Postuar më: 27 Shtator 2017

Urdhër për marrjen e masave për përfitimin e certifikatave nëpërmjet shërbimit elektronik

Dokumentat e bashkëngjitura

Minitri i Brendshëm Fatmir Xhafaj ka firmosur sot urdhrin për marrjen e masave për zbatimin e rregullave për përfitimin e certifikatave nëpërmjet shërbimit publik elektronik. 

Në këtë urdhër thuhet:

"Në mbështetje të pikës 4, të nenit 102, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe të vendimit nr. 495, datë 13.9.2017, të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e rregullave të përfitimit të shërbimeve publike elektronike”,

URDHËROJ:

1. Në zbatim të vendimit nr. 495, datë 13.9.2017, të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e rregullave të përfitimit të shërbimeve publike elektronike”, drejtoritë qendrore dhe institucionet e varësisë së Ministrisë së Brendshme, të caktojnë nëpunësin/personin përgjegjës, i cili do të ketë akses në portalin unik qeveritar e-albania, me qëllim përfitimin e shërbimeve publike elektronike.

2. Në zbatim të vendimit nr.332, datë 17.3.2010, të Këshillit të Ministrave “Për përcaktimin e formës, elementëve përbërës, mënyrës së mbajtjes e afatit të përdorimit të dokumenteve bazë, që mbahen dhe lëshohen nga shërbimi i gjendjes civile”, të ndryshuar, Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, të orientojë zyrat e gjendjes civile në bashki/ njësi administrative që lëshimi i certifikatës personale dhe familjare nga Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile i vitit 2010, të ofrohet vetëm nëpërmjet portalit unik qeveritar e-albania, për institucionet publike që kërkojnë këtë dokument gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tyre.

3. Për përfitimin e certifikatës personale dhe familjare, drejtoritë qendrore dhe institucionet e varësisë së Ministrisë së Brendshme, të aplikojnë në portalin unik qeveritar e-albania, nëpërmjet nëpunësit të caktuar, sipas pikës 1, të këtij urdhri.

4. Në rastet e paraqitjes së shtetasve pranë zyrave të gjendjes civile në bashki/njësi administrative, nëpunësit e këtij shërbimi të informojnë shtetasit për mënyrën e përfitimit të këtyre dy certifikatave me vulë elektronike nëpërmjet portalit unik qeveritar e-albania, nga vetë institucionet publike që kërkojnë këto dokumente, pa u aplikuar taksa e pullës.

5. Ngarkohen drejtoritë qendrore dhe institucionet e varësisë së Ministrisë së Brendshme, të raportojnë çdo muaj për ecurinë e këtij procesi, pranë Ministrit nëpërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile.

6. Ngarkohen me zbatimin e këtij urdhri drejtoritë qendrore dhe institucionet e varësisë së Ministrisë së Brendshme, Prefektët e Qarqeve, si dhe zyrat e gjendjes civile në bashki/njësi administrative.

7. Ngarkohet Drejtoria e Komunikimit & TI-së në Ministrinë e Brendshme dhe Drejtoria e TI-së në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, për ushtrimin e kontrolleve periodike mbi aksesin e punonjësve/nëpunësve të autorizuar, sipas këtij urdhri, për zbatimin e pikës 14, të vendimit nr. 495, datë 13.9.2017, të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e rregullave të përfitimit të shërbimeve publike elektronike”.

Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë".