota plastike dhe kuti polesteroli.

U kryen veprimet hetimore dhe u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: 
- Paulin Kola, 35 vjeç, banues në Rrenc, për veprën penale "Kultivim i bimëve narkotike në bashkëpunim" e parashikuar nga neni 284 e 25, Kodit Penal 
- Zef Kola, 59 vjeç, banues në Rrenc, për veprën penale "Kultivim i bimëve narkotike ne bashkëpunim" e parashikuar nga neni 284 e 25, Kodit Penal.

Gjithashtu u proceduan penalisht në gjendje të lirë për veprën penale "Moskallzim krimi", e parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal shtetasit:
- Pjerin Marku, 28 vjeç, banues në Shkodër, me detyrë Administrator i Njësisë Administrative Gur i zi 
- Kolë Marku, 52 vjeç, banues në Shkodër, me detyrë Kryeplak i fshatit Rrenc 
- Rexhina Kola, 58 vjeçe, banuese në Rrenci
- Marian Kola, 30 vjeç, banues në Rrenc.

Materialet proceduriale iu referuan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër për veprime të mëtejshme.

Lidhur me këtë rast nga Drejtoria Vendore Shkodër ka filluar ecurinë disiplinore, si dhe do të kryhen veprimet nga SHÇBA dhe Drejtoria e Standarteve, për punonjësit e policisë:
- Komisar S.B., shef Seksioni për Hetimin e Krimeve, për shkelje të lehtë të disiplinës 
- Komisar I.H., shef i Policimit në Komunitet, për shkelje të lehtë të disiplinës 
- Nënkomisar E.SH., referent i SPZ, për shkelje të rëndë të disiplinës
- Nënkomisar A.H., specialist për Hetimin e Krimeve për shkelje të rendë të disiplinës
- Inspektor E.M., ndihmës Specialist SPZ në zonën Gur i Zi, u pezullua paraprakisht nga detyra.

Ju faleminderit!