Postuar më: 28 Shtator 2017

Vlorë/Policia Kufitare procedon 5 shtetas, lanë fëmijët në vendet e BE për azil

Vlorë - Policia Kufitare Vlorë apelon për ndërgjegjësim ndaj të gjithë shtetasve për të mos i braktisjur fëmijët e mitur në vendet e BE-së më qëllim përfitim azili social

DVKM Vlorë ka nisur procedimin penal për 5 shtetas pasi rezultojnë autorë të veprës penale ''Braktisja e fëmijëve të mitur''

Drejtoria Vendore e Kufirit dhe Migracionit Vlorë, gjatë 10 ditëve të fundit në Pikën e Kalimit Kufitar të Portit Vlorë, ka konstatuar 5 raste të veprës penale "Braktisja e fëmijëve të mitur", në vendet e BE-së me qëllim përfitimi azil social.

Për këtë arsye ka nisur procedimi penal për 5 shtetas:

- L.P., 57 vjeç, banues në fshatin Baltëz, Fier;

- A.H., 69 vjeç, banues në fshatin Picar, Vlorë;

- P.C., 45 vjeç, banues në fshatin Strum, Fier;

- D.GJ., 49 vjeç, banues në Tiranë;

- B.K., 43 vjeç, banues në fshatin Shtermen, Elbasan.

Ata kanë dalë nga PKK Vlorë së bashku me fëmijët e mitur dhe janë kthyer pa ta.

Nga pala italiane dhe ajo franceze është bërë njoftim pranë struktuarve policore të DVKM Vlorë se fëmijët e këtyre shtetasve kanë kërkuar azil social pikërisht në këto vende.

Lidhur me këto raste, Policia Kufitare ka referuar materialet në Prokurori në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur për veprën penale ''Braktisja e fëmijëve të mitur'', parashikuar nga neni 124 i Kodit Penal.

Policia e Shtetit u bën thirrje të gjithë shtetasve, të cilët kalojnë kufirin shqiptar me fëmijët e mitur për në vendet e BE-së të mos i braktisin ata me qëllim përfitimi azil social.

Në të kundërt do të jenë subjekt të hetimit dhe do të ndiqen penalisht për veprën penale të "Braktisjes së fëmijëve të mitur".