Strategji e plotë dhe integrale antikorrupsion - Ministria e Brendshme
Postuar më: 13/11/2013

Strategji e plotë dhe integrale antikorrupsion

Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri, duke marrë fjalën sot paradite në Konferencën Kombëtare antikorrupsion, tha se rezultatet e punës së Policisë së Shtetit në këto javë të para të qeverisjes, janë më të larta se 9 muajt e parë të vitit. Ministri Tahiri, duke pranuar se korrupsioni është i përhapur gjerësisht, përfshirë edhe rradhët e Policisë, u shpreh se po përgatitet një strategji e plotë dhe integrale për të luftuar dhe parandaluar çdo praktikë korruptive, ose potenciale për çdo praktikë korruptive brenda Policisë së Shtetit. Ai shtoi se shpejt do të ngrihet Byroja Kombëtare e Hetimit, që prioritet të punës do të ketë luftën kundër korrupsionit. Më poshtë, fjala e plotë e Ministrit Saimir Tahiri:

Sa i takon Ministrisë së Punëve të Brendshme, pa hyrë këtu as në definicionin e korrupsionit, as në përhapjen gjerësisht të korrupsionit, unë do të doja të ndaja me ju shqetësimin që ka artikuluar publiku thuajse në të gjitha sondazhet apo matjet e perceptimit të publikut, qoftë për sa i përket përhapjes së korrupsionit në tërësi, qoftë dhe sa i përket renditjes së strukturave më të korruptuara shtetërore, dhe fatkeqësisht Policia e Shtetit, ka rezultuar në shumicën e rasteve ndër strukturat me prekjen më të gjerë nga korrupsioni.

Dhe është në fakt është një fenomen botëror dhe kjo është arsyeja pse lufta kundër korrupsionit brenda radhëve të Policisë së Shtetit më së pari, dhe pastaj kapaciteti i Policisë së Shtetit për të luftuar korrupsionin në shoqëri, është kthyer në doktrinë më vete.

Me dy raca kryesore të cilat mbeten një problem i përhapur dhe në Shqipëri me barëngrënësit e korrupsionit  –  pra janë ata që bëjnë korrupsionin e vogël të rryshfetit; dhe me mishngrënësit e korrupsionit – ata që janë në timonin e veprimtarive ose praktikave korruptive që cënojnë në themel barazinë para ligjit dhe besimin e publikut te Policia e Shtetit.

Sa i takon reformave që kemi ndërmarrë deri më sot për luftën kundër korrupsionit brenda radhëve të Policisë së Shtetit, jemi në fazën e përpunimit të një strategjie të plotë dhe integrale për të luftuar dhe parandaluar çdo praktikë korruptive ose potenciale për çdo praktikë korruptive brenda Policisë së Shtetit.

Kjo duke filluar nga një ligj i ri, që reformon tërësisht Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm dhe Drejtorinë e Standardeve në Policinë e Shtetit, bashkë me zyrën e Auditit duke synuar kështu krijimin e një platforme permanente komunikimi ndërmjet qytetarëve dhe Policisë së Shtetit në mënyrë që ankesa e qytetarëve të vijë pranë zyrave të Policisë së Shtetit dhe të hetohet në mënyrë të paanshme me një sistem të mbyllur integral, deri në rikthimin e rezultatit të ankesës së vetë qytetarit në një përgjigje konkrete për të.

Po instalojmë Linjën e Gjelbër e cila do të funksionojë 24 orë e 7 ditë të javës në mënyrë që t’u japim qytetarëve mundësinë të komunikojnë drejtpërdrejt me një strukturë brenda Ministrisë së Brendshme, por jashtë Policisë së Shtetit, për të denoncuar e për të ndjekur sipas rrugës ankesën e tyre për mospërmbushje ligji, performancë të dobët, praktika korruptive brenda radhëve të Policisë së Shtetit.

Jemi në fazën e hartimit të Protokollit dhe Praktikave të Standardizuara të punës për çdo post pune në Policinë e Shtetit, siç jemi duke përfshirë praktikën e deklarimit të pasurisë për çdo punonjës të Policisë së Shtetit nga niveli më i lartë deri në nivelin më të ulët, duke synuar kështu në radhë të parë transparencën ndaj publikut, duke synuar në radhë të dytë krijimin e kulturës së llogaridhënies ndaj publikut dhe sigurisht parandalimin e praktikave korruptive në masë.

Jemi gjithashtu në fazën e studimit dhe jemi duke përfunduar aktet normative përkatëse për ndërprerjen e çdo marrëdhënieje potenciale të oficerëve të Policisë së Shtetit apo strukturave të Policisë së Shtetit me qytetarët në terma financiarë.

Po ju marr një shembull, pagesa e gjobave të trafikut rrugor që sot mund të bëhet edhe pranë zyrave të Policisë së Shtetit, do të ndërpritet – dhe çdo pagesë e gjobave të Policisë Rrugore do të bëhet pranë bankave ose pranë zyrës së Postës Shqiptare.

Duke mënjanuar me aq sa është e mundur çdo kontakt financiar të oficerit të Policisë me qytetarët dhe duke kanalizuar nëpër rrugët e sistemit financiar çdo pagesë që qytetarët bëjnë për gjoba ose detyrime të tjera ndaj Policisë së Shtetit.

Jemi në fazën që po mendojmë ri-dimensionimin e Kodit Etik në Policinë e Shtetit duke synuar nga njëra anë, konsolidimin e parimeve të funksionimit për çdo post pune të punonjësve të Policisë së Shtetit, dhe nga ana tjetër ngritjen e instrumenteve parandalues nga niveli etik, nga niveli i vlerave, deri në nivelin e funksionimit e performancës së oficerëve të Policisë së Shtetit.

Gjithashtu jemi në fazën e ndërmarrjes së një pakete ligjore që do të synojë reformimin strukturor të Ministrisë së Brendshme dhe të Policisë së Shtetit, me objektiv një ndër të cilët do të jetë edhe lufta dhe parandalimi i praktikave korruptive në Policinë e Shtetit.

Kështu që jemi duke punuar me grupe të zgjeruara pune, bashkë me misionet ndërkombëtare që asistojnë Policinë e Shtetit, këtu veçanërisht përmend ICITAP dhe PAMECA për paketën ligjore të sigurisë publike, e cila do të prezantohet besoj shumë shpejt në qeveri dhe pastaj në Kuvend, duke përfshirë një ligj të ri për Policinë e Shtetit; një ligj të ri për gradat dhe karrierën në Policinë e Shtetit; një ligj të ri për “Armët” dhe një ligj të ri për “Përdorimin e armës”; dhe një ligj të ri për “Shoqëritë e ruajtjes fizike” dhe gjithashtu një kuadër normativ të plotë për formimin dhe Akademinë e Policisë së Shtetit.

Ne synojmë që e gjithë paketa e sigurisë publike, do të na japë mundësi që të kemi në fokus që nga pikëpamja e strukturës e deri në performancën e punonjësve të Policisë së Shtetit, aspekte që luftojnë dhe parandalojnë praktika korruptive, të tilla siç janë forcimi i standardeve të pranimit në Polici; në marrjen e gradës dhe karrierën; hetimin objektiv të krimit, parandalimin e trafiqeve dhe krimin ndërkufitar, mbajtjen dhe përdorimin e armës e kështu me radhë.

Gjithashtu jemi në fazën që po konsolidojmë formulën ose strukturën, kompetencat dhe përgjegjësitë e Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Byroja Kombëtare e Hetimit do të jetë një njësi e specializuar vertikale dhe me zinxhirë të shkurtër komande, që në grup përgjegjësinë e saj, një ndër pikat kryesore, do të ketë luftën kundër korrupsionit.

Së bashku me ndryshimet e fundit që adoptuan në qeveri dhe që pritet t’i prezantohen parlamentit, ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, ne presim që Byroja kombëtare e hetimit t’i japë një hov të ri dhe rezultate konkrete e solide në luftën kundër korrupsionit, dhe veçanërisht në luftën kundër korrupsionit elitar dhe thyertjen e murit të pandëshkueshmërisë. Siç presim që me strukturën e re të adoptohen struktura të veçantë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë dhe në drejtoritë e qarqeve lidhur me luftën kundër korrupsionit dhe në tërësi me luftën kundër krimit ekonomiko-financiar.

Sa i takon luftës së Policisë së Shtetit kundër korrupsionit deri tani, ne vetëm para dy ditësh nënshkruam një memorandum mirëkuptimi ndërmjet Prokurorit të Përgjithshëm, SHISH dhe Ministrisë së Brendshme, me pesë fusha prioritare, një ndër të cilat është lufta e përbashkët kundër korrupsionit.

Duke shpresuar që ky memorandum, përveç kuadrit ligjor sigurisht do na shtrojë në pozitat e përbashkëta të punës për të sjellë në agjendën tonë prioritare luftën kundër korrupsionit dhe veçanërisht luftën kundër korrupsionit me xhaketë dhe kollare.

Unë nuk dua të ndalem në rezultate e deritanishme të luftës kundër korrupsionit, mjafton vetëm të ndaj me ju kënaqësinë time personale, por besoj edhe të kolegëve të mi, për rezultatet impresionuese që kemi pasur gjatë këtyre pothuaj 2 muajsh të punës sonë në luftën kundër korrupsionit.

Kemi bërë shumë më shumë seç është bërë gjatë gjithë pjesës së kaluar të vitit, por gjithsesi mbetet ende shumë për të bërë.

Dhe ne shpresojmë që së bashku me ministrin përkatës dhe me të gjithë kolegët të bëjmë maksimumin për reformimin e brendshëm dhe strukturor të Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit në performancë dhe përgjegjësi, për rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe gjithashtu të gjithë bashkë në përgjegjësi për të adresuar këtë plagë të madhe të shoqërisë.

Ju faleminderit shumë!