Postuar më: 02 Tetor 2017

Ministria e Brendshme në 1 javë - Buletin nr. 2

BULETIN INFORMATIV nr. 2 “Ministria e Brendshme në një javë” (25 - 30 shtator 2017)

- Këtë javë, në seancën plenare të ditës së enjte, Kuvendi miratoi marrëveshjen ndërmjet qeverisë shqiptare dhe qeverisë suedeze për programin e forcimit të “Policimit në komunitet” në Shqipëri, 2017-2020. Objektivi kryesor i programit është rritja e besimit dhe partneritetit të ndërsjellë mes Policisë së Shtetit dhe komunitetit. Programi do të financohet nga qeveria suedeze. Çështjet e policimit në komunitet përbëjnë një ndër 10 prioritetet kryesore të punës së MB, që pritet të bëhen publike së shpejti.

- Në këtë seancë plenare, Ministri i Brendshëm z. Fatmir Xhafaj, informoi deputetët në lidhje me ngjarjen e ndodhur më 18 shtator në qytetin e Elbasanit. Ai bëri një prezantim të situatës së kriminalitetit në këtë qytet, informoi për masat e marra nga Policia e Shtetit për zbulimin e autorëve të ngjarjes së 18 shtatorit dhe hetimin intensiv që po bëhet nën drejtimin e prokurorëve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Ai ka theksuar se strukturat e hetimit policor janë duke punuar për të kryer një analizë të plotë për të nxjerrë në pah shkaqet e vërteta të situatës së krijuar në këtë qytet përfshi dhe mundësitë e rihapjes së hetimit për disa vepra penale të ndodhura në vite, për të cilat nuk janë zbuluar autorët. Gjithashtu, ministri informoi edhe për faktin se SHÇBA po kryen një hetim të plotë mbi veprimet e mosveprimet e policisë vendore Elbasan lidhur me ngjarjen e 18 shtatorit, si dhe situatën e kriminalitetit në këtë qytet duke nxjerrë edhe përgjegjësitë përkatëse.

- Ministri Xhafaj edhe gjatë kësaj jave ka zhvilluar një sërë takimesh me ambasadorë përfaqësues të disa prej vendeve partnere, me të cilët ka biseduar për çështje të bashkëpunimit dypalësh në fushën e sigurisë dhe luftës kundër krimit të organizuar. Ministri priti në takime të veçanta ambasadorët e Francës, Greqisë, Kroacisë dhe Turqisë. Ai i njohu diplomatët me dokumentin politik të prioriteteve të Ministrisë, si dhe i ka falenderuar për bashkëpunimin dhe ndihmën e dhënë në programet e ndryshme për policinë.

- Zoti Xhafaj priti në një takim të veçantë ambasadorin e SHBA-së SH.T.Z. Donald Lu, i shoqëruar nga zëvendës ambasadori z. David Muniz dhe drejtuesi i misionit ICITAP z. Steve Bennett. Në takim u diskutuan një sërë çështjesh me interes të përbashkët, si dhe mbështetja e asistenca që SHBA do ti ofrojë MB për konkretizimin e prioriteteve të saj dhe realizimin e tyre me sukses.

- Ministri i Brendshëm me marrjen e detyrës adresoi një mesazh mesazh vlerësimi e inkurajimi për çdo punonjës të Policisë së Shtetit. Në të, iu është prezantuar edhe një adresë e-mail-i e posaçme, e cila do të shërbejë si një mundësi e drejtpërdrejtë komunikimi për çdo mendim, sugjerim konkret, apo shqetësim në funksion të përmirësimit të punës dhe rolit të Policisë së Shtetit. Gjatë kësaj jave, në këtë adresë kanë mbërritur disa mesazhe nga punonjës të thjeshtë të Policisë së Shtetit nëpërmjet të cilëve shprehin shqetësime e propozime konkrete, që janë bërë objekt i trajtimit me prioritet nga vetë Ministri dhe stafi i tij.

- Gjithashtu, Ministri i Brendshëm firmosi këtë javë urdhrin për masat në lidhje me dhënien e çertifikatave elektronike, personale apo familjare, në përputhje me VKM “Për miratimin e rregullave të përfitimit të shërbimeve publike elektronike”. Urdhri përcakton procedurën që duhet të ndjekin zyrat e Gjendjes Civile, në mënyrë që shtetasve t’u mundësohet një shërbim i shpejtë, që kursen kohë dhe shpenzime.

- Ministri i Brendshëm z. Fatmir Xhafaj dhe ministri i Turizmit dhe Mjedisit, z. Blendi Klosi morën pjesë në analizën e sezonit turistik të këtij viti, e cila u fokusua në rolin e policisë në këtë proces dhe bashkëpunimin me institucionet e tjera qendrore e vendore. Në takim merrnin pjesë Prefektët e Qarqeve, si dhe drejtuesit e Policisë së Shtetit. Ministri i Brendshëm ka kërkuar që përgatitjet për sezonin e ri turistik 2018, të nisin që në muajin tetor të këtij viti, duke e vlerësuar turizmin si një ndër prioritet kryesore të qeverisë së re.

- Zëvendësministrja e Brendshme znj. Rovena Voda, ka kryer inspektim në pikën kufitare Rinas, ku u njoh nga afër me punën dhe masat për parandalimin e fenomenit të azilkërkimit. Znj. Voda theksoi nevojën e respektimit të rregullave të lëvizjes së lirë. Gjatë një muaji janë kthyer 177 shtetas, të cilët nuk kanë zbatuar rregullat e zonës Shengen. Në aeroport u shpërndanë postera dhe fletëpalosje që përcillnin mesazhin e mos abuzimit me të drejtën e lëvizjes së lirë.

- Punonjësit e Gardës së Republikës kanë dhuruar gjak për të sëmurët në spitale, duke iu përgjigjur thirrjes për t’u ardhur në ndihmë personave që kanë nevoja urgjente, për shkak të sëmundjeve apo dëmtimeve të tjera.

Operacione policore

- Vlorë: Policia ka nisur procedimin penal për pesë shtetas, pasi rezultojnë autorë të veprës penale ''Braktisja e fëmijëve të mitur''. Shtetasit e lartpërmendur kanë dalë nga PKK Vlorë së bashku me fëmijët e tyre të mitur në drejtim të Italisë dhe janë kthyer në Shqipëri të pa shoqëruar nga fëmijët. Pala italiane dhe ajo franceze ka njoftuar Policinë shqiptare se fëmijët e këtyre shtetasve kanë kërkuar azil social pikërisht në këto vende. Policia u bën apel të gjithë shtetasve për të mos i braktisur fëmijët e mitur në vendet e BE-së, me qëllim përfitim azili social, pasi do të përballen me pasoja ligjore.

- Shkodër, Tiranë: Operacioni “Vjeshtë 2017” ka vijuar në disa qytete të vendit dhe në këtë kuadër janë sekuestruar pasuri e prona, si dhe janë proceduar disa autorë. Në Shkodër, në dy operacione janë sekuestruar 2300 m2 pasuri e paluajtshme dhe katër automjete që i përkisnin një subjekti tregtar i cili prodhonte ushqime të falsifikuara. Ndërsa në tjetrin, janë sekuestruar 246m2 pasuri e paluajtshme dhe tre automjete luksoze në pronësi të një shtetasi të arrestuar për veprën penale trafik lëndësh narkotike. Në Tiranë, në kuadër të këtij operacioni, janë sekuestruar katër makina luksoze të blinduara, të cilat dyshohet se janë të trafikuara me vlerë 1 milion euro.

- Policia ka realizuar disa operacione antidrogë duke arrestuar në flagrancë tetë shtetas si autorë dhe duke shoqëruar pesë të tjerë si të dyshuar. Në operacione janë sekuestruar gjithsej mbi 681 kg lëndë narkotike e dyshuar kanabis, si dhe janë djegur 175 rrënjë kanabis të mbjella. Operacionet janë zhvilluar në qarqet Berat, Gjirokastër, Shkodër.

- Në Durrës, policia ka finalizuar një operacion antidrogë, duke arrestuar tre shtetas dhe kapur gjysmë kilogram drogë të llojit kokainë, vlera e së cilës në treg llogaritet rreth 50.000 €.