VIDEO - Tahiri: Opozita të lerë jashtë debatit politik Policinë e Shtetit - Ministria e Brendshme
Postuar më: 06/02/2014

VIDEO – Tahiri: Opozita të lerë jashtë debatit politik Policinë e Shtetit

VIDEO – Fjala e ministrit të Punëve të Brendshme Saimir Tahiri

Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri tha gjatë fjalës në Kuvend, se opozita po mundohet të nxisë dhe inkurajojë kriminalitetin në vend, përmes akuzave që nuk kanë asnjë të vërtetë brenda. Duke replikuar me ish-kryeministrin Berisha dhe deputetë të PD-së, ministri Tahiri tha se asgjë nuk do t’a ndalë Policinë e Shtetit në betejën kundër paligjshmërisë. Ai ftoi edhe opozitën të bëhet pjesë e betejës kundër krimit, në emër të sigurisë publike nga e cila përfitojnë gjithë qytetarët.

Fjala e ministrit të Punëve të Brendshme Saimir Tahiri në seacën plenare:

“Unë besoj në fakt, se në ka një njeri në këtë sallë që ka ndërtuar jetën duke besuar se gënjeshtra bën xhiron e botës sa e vërteta nuk ka veshur ende këpucët, ky është pa dyshim deputet Berisha.

Në kaq vite sa e dëgjoj në parlament, edhe jashtë parlamentit, gojë më të përdalë në politikë nuk kam dëgjuar, që nuk është ndalur as te pragu i shtëpisë, as te dhoma, as te krevati, as te nderi, as te morali, as te rregullat minimale shoqërore, edhe poshtë pantallonave ka hyrë!

Kam qenë edhe unë në opozitë të nderuar kolegë, dhe bashkë me kolegët e rinj kemi kaluar kohën tonë, këtu në parlament duke kuptuar politikën, duke kuptuar sjelljen, kufijtë e të lejueshmes e të palejueshmes, por kurrë nuk kam menduar që mund të bëja ndonjëherë politikë duke shkelur mbi gjithçka kam qenë, jam dhe do jem nesër, dhe pa qenë në cilëndo detyrë.

Nuk kam pasur asnjë habi, se kam dëgjuar dhe dëgjoj akuza e sulme nga më të ndryshmet prej opozitës. Por kam menduar dhe mendoj se akuzat mund dhe duhet të ndalojnë te unë, te kolegët e mi, te mazhoranca, te përfaqësuesit politikë pra. Por kurrë të mos zbresin deri te teknicienët, te specialistët, te profesionistët, siç janë në këtë rast punonjësit e Policisë së Shtetit.

Por mendja e mbrapshtë dhe jo rrallë kriminale dhe goja e përdalë, as kësaj radhe nuk lënë gënjeshtër, shpifje, mashtrim e akuzë kriminale pa bërë, ndaj meje, kolegëve të mi, mazhorancës, Kryeministrit sigurisht! Pa kursyer as punonjësit e ndershëm të Policisë së Shtetit, që dje, ky që iku këtu, i la në pikë të hallit e sot u hedh vrer pikërisht kur ata përballen me krimin në kulmin e sakrificave duke mbajtur mbi kurriz edhe hallet që ua la po ky! E pas këtij kanë vijuar me akuza e shpifje e baltë pafund nga sekretari i tij të SHQUP-i dhe deputetët e opozitës me radhë.

Gënjen, sigurisht gënjen. Gënjen për politikë, por kësaj radhe nuk gënjen vetëm për politikë. Gënjen nga frika! Sepse frika të mban gjallë thotë shprehja, e dini ju. Se shikojeni që ta kuptoni mirë shprehjen, sepse ka frikë se mos e harrojnë! Ka frikë së mos nuk ia fishkëllen më njeri, mos nuk i binden as këta që ka rrotull, ka frikë se mos e lë koha mbrapa, se mos e marrim vesh ne dhe publiku që ka marrë fund! E keni parë sa herë del këtu, apo sa herë del në publik, del me një I-Pad në dorë! E ka kot, e bën për të treguar që është edhe ai me kohën, ecën me hapin e kohës! E keni parë sa herë del flet, e keni parë si dilte atëherë kur ishte kryeministër, dilte bënte 1 orë not, 2 orë not, hipte malin, bënte vrap te Muri kinez! E bënte kastile që të dukej se ishte ketu dhe s’e lë koha mbrapa!

E keni parë se si del flet këtu pa kufi, çdo 10 minuta. Dhe z.Kryetar, meqë jemi, hajde bëjmë 2 foltore, një të rrijë permanent – ai këtu, ne të tjerët të flasim këtej, po të paktëm t’a lëmë këtu!

E bën nga frika që të mos marrim ne vesh që koha e ka lënë pas! Prandaj flet këtu, në ketë foltore pa kufi. Sepse e di që po blen kohën dhe po blen vëmendjen, qoftë dhe me koston e damkosjes së deputetëve që ka këtu, që i ka bërë si ushtarë të vënë rresht të përsërisin ato që thotë ai. Aq frikë ka, sa mirë vetë, por ngul gjithë familjen para TV duke nisur sms histerie, me porosi, me lajka, me urime për ata “gjithollogët” që çon të ndërsyer nëpër emisione, që desh na i bëri dhe President.

Sepse ka frikë të hapë dhe TV dhe mos jetë ai.

Prandaj ka gënjyer dhe shumë këto kohë. Dhe po aq më shumë, keni gënjyer dhe ju të tjerët që përtypni qorrazi jashtëshqitjen që nxjerr goja e përdalë e atij aty. Por sigurisht dhe për politikë e ka bërë. Sa më shumë suksese ka policia në luftën kundër krimit të organizuar aq më shumë shtohen gënjeshtrat, shtohet vreri, shtohen shpifjet, shtohen akuzat. Sa më shumë luftohet korrupsioni në këtë vend, as më shumë luftohet krimi i organizuar në këtë vend, aq më shumë sulmoni policinë ju.

Ditët e fundit p.sh., kur policia po merr rezultate konkrete kundër një lloj të veçantë kriminaliteti, jo vetëm janë shtuar akuzat por u shtua dhe një instrument tjetër, kërkesa për Komision Hetimor ndaj Policisë.

Policia lufton krimin, ju bëni kërkesë për Komision Hetimor ndaj policisë, Policia arrin suksese ndaj krimit, ju villni vrer dhe lloj lloj shpifshjesh ndaj policisë së shtetit.

Del i pari nga ju lëshon gënjeshtra nga më zdromset, pastaj e përsërisni ju, pastaj e vini në gojën e medias që deri dje e ushqenit po ju, dhe pastaj me demek ua jepni analistëve që i ndërseni edhe me sms dhe pastaj vini këtu për të hetuar gënjeshtrat që i shpifni po ju. Po askush nga ju nuk ka menduar kostot në fakt. Po bëni gjithçka për të errësuar punën e Policisë së Shtetit.

Dakord, instrumenti juaj. Po bëni gjithçka ama për të penguar punën e Policisë së Shtetit, dhe jo vetëm kaq por me deklaratat tuaja e them me përgjegjësi po i jepni zemër krimit, po inurajoni krimin, po nxisni paligjshmërinë.

Po meqë jam këtu po jua bëj të qartë edhe juve, edhe atyre që ju dëgjojnë ju dhe mendojnë se mund të kontribojnë me akte ose me vepra për të përmbushur deklaratat tuaja. Të mos fluturojë njeri me mendimin se në këtë vend mund të bësh ndonjë krim dhe mund t’ia kalosh paq!

Policia e Shtetit dhe drejtësia në tërësi do të bëjë drejtësi, dhe askush nga këta këtu, askush nga ju nuk do ketë takatin t’i dalë për zot. Javën që shkoi policia bëri publike rezultatet e para të një ndër operacionet më të suksesshme në historinë e vet, ndoshta shembull dhe për vitet që do të vijnë pas, dhe nuk e di ku e gjetët kurajon ta quanit edhe ketë operacion dështimi.

E nuk latë pisllik pa hedhur në ajër, vetëm e vetëm që mos i linit shqiptarët të ndihen të sigurt me Policinë e Shtetit në krye të detyrës. E filluat duke thënë që ky nuk ishte aksion i Policisë po njëri nga banda dhe pastaj e gjithë banda u vetëdorëzua, gënjeshtër e pa imagjinueshme.

Policia e Shtetit jo vetëm së bashku me Prokurorinë e Krimeve të Rënda ka organizuar një hetim profesional shembullor. Si rezultat i të cilit u zbardh dhe u kap një zinxhir i tërë, që nga porositësit e dyshuar, ndërmjetësit dhe ekzekutorët me pagesë të një sërë vrasjes mafioze dhe kriminale të cilët me veprimtarinë kriminale të tyre nuk kishin kursyer as eksplozivët dhe tritolin.

Vazhduat duke thënë se gruaja e biznesmenit të arrestuar me dyshimin se është porositës për një vrasje qenkëka vajza e tezes time. Gënjeshtër më të trashë dhe më mediokre nuk kam dëgjuar. Dhe kush e thotë njeriu që nuk dinte kë kishte baxhanak, jo më të dinte ku i punonte baxhanaku apo të dinte që baxhanaku numëronte arkat e fishekëve te biznesi i të birit në fshatin Gërdec, që ky as se dinte as që ishte atje dhe la pas me atë biznes 26 viktima të pafajshme.

Po mirë dakord, dika kë kam teze dhe kë kam vajzë teze. Megjithatë kjo është prapë një gënjeshtër zdromse, fare zdromse, të cilën vetëm një mendje e marrë mund ta thotë. Vahzhduat duke thënë se shefi i komisariatit të Durrësit ka qenë shofer personal i biznesmenit të dyshuar për vrasje. Pastaj thatë jo shefi i komisariatit, por drejtori. Madje aluduat sa për këtë shkak, njëri nga ata që deklaroi, u vonua 12 ditë, u sorollat 12 ditë.

Mashtrime të turpshme që vetëm një gënjeshtar karriere si Saliu dhe ju që e ndiqni, as ka diskutim, mund t’i bëjnë. Unë ju them me garanci se as shefi i komisariatit të Durrësit, as drejtori i Durrësit dhe asnjë punonjës i Policisë së qarkut Durrës nuk ka qenë kurrë shofer i biznesmenit të dyshuar.

Dhe për më tepër, një tjetër gënjeshtër vetëm për të baltosur suksesin e policisë, sipas së cilës qenka sorollatur 12 ditë, është prapë një gënjeshtër. Sepse askush, jo nuk është sorollatur 12 ditë, por asnjë ditë dhe asnjë sekond por për përkundrazi, Policia nuk është vonuar asnjë sekondë dhe ka bërë një hetim profesional bashkë me prokurorinë e krimeve të rënda.

Aq shumë po përpiqeni të gënjeni, sa jeni bërë dhe montazhierë filmash. Nxorët një video ku medemek një oficer policie qenkësh sipas jush, pjesëtar i bandës së Zanit. Të mjerë që nuk njihni asnjë lloj limiti në gënjeshtrat që thoni.

Por përgjigjen për këtë gënjeshtrën e fundit nuk po ua jap unë. Ua dha i njëjti gazetar që i nxjerr vazhdimisht të palarat tuaja në shesh. Artan Hoxha, të cilin mbase po e vë dhe në siklet që po ia përmend emrin. Është i njëjti që në 21 janar ju përgënjeshtroi gënjeshtrën kriminale të asaj kohe, sipas së cilës 4 të ndjerët e vrarë në mes të Bulevardit ishin vrarë nga afër, nga pak metra, dhe jo nga Garda.

Dhe kësaj radhe përgjigjen e morët me sekondat që i kishit prerë po të njëjtit filmim. Sepse në ato kohë të tmerrshme, kur kjo tokë digjej nën plumba e vrasje, siç e katandisi ai që iku pak minuta më parë nga këtu, kur me Zanin negociohej a të shkonte Romano Prodi në Vlorë a jo, i madh e i vogël ka mundësi ta shohë e të kuptojë atë video dhe të shohë se oficeri i policisë aty ishte për të bërë detyrën në ato ditë të vështira në mbrojtje të ca gazetarëve, duke negociuar që ata të kalonin pa dëme e pa vrasje.

Prandaj gënjeni trashë, shpifni pa kufi. Kapeni pas pasqyrave, vetëm e vetëm që të nxini punën e policisë. Para 2 minutash doli një pijedashës këtu dhe tha Selman Tema, mirë që pata kohë të marr kartelën, është hequr bazuar në ligjin e 2007-ës!

I dashur pijedashës, ja ku e kam urdhrin, lirohet nga Policia e Shtetit me motivacionin: “Eshtë ripranuar në kundërshtim me kriteret ligjore” neni 20, pika 2 e ligjit 8553, dt.25.11.1999, “Për Policinë e Shtetit” dhe vazhdon i njëjti nen, për të konfirmuar nenin e 1999-ës, neni 2 dhe 3 i vitit 2007, sepse konfirmojnë nenin e 1999-ës.

Por çfarë është Selman Tema? Profesioni – veteriner. Profesioni veteriner. E keni futur në polici dhe është larguar për thyerje të rëndë të disiplinës, vjedhje! Dhe na kërkoni, mirë që është veteriner, se e bëtë policinë punë shtazësh, por na kërkoni që edhe veteriner, dhe hajdut dhe ta mbajmë në punë?!… Jo, nuk ndodh kjo në Policinë e Shtetit të rilindur dhe në krye të detyrës, siç duam ne t’a bëjmë për shqiptarët.

Por edhe sikur të lajthitem një sekondë unë dhe shumica dërrmuese e shqiptarëve dhe t’iu besosh ato që thoni sipas të cilës paskam pasur vajzë teze gruan e biznesmenit apo sipas të cilës shefi i komisariatit paska qenë shofer personal i tij, një pyetje kam: Po mirë mo, po kush i arrestoi këta?! Se ju s’i arrestuat! Kush i arrestoi këta! Që do të thotë ose na thoni faleminderit këtu pse paskemi arrestuar kushërinj e të njohur që do të thotë që Policia e Shtetit ka bërë detyrën në mënyrë profesionale, ose pastaj tërhiqni gënjeshtrën mbrapsht dhe ne ju premtojmë që do bëjmë sikur nuk e shohim bishtin që ju varet ndër shalë.

Ose na thoni faleminderit, ose kërkoni falje pse shpifët kur deklaruat se eksplozivi në makinën e prefektit Vlorës nuk ishte eksploziv, por Edi Rama dhe Saimir Tahiri kishin bërë një skenar teatral, të denjë për filmat e Hollivudit, që të hiqnin mendjen nga taksat, ose pastaj pranoni që në çdo sukses të Policisë së Shtetit, jeni të gatshëm të gënjeni mjafton që të errësoni çdo sukses të Policisë së Shtetit. Por në të dyja rastet dilni këtu dhe kërkojini falje publikut dhe ne ju premtojmë do bëjmë sikur nuk e shohim bishtin që ju varet ndër shalë.

Dhe në këtë kuadër vjen dhe kërkesa për komision hetimor, që nuk është fare rastësore, e para, sepse e keni bërë rrugë tashmë! Shpikni një gënjeshtër vetë, e përforconi në publik dhe pastaj doni një komision hetimor për të hetuar dhe konfimuar gënjeshtrën tuaj.

E mbani mend sesi ky gënjeshtari i sotëm gënjente pas 21 janarit për thika me helm, për çadra pislotelë, çadra me helm, për stilolaps bombë, kamiona me armatim, i mbani mend këto. Dhe ngriti në parlament një Komision hetimor të turpshëm, për të vërtetuar gënjeshtrat e tij. Halimi, që nuk është këtu duhet t’a mbajë mend se aso kohe, i dukej detyrë shumë e madhe, e ngarkuar nga Drejtori, detyrë që i ishte ngarkuar atij dhe e kishte për shumë nder që të noterizonte gënjeshtrat që thoshte ky, dhe u bë ministër pastaj dhe i fuste ndonjë lugë supë.

E mbani mend dhe Komisionin Hetimor për “Tivarin” dhe Komisionin për “Veshin” të atij diplomatit. Dua të bëj të qartë që në fillim se absolutisht, e kam thënë që nga dita e parë e detyrës, jam i hapur për çdo hetim, për çdo verifikim, për çdo hap që mund të hidhni në kuadër të transparencës. Jam paraqitur në çdo interpelancë, seancë pyetjesh që keni kërkuar për punën e Policisë së Shtetit, sepse ne vlereëojmë që standardi i transparencës brenda institucionit, administratës publike, brenda Policisë nuk është çështje e qeverisë, as e mazhorancës, as çështje e opozitës, është çështje e publikut.

Ju jeni përfituesit më të parë mbase, por mbi të gjitha është çështje e publikut.

E dyta, ka një aryse pse vjen pikërisht tani Komisioni Hetimor. Ju gabimisht mendoni se suksesi i punës së Policisë së Shtetit, është sukses i qeverisë. E keni gabim. Ne jemi të gatshëm t’a ndajmë çdo sukses dhe arritje të Policisë së Shtetit me ju, sepse në fakt është i përbashkët.

Por ama hapni sytë dhe lëreni jashtë Policinë e Shtetit nga debati politik. Hapni sytë dhe mos hidhni baltë mbi Policinë e Shtetit, sepse janë njerëz që punojnë për sigurinë tuaj, si për sigurinë e mazhorancës si për sigurinë e qytetarëve në bllok, pa dallim kush është votues i seicilit. Hapni sytë dhe lëreni Policinë e Shtetit jashtë debatit politik, sepse është i vetmi institucion që duhet të gëzojë garanci dhe imunitet dhe mbështetje nga të gjithë ne bashkë në mënyrë konsesuale. Sepse krimi nuk njeh politikë dhe siguria vlen edhe për fëmijët tuaj.

Po mbani anën e gabuar. Anën e krimit. Por mos harroni, kriminelët janë gjithmonë më pak se njerëzit e ndershëm në këtë vend, ndaj bëjini llogaritë mirë.

Ndaleni këtë sulm skandaloz ndaj Policisë së Shtetit që sot po lufton kundër ktimit. Lëreni Policinë e Shtetit mënjanë. Lërini punonjësit e policisë të punojnë.

Bëjeni luftën politike brenda rregullave. Maxhoranca është këtu, qeveria është këtu, kryeministri është këtu, ministrat këtu janë edhe unë këtu jam.

Hajde bëjmë bashkë debat, por lëreni të qetë Policinë e Shtetit të punonjë, lërini ata djem dhe vajza sepse po luftojnë për sigurinë tuaj.

Hiqni dorë nga nxitja e krimit. E kam këtë për ata që e bëjnë pa dashje duke lëxuar ndonjë deklaratë qorrazi, se ata të tjerët që kanë dhe guxim t’a bëjmnë dhe me dashje, i pret drejtësia.

Sa për shifrat e kriminalitetit, unë i kam këtu por besoj nuk është e udhës të zgjatem. Lini zotin Mul dhe zotin “Pijedashës” të dalin dhe t’i dyfishojnë sipas orarit.

Unë di t’ju them se puna e Policisë së Shtetit deri sot është përmirësuar në mënyrë radikale.

Patjetër ka akoma shumë për të bërë, patjetër jeni të ftuar të kontribuoni, por mbani parasysh një gjë: asgjë nuk do na ndalë nga ringritja dhe rilindja e Policisë së Shtetit, jo për ju as për ne, por për qytetarët që meritojnë siguri dhe paqe.

Ju faleminderit shumë!