Postuar më: 25 Shtator 2017

Ministria e Brendshme në 1 javë - Buletin nr. 1

Dokumentat e bashkëngjitura

· Në nisje të punës së kësaj jave Ministri i Brendshëm z.Fatmir Xhafaj firmosi urdhrin për nisjen e procesit të Vetting-ut në Policinë e Shtetit, Shërbimin e Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave (SHÇBA) dhe Gardë. U ngrit grupi i punës, i cili ka për detyrë analizën e gjendjes aktuale si dhe hartimin  e propozimin e një pakete të plotë ligjore, brenda këtij viti. 

· Gjithashtu gjatë kësaj jave u ngrit Grupi i Punës për lehtësimin e procedurave të ofrimit të shërbimeve nga strukturat e Ministrisë. Në projekt parashikohen shkurtimi i disa shërbimeve dhe shndërrimi i një mase të madhe, në shërbime online për qytetarët e bizneset.

· Ministri Xhafaj në reflektim e vlerësim edhe të vërejtjeve e sugjerimeve të ardhura nga grupet e interesit dhe ekspertë të fushës vendosi të anuloi udhëzimin e nënshkruar prej tij nr.308, datë 22.05.2017, “Për funksionimin e Shërbimit Privat të Sigurisë Fizike dhe Qendrës së Trajnimit Privat të punonjësve të SHPSF-së’. Nuk u gjeneruan ndryshime apo efekte financiare, pasi kërkesat që duhet të përmbushin subjektet private nuk janë zbatuar. Udhëzimi do të ripunohet me një grup pune të veçantë me ekspertë të fushës si dhe do t’i nënshtrohet një debati profesional për të pasur një proces sa më cilësor dhe transparent në këtë fushë.

· Ministri Xhafaj zhvilloi disa takime me drejtuesit e Policisë së Shtetit dhe strukturat e tjera të varësisë në kuadër të njohjes me prioritetet e këtij mandati qeverisës dhe u kërkoi të ofrojnë opinione sipas fushës së përgjegjësisë.

· Një analizë të veçantë Ministri Xhafaj zhvilloi me drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit dhe drejtuesit e Policisë Vendore në qarkun Elbasan lidhur me ngjarjen e fundit kriminale të zhvilluar në të. Ministri adresoi kritika të ashpra për mënyrën se si është menaxhuar situata kriminale në atë qytet. Ai kërkoi zbardhjen e shpejtë të ngjarjes duke i shkuar deri në fund përgjegjësisë së autorëve për ngjarjen konkrete, por edhe më gjerë, përmes një lufte të ashpër pa kompromis të elementëve dhe grupeve me aktivitet kriminal në atë zone, duke ndërtuar edhe një bashkëpunim eficent me strukturat përgjegjëse të Prokurorisë si dhe me Agjensitë e tjera ligjzbatuese.

· Ministri i Brendshëm priti në takime të veçanta Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Jashtme britanike dhe raportuesin e PE-së për Shqipërinë, Knut Fleckenstein. Gjatë takimit me diplomatin britanik McDonald u theksua rritja e bashkëpunimit në fushën e sigurisë. Në takimin me europarlamentarin një interes të veçantë mori procesi i Vetting-ut dhe arritjet në luftën kundër kanabisit.

· Ministri Xhafaj priti gjithashtu në takime të veçanta ambasadorët e BE, të OSBE si dhe të disa vendeve partnere si Gjermanisë, Britanisë dhe Holandës. Ai prenzantoi dokumentin politik të prioriteteve të Ministrisë së Brendshme dhe informoi diplomatët me arritjet në luftën kundër kultivimit e trafikimit të kanabisit, krimit të organizuar, parandalimin e azilkërkimit si dhe u diskutua forcimi i bashkëpunimit dhe shkëmbimit reciprok të informacionit. U diskutuan dhe mundësitë për mbështetje konkrete që qeveritë e vendeve partnere pritet të ofrojnë në kuadër të bashkëpunimit dypalësh. 

· Task Forca Kombëtare Antikanabis zhvilloi një javë pune intensive me misionin TAIEX të Bashkimit Europian, për vlerësimin e punës së bërë dhe rezultateve të arritura gjatë këtij viti dhe mundësitë për përmirësimin e mëtejshëm të Planit Kombëtar Antikanabis 2017-2020.  Zv/ministrja e Brendshme znj.Rovena Voda dhe ekspertët shqiptarë prezantuan procesin e ndërtuar, masat e realizuara dhe arritjet e deritanishme në luftën kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit. Ekspertët ndërkombëtarë janë duke analizuar të gjitha elementët e këtij procesi si dhe vetë Planin Kombëtar dhe shumë shpejt do të prezantojnë vlerësimet dhe sugjerimet e tyre për përmirësimin e tij.