Postuar më: 10 Mars 2017

Zbatimi i ligjit “Për masat shtesë të sigurisë” – Sanksione pas 28 dhjetorit

Dokumentat e bashkëngjitura

VIDEO / 10 Mars, Tiranë  – Fjala e ministrit të Punëve të Brendshme Saimir Tahiri gjatë takimit me grupet e interesit për Ligjin ‘Për masat shtesë për sigurinë publike’:

 

Jam munduar shumë herë ta them në publik, dhe mendoj se ka ende vend për të bashkëbiseduar me qytetarët dhe veçanërisht me përfaqësuesit e grupeve të interesit, mbi përgjegjësinë që ka secili për ta bërë këtë vend më të sigurt. Është bërë shumë e zakonshme që sa herë ndodh diçka në këtë vend gishti i përgjegjësisë drejtohet tek Policia e Shtetit. Ndërkohë që ka një sërë hallkash institucionale dhe jo vetëm, që duhet të bashkëndajnë (veçanërisht në fazat paraprake), të parandalojnë dhe të marrin masat që të mos ndodhin ngjarje kriminale, të mos shkelet ligji, dhe qytetet, lagjet, komunitet, shoqëria në përgjithësi të jetë më e sigurt.

Por për shkak të detyrës së rëndësishme që ka Policia e Shtetit, jemi munduar të fokusohemi kryesisht në reformimin e sektorit të sigurisë, duke rritur pagat e punonjësve të Policisë, duke përmirësuar infrastrukturën e Policisë së Shtetit dhe mundësinë e saj teknologjike. Duke i dhënë Policisë së Shtetit më shumë potencial për të bërë më mirë detyrën, për t’u shërbyer më mirë qytetarëve e për ta bërë vendin më të sigurt.

Nga ana tjetër kemi bashkëndarë shqetësimin konstant lidhur me Policitë Private. Nëse sot ka rreth 11 mijë punonjës policie të Shtetit, në territor janë thuajse 9 mijë punonjës të policive private. Të gjithë njerëz që nënpaguhen, shfrytëzohen dhe nuk paguhen siç duhet nga të gjithë ata që kanë ngritur nga një polici private si kioskë, dhe nuk garantojnë asnjë lloj sigurie e as nuk bashkëndajnë me Policinë e Shtetit asnjë lloj përgjegjësie për sigurinë që duam.

Është kjo arsyeja pse kemi nisur një inspektim të përgjithshëm në të gjitha kompanitë që ushtrojnë shërbimin e policisë private. Duke besuar se, ky inspektim dhe çdo masë tjetër kontrolluese që do ndërmarrë Policia e Shtetit, do detyrojë pronarët e policive private që të respektojnë ligjit siç duhet dhe nga ana tjetër të japin më shumë siguri për shërbimin që marrin përsipër kundrejt pagës nga kontraktorët e tyre.

 

Do marrim çdo masë që punonjësit e Policive Private të paguhen aq sa e kërkon ligji – dhe asnjë lek më pak.

Ashtu siç do marrim çdo masë që të garantojmë se infrastruktura e policive private i përgjigjet nivelit të sigurisë që kërkohet.

E treta (dhe që është akoma më e rëndësishme) ka të bëjë me përgjegjësinë që duhet të ketë çdo subjekt privat e çdo aktor që ka një mundësi t’u ofrojë një shërbim ndaj qytetarëve, për të pasur masat paraprake të sigurisë në raport  me aktivitetin që kryen.

Është kjo arsyeja pse në Parlament, pas debateve krejt ë natyrshme, u miratua Ligji “Për masat shtesë të sigurisë”. Unë kam zhvilluar një sërë takimesh me përfaqësuesit e shoqatave të transportit, me përfaqësuesit e shoqatave të bankave, me përfaqësuesit e njësive që shërbejnë gjatë natës (qofshin këto lokalet e natës), me përfaqësuesit e njësive tregtare. Duke besuar se çdo urdhër në zbatim të këtij ligji duhet të jetë  i bashkëkonsultuar, i bashkëideuar në mënyrë të plotë me të gjithë ata që kanë përgjegjësi konkrete për të ofruar shërbim nga njëra anë, e për të marrë masa që ky shërbim të jetë i sigurt për qytetarët nga ana tjetër.

Unë sot kam firmosur një udhëzim në zbatim të ligjit “Për masat shtesë të sigurisë”, dhe ka të bëjë me të gjitha detyrimet që do kenë subjektet private për të ofruar më shumë siguri për gjithë qytetarët. Në zbatim të këtij udhëzimi, çdo kategori e subjekteve përkatëse do të marrë masa, shoqëruar me Policinë e Shtetit, deri më 28 Dhjetor. Dhe pas 28 Dhjetorit çdo inspektim i policisë do pasohet me sanksione financiare për ata që nuk marrin masat e sigurisë që duhet.

Në bazë të këtij udhëzimi, subjektet që ruajnë e magazinojnë lëndë të rrezikshme – radioaktive, shpërthyese, helmuese, djegëse, plasëse apo piroteknike – duhet të instalojnë kamera të sigurisë me rezolucion të lartë; duhet të instalojnë kamera për leximin automatik të targave dhe ruajtjen e të dhënave të targave të mjeteve; duhet të kontraktojnë shoqëri private të sigurisë fizike.

Subjektet që ushtrojnë aktivitetin e transportit publik të udhëtarëve, nxënësve, studentëve, autobusë, taksi, duhet të instalojnë në automjetet që shërbejnë për transportin e udhëtarëve sistem GPS; të instalojnë në ambientet e brendshme sistem me kamera të sigurisë.

Ndërkohë që subjektet që ushtrojnë aktivitet gjatë natës – si lokale nate, disko pub e kështu me radhë – detyrohen që të instalojnë kamera të sigurisë së lartë; të instalojnë sistem me kamera për leximin automatik të targave dhe ruajtjen e tyre; të pajisin punonjësit e sigurisë në hyrjet e lokaleve të natës me detektorë; të ontraktojnë shoqëri private të sigurisë fizike ku, përveç punonjësve në hyrje, duhet të kenë patjetër dhe një punonjës për çdo 40-50 konsumatorë apo për çdo 25 metra katrorë.

Subjektet që disponojnë lojëra fati apo kazino detyrohen që të instalojnë kamera për leximin automatik të targave të automjeteve dhe ruajtjen e tyre; të instalojnë një sistem me kamera të sigurisë brenda mjediseve; të pajisin me detektorë punonjësit në hyrje të subjekteve; të kontraktojnë shoqëri private të sigurisë, pra Polici Private. Njëkohësisht të garantojnë instalimin e pajisjeve nëpërmjet të cilave hyrja e qytetarëve në kazino dhe lojëra fati do të bëhet vetëm nëpërmjet identifikimit me pasaportë apo kartë identiteti.

Të gjitha subjektet që ushtrojnë aktivitet nga ora 23:00 (e natës) deri në  06:00 (të mëngjesit) detyrohen të instalojnë kamera të sigurisë duke e miratuar paraprakisht skemën e vendosjes së tyre nga komisariati përkatës.

Subjektet që administrojnë ujësjellësit detyrohen të kontraktojnë shoqëri private të sigurisë dhe njëkohësisht të instalojnë kamera të sigurisë së lartë.

Institucionet arsimore publike, private të të gjitha niveleve detyrohen të instalojnë kamera të sigurisë me rezolucion të lartë në ambientet e brendshme, në korridore dhe në perimetrin e objektit.

Administratorët e stadiumeve, pallateve të sportit, kinema, teatër, salla koncertesh dhe muze detyrohen të instalojnë kamera të sigurisë dhe të kontraktojnë shoqëri private.

Administratorët e bankave të nivelit të dytë detyrohen të instalojnë sisteme të kamerave të sigurisë; të pajisin punonjësit në hyrje me detektorë; të kontraktojnë polici private dhe të lidhin sinjalin e alarmit me sallat e komandimit të Policisë së Shtetit; të vendosin në hyrje të çdo banke sistem kafazesh për diversifikimin e hyrjes në mënyrë të kontrolluar.

Subjektet e këmbimit valutor dhe ato të tregtimit dhe përpunimit të metaleve të çmuara detyrohen të instalojnë sisteme të kamerave të sigurisë së lartë; të vendosin xhama antiplumb që ndan pjesën ku qëndron punonjësi që ofron shërbimin dhe pjesën ku mbahen vlerat monetare dhe ku i shërbehet klientit.

Subjekte që administrojnë hidrocentralet, termocentralet publikë dhe privatë dhe nënstacionet elektrike detyrohen që të instalojnë kamera të sigurisë së lartë dhe të kontraktojnë shoqëri private të sigurisë, pra policitë private.

Administratorët e terminaleve, trageteve, aeroporteve, autobusëve, taksive dhe trenave detyrohen të instalojnë kamera të sigurisë së lartë, të instalojnë sistem me kamera të leximit automatik të targave të automjeteve dhe kontraktojnë shoqëri private të sigurisë fizike.

Qendrat Spitalore Universitare dhe Rajonale shëndetësore detyrohen të instalojnë sistem me kamera të sigurisë së lartë dhe të kontraktojnë shoqëri private të sigurisë fizike.

Subjektet që administrojnë kënde lojërash publike, private në ambientet e mbyllura, detyrohen të instalojnë kamera të sigurisë së lartë.

Subjektet që kanë në pronësi dhe administrim qendra tregtare detyrohen të instalojnë kamera të sigurisë së lartë; të instalojnë një sistem me kamera për leximin automatik të targave të mjeteve dhe ruajtjen e tyre deri në dy muaj; të kontraktojnë polici private; të ndërtojnë një qendër kontrolli në ambientet e tyre e cila ka lidhje të drejtpërdrejt me Policinë e Shtetit. Ndërkohë të përcaktojnë një person përgjegjës që duhet të mbajë kontakt permanent me Policinë e Shtetit.

Administratorët e tregjeve publike dhe private detyrohen të instalojnë kamera të sigurisë së lartë. Të gjitha subjektet që ushtrojnë veprimtarinë në vend dhe që për realizmin e veprimtarisë së tyre ekonomike në ambiente të hapur apa të mbyllura kanë mbi 50 punonjës, detyrohen të instalojnë kamera të sigurisë së lartë dhe të kontraktojnë shoqëri private të sigurisë fizike. Të gjitha subjektet që gjatë realizmit të aktivitetit të tyre financiar kanë një xhiro prej më shumë sesa 10 milionë lekë, detyrohen të instalojnë kamera të sigurisë së lartë.

Administratorët e parkingjeve publike dhe private të hapura apo të mbyllura të instalojnë kamera të sigurisë së lartë, si dhe kamera për memorizimin e targave të automjeteve në hyrje-daljet e objektit.

Institucionet shtetërore qendrore (përjashtuar Gardën e Republikës, Policinë e Shtetit, burgjet, bashkitë dhe ato që kanë masa nga Policia e Shtetit) detyrohen që të instalojnë kamera të sigurisë së lartë dhe të kontraktojnë shoqëri private të sigurisë fizike.

Pas dakordësimit me banorët e pallateve, administratorët e çdo pallati, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, mund të marrin masa për instalimin e kamareve të sigurisë në çdo hyrje pallati, sipas analizës së riskut nga Policia e Shtetit.

 

Të gjitha këto masa duhet të merren brenda datës 28 dhjetor.

Dhe pas datës 28 dhjetor ka sanksione financiare nga Policia e Shtetit lidhur me ata subjekte që nuk do të marrin masa shtesë të sigurisë, ashtu siç ndodh në të gjithë botën. Kjo nuk është shpikje e jona. Ky nuk është as produkt i reflektimit tonë për një, dy apo disa ngjarje kriminale. Ky është një reflektim i gjatë i yni për masat e sigurisë që duhet të marrë secili në raport me përgjegjësinë që kemi të gjithë bashkë për ta bërë këtë vend më të sigurt.

Nuk ndodh në asnjë vend të botës që një bankë ushtron aktivitetin financiar pa marrë asnjë masë sigurie – dhe pastaj kur vidhet drejton gishtin te Policia e Shtetit. Nuk ndodh në asnjë vend të botës që njerëz me para në dorë apo në xhep, ushtrojnë aktivitet të lirë si kambistë – dhe pastaj kur vidhen drejtojnë gishtin te Policia e Shtetit. Nuk ndodh në asnjë vend në botë që të ketë njësi tregtare pa masa sigurie – dhe kur vjen puna te kërcënimi të drejtojnë gishtin te Policia e Shtetit.

 

Ne duhet të marrim masat të gjithë bashkë për ta bërë vendin më të sigurt. Dhe mbi të gjitha duhet të marrim masa të gjithë bashkë për të parandaluar kriminalitetin. Është kjo arsyeja pse shqetësimit për grabitjen për grabitjen e karburanteve gjatë natës i jemi përgjigjur me eliminimin e plotë të mundësisë për të shkëmbyer para në dorë dhe me vendosjen e automatëve për pagesën e karburantit gjatë natës. Është kjo arsyeja pse në autobusë dhe taksi kemi parashikuar që përveç GPS të ketë edhe kamera të sigurisë në ambientet e brendshme. Është kjo arsyeja pse në lokalet e natës kemi parashikuar që të ketë kamera, të ketë polici private – dhe jo polici private të zgjedhur dosido, por polici private të certifikuar nga Policia e Shtetit. Është kjo arsyeja pse është përcaktuar që lokalet e natës të mos hyhet pa u kontrolluar klientët. Është kjo arsyeja pse për lokalet e natës është parashikuar që të mbajnë përgjegjësi dhe administratorët e lokaleve të natës për sigurinë që duhet t’i ofrojnë klientëve. Është kjo arsyeja pse për qendrat tregtare është parashikuar që të ketë edhe qendër kontrolli në mënyrë që të mbahet kontakt menjëherë me Policinë e Shtetit. Është kjo arsyeja pse janë parashikuar një sërë masash konkrete në mënyrë që të parandalojmë dhe sa mundemi ngjarjet kriminale.

E kam ritheksuar në çdo takim që kam pasur me çdo grup interesi: asnjë nga këto masa nuk mjafton dot kurrë për të pasur siguri absolute. Asnjë nga këto masa nuk mjafton dot kurrë për të bërë zero nivelin e kriminalitetit. Por të gjitha këto masa bashkë e bëjmë thuajse të pamundur ose sipërmarrje shumë të vështirë ngjarjen kriminale në një vend. Na duhet të bëjmë gjithçka nuk kemi bërë në 20 e kusur vitet e kaluara. Na duhet të marrim masat e sigurisë që na lejojnë të garantojmë siguri maksimale për qytetarët në këtë vend. Na duhet t’ia bëjmë të vështirë kriminelëve shkeljen e ligjit. Na duhet t’ia bëjmë të lehtë qytetarëve jetesën normale, pa qenë nën kërcënimin e frikës, nën kërcënimin e dhunës apo të ngjarjeve kriminale.

Unë dua të falënderoj të gjithë grupin e punës që ka punuar në Policinë e Shtetit me Ministrinë e Punëve të Brendshme. Kemi thyer një traditë 20 e kusur vjeçare ku siguria perceptohej vetëm si biznes i Policisë, vetëm si përgjegjësi e Policisë. Dhe për këtë arsye policia është kthyer në target të vazhdueshëm dhe konstant nga të gjithë ata që deri dje kanë menduar se vetëm policia duhet t’i bëjë këto punë. Dhe ndërkohë kemi parashikuar në ligj dhe në këtë udhëzim masa sigurie që duhet t’i kishim ndërmarrë që më parë, në mënyrë që sot Shqipëria të ishte më e sigurt.

Ne kemi përgjegjësi të bëjmë  të bëjmë atë që nuk kanë bërë ata që kanë qeverisur më parë. Ne kemi përgjegjësinë që bashkë me ju – bashkë me ata që kanë një qendër biznesi, një karburant, një lokal nate, bashkë me atë që ka një taksi a një autobus, bashkë me të gjithë ata që ofrojnë një shërbim ndaj qytetarëve – ta bëjmë këtë vend më të sigurt.

Dua të falënderoj të gjitha grupet e interesit. Të gjithë ata që u ulën bashkë me mua, bashkë me përfaqësuesit e Policisë së Shtetit, për të ndarë mendimet e opinionet, për të marrë shënim vërejtjet dhe sugjerimet tuaja, e për t’i reflektuar në këtë udhëzim që unë besoj do t’u japë qytetarëve shqiptarë më shumë siguri. Unë kam shumë besim që do gjejmë mirëkuptimin e të gjithë atyre që preken nga ky udhëzim. Dhe kam shumë besim që secili do sensibilizohet aq sa duhet, për të kuptuar që siguria nuk mund të jetë gjë tjetër përveç një sipërmarrje e jona e përbashkët.

Ju faleminderit shumë.