"Pezullohen oficerët e krimit ekonomik" - Ministria e Brendshme
Postuar më: 16/10/2013

“Pezullohen oficerët e krimit ekonomik”

Fjala e Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri në konferencën për shtyp:

Kam kënaqësinë të ndaj me ju vlerësimin tim lidhur me aksionin e përbashkët të Policisë së Shtetit, Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe Drejtorisë së Lojrave të Fatit, për mbylljen përfundimtare të lojrave të paligjshme të fatit.

 

Aksion që vazhdon ende në këto momente dhe do vazhdojë deri në sekuestrimin e kompjuterit të fundit të paligjshëm në vend.

 

Janë angazhuar rreth 6.000 forca policie, së bashku me mbi 500 inspektorë tatimorë dhe të gjithë punonjësit e Drejtorisë së Lojrave të Fatit.

 

Besoj kemi hedhur hapin e parë të rëndësishëm për mbylljen  e një plage sociale, efektet e rënda të së cilës peshonin në buxhetin e familjeve shqiptare duke u kthyer në jo pak raste në burim kriminaliteti.

 

Siç kemi hedhur një hap të rëndësishëm në rikthimin e ligjshmërisë dhe rregullave të konkurencës së ndershme për sipërmarrjen e lirë në vendin tonë, duke shënuar gjithashtu, një gur kilometrik në luftën pakompromis kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

 

Kam besim që jemi duke dhënë shenja mjaft të qarta të vullnetit tonë, të Qeverisë dhe Kryeministrit Rama, të vullnetit të Ministris së Punëve të Brendshme dhe Policisë së Shtetit, dhe të të gjitha institucioneve dhe agjensive shtetërore, për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin, duke përmbushur kështu aspiratën e qytetarëve shqiptarë për një shoqëri të drejtë nën sundimin e ligjit, si dhe pritshmërinë e partnerëve ndërkombëtarë për rezultate konkrete në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në përmbushje të detyrimeve ndaj procesit antarësimit në Bashkimin Evropian.

 

Gjej rastin të falenderoj Ministrinë e Financave, administratën tatimore dhe adminsitratën e drejtorisë së lojrave të fatit.

 

Siç gjej rastin të falenderoj Drejtoreshën e Përgjithshme të Tatimeve dhe Drejtoreshën e Përgjithshme të Lojrave të fatit për gjithë angazhimin e tyre personal në këtë aksion ekzemplar për nga dimensioni i bashkëpunimit institucional dhe përpjekjes së përbashkët për rikthimin e ligjshmërisë.

 

Siç kam kënaqësinë të falenderoj dhe para jush Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, të cilit i ra barra ta fillojë detyrën me një aksion masiv dhe impenjativ si ky që filloi ndaj lojrave të paligjshme të fatit.

 

Por mbi të gjitha, në pamundësi për ti falenderuar personalisht, dua të shfrytëzoj këtë rast për të falenderuar një për një të gjithë efektivët e policisë së shtetit për angazhimin dhe përkushtimin në përmbushje të detyrës.

 

Dua të theksoj vullnetin e Qeverisë, Kryeministri Rama, Policisë së Shtetit dhe timin personal, për të përmbushur një angazhim solemn para qytetarëve shqiptarë, luftë pa kompromis kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, paligjshmërisë, konkurencës së pandershme dhe veçanërisht, kaosit skandaloz me përhapjen masive përtej çdo limiti llogjik e social të kazinove elektronike dhe lojrave të fatit.

 

Në këtë kuadër, dëshiroj të falenderoj atë minorancë fare të vogël që përfaqësojnë operatorët e ligjshëm të lojrave të fatit, të cilët të thirrur dje në një takim prej nesh, kanë pranuar një regjim mjaft të shtrënguar që do vendoset mbi këtë treg, për të ndaluar paligjshmërinë dhe për të vendosur rregull të fortë mbi shërbimin që ofrohet nga vetë ata.

 

Gjithashtu, unë vetë së bashku me kolegët, do propozoj një projekt/ligj të ri, i cili do i japi fund përfundimisht biznesit të lojrave të aftit, brenda një afati të arsyeshëm kohor.

 

Deri atëherë, në këtë periudhë tranzitore, tregu i lojrave të fatit do i nënshtrohet një regjimi të shtrenguar dhe kontrolli intensiv e kapilarnga Policia e Shtetit e sigurisht nga vetë Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Drejtoria e Lojrave të Fatit.

 

Njëkohësisht, ky operacion masiv i Policisë së Shtetit, më ka dhënë mundësinë mua bashkë me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit të evidentojmë e mbajmë shënim problemet brenda vetë Policisë së Shtetit.

 

Probleme që kanë të bëjne me organizimin, por edhe me keq akoma, me lidhje të efektivëve të policisë me biznesin e lojrave të fatit, që është evidentuar në kohë me korrupsion dhe u evidentua gjatë operacionit me dekonspirim.

 

Unë sot, bashkë me Drejtorin e Përgjithshëm, kam mbledhur Drejtorët e Policisë në Qarqe. Pas analizës së fazës së parë të aksionit, u vendos të shkrihet Seksioni i Krimit Ekonomiko – Financiar në çdo Drejtori të Policisë në Qark.

 

Të gjithë efektivët e policisë në këto seksione, pezullohen dhe do i nënshtrohen një hetimi të thelluar nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, Drejtoria e Standarteve dhe Drejtoria e Inspektimit të Ministrit të Brendshëm.

 

Hetim që do marrë në shqyrtim të gjitha praktikat e deritanishme lidhur me lejimin e paligjshmërisë të lojrave të fatit, procedimet policoredhe penale të kryera, deri te deklarimi dhe verifikimi i pasurisë për secilin prej efektivëve të policisë në këto seksione.

 

Efektivët e policisë së Seksioneve të Krimit Ekonomiko – Financiar në Drejtoritë e Policisë në Qarqe, të cilët pas verifikimit do rezultojnë se kanë bërë detyrën ndershmërisht, do rikthehen menjëherë në detyrë.

 

Ata që do rezultojnë se nuk kanë bërë detyrën ose janë përfshirë në aktivitete të paligjshme, do jenë subjekt të masave administrative ose do përjashtohen nga Policia e Shtetit dhe do i nënshtrohen hetimit penal.

 

Ne jemi të vetëdijshëm se po përballemi me një luftë të pazakontë kundër trashëgimisë më të keqe të mundshme, paligjshmërisë kapilare në çdo cep të vendit, pa përjashtuar këtu krimin e organizuar dhe korrupsionin, qoftë brenda rradhëve të policisë.

 

Por dua të ritheskoj dhe një herë vullnetin tonë të hekurt, të Qeverisë dhe Kryeministrit Rama, vullnetin tim personal, të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë dhe çdo efektivi të ndershëm të Policisë së Shtetit, për të luftuar e fituar një herë e mirë betejën me paligjshmërinë, për të rikthyer sundimin e ligjit, barazinë para ligjit, rendin dhe qetësinë publike dhe rezultatet konkrete në luftën kundër krimit të oragnizuar dhe korrupsionit të çdo niveli.

 

Jemi në krahun e qytetarëve të ndershëm të këtij vendi. Dhe bashkë me ta, do fitojmë luftën ndaj të keqes së përbashkët.