Postuar më: 08 Shtator 2017

Slloveni/ Takimi i 17-të i Komitetit të Ministrave të Konventës të Bashkëpunimit Policor në Evropën Juglindore

Në datat 7 dhe 8 shtator 2017 është zhvilluar në Brdo të Sllovenisë takimi i 17-të i komitetit ministror të Konventës të bashkëpunimit policor në Evropën Jugliondore, ku marrin pjesë Shqipëria, Austria, Bullgaria, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Hungaria, Maqedonia, Moldavia, Rumania, Serbia dhe Sllovenia, si dhe përfaqësues të Komisionit Evropian, Eurojust, Europol, Frontex dhe të disa organizatave rajonale.

Synimi i konventës së bashkëpunimit policor në Evropën Juglindore është krijimi i bazës ligjore uniforme për pjesëmarrje të policisë të vendeve të Evropës Juglindore, të cilat nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian, në përmbushje të interesave të përbashkëta të sigurisë, luftën efektive kundër rreziqeve ndërkufitare dhe krimit ndërkombëtar.

Të gjitha palët kontraktuese të PCC SEE kontribuuan në hartimin e një dokumenti unik ligjor dhe teknik. Marrëveshja dhe manualët e përdorimit u përfunduan me sukses në 12 korrik 2017, me hartimin e manualit të përdorimit për infrastrukturën e komunikimit. Shqipëria si palë kontraktuese është në proces negocimi.

Zbatimi dhe përdorimi i këtij dokumenti ka si qëllim arritjen e rezultateve operacionale bazuar në standardet e BE-së, përpara se të gjitha palët kontraktuese të bëhen pjesë e BE-së: PCC SEE lehtëson aderimin në proces të palëve kontraktuese.

Gjatë takimit, u prezantua një informacion mbi kërkesat organizative, teknike dhe financiare që duhen përmbushur në nivel kombëtar për implementimin e një kuadri ligjor në linjë me atë të EU-Prum.

Gjatë fjalës së tij zëvendësministri Stefan Çipa garantoi se Republika e Shqipërisë mbështet nisjen e procesit të negociatave zyrtare për kornizën e ardhshme të BE-së, të frymëzuar nga EU-Prüm, për shkëmbimin e të dhënave të automatizuara në rajonin e vendeve të Evropës Juglindore, në kuadër të anëtarësimit në BE, duke konsideruar këtë çështje si prioritare në luftën kundër terrorizmit, krimit të organizuar dhe krimeve të rënda.

PCC SEE është veçanërisht shumë e nevojshme për Shqipërinë, e cila nuk është ende vend anëtar i BE-së, për ndihmën në kuadrin e zhvillimit të bashkëpunimit policor ndërkufitar, duke ndjekur standardet e BE-së dhe duke kontribuar në procesin e pranimit të Shqipërisë në BE. 

Gjithashtu, në këtë seancë u zhvillua edhe një takim bilateral me përfaqësues nga EUROPOL, ku Zëvendësministri ynë pranoi kërkesën e tyre për praninë e një ose më shumë oficerëve në vendin tonë, me qëllim ndihme dhe koordinimi.

Në përfundim të këtij takimi, Zëvendësministri deklaroi më këtë rast pranimin e mandatit formal të Shqipërisë si anëtare e Bordit të IISG, nivelit më të lartë mbështetës të IISG, ngarkuar me funksionin e programimit, koordinimit, monitorimit dhe vlerësimit në zbatimin e IISG dhe sigurimin e dukshmërisë politike në këtë proces.