Rriten pagat për 93 % të punonjësve të Policisë së Shtetit - Ministria e Brendshme
Postuar më: 15/12/2013

Rriten pagat për 93 % të punonjësve të Policisë së Shtetit

Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Artan Didi bën të ditur përmes një konference për mediat se rrogat e 93 për qind të punonjësve të Policisë së Shtetit do të rriten me miratimin e Buxhetit të Shtetit për vitin e ardhshëm. “Qeveria e mëparshme na trashëgoi rraskapitjen e gjithanshme morale të punonjësve të Policisë së Shtetit nën modelin e korrupsionit dhe klientelizmit si rrugë për sukses në karrierë dhe si rrugë kryesore për të mbajtur detyrën, por me vendimin e qeverisë dhe Kryeministrit Rama, Policia e Shtetit dhe Ministria e Punëve të Brendshme hedhin një hap themelor dhe solid për ndërtimin e modelit europian të Policisë së Shtetit”, u shpreh ministri Tahiri. Ai konfirmoi gjithashtu se ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Shtetit kanë filluar procesin e auditit të përgjithshëm, në funksion të rikthimit të ligjshmërisë brenda vetë institucionit.

Fjala e plotë dhe përgjigjet e pyetjeve të medias, nga ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri:

“Jam këtu me drejtorin e Policisë së Shtetit z. Didi për lajme të mira në fakt. Siç jeni në dijeni qeveria miratoi dje dhe dërgoi në parlament buxhetin e shtetit dhe me shumë kënaqësi duhet të ndaj me ju vlerësimin tonë për buxhetin e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Policisë së Shtetit. Është padyshim buxheti më i madh në historinë e Ministrisë së Brendshme. Është pa asnjë dyshim paketa më e plotë e mbështetjes financiare dhe buxhetore për Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit në të gjithë historinë e vet.

Po përpara se të ndaj me ju disa detaje që kanë të bëjnë me paketën e plotë të mbështetjes buxhetore dhe financiare për Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit, dëshiroj të bëj disa konsiderata lidhur me gjendjen e sotme dhe trashëgiminë që kemi nga qeveria e mëparshme.Qeveria e shkuar na ka lënë gjithëve por mbi të gjitha u ka lënë shqiptarëve për trashëgimi jo vetëm një institucion të rrënuar nga pikëpamja financiare, infrakstrukturore dhe buxhetore, por ndër të tjera një institucion të dërrmuar nga pikpamja e kapacitetit për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin, për të garantuar barazi para ligjit për të gjithë shtetasit dhe mbi të gjitha kapacitetit për të shembur murin e imunitarëve, murin e të paprekshmëve, murin e pandëshkueshmërisë.

Kemi trashëguar në Policinë e Shtetit, oficerë policie që nuk guxonin as t’i shihnin me sy, jo më t’i ndalonin ata që fshiheshin pas çdo lloj imuniteti, qoftë ky imunitet financiar, konjuktural, miqësor, shoqëror, familjar dhe jo më pastaj të ushtronin detyrën dhe të përmbushnin misionin e Policisë së Shtetit ndaj të gjithë atyre që shfaqnin dhunshëm luksin e të qenurit të garantuar pas imunitetit të çfarëdo lloji. Pra kemi trashëguar në Policinë e Shtetit një institucion me oficerë policie, që më parë bënin llogaritë me kurajën e frikës, dhe dilnin gjithmonë fatkeqësisht të humbur se tradhëtoheshin më së pari nga shefat e tyre.

Qeveria e mëparshme na trashëgoi rraskapitjen e gjithanshme morale të punonjësve të Policisë së Shtetit nën modelin e korrupsionit dhe klientelizmit si rrugë për sukses në karrierë dhe si rrugë kryesore për të mbajtur detyrën. Na trashëgoi mentalitetin sipas të cilit siguria publike, rendi publik, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit vjen falas, pa kosto, ose me pak kosto, sepse kryesisht përfitimet shkonin në xhepat e pushtetarëve.

Me vendimin e djeshëm të qeverisë dhe Kryeministrit Rama, Policia e Shtetit dhe Ministria e Punëve të Brendshme hedhin një hap themelor dhe solid për ndërtimin e modelit europian të Policisë së Shtetit. Mjafton t’ju themë dy shifra përsa i takon asaj që kemi gjetur në Ministrinë e Brendshme dhe në Policinë e Shtetit. Gjatë viteve 2010, 2011, 2012 dhe periudhës janar – shtator 2013 janë transferuar nga detyra në detyrë në Policinë e Shtetit plot 8866 punonjës policie, ose e thënë në përqindje, 90% e të gjithë efektivit të Policisë së Shtetit. Pra në tre vjet e disa muaj, 90% e efektivit të Policisë së Shtetit është transferuar nga një detyrë në një detyrë duke cenuar kështu qendrueshmërinë në detyrë, kapacitetin për të përmbushur detyrën, duke cenuar sigurinë publike për qytetarët shqiptarë.

I gjithë ky operacion i ka kushtuar Policisë së Shtetit, së bashku me largimet dhe përjashtimet, pagesën për çdo post pune të 1.6 punonjësve. Pra për çdo post pune paguhej 1.6 herë, ndërkohë që fatura e pagesës suplementare për bashkëshortet e punonjësve të Policisë që transferoheshin larg vendbanimit të tyre të origjinës shkon në 2.9 milion USD, vetëm për vitin 2013. Pra nga njëra anë është cenuar siguria publike, me transferime të pabaza të cilat kanë prekuar gati 90% të Policisë së Shtetit dhe nga ana tjetër kjo ka pasur një kosto financiare që vetëm për familjet e punonjësve të Policisë të transferuar, vetëm për vitin 2013 ka qenë 2.9 milionë USD.

Ndërkohë trashëgojmë një institucion me borxhe që për nga shifrat në total shkojnë në 26 milion USD. Pra sot pa frikë mund të thuhet se Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit janë të zhytura në borxhe. Konkretisht, borxhi ndaj investimeve është 10 milion USD, ndaj njësive të varësisë është 4.7 milion USD. Janë 5.2 milion USD vetëm për uniformën e Policisë së Shtetit, për lindjen e fëmijëve, pra ishte shpërblimi për lindjen e çdo fëmije pranë gjendjes civile, një borxh prej 4.3 milion USD, sepse qeveria e mëparshme s’e ka paguar që nga vitit 2008 dhe borxh ndaj vendimeve gjyqësore të pashlyera ku debitore është Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit, që nga viti 2007, janë 2.2 milion USD.

Për të mos folur për qendrimin në detyrë të punonjësve të Policisë së Shtetit. Duke llogaritur vetëm kohën nga janari deri në shtator 2013, 12% e efektivëve të Policisë së Shtetit në total, ka qendruar në detyrë më pak se 30 ditë; 20% e Policisë së Shtetit ka qendruar në detyrë më pak se 2 muaj; ndërkohë që 26.6 % e gjithë efektivëve të Policisë së Shtetit ka qendruar në detyrë më pak se 3 muaj, ndërkohë që në përllogaritjet tona, vetëm koha për të marrë përsipër detyrën me trashgiminë e dosjeve, njohjen e dosjeve të hetimit përkatëse dhe vendosjes së planit të punës përpara për t’a ndjekur shkon nga 15 deri në 30 ditë. Përafërsisht gjysma e Policisë së Shtetit, nga janari në shtator ka qenë në detyrë mesatarisht, më pak se 2 muaj.

Sa i takon nivelit arsimor të punonjësve të Policisë së Shtetit, mund të them që sot kriminaliteti lufton me efektivë të Policisë së Shtetit që në masë nuk kanë arsimimin e duhur. Vetëm 25% – 30% maksimalisht e të gjithë efektivit të punonjësve të Policisë së Shtetit kanë arsimin e lartë. Ndërkohë që kjo gjendje edhe për nga niveli i pagës, edhe për nga kapaciteti për të ndjerë sadisfaksionin e punës, edhe për nga kapaciteti për të ndjekur rrugën e drejtë të karrierës në detyrë ka çuar në aplikime pranë Akademisë, pranë Institutit të Policisë, të cilat për nga niveli arsimor si aplikantë shkojnë në nivelet e mesatares shkollore 5 deri në 6.

Përsa i takon mbulimi të territorit, sot kemi në Policinë e Shtetit organizatën më të tkurrur ndonjëherë në të gjitha kohërat e shtetit shqiptar dhe mbi të gjitha kemi prezencë në territor, pra shtrirjen në territor të Policisë së Shtetit më të voglën në të gjithë Europën, në të gjithë rajonin pa asnjë dyshim. Në qoftë se në vitin 1991 kishim 1 punonjës policie për 200 banorë, në vitin 2013 kemi një punonjës policie për 424 banorë. Është tkurrur prezenca e policisë së Shtetit në territor me 55% edhe pse potenciali kriminal në shoqëri është rritur në mënyrë eksponenciale, zhvillimi demografik ka qenë intensiv, kur ndërkohë do kërkohej, siç kërkohet ende që prezenca e Policisë në Territor të jetë shumë më shumë intensive se sa kaq.

Për sa i takon pagave të Policisë së Shtetit, pagat e punonjësve të policisë në raport me institucionet e tjera të administratës publike nga raporti 1 me 1.8 që kanë qenë në vitin 2003, deri dje ishin në raportin 1 me 1.18, ndërkohë që pagat e punonjësve civilë në Policinë e Shtetit në raport me institucionet e tjera të administratës publike nga raporti 1 me 1.65 që ishin në vitin 2003, deri dje ishin në raportin 1 me 1, ose 65% më pak. Rritja mesatare e pagave, ose më saktë indeksimi i tyre në buxhetet e shkuara ka qenë në raport të zhdrejtë me ndalesat në pagë, ku koefiçenti i rritjes reale të pagave ka ardhur në rënie nga 23% në vitin 2003 në minus 4% në vitin 2013, ndërkohë që koefiçenti i ndalesave në pagë është rritur nga 16.2 në vitin 2003 në 28.6 në vitin 2010.

Pagat e Policisë së Shtetit deri dje nuk reflektonin si duhet as përgjegjësinë për pozicionin e punës. Në një institucion të zbatimit të ligjit, paga e një pastruesi ose punonjësi të shërbimeve deri dje ishte më e lartë se paga e një punonjësi të Patrullës së Përgjithshme në Policinë e Shtetit. Paga e Drejtorit të Përgjithshëm në administratën publike që mesatarisht menaxhon diku te 5-7 punonjës është e njëjtë në mos më e lartë me pagën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit që menaxhon diku te 9 900 punonjës policie. Punonjësit e Policisë së Shtetit, si trashëgimi e qeverisë së shkuar marrin pagën më të ulët se sa punonjësit e polciisë në vendet fqinje si Bosnje, Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi, për të mos folur fare pastaj për vendet e Bashkimit Europian, sepse jemi shumë shumë larg.

Rreth 75% e punonjësve të policisë kanë të ardhura mujore familjare për frymë nën pagën minimanë në shkallë vendi dhe ndërkohë rreth 71% e rasteve të proceduara për korrupsion në Policinë e Shtetit i përkasin pikërisht kësaj shtrese. Qeveria dhe Kryeministri Rama dje kanë miratuar paketën më të plotë të mbështetjes financiare dhe buxhetore për Policinë e Shtetit në gjithë historinë e Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit. Kemi buxhetin më të lartë në historinë e Ministrisë së Brendshme dhe rritjen e pagave më të lartë në historinë e Policisë së Shtetit.

Dje është miratuar rritja e pagës për thuajse 93% të punonjësve të Policisë së Shtetit, ose e thënë ndryshe për 8367 punonjës policie. Rritja e pagës konsiston në përfitimin që vjen si pasojë e aplikimit të taksës progresive dhe këtu rritja shkon deri në 5 % dhe në rritjen buxhetore të pagës për punonjësit e Policisë së Shtetit që shkon nga 15 deri në 20 %, që do të thotë rritje e pagës për punonjësit e Policisë së Shtetit në masën 20-25 %. Dhe kjo për 93 % të efektivëve të Policisë së Shtetit.

E shoqëruar me një vendim që pritet të merret në ditët në vijim lidhur me sigurimin e jetës dhe sigurimin e plotë shëndetësor për të gjithë efektivët e Policisë së Shtetit, si një masë e domosdoshme për të garantuar standardet më të larta të ushtrimit të detyrës për të gjithë efektivët e Policisë së Shtetit. Gjithashtu jemi në bisedime dhe besoj se jemi në rrugën e duhur për të konkluduar përfundimisht, për të garantuar së bashku edhe me Ministrinë e Financave dhe me Qeverinë, mundësinë që Policia e Shtetit të ardhurat që krijon vetë nëpërmjet masave administrative ndaj drejtuesve të automjeteve, t’i administrojë vetë për qëllime të zhvillimit teknologjik dhe infrastrukturor të saj.

Kjo është paketa më e plotë e mbështetjes financiare dhe buxhetore që një qeveri i ka dhënë ndonjëherë në gjithë historinë Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit, vetë efektivëve të policisë së Shtetit dhe mundësisë për të garantuar rendin dhe qetësinë publike në vend. Sepse rritja e pagave përveç përfitimit personal për secilin prej oficerëve të policisë së shtetit është investimi me madhor që bën kjo qeveri dhe kryeministri Rama për sigurinë publike të qytetarë dhe sipërmarrjes. Është investimi më i madh qeveritar për rritjen e sigurisë publike, përmes rritjes së kapaciteteve financiare dhe buxhetore të Policisë së Shtetit për të garantuar rendit publik, siç është njëkohësisht mundësia më e madhe për investime dhe përmirësime teknologjike në historinë e Policisë së Shtetit.

Së bashku me vendimet në ditët që do vijnë për sigurimin e jetës dhe shëndetit për Poolicinë e Shtetit dhe gjithashtu për garantimin e të ardhurave që gjeneron vetë Policia e Shtetit dhe mundësisë që të përdoren për zhvillime infrastrukturore dhe teknologjike për Policinë e Shtetit unë mund të them se kemi krijuar baza të shëndosha që Policia të shndërrohet vërtet në institucionin modern demokratik europian që kjo qeveri ka premtuar në fillim të mandatit të saj. Në pemën strukturore të rritjes së pagave siç kemi premtuar në programin qeverisës që në buxhetin e vitit të parë, pra me  vendimin e djeshëm të qeverisë, kemi përmubushur më shumë se 60% të premtimit të qeverisë. Siç pa asnjë dyshim, me të gjitha kushtet që po krijojme për punonjësit e Policisë së Shtetit, me të gjitha rezultatet që kemi arritur deri më sot pavarësisht sakrtificave të punonjësve të policisë, pavarësisht mangësive infrastrukturoere e teknologjike, pavarësisht mungesës reale të kushteve minimale të punës për të përmbushur misionin e tyre dhe rezultateve maksimale që kemi arritur gjatë kësaj kohe, nuk kam asnjë dyshim, që siç kemi premtuar në fillim të mandatit për rivendosjen e rendit publik brenda 300 ditëve, ne do të ecim me hapa shumë më të shpejta në këtë drejtim duke ju garantuar qytetarëve barazi përpara ligjit, zbatimin e ligjit dhe luftë pa kompromis kundër krimit të organizuar, korrupsionit, kriminalitetit në tërësi dhe paligjshmërisë kudo.

Kjo ishte ajo që doja të komunikoja më ju, duke mos e fshehur kënaqësinë edhe timen personale për mbështetjen që Qeveria dhe Kryeministri Rama i japin Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit, duke menduar që sakrificat e derisotme të punonjësve të Policisë së Shtetit e kanë merituar plotësisht mbështetjen që Qeveria dhe Kryeministri i japin policisë dhe duke menduar që sot i rikthejmë nderin e punonjësve të Policisë së Shtetit në vend, duke ngritur kapacitet e tyre për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin dhe duke bërë ç’është e mundur për të shkëputur një herë e mirë çdo lidhje potenciale të botës së errët të krimit me çdo strukturë të Policisë së Shtetit. Ky vendim i qeverisë dhe i kryeministrit dje, është parathënia më e mirë e qeverisë për të luftuar pa asnjë kompromis krimin e organizuar dhe korrupsionin në vend.

Pyetje: Është një lajm shumë i mirë që do të ketë rritje page. Ju folët për një situatë të rënduar financiare në Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit. A do të ketë dosje penale për ish-ministrat e Brendshëm për shpërdorim detyre, bëhet fjalë për 26 milion dollarë që Ministria e Brendshme ka borxh dhe cila është akuza që u ngrit ndaj zotit Burgaj dhe 9 zyrtarëve të tjerë?

Saimir Tahiri: Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Shtetit kanë filluar procesin e auditit të përgjithshëm, duke e konceptuar këtë si rikthim i ligjshmërisë brenda vetë institucionit, siç ka filluar luftën kundër korrupsionit brenda rradhëve të Policisë së Shtetit, duke e konceptuar edhe këtë si parathënie për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në vend. Sigurisht ka zhvillime, të cilat nuk mund t’ua komunikoj tani, por në të gjithë procesin e transparencës, auditit të përgjithshëm dhe luftës kundër korrupsionit në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Policinë e Shtetit, nuk kemi ndërmend të kursejmë askënd që ka përgjegjësi. Kjo nuk ka lidhje me emrat, kjo nuk ka lidhje me detyrat e ish-funksionarëve, kjo ka lidhje me të gjithë ata që mbajnë përgjegjësi. Por ajo që është më e rëndësishme, dhe më falni që iu përgjigjem në këtë mënyrë, është lajmi për 93 % të punonjësve të Policisë së Shtetit. Janë punonjës që deri më sot kanë sakrifikuar përtej çdo limiti, për të garantuar me aq sa kanë mundur, për të garantuar rendin dhe qetësinë publike. Dhe unë jam shumë i lumtur që sot iu komunikoj që qeveria dhe kryeministri Rama, vërtet e mbajtën premtimin për të rritur rrogat në mënyrë drastike për punonjësit e policisë. Ky është lajm i mirë që vlen më shumë sesa çdo proces auditi, transparence ndaj atyre shumë pak njerëzve që nëse do të rezultojnë përgjegjës, meritojnë të shkojnë para drejtësisë.

Pyetje: A do të shtohet numri i punonjësve të policisë për vitin 2014?

Saimir Tahiri: Jemi në studim, duke patur parasysh zhvillimin demografik të popullsisë, duke patur parasysh potencialin kriminal sipas zonave, duke patur parasysh shpërndarjen aktuale të Policisë së Shtetit, stacioneve të Policisë, efektivat e Policisë, duke patur parasysh kapacitetin për të qenë efiçent sipas përshkrimit të detyrës për çdo post pune në Policinë e Shtetit dhe duke studiuar mundësinë që të shfrytëzojmë më mirë kapacitetet, më mirë burimet financiare dhe buxhetore dhe burimet njerëzore pa asnjë dyshim. Do kemi shumë raste të tjera për të komunikuar dhe nuk do të doja që t’a shpërndaja vëmendjen e publikut në çështje që kanë kohën e tyre për t’u bërë të ditura deri në detaj.

Unë mendoj që sot kemi 2 lajme të mira: lajmi i parë që qeveria ka miratuar dje paketen e mbështetjes financiare dhe buxhetore më të madhe në gjithë historinë e Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit dhe e dyta që është shumë e rëndësishme, ky është një investim që bën qeveria dhe kryeministri për të rritur sigurinë publike, sigurinë e qytetarëve dhe sigurinë e sipërmarrësve. Dhe unë besoj se e kemi nisur me këmbën e duhur në këtë drejtim.

Faleminderit!