Situatë alarmante për Emergjencat - Ministria e Brendshme
Postuar më: 29/10/2013

Situatë alarmante për Emergjencat

Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri ka informuar deputetët e Komisionit parlamentar të Sigurisë për situatën tejet alarmante në të cilën ndodhen kapacitetet shtetëore për të përballuar emergjencat civile. Deklarimet janë bërë gjatë një seance dëgjimore në këtë komision, ku Ministri Tahiri ka kërkuar bashkëpunimin edhe të parlamentit për të rakorduar në marrjen në kohë të masave për të përballuar situata emergjente që mund të shkaktohen gjatë stinës së dimrit që po afron. Po ashtu ministri i Punëve të Brendshme u ka paraqitur deputetëve një Plan të hartuar nga Ministria e Punëve të Brendshme për Emergjencat Civile.

Më poshtë mund të lexoni të plotë fjalën e Ministrit të Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri në Komisionin parlamentar të Sigurisë:

E vlerësoj shumë ftesën tuaj për të ardhur në këtë Komision të nderuar dhe për të referuar mbi çështjet që ju keni parashtruar në kërkesën për seancë pyetjesh. Madje e ndiej gati të domosdoshme të shpresh shqetësimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme për gjendjen dhe kapacitetet tona për të përballuar emergjencat civile, të pritshme për dimrin që po vjen. Mjafton këtu t’ju them që situata është aq alarmante sa trashëgojmë gjithsej buxhet për të përballuar emergjenca civile në shumën 570 USD në total ose 570 mijë lekë të vjetra,  2 borëpastruese dhe 3 fadroma, të cilat janë në gjendje të mirë. Këto janë makineritë në gjendje më të mirë, por për të cilat nuk ekziston as manovratori, pra kemi makinat por nuk kemi drejtuesit e mjeteve, dhe ndërkohë kemi 26 milionë USD borxhe në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Unë do të doja t’ju parashtroja një situatë të përgjithshme dhe pastaj jam i hapur për pyetjet e vlerësimet tuaja.

Dihet tashmë që fatkeqësitë natyrore i kushtojnë Shqipërisë dhe ekonomisë sonë miliona lekë. Nga ana tjetër kapaciteti i sistemit të mbrojtjes civile është i pamjaftueshëm për të menaxhuar numrin në rritje të emergjencave dhe rehabilitimin e shpejtë të tyre. Rreziku ndaj fatkeqësive ka nevojë për t’u ngritur në radhë të parë në një prioritet politik, sidomos në situatën e sotme, për të siguruar bashkëpunimin me të gjitha institucionet dhe patjetër bashkëpunimin me Parlamentin dhe Komsioninin e Sigurisë në veçanti.

Jemi në kushtet kur dëmet ekonomike nga fatkeqësitë natyrore po rriten ndjeshëm dhe kur humbjet direkte të ekonomisë shqiptare, vetëm nga përmbytja e dhjetorit 2010 janë vlerësuar 18 milionë Euro, përfshirë edhe humbjen indirekte, shuma shkon në 37 milionë euro. Po ashtu jemi në kushtet kur ekspozimi financiar i Shqipërisë ndaj vetëm këtyre 2 kërcënimeve kryesore që sjellin emergjenca civile, pra përmbytjeve dhe tërmeteve, vlerësohet të arrijë në 74% të projekt-buxhetit afatmesëm.

Faktorët që ndikojnë kryesisht në këtë situatë, duke rritur shumë prekshmërinë e Shqipërisë ndaj katastrofave janë shumë, por më kryesore renditen rritja e densitetit të popullsisë në zonat urbane, zhvillimi i ekonomisë në zona jo të sigurta ndaj fatkeqesive, masat e pamjaftueshme në parashikimin dhe menaxhimnin e rrezikut dhe mbi të gjitha degradimi i burimeve natyrore. Kërkohet sigurisht një përgatitje shumë e madhe, koordinim dhe reagim ndërmjet të gjithë institucioneve përgjegjëse dhe patjetër, parashikimi i instrumenteve buxhetore të mjaftueshëm për të përballuar emergjencat civile.

Kjo është pakashumë një pamje e përgjithshme e situatës lidhur me emergjencat civile. Përsa i përket situatës konkrete, gjendja infrastrukturore që duhet të jetë aty për t’u përballur me emergjenca civile është në rastin më të mirë e dëmtuar, në rastin me të keq inekzistente. Mjafton t’ju them që gjendja e digave, rezervuarëve, ujëmbledhësve dhe mekanizmave të shkarkimit, është thuajse kritike ose shumë kritike. Janë në total 101 rezervuarë të shpërndarë sipas qarqeve dhe në raportin që ju kam dorëzuar, është e plotë e gjithë situata sipas secilit qark.

 

Gjendja teknike e sistemit të Ujësjellës-Kanalizimeve dhe masat që duhen marrë në këtë rast kanë të bëjnë me gjendjen shumë kritike të të paktën 4 sistemeve të Ujësjelljes-Kanalizimeve. Gjendja tekntike e sitemeve të pompimit të hidrovoreve dhe e rrjetit të furnizimit me energji elektrike të tyre i përket fotografisë që kemi treguar, duke marrë edhe mendimin e strukturave vendore dhe prefektëve, kemi këtë situatë shumë kritike në 11 raste në të gjithë Shqipërinë. Të shpërndara sipas qarqeve i keni me detaje në materialin e plotë. Gjendja e argjinaturave dhe pritave malore të lumenjve, që rrezikojnë zonat e banuara dhe tokat bujqësore, në total janë 34 raste shumë kritike. Mirëmbajtja e sistemeve të kullimit, e kanaleve të ujërave të larta, të dyta dhe të treta dhe kolektorëve të shkarkimit është në 20 raste kritike dhe shumë kritike në të gjithë Shqipërinë. Gjendja e sistemit rrugor kombëtar dhe rural lidhur me emergjencat civile është kritike dhe shumë kritike në 31 raste. Kjo sa i përket infrastrukturës.

 

Përsa i përket situatës finananciare, qeveria e mëparshme në muajt prill, maj dhe fillim qershori ka bërë transferta fondesh dhe shpenzime kryesisht në zyrat rajonale të emergjenca civile, me vlerë 1.2 miliardë lekë, ose 1.2 milionë USD, fond i cili ishte i parashikuar për të gjithë vitin. Ky fond i alokuar kryesisht në këto muaj është përdorur për dëmshpërblime dhe punime të bëra. Fondi i mbetur për të përballuar emergjencat civile për dimrin që vjen është vetëm 570 USD. Kaq është totali. 570 USD kemi në dispozicion për emergjenca civile, që larg o zot, ishallah s’na vijnë se me këto para nuk ia dalim!

 

Kërkesat ndaj njësive të qeverisjes vendore dhe zyrave të emergjenca civile shkojnë në 8.1 milionë USD. Numri i familjeve me banesa të dëmtuara nga fatkeqësi të ndryshme të cilat trajtohet me ndihmë finaciare nga fondi i emergjenca civile sipas dokumentacionit që disponon MPB dhe Drejtoria e Përgjithshme e Emergjenca Civile është 4867 familje gjithsej. Janë shpërblyer jo në vlerë të plotë për vitet 2012-2013, 175 familje ose 3.6%. Pra gjithsej kërkesa janë 4867, janë shpërblyer 175 familje. Nga këto për vitin 2012 ndihmë finaciare 29 familje dhe në vitin 2013, 146 familje. Dëmet e shkaktuara nga përmbytjet në qarkun e Shkodrës gjatë periudhës dhjetor 2010-janar 2011 dhe dëmet e vlerësuara nga shteti për familjet e prekura nga këto përmbytje shkojnë në vlerë 32 miliardë lekë ose 32 milion USD. Janë dëmshpërblyer deri në momentet që flasim, kryesisht nga qeveria që ishte, vetëm 36%.

 

Gjendja e Rezervave të shtetit është më shumë se alarmante. Mund ta themi me plot gojën që nuk kemi në dispozicion asgjë në Rezervat e shtetit për të përballuar emergjencën më minimale. Pra praktikisht është një institucion që rri në këmbë kot, sepse nuk garanton as minimumin për qytetarët shqiptarë në rast emergjence civile. Ju e dini që rezervat e shtetit,  në bazë të VKM 1128, dt.05.08.2008, “Për krijimin dhe administrimin e mallrave rezervë materiale shtetërore”, duhet të ketë një minimum të depozituar në rezervat e shtetit, që duhet të shërbejë në raste fatkeqësish të mëdha natyrore. Po ky VKM i miratuar nga qeveria e mëparshme ka parashtruar listën minimum, dhe sot, në raport në listën minimum, jemi në këtë gjendje:

 

Sheqer duhet të kishim 40 mijë kg, kemi 85 kg;
Miell, nga 200 mijë kg që duhet të kishim në dispozicion, ka 30 mijë e 500 kg;
Makarona, nga 30 mijë, ka 3300 kg;
Fasule, nga 30 mijë, ka zero;
Konserva mishi, nga 10 mijë, ka 241.
Karburant, nga 100 mijë litra kemi zero;

Borxhi që trashëgon MPB është 26 milionë USD, ndër të cilat:

 

Investime të pashlyera, 10 milionë USD;
Detyrime të njësive të varësisë së Ministrisë së Punëve të Brendshme, prefektura, komisariate, 4.7 milionë USD;
Detyrime për uniformën e policisë 5.2 milionë USD;
Detyrime për shpërblimet e leje-lindjeve të Gjendjes civile, nga viti 2008-2013 nuk është bërë asnjë pagesë dhe detyrimet janë 4.3 milionë USD;
Detyrime ndaj vendimeve gjyqësore dhe për detyrime këtu flitet për çdo palë të tretë përfshirë investitiorë, por edhe ish-nëpunës të administratës publike të pushuar nga puna, 2.2 milionë USD.

Këto janë borxhet që trashëgon MPB. Sa i takon parkut të mjeteve që kemi në dispozicion për emergjenca civile, kemi parkun më të amortizuar që mund të kishim, me mjete që datojnë që nga viti 1961. Nga një projekt i Bankës Botërore është pasuruar parku i emergjenca civile me 2 borëpastruese dhe 3 fadroma të reja, të cilat realisht janë moderne dhe në gjendje shumë të mirë pune, por kemi vetëm makineritë, pasi qeveria e mëparshme nuk ka parashikuar asnjë buxhet për manovratorët e këtyre makinerive. Kështu që kemi vetëm makinat por s’kemi shoferët praktikisht.

 

Sa i takon parashikimit tonë dhe besoj kjo është shumë e rëndësishme, sepse po afrohet dimri, zona kritike ose shumë kritike, për të cilat edhe nga studime shkencore, edhe nga e kaluara, është krijuar një bazë të dhënash të mjaftueshme për të vlerësuar që mund të ketë rrezik potencial për përmbytje, bllokime nga bora dhe rrëshqitje të tokës, janë konkretisht si më poshtë vijon:

 

Në qarkun Shkodër, 2 bashki e 10 komuna;
Në qarkun Lezhë 2 bashki e 7 komuna;
Në qarkun Tiranë janë disa njësi, përfshirë njësinë 11, Paskuqanin, bashkinë Kamëz;
Në qarkun Durrës janë disa njësi, bashki e komuna;
Në qarkun Fier janë disa lagje brenda bashkisë, që vlerësohet janë afërsisht 10 mijë banorë, por ndërkohë ka edhe disa komuna si Frakull, Levan, Cakran, Ndërmenas etj;
Në qarkun Vlorë disa lagje brenda bashkisë dhe disa komuna përrreth;
Në qarkun Elbasan, vetë bashkinë Elbasan dhe komunat, Shushicë, Shirgjan dhe bashkia Cërrik.

Qarqet që mund të preken nga bllokimet e dëborës janë:

•          Në qarkun Shkodër, 15 njësi vendore;

•          Në qarkun Dibër janë 22 njësi vendore;

•          Në qarkun Kukës janë 11 njësi vendore;

•          Në qarkun Korçë janë 10 njësi vendore;

•          Në qarkun Elbasan janë 4 njësi vendore;

•          Në qarkun Lezhë janë 4 njësi vendore;

•          Në qarkun Berat janë 3 njësi vendore;

•          Në qarkun Gjirokastër janë 2 njësi vendore.

 

Qarqet që mund të preken nga rrëshqitja e tokës, janë qarqet Kukës, Shkodër, Durrës, Tiranë, Korçë, Vlorë, Fier, Elbasan, Gjirokastër. Dhe zonat më karakteristike përsa i përket dukurisë së rrëshqitjeve me rrezik për zonat e banuara janë disa në qarkun e Kukësit, Elbasanit, është një zonë në qarkun e Durrësit, disa në qarkun e Tiranës, në qarkun e Korçës, në qarkun e Vlorës, në Fier dhe në qarkun e Gjirokastrës.

 

Sa i takon masave që po marrim, unë dua ta konsideroj këtë seancë me këtë komision të nderuar pjesë të planit të përbashkët për të adresuar emergjenca civile në vend dhe për t’iu gjetur qytetarëve aty ku duhet, ne, ju, shteti në tërësi dhe për t’i ndihmuar në rast emergjencash civile. Eshtë një gjë të ngremë zërin sa herë ndodh fatkeqeësia natyrore dhe është një gjë tjetër t’i paraprijmë dhe të ngrejmë alarmin sot në mënyrë që nesër të jemi gati të gjithë bashkë për të adresuar nevojat, që mund të kenë qytetarët në rast fatkeqësish natyrore.

 

MPB së bashku me Drejtorinë e Përgjithshme të Emergjenca Civile ka përgatitur një plan masash të cilin do t’ia prezantojmë qeverisë dhe Kryeministrit, plan të cilin jua kam sjellë pikërisht se mendoj që Kuvendi, veçanërisht Komisioni i Sigurisë duhet të jetë i përfshirë në vlerësimin e situatës dhe në mënyrën e adresimit të situatës lidhur me emergjencat civile. Mbi të gjitha bashkarisht duke ndërtuar grupin e punës, që duke filluar nga sot, duhet domosdoshmërisht bashkë me qeverinë e njësitë e qeverisjes vendore, të adresojë çështje që mund të prekin qytetarët lidhur me emergjenca civile dhe mund të shkaktojnë dëme potenciale për shoqërinë dhe ekonominë, të pallogarishtshme për buxhetin e shtetit dhe për ekonominë në tërësi.

 

E riktheksoj vlerësimin tim për këtë kërkesë tuajën lidhur me emergjencat civile. Dhe në dijeninë time është hera e parë që raportohet nga Ministria e Punëve të Brendshme lidhur me emergjencat civile, përpara sesa të ndodhin fatkeqësitë. Gjithmonë është raportuar “post factum”, dhe e shfrytëzoj këtë rast jo vetëm për të bërë fotografinë e situatës dhe për të treguar se sa e rëndë është situata, por për të ngritur nivelin tuaj të alarmit, për të ngritur nivelin e alarmit në shoqëri nga njëra anë, dhe nga ana tjetër për të kërkuar me shumë dashamirësi të bëhemi të gjithë bashkë që të përballojmë situata të fatkeqësive natyrore që janë tej mase të rrezikshme për ekonominë dhe shoqërinë.

 

Ne sot kemi një situatë më shumë se dramatike. Jemi të papërgatitur për të përballuar emergjencat civile të çfarëdo lloji. Dhe që të mos fillojmë t’i lutemi Zotit dhe natyrës që të mos ndodhin fatkeqësi natyrore, që do na vënë para kushteve të pamundësisë për të reaguar në çdo lloj mënyre, e shfrytëzoj këtë rast t’ju kërkoj ndihmë që të bëhemi të gjithë bashkë për të përballuar këtë situatë. Jua them shumë sinqerisht, me 570 USD, as një familje e vetme nuk mund të përballojë emergjencat e veta, jo më një zonë e tërë me shumë qytetarë përballë një fatkeqësie natyrore të çfarëdo lloji, është e pamundur të përballojë çfarëdo emergjence civile.

 

Sa i përket pyetjeve të tjera të parashtruara nga kolegët deputetë, lidhur konkretisht me ligjshmërinë e emërimeve në postet drejtuese të Policisë së Shtetit, në bazën ligjore ku janë mbështetur ndryshimet në strukturën e krimit ekonomik në Policinë e Shtetit, dhe baza ligjore ku mbështet përdorimi i Policisë së Shtetit si polici ndërtimore, unë, të nderuar kolegë deputetë, kam këto përgjigje:

 

Së pari, më lejoni të ndaj me ju shqetësimin lidhur me situatën e kriminalitetit në vend. Kemi gjetur një situatë shumë më të keqe nga ç‘mund ta kishim menduar në të gjitha rastet. Kjo, përsa i përket shifrave të kriminalitetit, përsa i përket kapaciteteve njerëzore të efektivave të Policisë së Shtetit për të përballuar çdo situatë lidhur me rendin dhe sigurinë publike dhe sa i përket infrastrukturës në dispozicion të Policisë së Shtetit. Nuk dua të ndalem në detaje sepse janë bërë gjerësisht publike, por shifrat e kriminalitetit janë alarmante. Ndërkohë perceptimi im dhe i drejtuesve të Policisë së Shtetit lidhur me efektivat e Policisë së Shtetit në të gjitha nivelet lë të kuptojmë që kemi pa asnjë dyshim tulatje, trembje dhe mungesë iniciative të edukuar ndër vite brenda radhëve të Policisë së Shtetit.

 

Nuk janë të rralla rastet e denoncuara publikisht deri më sot, por edhe rastet që ne kemi vënë re në këto thuajse 40 ditë që unë ushtroj detyrën, të tradhtisë ndaj përmbushjes së misionit të Policisë së Shtetit. Siç nuk janë të rralla shkeljet e lirisë dhe të të drejtave themelore të njeriut, apo fenomene të tjera negative që kanë të bëjnë me performancën, përmbushjen e ligjit, transmetimin dhe përmbushjen e përgjegjësive dhe mbi të gjitha ndërtimin e patneritetit ndërmjet Policisë së Shtetit dhe qytetarëve.

 

E them pa frikë, deri më sot, perceptimi i përgjithësuar në shoqëri mbi Policinë e Shtetit, kjo në bazë të vlerësimeve jo vetëm nga MPB por edhe nga aktorë të Shoqërisë Civile është i gabuar. Eshtë i deformuar, nuk le asnjë vend për eficiencë në punën e Policisë së Shtetit dhe mbi të gjitha nuk lë asnjë rrethanë për të ndërtuar besimin e publikut te Policia e Shtetit.

Duket sikur oficerin e policisë duhet ta ketë frikë gjithë shoqëria, kur në fakt oficeri i policisë duhet të perceptohet si partner, gati si mik, nga shumica dërmuese e qytëtarëve të ndershëm qe as u shkon në mend të shkelin ligjin. Dhe të vetmit që duhet të perceptojnë frikë te oficeri i policisë, janë ata që shkelin ligjin ose u shkon në mend se mund të jenë mbi ligjin.

Në vlerësimin tonë kjo situatë brenda radhëve të Policisë së Shtetit dhe kryesisht kupolës drejtuese të Policisë së Shtetit , ka çuar në shenja të pa ekuivok për kriminalizim masiv në shoqëri dhe në disa raste, ca prej të cilave dhe po i hetojmë, në kriminalizim dhe të vendimmarrjes publike. Kemi gjetur një situatë korrupsioini të përhapur edhe vetë brenda Policisë së Shtetit për të cilën jemi dedikuar ta luftojmë me të gjitha mjetet në dispozicion. Siç jemi dedikuar të luftojmë pandëshkueshmërinë, dhe klimën, jo vetëm në dukje po edhe në realitet, klimën gati pjellore për afera korruptive edhe brenda Policisë së Shtetit, jo më pastaj për kapacitetin e Policisë së Shtetit për të hetuar dhe ndëshkuar, bashkë me sistemin gjyqësor, korrupsionin jashtë radhëve të saj.

Sa u takon konkretisht pyetjeve, në zbatim të prioriteteve të qeverisë për vendosjen e rendit dhe të sigurisë publike dhe rikthimin e besimit të qytetarëve në Policinë e Shtetit, duke bërë këtë analizë që unë fare shkurtimisht ju parashtrova, ne kemi vendosur rritjen e performancës në nivelin menaxherial dhe drejtues të punonjësve të Policisë së Shtetit. Këtij qëllimi i ka shërbyer edhe caktimi në detyrë i drejtuesve të rinj të Policisë duke marrë në konsideratë dhe zbatuar kushtet dhe kriteret e përcaktuara në Ligjin 9749, dt.4.6.2007 “Për Policinë e Shtetit” si dhe aktet e tjera normative që e rregullojnë veprimtarinë e personelit të Policisë. Caktimi në detyrë apo transferimi i këtyre punonjësve është në përputhje të plotë me kërkesat e nenit 53 të ligjit “ Për  Policisë e Shtetit “, sipas të cilit: “Personit të emëruar në Polici i caktohet detyra në përputhje me udhëzimet e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë; 2- Personi i emëruar në Polici, në përputhje me gradën që ka, mund të caktohet me shërbim kudo qoftë brenda territorit të Republikës së Shqipërisë”.

 

Në mbështetje të kësaj dispozite, ish-Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit,që unë gjej rastin ta falenderoj, z.Hysni Burgaj, i ka propozuar Ministrit të Punëve të Brendshme caktimin në detyrë të drejtorit të Departamentit të Hetimit të Krimeve të Rënda, zv.drejtor edhe ai, vend i cili ishte vakant për shkak të dorëheqjes së zv.drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, z.Kuliçaj. Po ashtu ish-Drejtor i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, z.Burgaj, të cilin gjej përsëri rastin ta falenderoj, i ka propozuar Ministrit të Punëve të Brendshme, caktimin në detyrë të drejtorit të Departamentit për Rendin dhe Sigurinë publike, si dhe ka bërë, ish-drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit z.Burgaj, ka bërë rifreskimin  e disa drejtuesve të tjerë të Policisë në nivel qendror si edhe drejtuesve të Policisë nëpër qarqe.

 

Ishte në kompetencën dhe përgjegjësinë e ish-Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, siç është sot në kompetencën e drejtorit aktual të përgjithshëm të Policisë realizimi i çdo lëvizjeje drejtuesi. Njëkohësisht pas dorëheqjes së ish-drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit z.Hysni Burgaj, është emëruar në këtë detyrë drejtori i ri i Policisë së Shtetit z.Artan Didi, në pajtueshmëri me kriteret që përcakton neni 21 i ligjit “Për Policinë e Shtetit”. Me marrjen e detyrës Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Artan Didi, pasi është njohur me vlerësimet e treguesit e punës së çdo drejtuesi policie, në përputhje me kompetencat që i jep neni 54 pika 2 e ligjit për Policinë e Shtetit, ka vazhduar procesin e nisur nga paraardhësi i tij, për rifreskimin e disa drejtuesve të tjerë të Policisë së Shtetit në nivel qendror dhe vendor.

 

Sqaroj se për  këto levizje janë marrë në konsideratë vetëm kriteret profesionale, gjendja e kriminalitetit dhe performancës në shërbim të çdo punonjësi policie. Ndërkohë caktimi në detyrë i personave të lëvizuar apo transferimi  i tyre është bërë në pajtueshmëri të plotë me dispozitat e neneve 53 e 57 të ligjit Për Policinë e Shtetit dhe VKM 917, dt.4.10.2013, “Për disa ndryshime dhe shtesa në VKM nr.803, dt.21.11.2007”.

 

Përsa i takon pyetjes së dytë, baza ligjore ku janë mbështetur ndryshimet në strukturën e krimit ekonomik në Policinë e Shtetit. Në tërësi, baza ligjore për ndryshimin e çdo strukture ne Policinë e Shtetit percaktohet ne nenin 12, pika e 3 te ligjit 9749, dt.4.6.2007  “ Për Policinë Shtetit “. Dispozitë e cila parashikon shprehimisht  se strukturat e Drejtorisë se Përgjithshme të Policisë dhe sektorëve të saj ku përfshihen drejtoritë e policisë së qarqeve, drejtoritë rajonale të kufirit dhe emigracionit, komisariatet e kufirit dhe emigracionit, stacionet e policisë dhe stacionet e kufirit dhe emigracionit, si dhe limiti i organikës së këtyre strukturave, miratohen nga ministri, me propozim të drejtorit të përgjithshëm të Policisë. Në mbështetje të kësaj dispozite, ish drejtori i Policisë së Shtetit z.Hysni Burgaj, me shkresën Nr.4960, dt.8.10.2013, i ka propozuar Ministrit të Punëve të Brendshme, ndryshimin e strukturës organike të Policisë së Shtetit ku përfshihet dhe strukturat e krimit ekonomik. Mbi bazën e këtij propozimi, të cilin e gjeta të arsyeshëm siç ma propozoi z.Burgaj, me urdhrin nr.548, dt.9.10.2013, kam miratuar strukturën organike të Policisë së Shtetit ku përfshihet dhe struktura e krimit ekonomik.

 

Megjithatë, referuar pyetjes së deputetëve të opozitës, duke krahasuar strukturën e vjetër të krimit ekonomik me atë të re, të miratuar për Policinë e Shtetit, rezulton se nuk ka asnjë ndryshim përsa i përket organigramës dhe strukturës së krimit ekonomik, as në nivel qendror, as në nivel vendor. Ju garantoj që nuk ka asnjë ndryshim. Struktura është e njëjta, unë organigramën e kam këtu, siç ka qenë, ashtu është edhe në nivel qendror edhe në nivel vendor, nëse pyesni për strukturën. Nëse interesoheni për mbushjen njerëzore të strukturës, por s’e kam pasur pyetje këtë, mund t’ju përgjigjem në një moment të dytë.

 

Lidhur me bazën ligjore ku mbështetet përdorimi i Policisë së Shtetit si Polici Ndërtimore, duhet të sqaroj për korrektesë se Policia Ndërtimore nuk ekziston. Në eventualitetin që i referoheni Inspektoriatit Ndërtimor, ju sqaroj se Policia e Shtetit në asnjë rast nuk është përdorur si Inspektoriat Ndërtimor. Për ta mbështetur, dhe ju siguroj që do ta bëjë në të ardhmen, Policia e Shtetit do të mbështesë në të ardhmen, veprimet e Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik si dhe çdo strukturë tjetër shtetërore që do të kërkojë ndihmën e Policisë së Shtetit. Fundja ky është misioni i Policisë së Shtetit dhe ne jemi të gatshëm ta përmbushim.

 

Lidhur me shqetësimin që paraqitet për përdorimin e policisë për parandalimin e ndërtimeve pa leje, sqarojmë faktin se angazhimi i Policisë së Shtetit në parandalimin e çdo vepre penale, qoftë ky edhe ndërtim pa leje, nuk është përdorje apo kapërcim i kompetencave që ushtron Policia e Shtetit, por vënia në pozita të plota pune të Policisë së Shtetit dhe kapaciteteve ligjore të Policisë së Shtetit, për përmbushjen e një detyrimi ligjor të cilin ajo ndër vite nuk e ka realizuar. Ndërtimet e paligjshme përbëjnë vepër penale që parashikohet nga neni 199/a, i Kodit Penal, me sanksion dënimi deri në 5 vjet burg. Rrjedhimisht Policia e Shtetit detyrohet të zbulojë dhe të arrestojë në kushtet e flagrancvës, apo të kryejë veprime proceduriale dhe hetimore për cilindo që kryen një veprim të kundërligjshëm, që parashikohet si vepër penale në KP. Sigurisht që në këto veprimtari, Policia e Shtetit mban parasysh edhe dispozitat e K. Pr.P. përkatësisht nenin 51 e vijues të K.Pr.P. Në funksion të realizimit të këtij qëllimi Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka udhëzuar të gjitha strukturat vendore të Policisë, për të ushtruar, kjo edhe me një vendim të ish drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, të drejtën që i jep shteti Policisë së Shtetit të vet, neni 30 i K.Pr.P. për të marrë dijeni mbi veprën penale të ndërtimit të paligjshëm, si edhe për të kryer të gjitha veprimet e nevojshme proceduriale penale në rastet kur konstatohet kryerja e kësaj vepre në të gjithë territorin. Policia e Shtetit ka marrë masa e proceduar penalisht edhe punonjës të inspektoriateve ndërtimore në bashki e komuna të cilët kanë shpërdoruar detyrën, duke mos kontrolluar territorin dhe duke lejuar zhvillimin e ndërtimeve pa leje në situatën masive që gjendet vendi sot.

Unë gjej rastin t’ju siguroj që kjo veprimtari e Policisë së Shtetit duhet përshëndetur, gjej rastin t’ju kërkoj dhe juve ndihmë në emër të Policisë së Shtetit për të qenë të gjithë bashkë në frontin që lufton paligjshmërinë dhe mbrojtjen e territorit dhe mjedisit nga ndërtimet e paligjshme duke përkrahur Policinë e Shtetit në përmbushjen e detyrave dhe misionit të saj.

Këto ishin përgjigjet për pyetjet e parashtruara z.Kryetar i Komisionit dhe të nderuar deputetë.