Ngrihet Task - Forcë për mbrojtjen e Territorit - Ministria e Brendshme
Postuar më: 09/10/2013

Ngrihet Task – Forcë për mbrojtjen e Territorit

Pas mbledhjes së radhës së Këshillit të Ministrave, në emër të qeverisë Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri, bëri të ditur për mediat disa vendime kryesore të miratuara në këtë mbledhje:

Jam këtu para jush për të komunikuar vendimin e Këshillit të Ministrave për krijimin e Task Forcës për marrjen e masave të ndërhyrjes emergjente për mbrojtjen mjedisore dhe rehabilitimin e territorit, Task Forcë që krijohet me kërkesën e ministrit për ZhvilliminUrban dhe kërkesën e ministrit të Punëve të Brendshme.

Kjo Taks Forcë drejtohet nga ministri i Punëve të Brendshme dhe ka në përbërje Ministrinë e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Ministrinë e Mjedisit, Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës, Ministrinë e Kulturës, Ministrinë e Mbrojtjes, kryeinspektorin e Inspektoratit Ndërtimorë Urbanistik Kombëtar, Drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, Drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë së Legalizimit Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave Informale, si edhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

Task- Forca për Mbrojtjen e Territorit do të ketë këto funksione kryesore:

– Analizimin e problematikës së ndërtimit dhe vlerësimin e nevojave për ndërhyrje emergjente në veçanti dhe me përparësi, në zonat të përcaktuara si zona të rëndësisë kombëtare, zona këto të përcaktuara me ligj, me akte nënligjore apo me vendime të Këshillit Kombëtar të Territorit, siç ishte edhe vendimi i djeshëm;

– Evidentimin e zonave me interes kombëtar nëse do të zbatohen masat e ndërhyrjes emergjente;

– Miratimin e projektplanit të veprimit të ndërhyrjeve në këto zona;

– Përcaktimin e përparësive për zbatimin e ndërhyrjeve emergjente për të gjitha zonat dhe objektet;

– Si dhe bashkërendimin e punës me organet e qeverisjes vendore dhe me strukturat e reja.

Task- Forca do të fillojë menjëherë punën dhe ne kemi shumë besim se do të adresojë çështjet për të cilat është ngritur dhe përgjegjësitë të cilat do të ushtrojë.

 

Gjithashtu Këshilli i Ministrave vendosi largimin e zotit Hysni Burgaj, nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit duke lënë gradën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe emërimin si Drejtor i ri i Policisë së Shtetit të zotit Artan Didi, duke i dhënë gradën Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.

Meqë jam këtu, më lejoni të parashtroj edhe dy fjalë për reformën në Policinë e Shtetit, duke mirëkuptuar edhe kureshtjen tuaj për emrat. Dëshiroj të theksoj se sot përtej emrave ka diçka të rëndësishme që është përmbyllja e fazës së parë të reformës në Policinë e Shtetit dhe këtu bëhet fjalë për një reformë themelore, strukturore dhe funksionale në Policinë e Shtetit. Unë më cilësinë e Ministrit të Brendshëm, sapo kam firmosur strukturën e re të Policisë së Shtetit dhe janë gati vendimet përkatëse në zbatim të saj. Në vlerësimin tonë, struktura e re i përgjigjet domosdoshmërisë për të afruar shërbimin policor me qytetarët, për të ndrequr piramidën strukturore të përgjegjësive dhe të zinxhirit të komandës në Policinë e Shtetit, i shërben demokratizimit dhe transparencës së strukturës së Policisë së Shtetit, por edhe shërbimit më të kujdesshëm ndaj qytetarëve.

Konkretisht, në fazën e parë të reformës që u mbyll sot, ne kemi rregulluar piramidën e Policisë së Shtetit, e theksoj jemi në nisje të procesit për rregullimin përfundimtarë të strukturës, duke garantuar që shërbimi policor ndaj qytetarëve të zbresë në nivelin bazë. Mund t’ju them me shifra se nga 811 funksionarë të Policisë së Shtetit në Drejtorinë e Përgjithshme të policisë, sot me strukturën e re, në funksione të koordinimit dhe të planifikimit të strategjive dhe të monitorimit janë 255 funksionarë, pra me strukturën e re, një numër i madh i funksioneve policore, që deri dje ishin në Drejtorinë e Përgjithshme të policisë zbresin në nivelin e drejtorisë së qarkut dhe komisariateve. Ata, që nuk do të jenë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, do të zhvillojnë përgjegjësi operacione në bazë dhe përgjithësisht në komisariate të caktuara.

Me strukturën e re kemi fuqizuar komisariatin, duke pasur parasysh një set kriteresh, të cilat janë shumë të rëndësishme në luftën kundër krimit dhe kriminalitetit dhe këto kritere sigurisht kanë të bëjnë me lëvizjen demografike, janë kritere që kanë të bëjnë me lëvizjen e popullsisë, kritere që kanë të bëjnë me potencialin kriminal dhe me parashikimin tonë për situatën e sigurisë së rendit publik në vend. Në konsolidimin e institucionit të Inspektorit të Rendit dhe të Policimit në komunitet, ky është një institucion mjaft i rëndësishëm, i cili do të garantojë, njohjen, përgjegjësinë fillestare të oficerit të policisë, mbi të gjitha shumë e rëndësishme kjo, partneritetin dhe rolin e funksionit të oficerit të Policisë së Shtetit në bashkëpunim me qytetarët. Ne synojmë, që nëpërmjet këtij instrumenti, të radikalizojmë vetë konceptin e funksionimit të Policisë së Shtetit, duke bërë ç’është e mundur, që oficeri i Policisë së Shtetit dhe Policia e Shtetit në tërësi, të ndihen partnerë me shumicën dërrmuese të qytetarëve dhe kërcënim në bazë të ligjit, për ata qytetarë që janë një minorancë fare e vogël që e çojnë në mend të shkelin ligjin.

Gjithashtu, me shkrirjen e Policisë Rrugore si komisariat më vete ne kemi menduar që funksionimi deri më sot i Policisë Rrugore në këtë formë ka çaluar. Prandaj kemi vendosur shkrirjen e Policisë Rrugores si komisarit më vete dhe bashkimin me komisariatet ekzistuese të policisë, duke synuar ndarjen dhe bashkërendimin e përgjegjësive, ndërmjet Policisë së Rendit, Policisë Kriminale dhe Policisë Rrugore, si dhe duke pretenduar se një ndër arritjet më të para të jetë rregullimi përfundimtar i sjellës së drejtuesve të automjeteve dhe i qarkullimit rrugor në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Po ashtu kemi nisur reformën ligjore, funksionale dhe të përgjegjësive të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm dhe reformën e Inspektorateve të Standardeve në Policinë e Shtetit, duke synuar që Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm nga modeli i deri djeshëm i tipit kamxhik politik, apo preferencial, në dorë të çdo drejtuesit të Ministrisë së Brendshme, t’a kthejmë në një model demokratik, llogaridhënës dhe mbi të gjitha në një urë komunikimi ndërmjet qytetarëve dhe Policisë së Shtetit, duke garantuar standarde maksimale të kontrollit civil, të kontrollit qytetar të Policisë së Shtetit në çdo hallke të veprimtarisë së saj. Ne presim që kjo masë të na japë rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit në radhët e Policisë së Shtetit, ashtu siç presim të na japë rezultate konkrete, në parandalimin dhe luftimin e çdo fenomeni që ka të bëjë me sjelljen e keqe, me mos përmbushjen e ligjit, apo me keq akoma me shkeljen e ligjit nga oficerët e Policisë së Shtetit.

Gjithashtu kemi parashikuar në këtë dokument reforme, ngritjen e shërbimit të unifikuar ndaj qytetarëve, si stacion i unifikuar i shërbimeve burokratike, që sot zhvillon Policia e Shtetit për qytetarët. Ka një sërë aktivitetesh, që sot janë aktivitete thellësisht burokratike, që sot Policia e Shtetit kryen ndaj qytetarëve. Ne kemi menduar krijimin e stacioneve unike të këtyre shërbimeve, duke çliruar nga njëra ana oficerët e Policisë së Shtetit nga barra e tepërt burokratike, për t’i lënë të bëjnë detyrën në garantimin e rendit publik dhe duke synuar nga ana tjetër përmirësimin e standardeve ndaj qytetarëve në Policinë e Shtetit .

Është e natyrshme që ndryshimet strukturore janë shoqëruar edhe me ndryshime të drejtuesve të lartë të Policisë së Shtetit. Unë sinqerisht do të doja të falënderoja të gjithë ata, që janë larguar nga detyrat që kanë pasur deri më sot, siç do të doja të theksoja se në emërimet e reja në detyrat më të larta të Policisë së Shtetit kemi pasur dhe kemi zhvilluar një proces me kritere shumë të forta përsa i përket integritetit moral dhe profesional të atyre njerëzve, që sot kanë marrë detyrën e re, përkushtimit të tyre në detyrë dhe përmbushjes prej tyre të detyrave funksionale dhe të ligjit në Policinë e Shtetit  Ne kemi synuar mbi të gjitha që të promovojmë njerëz, që dy cilësi ti kenë shumë të larta: Jo të korruptuar , jo të kompromentuar dhe pa asnjë mundësi për t’u korruptuar, për t’u kompromentuar në detyrë.

Ne do të jemi shumë të vëmendshëm ndaj këtyre fenomeneve, duke pretenduar pa pushim që oficerët e rinj të Policisë së Shtetit, t’i përgjigjen pritshmërisë së qytetarëve në ushtrimin e detyrës. Kemi bërë një hap, e theksoj, besoj një hap jo të vogël në drejtim të krijimit të gjeneratës së re të drejtuesve të Policisë së Shtetit. Në vlerësimin tonë pas kaq viteve tranzicion të Policisë së Shtetit duhet t’u vijë stafeta oficerëve të rinj në drejtim, duke pretenduar që modernizmin e strukturës, modernizimin e kuadrit  ligjor dhe infrastrukturës, ta shoqërojmë domosdoshmërisht edhe me modelin e ri dhe gjeneratën e re drejtuese në Policinë e Shtetit .

Secili prej njerëzve që është emëruar do të jete në testin e punës dhe të rezultateve konkrete, për garantimin e rendit publik. Unë shpresoj dhe mirëpres çdo këndvështrim të medias, çdo sugjerim të publikut, siç ne mirëpresim çdo vërejte dhe çdo pakënaqësi përsa kohë mund të na ndihmojë që bashkërisht të garantojmë standardet më të larta në ushtrimin e funksioneve dhe detyrave të Policisë së Shtetit.

Megjithëse janë bërë disi publike, konkretisht do të doja t’i kaloja para jush ndryshimet e drejtuesve të Policisë së Shtetit. Kanë lënë detyrat, që kanë mbajtur deri më sot: Muhamet Rrumbullaku, Tonin Vocaj, Nikolin Bala, Mërgim Hoxha, Gjergj Jorgo, Pëllumb Seferi, Arjan Bozhaj, Artan Cuku, Bernard Çaushaj, Halit Murataj, Emri Vata, Arben Hajdarmataj, Aleks Hajdari, Muharrem Furriku, Izet Hysa, Saimir Muça, Shkëlzen Aliaj, Astrit Halilaj, Jashar Vrekaj, Ilo Keçkaj dhe disa të tjerë.

Ndërkohë që në detyrat më të larta të Policisë së Shtetit janë emëruar: Sokol Bizhga, Altin Qato, Ardian Çipa, Ervin Hodaj, Kastriot Skënderaj, Haki Çako, Lorens Panganika, Ilirjan Balla, Perlat Vatoci, Edmond Targaj, Shaban Nexhi, Niko Brahimaj dhe Neritan Nallbani.

Këto janë çështjet, të cilat doja ti komunikoja me ju, duke qenë besim plotë se skuadra e re e Policisë së Shtetit do të bëjë maksimumin për të garantuar rendin publik barazinë para ligjit, ligjshmërinë, shtetin ligjor, drejtësinë dhe forcën e ligjit.

Faleminderit të gjithëve!