Postuar më: 09 Tetor 2017

Ministria e Brendshme në 1 javë - Buletin nr. 3

“Ministria e Brendshme në 1 javë” (2 - 9 tetor 2017)

- Ministri i Brendshëm z.Fatmir Xhafaj, priti në  një takim të përbashkët ambasadoren e BE, znj.Romana Vlahutin, si dhe ambasadorin e SHBA, z.Donald Lu. Në këtë takim, u diskutuan çështje që kanë të bëjnë me luftën kundër krimit të organizuar, procesin e vetting-ut, shkëmbimit të informacionit me vendet partnere, si dhe rritjen e kapaciteteve të hetimit në Policinë e Shtetit. Në vijim, ministri i njohu ambasadorët me dokumentin tashmë të hartuar, pas një pune të përbashkët dy-mujore me partnerët ndërkombëtarë, për strategjinë dhe planin e veprimit lidhur me operacionin kundër grupeve kriminale dhe veçanërisht aseteve ekonomike të këtyre grupeve. Duke garantuar mbështetjen e plotë në përmbushjen me sukses të këtyre objektivave edhe përmes një asistence teknike e financiare, të dy ambasadorët theksuan nevojën e bashkërendimit, koordinimit të asistencës dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

- Ministri Xhafaj priti gjithashtu në takime të veçanta ambasadorët e Italisë, Spanjës, Suedisë dhe Katarit, me të cilët ka diskutuar rreth bashkëpunimit dypalësh dhe forcimit të tij në fushat e sigurisë, luftës kundër krimit të organizuar, trafiqeve etj. Ministri i njohu diplomatët me dokumentin politik të prioriteteve, si dhe i falenderoi ata për ndihmën e dhënë në programet e ndryshme për policinë.

- Ministri i Brendshëm priti Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Evropiane, Ministër i Imigracionit dhe Azilit, të Dukatit të Madh të Luksemburgut z. Jean Asselborn. Ministri Xhafaj e informoi Ministrin Asselborn mbi prioritet kryesore të Ministrisë së Brendshme, duke u ndalur veçanërisht tek procesi i vetting-ut, lufta kundër kultivimit të kanabisit, si dhe masat e marra për parandalimin e azil kërkimit. Ministri Asselborn vlerësoi fillimin e procesit të vetting-ut dhe inkurajoi thellimin e bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar.

- Ministri i Brendshëm, z.Fatmir Xhafaj priti Drejtoren për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Europian, znj. Genoveva Ruiz-Calavera e shoqëruar nga Ambasadorja e Delegacionin Europian në Shqipëri znj. Romana Vlahutin. Duke e falenderuar për mbështetjen e dhënë në kuadër të reformës në drejtësi, Ministri Xhafaj e njohu zonjën Ruiz-Calavera me prioritetet kryesore të Ministrisë së Brendshme, duke u ndalur tek procesi i vetting-ut, lufta kundër krimit të organizuar, si dhe kultivimit dhe trafikimit të kanabisit. Në takim u diskutua lidhur me mundësitë konkrete që mund të ofrojë Komisioni Europian për të mbështetur këto prioritete me një asistencë më të mirë teknike e financiare. Znj.Ruiz-Calavera u angazhua për hapa pozitive në këtë aspekt dhe garantoi mbështetjen e plotë të Brukselit për zbatimin e prioriteteve, si dhe realizimin e reformave të ndërmarra në kuadër të përmbushjes së detyrimeve të vendit tonë në procesin e integrimit europian.

- Gjatë kësaj jave, Zëvendësministrja e Brendshme, znj.Rovena Voda, mori pjesë në takimin e Komitetit të Stabilizim Asocimit në Bruksel, në të cilin u raportua mbi veprimtaritë që është përgjegjësi e Ministrisë së Brendshme, lidhur me kapitullin 24 “Liritë dhe të drejtat e njeriut”. Raportimi kishte të bënte kryesisht me masat e marra në luftë kundër krimit të organizuar, trafikimit të kanabisit, çështjeve të azilit dhe emigracionit të paligjshëm. Në vijim, ditën e enjte, znj. Voda mori pjesë edhe në takimin e përbashkët të Ministrave të Brendshëm të Greqisë, Shqipërisë, Bullgarisë dhe Maqedonisë, të mbajtur në Selanik. Në këtë takim, u diskutuan çështje të sigurisë rajonale, kryesisht kontrollit dhe menaxhimit më të mirë të kufijve, luftës kundër krimit të organizuar, emigracionit të paligjshëm dhe terrorizmit.

- Task-Forca Kombëtare Antikanabis, së bashku me misionin TAIEX të Bashkimit Europian, zhvilloi gjatë kësaj jave takimin e dytë. Në të është vlerësuar puna dhe rezultatet e arritura gjatë këtij viti në kuadër të Planit Kombëtar Antikanabis 2017-2020.  Ekspertët shqiptarë prezantuan procesin e ndërtuar, masat e realizuara dhe arritjet e deritanishme në luftën kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit. Ekspertët ndërkombëtarë janë duke analizuar të gjitha elementët e këtij procesi, si dhe vetë PKAK, dhe së shpejti do të prezantojnë vlerësimet dhe sugjerimet e tyre për përmirësimin e tij.  

- Me sloganin #BashkëMundemi #LuftojmëTrafikimin, në fillim të kësaj jave është çelur Fushata Kombëtare “Muaji i Luftës kundër Trafikimit të Personave”. Kjo fushatë parashikon zhvillimin e një sërë aktivitetesh sensibilizuese për parandalimin e trafikimit të personave, në të cilat do të përfshihen veç të tjerash, institucionet arsimore, shëndetësore, njësi të qeverisjes vendore, organizata të shoqërisë civile vendase dhe ndërkombëtare.

- Këtë javë u zhvillua në Tiranë Konferenca Rajonale e organizuar nga Qendra e INTERPOL-it (Lion, Francë) dhe e sponsorizuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, Zyra për Narkotikët dhe agjenci të tjera ligj zbatuese ndërkombëtare.  Qëllimi i konferencës ishte krijimi i grupit rajonal të punës dhe ushtrimi praktik për bashkëpunimin me sektorin privat gjatë hetimeve kundër kontrabandimit të njerëzve në Ballkan, në kuadër të një projekti të Interpolit. Konferenca i shërbeu trajnimit të anëtarëve të rrjetit rajonal të quajtur ISON (Interpol Specialized Operational Network), kundër kontrabandimit të njerëzve nga Shqipëria, Bullgaria, Greqia, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia, Gjermania dhe Kroacia.

- Gjatë kësaj jave u zhvillua faza përfundimtare e konkursit për studentët që do të ndjekin studimet e ciklit Bachelor në Akademinë e Sigurisë. Rezultatet e testimit u shfaqën automatikisht në sallën ku u zhvillua testimi dhe në prani të të gjithë kandidatëve. Për herë të parë, korrigjimi i testimit u krye në mënyrë elektronike me skantron për të dy fazat e testimit të parashikuara në ligj. Në përfundim, u shpallën 100 studentët fitues, nga 563 konkurentë. Në fund të studimeve 3-vjeçare, studentët e diplomuar gradohen ‘Nënkomisar’ në strukturat e Policisë së Shtetit.

Operacione policore

- Në një operacion ndërkombëtar kundër narkotikëve, ndërmjet policisë shqiptare, italiane dhe greke, janë arrestuar 3 trafikantë, 712 kg kanabis si dhe një mjet lundrimi gomone. Operacioni ka nisur pas sinjalizimit të policisë greke e cila ka njoftuar Policinë e Shtetit për një gomone të nisur drejt Italisë. Policia shqiptare në Vlorë ka shkëmbyer informacionin me partnerët italianë të cilët janë vënë në ndjekje të gomones. Në përfundim të operacionit të Guardia di Finanza-s, është kapur në afërsi të Otrantos një gomone me 3 skafistë në bord dhe 712 kg kanabis.

- Në Elbasan, policia ka ndaluar një shtetas, si autor të dyshuar të ngjarjes në të cilën një mjet godet një makinë policie, dinamika e së cilës është fiksuar në kamera. Shtetasi i dyshuar është kapur në kohën që strehohej në banesën e një të afërmi, i cili gjithashtu është ndaluar nga Policia e Shtetit. Gjatë kontrollit policia ka gjetur dhe sekuestruar si prova materiale një armë të ftohtë, një bajonetë dhe një sasi lënde narkotike. Operacioni është zhvilluar pasi ndaj këtij shtetasi Prokuroria e Krimeve të Rënda Tiranë ka lëshuar urdhër ndalimi pasi dyshohet të jetë drejtuesi i mjetit që goditi makinën e policisë pranë tregut Agro–Ushqimor. Gjykata ka urdhëruar masën e arrestit për të dy personat e ndaluar. Ndërkohë, po zhvillohen hetime intensive për të vënë para përgjegjësisë persona të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje, por dhe në ngjarje të tjera të pazbuluara. Hetimi po vazhdon në  drejtimin e prokurorëve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

- Gjatë kësaj jave, nga SHÇBA dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit janë zhvilluar inspektime në Drejtoritë Vendore të Policisë së Elbasanit, Vlorës dhe Gjirokastrës. Inspektimi në DVP-të e Elbasanit dhe Vlorës është zhvilluar mbi kontrollin e administrimit të informacioneve dhe punës së bërë nga punonjësit e Policisë për marrjen e masave parandaluese dhe atyre hetimore mbi ngjarjet e rënda kriminale të ndodhura në këto dy drejtori. Inspektimi në DVP-ne e Gjirokastrës është zhvilluar për shkak të një ndërtimi pa leje në territorin e bashkisë së Përmetit. Për këtë rast, referohen materialet proceduriale në Prokurori për punonjësit e Policisë së Shtetit të cilët kanë patur për detyrë evidentimin dhe kryerjen e veprimeve të tjera hetimore. Gjithashtu, është zhvilluar kontroll dhe në Qendrën Ndërinstitucionale Operacionale Detare, për sa i përket funksionimit teknik të qendrës, bashkëpunimit në kohë reale dhe shkëmbimit të informacionit midis institucioneve. Inspektimi po zhvillohet në zbatim të urdhrit të përbashkët të Ministrit të Brendshëm dhe Ministrit të Mbrojtjes.