VIDEO - Tahiri: Lufta kundër korrupsionit elitar tremb ish-zyrtarët - Ministria e Brendshme
Postuar më: 23/01/2014

VIDEO – Tahiri: Lufta kundër korrupsionit elitar tremb ish-zyrtarët

Video – Fjala e ministrit Tahiri në Kuvend

Fjala e ministrit të Punëve të Brendshme Saimir Tahiri në seancën parlamentare:

Të nderuar kolegë, i nderuar kryetar!

Me sa duket po bëhet e qartë për të gjithë që kriminelët kanë dalë nga pushteti në 23 qershor, kanë dalë nga Policia pas 23 qershorit, tani janë derdhur rrugëve për t’iu bindur këtij banditi për këtë që po ndodh. Është e papranueshme në të gjitha skenaret e të bërit opozitë në këtë parlament, se si mund të çohet ish-kryeministri, njeriu që për 23 vjet i është ngjitur këtij populli si “mizë kali” të çohet këtu e të derdhë vrerë dhe akuza gati kriminale për të cilat duhet të mbajë përgjegjësi një ditë, lidhur me atë që ndodh sot.

Nuk ka pasur kurrë kurajo të bëjë  atë që duhet të bënte për Policinë e Shtetit kur ishte në pushtet, madje e ka degraduar Policinë e Shtetit sepse nuk i duhej Policia e Shtetit, sipas mendësisë komuniste mbaje formalisht, por nuk të duhet sepse ndërkohë ke djalin, ke vajzën, ke sekserët e pushtetit, të cilët bënin pazare nga më të ndyrat në kurriz të popullit.

Unë e kuptoj, janë shumë të shqetësuar nga rimëkëmbja e Policisë së Shtetit, sepse sot askush nuk është i gatshëm të njohë asnjë lloj imuniteti dhe mbase rreziku që ndiejnë është aq i madh sa i detyron këtu të vijnë të shfaqen, të dalin ditë për ditë në media, sepse shembja e murit të pandëshkueshmërisë i tremb aq shumë sa janë të gatshëm të thurin çdo lloj skenari kriminal në kurriz të qytetarëve, sepse rimëkëmbja e Policisë së Shtetit dhe drejtësia në këtë vend barazia para ligjit, lufta kundër korrupsionit dhe veçanërisht kundër korrupsionit elitar tremb këta më të parët, ish-kryeministrin më të parin, familjarët e tij, sekserët që ka pasur deri dje dhe që sot i mbron me çdo çmim e me çdo kosto.

Nuk kanë bërë kurrë debat konstruktiv për Policinë e Shtetit, sepse s’kanë punuar kurrë për Policinë e Shtetit dhe sot iu duket habi e madhe përpjekja jonë për t’a ringritur Policinë e Shtetit. Janë verbuar deri në pikën që nuk e shohin se si me hapa realisht thelbësorë, po mundohemi t’a ngremë Policinë e Shtetit në krye të detyrës, aty ku i takon.

Por që një ish-kryeministër të dalë këtu në parlament dhe me mendësi kriminale t’i drejtohet qeverisë, mazhorancës dhe t’i flasë publikut për gjëra që mbase, do uroja mos t’i ketë bërë kurrë, por për gjëra që mbase i ka bërë vetë në të shkuarën dhe tani akuzon duke ngritur gishtin… Kjo është e pafalshme!

Mbase mund të shpëtojë cilido përkohësisht nga përgjegjësia para ligjit, para popullit, para drejtësisë për atë që ka bërë. Por ky është një nga ata që nuk do të shpëtojë dot kurrë. Edhe kur t’i shpëtojë drejtësisë, nuk do t’i shpëtojë dot mallkimit të popullit.

Faleminderit!