Postuar më: 31 Korrik 2017

Task Forca Antikanabis/Drejt zmbrapsjes totale, të kultivuesve të kanabisit

Task Forca raportim në Zyrën Operacionale të Situatës - Drejt zmbrapsjes totale të kultivuesve të kanabisit në të gjithë territorin e vendit dhe pastrimit përfundimtar të hartës së Shqipërisë nga njolla e këtij fenomeni kriminal. Në rend të ditës sekuestrimi i aseteve kriminale dhe ndjekja, arrestimi e ndëshkimi ligjor i "të fortëve" në feudet e në llagëmet e drogës.

Fjala e zv/ministres së Punëve të Brendshme, Drejtuese e Task Forcës Antikanabis, Rovena Voda:

I nderuar zoti Kryeministër,
të nderuar pjesëmarrës,

Gjatë 2 javëve të fundit, fokusi nuk ka qenë vetëm lufta kundër kultivimit por edhe trafikimit të narkotikëve.

Në këtë frymë është konceptuar e githë lufta e Ministrisë së Punëve të Brendshme për t’u ndarë në dy fronte:

Fronti i parë - identifikimi dhe eliminimi i kanabisit ,qoftë me fluturime nga ajri, qoftë me operacione tokësore të shtrira në të gjithë territorin e Shqipërisë. Rezultatet janë mbreslënëse pasi po e zerojmë  kultivimin në vend.

Gjithashtu besoj se është lufta e pa kompromis që po zhvillohet në çdo cep të Shqipërisë, që provon dëshmitë e raportimeve që vijnë nga fluturimet ajrore të partnerëve, për parcela në zona të thella. 

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në Ministrinë e Punëve të Brendshme, në zbatim të Planit Operacional të Shërbimit, ka shkëmbyer me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Drejtoritë Vendore 33 informacione për kultivim e trafikim të lëndëve narkotike.

Gjithashtu në linjën e gjelbër 0800 90 90 nga qytetarët janë denoncuar 5 raste për kultivim dhe trafikim të narkotikëve. Në këtë aspekt, Ministria e Punëve të Brendshme i nxit qytetarët të jenë bashkëpunues me Policinë e Shtetit dhe autoritetet ligjzbatuese.

Gjithashtu në nivel qarku janë ngritur dhe funksionojnë rregullisht Task-Forca Vendore, nën drejtimin e Prefektit. Çdo muaj organizohen deri në 4 takime sipas problematikave. Nga këto struktura është bërë identifikimi i nevojave për zbatimin me sukses në nivel vendor të PKK.

Zhvillimi alternativ, mbetet hapi i radhës në punën tonë për zbatimin e plotë të PKKK, në bashkëpunim me institucionet e tjera shtetërore dhe partnere për të ofruar mundësi dhe zhvillimi të ligjshëm.

I ftoj të gjitha institucionet që janë pjesë e masave që prekin zhvillimin alternative t’i përfshijnë ato në programet e reja të punës së tyre për 4 vjeçarin e ardhshëm qeverisës.

Fushata ndërgjegjësimi po ndërmerren në kuadër të një Plani Komunikimi, të hartuar e zbatuar nga Ministria e Punëve të Brendshme si autoritet përgjegjës i ngarkuar. Ky Plan Komunikimi po fokusohet tek ndërgjegjësimi për bashkëpunim qytetar në raportimet e rasteve të paligjshme të kultivimit e trafikimit.

Në vijim është ngritur një grup pune i përbërë nga ekspertë të komunikimit të disa ministrive si: e Shëndetësisë, Arsimit, e Bujqësisë, e Mirëqenies Sociale, e Mjedisit, e Drejtësisë, e Punëve të Jashtme, e Mbrojtjes (Forcat e Armatosura), e Financave, për Çështjet Vendore. Gjithashtu pjesë e grupit të punës do jetë edhe Prokuroria e Përgjitshme.

Objektivi i Planit të Komunikimit është ndërgjegjësimi për uljen e konsumit të kanabisit, përmes:

- një fushate edukuese tek grupet më të ekspozuara dhe moshave më delikate mbi dëmet shëndetësore dhe pasojat individuale, familjare e shoqërore;

- prezantimit të alternativave nga ministritë e linjës;

- materialeve mbi penalitetet e parashikuara nga ligji në kuadër të tolerancës zero.

Aktualisht për komunikimin informues, në kuadër të transparencës së punës së Policisë, rregullisht jepen njoftime për shtyp dhe pamje mbi operacionet e Policisë gjatë kontrollit dhe monitorimit të zonave në rang kombëtar apo në nivel qarku, në mediat vendase apo të huaja.

Fronti i dytë - lidhet me luftën kundër trafikimit dhe aseteve pasurore të grupeve kriminale.

Policia e Shtetit ka goditur grupe të strukturuara kriminale si ai në fshatrat e Vlorës, me 9 të arrestuar dhe disa tonelata drogë të sekuestruar. Mes të ndaluarve kishte edhe punonjës policie; por edhe një tentativë trafikimi në bregdetin e Kavajës. Në një operacion të përbashkët me partnerët italianë të Guardia di Finanzas u kap një skaf që tentoi të dërgonte në anën tjetër të detit një sasi mbi 1 ton hashash.

Hetimet janë intensive për të zbuluar lidhjet dhe pasuri të tyre, që mund të kenë burim të dyshimtë. Pa dyshim që ndëshkimi do të jetë i ashpër për këdo që do të rezultojë i përfshirë. Policët e implikuar do të marrin ndëshkimin shëmbullor.

Nga 1 janari deri sot janë 48 grupe kriminale të goditura në fushën e narkotikëve. Një shifër domethënëse, besoj unë, që tregon se Policia po i shkon në zemër problemit dhe një përgjigje për zërat kryesisht mediatikë që thonë se kemi arrestuar punëtorët, por jo kokat e grupit.

Hetime intensive po zhvillohen për goditjen në zemër të aktiviteteve kriminale të kultivimit dhe trafikimit të narkotikëve .

Këtë vit janë kryer 1620 verfikime pasurore të subjekteve apo familjarëve të tyre të dyshuar për implikim në kultivim apo trafikim të lëndëve narkotike. Aktualisht janë referuar në prokurori dhe po bëhen hetime pasutore për pesë grupe kriminale me asete si shoqëri tregtare, hotele, lokale, banesa, tokë truall, automjete, etj.

Dua ta ritheksoj se lufta jonë e përbashkët kundër drogës vazhdon. Këtë vit me më shumë forcë, vendosmëri me një objektiv të qartë – zero kultivim dhe nxjerrjen e Shqipërisë nga harta e drogës.

Bashkëpunimi me partnerët është në nivele të larta, inkurajues për betejën kudo e ndaj kujtdo, sepse nuk njohim asnjë të pandëshkueshëm.

Kjo luftë jo vetëm ndaj drogës, por krimit në tërësi duhet pranuar, ka kosto e nuk mbaron në fund të vitit.  Por do ta vazhdojmë deri kur paratë që prodhon e riciklon krimi e droga, të shkojnë para drejtësisë.

Kjo është rruga për ta bërë Shqipërinë më të sigurt!

E dimë vështirësinë dhe rëndësinë, e ndaj nuk kthehemi dot pas.
Ju faleminderit!

*  *  *

Nga data 18 Korrik deri në 31 Korrik: Goditja e kultivimit të kanabisit

- 34 raste të kultivimit të kanabisit

- 9280 bimë

- zbuluar 17 raste (ose 50%)

- 25 autorë (17 arrestuar, 2 në gjendje të lirë, 6 në kërkim).

- 11 persona të proceduar për shpërdorim detyre e moskallëzim krimi (2 arrestuar, 9 ndiqen në gjendje të lirë).

* * *

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin raportues në Zyrën Operacionale të Situatës të Task Forcës për zbatimin e Planit Kombëtar të Luftës për Parandalimin e Kultivimit dhe Trafikimit të Kanabisit:

Panorama e rezultateve të arritura është e qartë. Objektivi ambicioz për t’i dhënë fund kultivimit të kanabisit në territorin e Republikës së Shqipërisë, një fenomen që e njollos vendin tonë, është drejt realizimit të plotë. Nëse do të arrijmë të plotësojmë ashtu siç e kemi vendosur këtë objektiv, për nga pikëpamja e pastrimit të territorit nga feudet e kultivuesve të kanabisit, ana tjetër e medaljes është e gjitha për t’u parë më thellë e deri në fund, në kuptimin e evidentimit, ndalimit dhe ndëshkimit të elementeve kriminale që kanë përfituar në mënyrë krejtësisht të paligjshme shuma të mëdha parash dhe që posedojnë asete kriminale. 

Policia e Shtetit meriton një vlerësim të posaçëm në këtë proces, duke marrë parasysh se pavarësisht ngarkesës së shtuar nga fluksi i madh i turistëve, por edhe nga fenomeni i zjarreve, nuk ka pasur asnjë cedim në frontin e luftës kundër kultivimit dhe kultivuesve të kanabisit. Është e qartë që pavarësisht nga përpjekja e posaçme e Policisë së Shtetit ka ende autoritete vendore, prefektë, kryetarë të caktuar bashkish apo njësish administrative, që nuk janë shfaqur në lartësinë e kësaj sfide. E siç e kemi nënvizuar qysh në krye të herës, kur kemi lançuar planin e madh kombëtar për çrrënjosjen e kanabisit, nuk është vetëm sfida e Policisë së Shtetit, por një sfidë tërësore e të gjitha institucioneve dhe agjencive ligjzbatuese, madje dhe e shoqërisë.

Edhe prania e drejtorit të Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave në këtë takim nuk është e rastësishme, por shpreh domosdoshmërinë që lufta në këtë front të përshkallëzohet në drejtim të elementëve kriminale, të parave të krimit dhe të aseteve kriminale.

Është momenti që Policia e Shtetit të përgatitet për një operacion të madh kombëtar kontrolli të elementëve me rekorde kriminale në gjithë territorin e  vendit, që janë simbole të këtyre feudeve të kultivimit të kanabisit, por jo vetëm. Që kanë statusin e të fortit të zonës dhe që në këndvështrimin tim janë lehtësisht të evidentueshëm, lehtësisht të ndjekshëm penalisht dhe lehtësisht të goditshëm, përsa i përket aseteve që kanë në zotërim.

Mjafton që ky operacion, i cili duhet përgatitur me shumë kujdes dhe nuk duhet të bëhet pengesë në këtë fazë kulmore të sezonit turistik për lëvizjen e lirë të turistëve, menjëherë, me përfundimin apo me rënien e fluksit të turistëve, të vihet në zbatim duke kontrolluar automjetet e këtyre personazheve. Mjafton që këta elementë shumë shqetësues për komunitetet, shumë shqetësues për rendin dhe për sigurinë, shumë shqetësues për faktin se mishërojnë pandëshkueshmërinë e më shumë se një çerekshekulli, të vihen para përgjegjësisë për të justifikuar vlerat marramendëse të automjeteve dhe aseteve të tyre, që të bëhet transparencë. Nga kjo transparencë të përgjigjen aty ku duhet përpara prokurorisë dhe gjykatës.

Është koha për ta pastruar Shqipërinë, jo vetëm nga kanabisi, por edhe nga këto mikrobe të gjalla që kontaminojnë seriozisht organizmin e komuniteteve tona, kërcënojnë seriozisht sigurinë e njerëzve të zakonshëm të këtij vendi, familjarëve, banorëve në të gjithë territorin e vendit ku këto feude të kanabisit janë shprehja më kuptimplotë e domosdoshmërisë për të lidhur zhdukjen e tyre me goditjen pa mëshirë të këtyre elementëve kriminalë.

Policia e Shtetit ka gjithë informacionin e duhur. Kujtesa e Policisë së Shtetit është mjaftueshmërisht e pasur me emra, me bëma, me lidhje, me lëvizje të këtyre lloj mikrobeve, që të bëjë të mundur një operacion super të suksesshëm në këtë drejtim, për t’i dhënë një mesazh shumë të qartë komuniteteve, njerëzve të zakonshëm, që koha kur shteti ishte vetëm një alternativë e sigurisë së tyre dhe kur duhet ta kërkonin sigurinë, duke iu paguar renta si biznese, apo duke iu nënshtruar këtyre elementëve, ka marrë fund njëherë e përgjithmonë.

Edhe suksesi i qartë që po përvijohet në luftën kundër kultivimit të kanabisit, edhe pastrimi rrënjësor i hartës së Shqipërisë nga njollat jeshile të turpit që i vë vendit ky fenomen, tregon se vullneti i hekurt i Policisë së Shtetit, koordinimi i mirë me partnerët tanë italianë, që përfitoj nga rasti t’i falenderoj përzemërsisht, me shumë mirënjohje, për të gjithë ndihmën që na japin dhe po ashtu koordinimi me agjencitë e tjera kanë të gjithë potencialin për ta nxjerrë shtetin faqebardhë në përplasjen pa kompromis. Përplasje që duhet të fillojë në një shkallë të re me të gjithë elementët shqetësues të rendit publik, elementët shqetësues të qarkullimit rrugor, elementët shqetësues të mjediseve publike, elementët shqetësues pranë oborreve të shkollave, elementët shqetësues në dyert e hipotekave, që janë në një mënyrë, ose një tjetër, ose edhe drejtpërdrejtë, promotorë të këtij kriminaliteti që te kanabisi gjen shprehjen e vet më ulëritëse, ose të lidhur me këta lloj promotorësh. Jam i bindur që sot, Policia e Shtetit i ka të gjitha mundësitë ta bëjë këtë.

Dua që po ashtu të përgëzoj një aspekt shumë të rëndësishëm moral të të gjithë këtij operacioni, goditjen e elementëve brenda Policisë së Shtetit, që janë të lidhur me këtë veprimtari. Kjo duhet të shtrihet më tutje, me goditjen e elementëve brenda Policisë së Shtetit, që janë të lidhur, apo edhe më keq, të nënshtruar ndaj elementëve që përmenda më lart, ndaj feudalëve në hije, që shqetësojnë mjedisin tonë publik dhe jetën komunitare, duke bartur me vete pasaportën e zymtë të veprave kriminale dhe duke qenë vërdallë si hije kërcënuese për qetësinë publike dhe atë të familjeve, bizneseve e me radhë, të gjithë njerëzve që jetojnë në këtë vend, duke respektuar ligjin e duke respektuar komunitetin.

Besoj se pas një tjetër periudhe kohe, mendoj në 10-ditëshin e fundit të muajit, do t’i a vlente një tjetër azhornim me të gjitha rezultatet e deritanishme, për të cilat meritoni të gjithë vlerësimin dhe mirënjohjen time dhe të qeverisë shqiptare.

Shumë faleminderit!