Tahiri: Të ndryshojë urgjent situata e rendit - Ministria e Brendshme
Postuar më: 16/09/2013

Tahiri: Të ndryshojë urgjent situata e rendit

Ministri i Brendshëm, z. Saimir Tahiri, ka mbledhur sot në një takim urgjent pune drejtuesit më të lartë të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, drejtorët e policisë në qarqe dhe shefat e komisariateve në të gjithë vendin. Në takim është diskutuar lidhur me situatën aktuale të rendit dhe sigurisë publike si dhe masat urgjente që duhen marrë për ndryshimin e kësaj situate.

Fjala e plotë e Ministrit të Brendshëm, z. Saimir Tahiri:

Besoj nuk jam i vetmi në këtë sallë që mendoj se situata e rendit publik, është shumë larg të qenit normale. Madje përkundrazi, është alarmante. Pa ekzagjerim, është emergjencë kombëtare. Vrasje të përditshme, plagosje, konflikte, vjedhje, aksidente. Dhuna po shkund themelet e shoqërisë dhe armët po flasin më shumë se fjalët. Unë besoj që përgjegjësia duhet të kërkohet fillimisht te vullneti politik, por besoj që përgjegjësia është dhe brenda kësaj salle. Brenda radhëve të Policisë së Shtetit. Megjithatë, koha për të nxjerrë përgjegjësitë, nuk është tani. Sot është koha për të ngritur në këmbë Policinë e Shtetit e për të rivendosur sigurinë për jetën, shëndetin dhe pronën e qytetarëve, shoqërisë dhe sipërmarrjes. Tranzicioni i pushteteve mbaroi. Bashkë me të, konsideroj që ka mbaruar dhe hutimi kolektiv për të bërë punën.

Kryeministri, qeveria e koalicionit dhe unë personalisht, do mbështesim pa asnjë kursim drejtuesit dhe oficerët e përkushtuar të Policisë së Shtetit. Keni mbështetje maksimale për të bërë atë që ju ngarkon ligji, atë që presin qytetarët. Mbështetje e pakushtëzuar për të gjithë ata që detyrën e justifikojnë me punë dhe punën e justifikojnë me vepra. Nga sot, unë pres që të jepni maksimumin tuaj, pa orar, pa kursim, pa kompromis. Qytetarët presin siguri, ne duhet t’u japim siguri. Qytetarët presin të mos ndihen të dobët e të pasigurt, sepse gangsterët dhe të paprekshmit u bëjnë karshillëk.

Po e deklaroj këtu për ju dhe për të gjithë efektivët e Policisë së Shtetit, askush prej punonjësve të Policisë së Shtetit në përmbushje të detyrës, nuk do kthehet mbrapsht me telefon apo do pengohet të bëjë detyrën. Këtë e kam konsideruar dhe e konsideroj tradhti ndaj punonjësve të ndershëm të Policisë së Shtetit dhe, kush nuk e respekton këtë parim, është i padëshirueshëm në Policinë e Shtetit.

Kemi marrë një angazhim që pres të bëhet realitet që sot. Nuk ekzistojnë më miqtë, kushërinjtë, pushtetarët pa asnjë përjashtim. Nuk ekzistojnë më të fortët, gangsterët, që i bëjnë karshillëk edhe policisë, sepse kanë lidhje me pushtetarët. Nuk ekzistojnë më të fortët dhe të paprekshmit. Nuk ka më të privilegjuar, që rrinë sipër ligjit, apo shkelin ligjin dhe nuk mbajnë përgjegjësi para ligjit. Unë pres që sot, që Policia e Shtetit të mos njohë më asnjë të tillë. Pa përjashtim asnjë. Respekti për ligjin nuk blihet me para, me konjukturë, me kërcënim, me pushtet, me politikë, me njohje, me miq, me kushuri e krushqi.

Mjaft më duke u treguar qytetarëve se ligji vlen për ca, kryesisht më të dobëtit, e nuk vlen për ca të tjerë, ata që konsiderohen më të fortët. Pres që Policia e Shtetit, nga sot, të shembë murin e pandëshkueshmërisë, murin e të paprekshmëve. Askush nga këta nuk ka imunitet nga ligji, ndaj pres që Policia e Shtetit të mos njohë asnjë lloj imuniteti të tillë. Dhe për këtë keni mbështetjen time, të Kryeministrit Rama, të qeverisë dhe mazhorancës së re, por mbi të gjitha, mbështetjen dhe mirënjohjen e qytetarëve të ndershëm të këtij vendi. Ju të parët nuk duhet të lejoni më të ndodhë që vetë ju apo kushdo tjetër nën drejtimin tuaj, të guxojë të marrë në telefon apo të bëjë qoftë dhe një veprim për të penguar ligjin të veprojë ndaj kujtdo.

Zotimi i qeverisë, detyra ime, juaja dhe e gjithë efektivëve të policisë, është të garantojmë zbatimin e ligjit në mënyrë të barabartë. Skenat ku oficeri i policisë bën arrogantin me qytetarin e ndershëm dhe mbyll sytë për ata që bëjnë arrogantin apo shkelin ligjin, duhet të marrin fund menjëherë. Që sot. Duhet t’u japim shpirtin e skuadrës efektivëve të Policisë së Shtetit. Kush cenon jetën dhe pronën e qytetarëve, do ketë përballë Policinë e Shtetit. Kush zbaton ligjin, ka në krah mbështetje dhe forcë, vetë Policinë e shtetit.

Pra duhet rikonceptuar sjellja dhe zbatimi i detyrës. Punonjësin e Policisë së Shtetit nuk kanë pse ta kenë frikë të gjithë. Me qytetarët kemi sfidën e përbashkët për të bërë jetën më të sigurt, shëndetin më të sigurt, pronën më të sigurt, sipërmarrjen më të garantuar.  Qytetarët e ndershëm janë partnerët tanë. Kush shkel ligjin, ata po, bëjnë mirë të fillojnë të ketë frikë që sot. Dhe këtë përgjegjësi duhet ta ushtrojmë maksimalisht. Sfida jonë është të rikthejmë besimin e publikut te Policia e Shtetit. Është sfidë e madhe, por që duhet fituar nga skuadra e Policisë së Shtetit. Dhe për këtë Policia e Shtetit gëzon mbështetje të plotë nga qeveria e sapodekretuar, Kryeministri dhe unë personalisht.

Pres të rishikoni urgjentisht strukturën e marrjes së njoftimeve dhe denoncimeve nga qytetarët, siç pres të mos ndodhë më që qytetarët të paraqiten në polici apo të marrrin në telefon policinë për të bërë denoncim, dhe të kthehen mbrapsht pa rezultat, sepse medemek ka punë më të mëdha. Punë më të mëdha se t’u shërbejmë qytetarëve, unë nuk di të ketë, ndaj merrni masa të menjëhershme, që sot. Merakun e statistikave po e çliroj unë që sot. Duhet të jemi transparentë me qytetarët, ndaj duhet regjistruar çdo denoncim. Fundja statistikën na e bëjnë qytetarët pavarësisht sjelljes sonë me shifrat.

Qytetarët e ndershëm ndihmohen. Jo të begenisen me përtesë, athua i kanë ndonjë borxh Policisë së Shtetit. Ndaj nuk mendoj se do tolerohet më sjellja arrogante, e paedukuar, kapriçioze apo mospërfillëse ndaj qytetarëve. Për më tepër që jam bërë vetë personalisht dëshmitar i sjelljes me dy standarde, keq me të mirët, dhe të përulur me të këqinjtë. Kjo duhet të marrë fund. Duhet t’i japim ritëm maksimal punës kundër dhunës në familje. Është e pafalshme të ndodhin krime të paralajmëruara, ose që policia duhet t’i kishte parashikuar. Dhe është kriminale të ndodhin krime që denoncohen nga qytetarët por që ekzekutohen pse nuk vlerësohen apo akoma më keq, nuk lëviz njeri gishtin.

Pres kthimin përmbys të situatës së trafiqeve të qenieve njerëzore dhe narkotikëve. Objektivi i qeverisë është i qartë, Shqipëria duhet të dalë nga renditja e turpshme si vend në vëzhgim nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Ky objektiv, duhet arritur patjetër, ndaj pres rezultate konkrete prej secilit prej jush.

Pres të vlerësohet maksimalisht çdo konflikt në dukje banal, por që mund të sjellë pasoja fatale. Forca e parandalimit është më e madhe se forca e reagimit, ndaj duhet të synojmë veprat penale që në shfaqjen e tyre më të parë si sjellje shoqërisht të rrezikshme. Forca parandaluese dhe hetimet proaktive duhet të jenë në qendër të vëmendjes, për të rritur eficencën e Policisë së Shtetit, e bashkë me të, besimin e publikut te institucionet, shteti ligjor dhe drejtësia.

Masa radikale ndaj armëmbajtjes. Sot, është armiku numër 1 i sigurisë publike. Vendoseni në prioritetet absolute. Nuk mund të lejojmë më që nga konfliktet më banale, deri te larja e hesapeve, armët të jenë komunikimi më i thjeshtë, por dhe më fatal.

Siguria rrugore është prioritet absolut. Nga njëra anë aksidentet e shtuara, dhe me pasoja fatale dhe nga ana tjetër korrupsioni gjerësisht i përhapur, janë tashmë fakt publik i patolerueshëm Me falni që po e them shumë troç, por sot Policia Rrugore perceptohet si trupë e sëmurë nga korrupsioni. Unë i kam sytë hapur dhe jam i ndërgjegjshëm që ka shumë prej tyre të ndershëm dhe të përkushtuar ndaj detyrës. Por ka dhe të tjerë që punën e kanë kthyer në biznes. Skenat që pamë në media para pak ditësh, se si trajtohej qytetari, si sorrollatej dhe se si i shkëmbehej patenta me para, janë skandaloze, të turpshme dhe aspak të denja për shumicën dërrmuese të efektivëve të ndershëm të Policisë së Shtetit. Por mbi të gjitha, cenojnë në themel zbatimin e ligjit, shtetin ligjor dhe besimin e qytetarëve të drejtësia dhe vetë Policia e Shtetit.

Meqë jam këtu, z. Drejtor i Përgjithshëm, 2 punonjësit e Policisë Rrugore për të cilët po flas, duhen shkarkuar menjëherë dhe përjashtuar nga Policia e Shtetit. Pezullimi është pak. Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të hartojë urgjentisht raportin dhe të dy oficerët të shkojnë për ndjekje penale.

Ndërsa për qarkullimin rrugor duhen marrë masa emergjente, duke filluar që sot. Efektivë policie, që në jetën private lëvizin me automjete pa targa ose të parregullta, është standard i papranueshëm. Siç është skandaloze që lëvizin gjithë karshillëk automjete haptazi të paligjshme. Kanë filluar dhe targat me emra të përveçëm. Kaq hapur shkelet ligji. Për të mos folur pastaj për dokumentacionin, shpejtësinë, semaforët e të tjera rrethana, që kanë shtuar në shifra alarmante numrin e aksidenteve me pasoja fatale për jetën dhe shëndetin. Kjo situatë duhet të marrë fund menjëherë. Policia e qarkullimit rrugor të marrë masa emergjente për të rregulluar trafikun, ndëshkuar shkeljet dhe shkelësit dhe të ndalohen urgjentisht praktikat ose shfaqjet korruptive.

Jam i vetëdijshëm për vështirësitë infrastrukturore, por ju garantoj vullnetin e qeverisë për të bërë të gjitha përpjekjet për të garantuar infrastrukturë, trajtim financiar dhe mbështetje logjistike për punonjësit e Policisë së Shtetit. Duke filluar nga zyrat e godinat, deri te infrastruktura e lëvizshme, dhe sigurisht pagat.

Të nderuar drejtues të policisë! Mazhoranca e re, kjo qeveri, Kryeministri dhe unë personalisht, jemi të angazhuar të rikthejmë dinjitetin e punonjësit të policisë duke promovuar vlerat më të mira brenda Policisë së Shtetit. Nuk ekzagjeroj po t’ju them se duhet t’u kthejmë nderin punonjësve të Policsë së Shtetit. Duhet ta rikthejmë punonjësin e policisë në ëndrrat e fëmijëve, si një ndër profesionet më dinjitoze të shoqërisë sonë.

Nga sot, unë i pari, Drejtori i Përgjithshëm e të gjithë ju, jemi në provë. Në provën e publikut për të rivendosur rendin dhe ligjshmërinë. Pres të bëni maksimumin.

Punë të mbarë!