Tahiri: Luftë skllavëruesve të jetës - Ministria e Brendshme
Postuar më: 19/10/2013

Tahiri: Luftë skllavëruesve të jetës

Fjala e Ministrit të Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri në konferencën:

“Stop Trafikimit! Së bashku mund të bëjmë më shumë”

I nderuar Z. Kryeministër,

Të nderuar Shkëlqesi Ambasadorë,

Të nderuar Zonja dhe Zotërinj,

Të nderuar kolegë,

Në Ditën Europiane kundër Trafikut na mbetet jo vetëm të kujtojmë se trafikimi është një krim i rëndë që cënon të drejtën më themelore të njeriut: Lirinë, e bashkë me të dhe dinjitetin e njeriut. Është pasqyra më e afërt e skllavopronarëve modernë që shesin e blejnë mish njeriu dhe gëzojnë pasurinë që kanë vënë në lëkurë të viktimave të tyre. Siç është një krim që nuk kërkon vetëm një përgjigje policore, por një përgjigje të përbashkët dhe të mirëkoordinuar midis të gjitha institucioneve.

Dita Evropiane kundër Trafikimit të Personave është dita për t’i dhënë zë nga njëra anë të drejtave të viktimave të trafikimit; ditë reflektimi për të parë se ku jemi dhe ku duam të shkojmë; për të ndërgjegjësuar mbarë shoqërinë mbi fenomenin si dhe për t’u përballur me sfidat kundrejt renditjes ndaj arritjeve. Por nga ana tjetër, për të njohur të vërtetat e thata që deri dje nuk thuheshim.

Ministria e Brendshme dhe qeveria e konsiderojnë trafikimin e personave si një problem alarmant. E njohim si të tillë dhe do e trajtojmë si të tillë. Kjo është pikënisja. Fatkeqësisht, në vitin 2012 vendi ynë zbriti në listën e vendeve në vëzhgim në renditjen e Departamentit Amerikan të Shtetit. Dhe me keq akoma, në ditën europiane kundër trafikut të personave, jemi i vetmi vend i rajonit dhe kontinentit që renditemi vend në vëzhgim. Të gjithë të tjerët janë më mirë, pa asnjë përjashtim, në rajon dhe BE. Ndërkohë që Raport Progresi i Komisionit Europian e rendit ende si një ndër rubrikat më problematike çështjen e trafikut të personave.

Me fjalë të tjera, për ne që jemi këtu, kjo do të thotë energji spektakolare që duhet të shëndrohen në punë konkrete dhe rezultate konkrete për të luftuar trafikun e personave në vendin tonë. Është kjo arsyeja pse është angazhim solemn i Qeverisë, Kryeministrit Rama, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Policisë së Shtetit, nxjerrja përfiundimtare e Shqipërisë nga lista e vendeve në vëzhgim. Duke i kthyer njerëzve sigurinë, viktimave të trafikut riintegrim por edhe vendit dinjitetin që meriton përkrah partnerëve ndërkombëtarë.

 

Ne sot i shpallim luftë trafikimit të qenieve njerëzore dhe kujtdo që qëndron mbrapa këtij krimi të skllavëron jetën, siç i shpallim luftë çdo aseti apo pasurie që sot e gëzojnë skllavopronarët e krimit, në kurriz të viktimave.  Dhe po ashtu, luftën kundër trafikut të qënieve njerzore e shpallim si sipërmarrje të përbashkët, jo vetëm të Policisë së Shtetit por të të gjithë qeverisë, çdo dikasteri dhe çdo agjensie shtetërore që ka dhe mund të luaj rol kyç në këtë betejë. Bashkëpunimi institiucional dhe koordinimi është fjala kyc.

Përpjekjet e deritanishme në drejtim të hetimit të krimit në përgjithësi, përfshi këtu edhe trafikimin e personave, si dhe vënies përpara drejtësisë së trafikantëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre në krim nuk kanë rezultuar të mjaftueshme për të plotësuar kërkesat minimale për klasifikimin e Shqipërisë krah vendeve që i plotësojnë këto standarde. Vërehen mangësi në të gjitha hallkat e drejtësisë penale, duke filluar nga policia, me një mungesë të theksuar të hetimeve proaktive, e pastaj me radhë tek prokuroria si edhe vetë gjykatat.

Mosidentifikimi i duhur i viktimave dhe mbledhja në mënyrë jo sistematike sipas një formati të standardizuar të të dhënave të besueshme mbi përmasat e trafikimit dhe format e shfrytëzimit në Shqipëri, ndikon negativisht tek situata e viktimave, duke penguar qasjen e tyre tek shërbimet e parashikuara dhe garantimin e të drejtës së viktimave për shpagim ligjor. Këto problematika, të konstatuara edhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë, tregojnë apatinë e strukturave antitrafik të të gjitha niveleve. Kjo nuk mund të tolerohet në një vend që pret të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian.

Rekomandimet e Komisionit Evropian dhe Departamentit Amerikan të Shtetit për Shqipërinë dhe institucionet e saj të zbatimit të ligjit janë shumë të qarta ndaj është detyrimi ynë t’i përkthejmë ato në objektiva dhe plane veprimi të punës sonë.

Liberalizimi i vizave përveçse e ka bërë më të lehtë lëvizjen e qytetarëve, na përball me situata të reja, të cilat kërkojnë një qasje të re, sepse vetë krimi vjen duke u përsosur dhe bëhet më i sofistikuar. Kjo kërkon veprime të mirëkoordinuara të strukturave tona me homologët tanë të rajonit dhe veçanërisht me ata të vendeve të destinacionit në Bashkimin Evropian. Veprimet e përbashkëta do të institucionalizohen me protokolle dhe marrëveshje bashkëpunimi midis Ministrive të Punëve të Brendshme respektive dhe autoriteteve respektive policore.

Vizioni ynë për një qasje të re e gjithëpërfshirëse do të konkretizohet në:

  • Përmirësimin e hetimit të veprës penale të trafikimit në të gjitha format e shfaqjes së saj, duke i kushtuar vëmendje të veçantë hetimit pasuror; përdorimit të fondit të posaçëm nga pasuritë e sekuestruara dhe konfiskuara për kompensimin e viktimave të këtij krimi, si edhe për qëllime të tjera në mbështetje të këtij prioriteti. Hetimet proaktive për këtë vepër penale do të jenë në fokusin e punonjësve të policisë së shtetit, dhe strukturave monitoruese të punës së tyre;
  • Iniciativa për ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale për të bërë të mundur krijimin e grupeve të përbashkëta hetimore me vendet e rajonit dhe me vendet e BE-së, si edhe për të përmirësuar pozitën e viktimës në procesin penal, duke i garantuar të gjithë mbrojtjen dhe mbështetjen e përcaktuar në standardet ndërkombëtare;
  • Parandalimin e trafikimit nëpërmjet identifikimit në kohë dhe sipas Procedurave Standarde të Veprimit nëpërmjet kualifikimit të vazhdueshëm profesional dhe ruajtjes së personelit të kualifikuar policor, për t’iu përgjigjur dinamikës së fenomenit. Do të punohet fuqimisht me Departamentin e Kufirit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit për të përmirësuar punën e tyre në këtë drejtim, duke patur edhe iniciativa të reja në bashkëpunim edhe me ICITAP;
  • Modernizimin e shërbimit policor për ta sjellë atë sa më afër komunitetit duke adresuar jo vetëm kontingjentet tashmë të skeduar kriminalë, por edhe individët. Kujt nuk i ndodh të haset me fëmijët që shfrytëzohen haptazi në mjediset publike, në çdo kryqëzim të qyteteve të mëdha. Pas tyre ka një trafikant, qoftë edhe prindi. Çdo qindarkë ndjenjash për ata fëmijë shndërrohet në pasuri kriminale për trafikantët pas tyre. Ndaj kam një thirrje: Refuzojmë të japim qindarka për fëmijët në rrugë, sepse çdo qindarkë e jona i mban viktima të trafikut, duke mbajtur gjallë makinerinë që i shfrytëzon. Do të ketë mjedise të tjera të posaçme për intervistimin e fëmijëve viktima të krimeve të rënda. Do të rivihet në funksionim linja papagesë si një nga burimet kryesore për identifikimin dhe referimin e rasteve të trafikimit;
  • Fuqizimin e bashkëpunimit me shoqërinë civile për përmirësimin e standardeve të trajtimit të viktimave të trafikimit, të legjislacionit në këtë drejtim, nxitjen e programeve të ndihmës me një koordinim të përmirësuar për politika të reja mbrojtjeje dhe asistence, parandalimit të fenomenit dhe ndërgjegjësimit të shoqërisë, etj.

 

Realizimi i vizionit dhe objektivave të punës sonë, veçanërisht në lidhje me punën që Policia e Shtetit duhet të kryejë sipas ligjit, do të monitorohet dhe vlerësohet rreptësisht nëpërmjet mekanizmave ligjorë në funksionim, si edhe atyre që përfshihen në planet afatgjata. Ne do të kërkojmë: profesionalizëm dhe performancë e lartë për të gjithë ata që janë pjesë e forcës së zbatimit të ligjit!

 

Për këtë dua të garantoj mbështetjen time të plotë politike dhe financiare ndaj veprimeve të Koordinatorit Kombëtar Antitrafik dhe zyrës që ajo drejton, në monitorimin dhe koordinimin e veprimit kombëtar antitrafik me një dinamikë të re bashkëvepruese mes të gjithë partnerëve shtetërorë, të shoqërisë civile dhe atyre ndërkombëtarë. Dua të garantoj partnerët ndërkombëtarë për vullnetin tonë për të luftuar kundër trafikut të qënieve njerëzore, siç dua të ftoj shoqërinë civile t’i japim jetë një bordi monitorues si forumi për të monitoruar veprimet tona, por edhe për të bashkërenduar përpjekjet tona.

 

Trafikimi i personave është një çështje prioritare dhe me impakt të drejtpërdrejtë në vlerësimin pozitiv të progresit të Shqipërisë në drejtim të marrjes së statusit të vendit kandidat, dhe për këtë ajo do të trajtohet së bashku me çështjet e tjera të sigurisë kombëtare. I gjithë vizioni i qeverisë lidhur me fenomenin do të pasqyrohet në një strategji kombëtare me objektiva të qarta lidhur me hetimin dhe ndjekjen penale, parandalimin, mbrojtjen e viktimave dhe qasjen e tyre në shërbimet e nevojshme, si dhe forcimin e partneritetit në nivel kombëtar, rajonal e më gjerë.

 

Ministria e Punëve të Brendshme, do të jetë një partnere e denjë dhe konstruktive në çdo iniciativë me karakter rajonal apo ndërkombëtar në shërbim të forcimit të bashkëpunimit dypalësh e më gjerë në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme dhe trafikimit të qenieve njerëzore. Ne do nxisim zbatimin e marrëveshjeve bilaterale dhe multilaterale në përmirësimin e hetimeve të përbashkëta, shkëmbimin e rregullt të informacionit operativ, zbatimin e Marrëveshjeve të Ripranimit, duke pasur parasysh veçanërisht kërkesën për referim, mbrojtje dhe ripranim të asistuar ndaj personave të trafikuar, si dhe personave që kanë kaluar në mënyrë të paligjshme kufijtë shtetërore, duke i kushtuar rëndësi të veçantë sidomos nevojës për bashkëpunim në kohë për hetimin dhe ndjekjen penale të këtyre rasteve.

 

Jemi tërësisht të vendosur për të çuar përpara të gjithë reformat ligjore dhe ato institucionale që mbështeten në vullnetin e qeverisë shqiptare për të luftuar trafikimin e personave nëpërmjet një partneriteti të gjerë me institucionet shtetërore, organizatat e shoqërisë civile të vendit,  ato ndërkombëtare, sektorin privat, vendet e destinacionit dhe të gjithë aktorët e tjerë relevant si brenda dhe jashtë vendit.

Si drejtues i Komitetit Shtetëror për Luftën kundër Trafikimit të Personave, do të siguroj funksionimin e plotë të këtij komiteti nëpërmjet ndjekjes së zbatimit të vendimeve të marra në mbledhjet e tij, mbështetjes ndaj çdo anëtari për të adresuar në mënyrë të menjëhershme problematikat e hasura me hetimin penal, me identifikimin, referimin dhe asistimin në mënyrën dhe kohën e duhur të viktimave të trafikimit, dhënien e mundësisë për të gëzuar të gjitha të drejtat që iu takojnë bazuar në instrumentet ndërkombëtare.

Gjithashtu, po në kuadër të bashkërendimit të përpjekjeve, do të përmirësojmë funksionimin e Mekanizmit Kombëtar të Referimit duke caktuar përfaqësues të përgjegjshëm nga secila agjenci, duke ofruar mbështetjen tonë për të gjithë anëtarët, por edhe duke monitoruar punën e bërë nga secili institucion i përfshirë në bazë të treguesve të matshëm dhe të qartë të suksesit.

Çdo jetë e një individi të vënë në rrezik nga trafikimi tregon se institucionet nuk janë aty ku qytetari ka nevojë për shërbimet dhe mbrojtjen e shtetit! Luftën ndaj skllavopronarëve modernë do t’a fitojmë të gjithë bashkë në emër të drejtësisë dhe lirisë e të drejtave të njeriut

Ju faleminderit për vëmendjen!