VIDEO - “Nuk njohim asnjë imunitar, asnjë të privilegjuar. Ligji vlen njëlloj për të gjithë” - Ministria e Brendshme
Postuar më: 20/01/2014

VIDEO – “Nuk njohim asnjë imunitar, asnjë të privilegjuar. Ligji vlen njëlloj për të gjithë”

VIDEO – Pjesë nga fjala e ministrit Tahiri

Policia e Shtetit ka zhvilluar analizën vjetore të punës së saj, ku kanë marrë pjesë edhe Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri, kryetari i Komisionit Kuvendor të Sigurisë Spartak Braho, Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla, Avokati i Popullit Igli Totozani, Drejtori i SHISH-it Visho Ajazi si dhe përfaqësues të misioneve të huaja që asistojnë Policinë Shqiptare. Pas raportit të mbajtur nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit e ka marrë fjalën Ministri Tahiri, i cili e ka vënë theksin në reformat e ndërmarra për ta rikthyer policinë në krye të detyrës.

Më poshtë mund të lexoni fjalën e Ministrit të Punëve të Brendshme në analizën vjetore të policisë:

E vlerësoj këtë rast, jo vetëm si momentin për të bërë analizën e shifrave të vitit që sapo mbyllëm, krahasuar me vitin para tij. Dhe meqë jam këtu, z. Drejtor i Përgjithshëm, mendoj se Policia e Shtetit duhet të ndahet një herë e mirë nga modeli i analizave klishe të shifrave krahasuar me veten, gati komuniste, analiza burokratike, të cilat nuk besoj se i shërbejnë Policisë së Shtetit. Dhe pikërisht pse e di që ndajmë të njëjtin mendim, duhet menjëherë të investohemi për një model analizash dinamik, shumë më të thellë, që fillon nga shkaqet e krimit, deri te forca e Policisë së Shtetit për të luftuar kriminalitetin edhe bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë, se kështu besoj se është e nevojshme dhe më e dobishme për punën e Policisë së Shtetit. Pra e vlerësoj këtë rast jo vetëm si momentin për krahasimin e shifrave, por më shumë akoma si një moment i përbashkët i yni për të reflektuar shumë më thellë dhe shumë më tutje lidhur me sigurinë publike ne vend, qetësinë e qytetarëve dhe të sipërmarresve si kusht për zhvillimin ekonomik të vendit, për gjendjen e kriminalitetit, faktorët e krimit dhe kapacitetin e Policisë së Shtetit dhe Agjensive të tjera ligjzbatuese për të luftuar si e sa duhet për t’a bërë këtë vend me të sigurtë, në tërësi.

Por nuk kam sesi të mos e nis me çfarë kemi gjetur. Dhe pa ekzagjeruar, them se kemi gjetur Policinë e Shtetit në gjendjen më të keqe ndoshta në historinë e vetë, përjashto vitin 1997, kur shtet e njerëz kishte por Polici nuk kishte fare.

E gjetëm Policinë e Shtetit që drejtohej nga militantë, që dhe publikisht e quanin “Hitler” kryetarin e opozitës së djeshme dhe “babain shpirtror suprem” liderin e opozitës së sotme. Dhe kuptohet, e drejtonin Policinë me një sy nga vetja e me një sy nga partia.

Korrupsion gjerësisht i përhapur, nga rryshfeti në rrugë te pazari me krimin për trafiqe droge etj, deri aty sa dhe partneritetit me Agjensitë ligjzbatuese për kapjen e të kërkuarve që rrijnë këtu por duhet të vuanin dënim në vendet e tjera, u kishin vënë çmimin e pazarit që duhej të paguhej, ndërmjet sekserit në kupolën drejtuese të policisë dhe të kërkuarit vetë.

Për të mos folur pastaj për paaftësinë dhe diletantizmin që qeveria e kaluar e kishte ngjitur deri në drejtim të Policisë, pa pyetur për asnjë lloj standarti merite apo rezultati në detyrë. Një pjesë e këtyre, që sigurisht sot nuk janë më në drejtim të Policisë se Shtetit, janë ata që opozita e sotme i quan heronj. Heronjtë e Partisë e kanë fjalën, se për sigurinë e qytetarëve nuk menduan e punuan si duhet, jo më të benin ndonjë heroizëm pastaj sa ti quanin të gjithë me përulje si “heronjtë e popullit”.

Për ti hedhur sytë më poshtë, ku gjen plot motiv për të kuptuar pse-të e kësaj situate edhe sot edhe në rendin publik.

Besoj se e dini të gjithë që nuk është barcaletë ajo qe kemi dëgjuar të gjithë si psherëtimë halli: “nuk ke ku gjeni punë, futu polic”.

Ja kjo ka qenë politika e vetme e rekrutimit përveç politikës së Partisë për rekrutimin e burimeve njerëzore në Policinë e Shtetit. Dhe vijmë sot, pas 2 dekada tranzicion dhe burimet njerëzore të Policisë së Shtetit janë shumë më keq se standarti që kërkohet, sepse Policia e Shtetit dhe burimet njerëzore në Policinë e Shtetit janë trajtuar e qeverisur me mentalitet komunist. Të duhet t’a kesh, por jo dhe fort të përgatitur, që t’a përdoresh selektive, e ndërkohë të Iesh shteg për pazaret e pista të pushtetit.

Për këtë jemi më keq se të gjithë në rajon, e as që bëhet fjalë në Evropë. Mosha mesatare e punonjësve të Policisë së Shtetit, e tha Drejtori i Përgjithshëm, është diku mbi 44 vjeç e sipër. Të rinj dhe të reja janë shumë më pak. Prandaj ka apati, ka squllje dhe mungesë kurajo të theksuar. Arsimi është i mangët. Shumica dërrmuese me shkollë të mesme. Një minorancë me shkollë të Iarte. Për këtë arsye ka mungesë të trashëguar etike dhe profesionalizmi. Prandaj ka ende punonjes policie që tejkalojnë kornizën klinike që duhet të ketë marrëdhënia e punonjësve të policisë me qytetarin, herë me arrogancë, e herë si batutaxhi, por që gjithësesi në sjelljen që çojnë në shkeljen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

Shpërndarja e punonjësve të policisë në territor dhe sipas popullsisë, është tërësisht e pamjafueshme. Kemi më pak punonjës policie për banorë se çdo vend tjetër në rajon, e as që bëhet fjalë për vendet e Evropës.

Punonjës policie të mbingarkuar në punë, sa nuk u del as koha t’a përballojnë ngarkesën e punës. Se janë pak, e kanë shumë mbi shpinë për të bërë. Sepse u duhet të bëjnë detyrën kundër kriminalitetit dhe në mbrojtje të sigurisë së qytetarëve, por u duhet të shoqërojnë të dënuarit në çdo gjyq, u duhet të patrullojnë në të gjitha shkollat e kopshtet e vendit, të ruajnë institucionet e rëndësisë së veçantë, të ruajnë stadiume dhe aktivitete masive që zhvillohen në vend, të verifikojnë të dhënat e qytetarëve sa herë secili aplikon për dokument, një pasaportë, një kartë identiteti, të sakrifikohen në çdo semafor e kryqëzim për shkak të kulturës dhe mungesës së kulturës së përgjithshme për t’a respektuar vullnetarisht ligjin, të rendin pas çdo përmbaruesi privat, kuptohet jo rrallë për hesape të pushtetit.

Këto që rendita unë janë vetëm një pjesë dhe janë shumë pak në krahasim me sa bëjnë në përgjithësi punonjësit e policisë, por do mjaftonte vetëm kaq, për të kuptuar se kaq punonjës policie sa kemi sot nuk mjaftojnë gjëkundi për të garantuar si duhet dhe sa duhet rendin dhe sigurinë publike.

Për të mos folur për infrastrukturën. Në kanë lënë institucion në pikë të hallit nga pikëpamja infrastrukturore dhe teknologjike, kjo pa asnjë dyshim është Policia e Shtetit. Nga uniforma deri të mjetet, janë të gjitha njëlloj katastrofë më vete, ndaj përulem me respekt para atyre punonjësve të Policisë së Shtetit që deri sot janë detyruar të paguajnë me paratë e tyre personale për një këmishë, xhaketë apo akoma më keq për t’i hedhur edhe karburant makinës së policisë. Sepse qeveritë në vazhdimësi dhe kjo e fundit më tepër, i kanë lënë në baltë vazhdimisht.

Dhe mbi të gjitha, punonjës policie deri dje të nënpaguar. Të shfrytëzuar dhe të nën paguar. Kjo është pak a shumë ajo që kemi gjetur në Policinë e Shtetit. Dhe këta që bërtasin sot për Policinë e Shtetit dhe luftën kundër krimit, por që nuk pipëtinin e jo më të lëviznin kaq pak gishtin për të rregulluar gjërat, janë ndër përgjegjësit kryesorë për këtë gjendje pikërisht pse vetem 120 ditë më parë ishin në karriget prej ku mund të bënin shumë më shumë.

Por mbi të gjitha, unë besoj kemi trashëguar rrënimin e vlerave në Policinë e Shtetit. Dëmi më i madh është vrasja e shpirtit të drejtësisë, moralit dhe ndershmërisë, idealit për punën dhe përkushtimit ndaj ligjit, barazisë së qytetarëve, pavarësisht pozitës së tyre dhe respektit të njëllojtë për të drejtat dhe liritë themelore të qytetarëve. Gati duket që është skalitur ne koshiencën kolektive të punonjësve të Policisë së Shtetit se në këtë vend ka edhe të paprekshëm, se qytetaret duhet domosdoshmërisht të ndahen ne shtresa, ca prej tyre një minorancë fare e vogël të paprekshëm.

Dhe për këtë as kemi pritur e presim që ish-kryeminsitri, ish-ministrat e as ofiqarët e heshtur të pushtetit të deridjeshëm që sot u ka ardhur goja, të kërkojnë falje publike për katandisjen e Policisë se Shtetit. Përkundrazi, jemi tërësisht të fokusuar te puna dhe do i dëgjojmë me shumë vëmendje, në pritje deri kur të thonë ndonjë gjë që do ia vlejë t’a marrim në konsideratë.

Qeveria, Kryeministri, unë vetë personalisht, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, drejtuesit e rinj të Policisë se Shtetit, jemi të gjithë maksimalisht të angazhuar për t’a ndryshuar këtë situatë, pavarësisht vështirësive të panumërta. Dhe për këtë, duhet të falenderoj patjetër të gjithë partneret, partnëretë lokalë dhe ndërkombëtarë që asistojnë Policinë e Shtetit, në rritjen e standartit të shërbimit të qytetarëve për të garantuar jetën, shëndetin dhe pronën e qytetarëve.

Sot unë besoj, në 120 ditë thuajse, Policia e Shtetit ka ngritur kokën dhe është në krye të detyrës, pavarësisht se nuk ka mbaruar procesi. Dhe rezultatet e 3 mujorit të fundit të vitit të kaluar, flasin më fort se fjalët e mia dhe flasin më fort akoma së sa klithmat e çoroditura të kujtdo tjetër në politikë.

Në 3 muajt e fundit të vitit të shkuar, kemi bërë gati tre-çerekun e punës së gjithë vitit. Dhe këtu nuk flas vetëm për rezultatet e shifrave, të cilat krahasohen lehtë, por dhe reformat që kemi projektuar gjatë këtyre 3 muajve e do finalizojmë shumë shpejt. Një paketë e tërë ligjore dhe aktesh nënligjore për Sigurinë Publike që do reformojnë në themel Policinë e Shtetit dhe punën e saj. Dhe po kështu me buxhetin për Policinë e Shtetit, për të cilin do falënderoja suportin e pakursyer të Komisionit të Sigurisë dhe Kuvendit në tërësi.

Vetëm vitin e parë të mandatit të kësaj qeverie, arritëm të rrisim me gati 25% rrogat e punonjësve të Policisë dhe caktuam një paketë të tërë ndihme buxhetore për zhvillimin infrastrukturor dhe teknologjik të Policisë së Shtetit, duke shënuar një hap progresi të padiskutueshem, që tregon jo vetëm vëmendje, por edhe përmbushje të angazhimeve qeverisëse për të ndërtuar Policinë e Shtetit Shqiptar, siç e meritojnë qytetarët.

Dhe përsëri nuk kemi pritur e as presim ndonjë fjalë të mirë nga kryeministri i deri djeshëm, nga ish ministrat e deridjeshëm apo nga ndonjë ofiqar i pushtetit të deridjeshem, i heshtur dje por që i ka ardhur goja sot. Jo! Mjaftohemi që ata të paktën ta dinë në koshiencen e tyre qytetare, në qoftë se e kuptojnë, se sot Policia e Shtetit është në këmbë, e patradhtuar, e panëpërkembur, që nuk përdoret për pazare, as për shërbime selektive, dhe e pakomprometuar në gatishmëri totale në luftën e saj ndaj krimit dhe korrupsionit. Siç mjaftohemi edhe me faktin që të paktën nuk e shanë, pa mirë që nuk thanë ndonjë fjalë të mirë, për të falënderuar vendimin e qeverisë për rritjen e rrogave të punonjësve të policisë dhe për përcaktimin e një paketë të plotë financiare për investimet në teknologji. Po sigurisht unë jam shumë i ndërgjegjshëm që ka ende shumë për të bërë në vijim, dhe jemi të vetëdijshëm, të gjithë bashkë, kolektivisht. Kjo, pse, së pari, gjithçka është shkatërruar gjatë gjithë këtyre viteve në Policinë e Shtetit, nuk mund të zhbëhet për 120 ditë. E po kështu, në po kaq ditë nuk mund të zhduken as shkaqet e kriminalitetit.

Por të pakten sot, unë mund ta them me plot gojën se Policia e Shtetit është një tjetër gjë, që po ndahet dita-ditës më shumë nga gjithçka që lamë pas e nga gjithçka që calonte në të kaluarën. Kam bindjen e plotë se ky që sapo kemi nisur do jetë viti më i mirë i Policisë së Shtetit, në shërbim të qytetarëve dhe në zbatimin e ligjit. Por kjo kërkon punë, kërkon përkushtim, ndershmëri, transparencë por mbi të gjitha kurajo dhe respekt ndaj ligjit nga të gjithë ne. Nga të gjithë ne më së pari, dhe pastaj të gjithë ata që përbëjnë skuadrën e Policisë së Shtetit. Vendosmëri për të respektuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, për të skalitur fort barazine para ligjit e për të shembur murin e pandëshkueshmërisë, për të garantuar sigurinë rrugore dhe të kufirit, për te luftuar me efektivitet maksimal krimin e organizuar dhe krimin e hapur, e mbi të gjitha, për të cuar para ligjit të korruptuarit, vecanërisht ata që veshin dhe xhaketë e kollare.

Sfida filIon nga ne këtu. Nga ju, drejtuesit e Policisë së Shtetit për të vazhduar me kapacitetin tonë maksimal në ndërtimin e urave solide të partneritetit me qytetarët dhe bashkëpunimin efektiv me Prokurorinë e Përgjithshme, Shërbimin Informativ Shtetëror, Avokatin e Popullit, agjencitë e tjera ligjzbatuese dhe të gjithë partnerët e shoqerisë civile dhe misionet ndërkombetare që asistojnë modernizimin e policisë së shtetit. Për të ndërtuar një model demokratik ne policinë e shtetit. Transparencë maksimale, kontroll civil në polici dhe shërbim dinjitoz ndaj qytetarëve.

Dhe meqë jam këtu, dua t’u jap përgjigje akuzave intensive të këtyre 2 javëve të fundit se paskemi me demek fshehur të dhënat e kriminalitetit. Na akuzojnë ata që deri dje mbase dhe e kanë bërë këtë, dhe mendojnë që e bëjmë ne. Po mirë që akuzojnë, por dhe akuzat i kanë me dozë mediokriteti. Po si mund të fshihet një vrasje? Kush ma gjen formulën?! Si mund të fshihet një plagosje, për sa kohë? Këto referohen në Prokurori. I kemi përgënjeshtruar me raste konkrete, sa herë kanë guxuar të dalin me raste konkrete. Dhe as kanë kërkuar falje publike kur kanë dëgjuar përgënjeshtrimin.

Por përtej retorikës, unë sinqerisht mendoj se reformimi i vërtetë i sistemit vlen shumë më shumë sesa batutat politike ndërmjet nesh. Ndaj sot, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, kemi firmosur urdhrin dhe brenda javës bëhet efektiv sistemi për deklasifikimin përfundimtar të komunikatës së Policisë së Shtetit dhe publikimin e saj të plotë në dispozicion të publikut, në dispozicion të medias dhe në faqen e internetit të Policisë së Shtetit.

Ajo që deri dje ka qenë komunikata zyrtare e klasifikuar që shkon në tavolinën e Ministrit të Brendshëm, Kryeministrit, Kryetarit të Kuvendit, Presidentit të Republikës, Prokurorit të Pergjithshëm, Kryetarit të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe drejtuesve të Misioneve Policore të BE dhe SHBA, nga sot do të deklasifikohet dhe do t’i shpërndahet publikut. Këtu sigurisht duke përjashtuar të dhënat personale dhe të dhënat qe kanë të bëjnë me hetimet specifike, që për shkak të natyrës duhet të mbeten konfidenciale.

Por gjithashtu, për të shmangur një problem akoma më të madh, mosmarrjen e kallzimit ose ankesës së qytetarit, në çdo komisariat ose postë policie, me demek për të ulur statistikat, ose numrin e shifrave të kriminalitetit të raportuar dhe kjo zakonisht bëhej fjalët për vepra të rëndësishme për qytetarin por në dukje të vogla për punonjësin e policisë, po sot është berë gati udhëzimi për të garantuar qytetarin dhe për të shmangur një herë e mirë, çdo mundësi për mosmarrjen e ankesës duke ofruar Numrin Unik të çështjes. Çdo qytetar, për çdo ankesë, për çdo kallëzim, për çdo aksident rrugor apo për çdo pretendim tjetër që përben vepër penale ose kërkesë për t’u ndjekur nga policia, do pajiset me Numrin Unik të çështjes.

Numri Unik do të shërbejuë si identiteti i ankeses ose i vetë kallëzimit, dhe si i tillë do e shoqërojë ankesën e tij edhe në prokurori, edhe në gjykatë. Ndaj qytetari do ketë mundësi të ndjekë fatin e cështjes së tij duke u mjaftuar vetëm me këtë kod, që është Numri Unik i Çeshtjes. Punonjësi i policisë do jetë i detyruar në të gjitha rastet për t’i dhenë qytetarit Numrin Unik. Ndërkohë që qytetari do të gëzojë të drejtën të kërkojë nga punonjësi i policisë të pajiset me Numrin Unik për ankesa ose kallzime të cilat deri dje as mbaheshin shënim nga halli se mos fryheshin statistikat.

Kjo, sipas meje, është reforma që zgjidh perfundimisht çështjen e transparencës së Policisë së Shtetit ndaj publikut lidhur me mosmarrjen e ankesës apo kallëzimit, apo fshehjen e të dhënave.

Dhe që unë besoj do i japë fund dhe akuzave sipas të cilave deri tani paskemi fshehur 40% të kriminalitetit. Po këta që na akuzojnë se kemi fshehur 40% të kriminalitetit, as thonë ku është 40%shi, se edhe kur publikojnë raste konkrete përgënjeshtrohen; as janë në gjendje të thonë po mirë pse 40% dhe jo 50%, apo 60% dhe as vijnë vetë ta verifikojnë, individualisht si deputetë apo si grup parlamentar i opozitës. Me këtë rast, unë e ripërsëris ftesën time për këdo, mbi të gjitha për opozitën. Le t’i lënë fjalët dhe akuzat në TV dhe le të vijnë të hetojnë vetë për transparencën dhe saktesinë e të dhënave të Policisë së Shtetit. Janë të mirëpritur në çdo kohë, mjafton të respektojnë standartin e së vërtetës përballë publikut, një detyrim që e ndajmë të gjithë bashkë, pa asnjë përjashtim cilës parti i përkasim.

Po kështu, po përpiqen me çdo kusht ta fryjnë opinionin publik me panikun e rritjes së shifrave të kriminalitetit, ose rritjes së kriminalitetit në tërësi. Siç u përpoqën ta frynin publikun me gjoja abuzimet e policisë rrugore me gjobat! Po investohet opozita e tërë përditë, fatkeqësisht përfaqësues të medias gjithashtu, e pastaj ca të tjerë që e kanë fituar statusin e analistit tashmë prej vitesh dhe kanë për borxh të nxjerrin atë sprucon e përditshme të vrerit. Jua them shumë sinqerisht, mua as ma merrte mendja para se të merrja detyrën, por përmasa e atyre që nuk duan që në këtë vend ligji të vlejë njëlloj për të gjithë është shumë më e madhe sesa mendohet. Madje nga ata që publikisht flasin dhe predikojnë për barazinë përpara ligjit, por kur vjen puna që të respektohet vërtet, i dedikohen tarafit dhe favoreve.

Ka shumë të mësuar me imunitete, madje të përkedhelur nga pushteti. Janë mësuar për të gjuajnë për të përfituar. Inatçorë të pandreqshëm që bëjnë shantazh duke shpifur, që t’u garantosh imunitet. Apo imunitetet që u garantonte pushteti i kaluar. Janë mësuar të jenë qytetarë superiorë, të privilegjuar, që ligji të mos vlejë dhe për ta dhe madje ta zhbëjnë ligjin qoftë dhe me një telefonatë.

Është e vërtetë, dimensioni kriminal në shoqëri është i madh, nuk është i vogël. Dhe është po ashtu e vërtetë duhet shumë punë për ta çmontuar. Por akoma më e madhe është vala antishtet dhe antiligj, taraf e ndere të vockla e kërkesa të mëdha, e atyre që i mendoja dhe i mendojmë të gjithë, i dëgjoja dhe i kemi dëgjuar të gjithë, të na predikonin për ligjin, por që vetëm barazi para ligjit nuk duan dhe nuk pranojnë.

Një lumë i tërë imunitarësh e të përkëdhelurish pushtetesh, të deridjeshëm, nga pushteti i deridjeshëm që janë gati të qepin një artikull të tërë, të mbushin faqe gazetash, apo kronika lajmesh vetëm pse policia rrugore u kërkon të paguajnë gjobat! Pse u kërkohet të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor. Pse u kërkohet fundja të respektojnë ligjin siç bëjnë qytetarët e tjerë të këtij vendi. E po kështu me radhë pse u kërkohet të respektojnë ligjin ashtu siç duhet të bëjmë të gjithë bashkë pa dallim. Për të mos folur pastaj për interesa më të mëdha tregtie, apo interesa më të mëdha përfitimi nga buxheti dhe nga tendera e kështu me radhë.

Unë e kuptoj që lufta është e pabarabartë dhe në instrumenta, por përsa kohë unë do jem unë në këtë detyrë, bashkë me skuadrën e Policisë së Shtetit, nuk kam ndërmend të njoh asnjë lloj korsie preferenciale, asnjë imunitar, asnjë të privilegjuar, asnjë njeri që pretendon të mos jetë i pabarabartë me qytetarët e thjeshtë të këtij vendi. Ligji vlen njëlloj për të gjithë dhe para ligjit duhet të jenë të barabartë që të gjithë.

Kjo është mënyra si unë besoj u shërbej më mirë qytetarëve që më kanë zgjedhur dhe atyre që më paguajnë rrogën time dhe rrogën tuaj po ashtu me taksat e tyre.

Kjo qeveri është e angazhuar maksimalisht t’u shërbejë më mirë qytetarëve duke çmontuar monopolet dhe murin e pandëshkueshmërisë. Sepse kjo është plaga më e madhe anti shtet dhe anti ligj. Dhe për këtë duhet të mundohemi të gjithë bashkë, duke ndërtuar sisteme e reforma të atilla që të shkojnë përtej vullnetit personal të secilit në detyrë, duke e bërë të pamundur që secili të jetë në vendin tim nesër të mund të arrijë të deformojë vetë sistemin.

Unë besoj sfidat përpara janë të mëdha, por akoma më të mëdha, po të Ilogarisësh trashëgiminë e rrënojës që ka lënë qeveria që sapo ka ikur.

Por asgjë më shumë sesa përkushtimi dhe vlerat më të larta të drejtësisë, të barazisë përpara ligjit, të profesionalizmit, mund ta rikthejnë Policinë e shtetit, të denjë për respektin e qytetarëve dhe të denjë për respektin e ëndrrave të fëmijëve tanë.

Unë mendoj që të gjitha sfidat që na presin para, mund të përballohen fare lehtë. Mjafton që ne të jemi të gjithë bashkë duke besuar në parimet themelore të Policisë së Shtetit, kushtetutën e shoqërisë dhe të drejtat e liritë themelore të njeriut se barazia para ligjit, pa asnjë dallim, dhe vetëm në këtë mënyrë, do të kemi kontribuar të gjithë bashkë për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë dhe për t’i garantuar qytetarëve shqiptarë sigurinë e jetës, shëndetit dhe të pronës.

Ju faleminderit të gjithëve!

Punë të mbarë për vitin që vjen!