Ministri Tahiri pret Komisionerin Avramopoulos në Tiranë VIDEO - Ministria e Brendshme
Postuar më: 18/03/2016

Ministri Tahiri pret Komisionerin Avramopoulos në Tiranë VIDEO

VIDEO    

Konferenca e përbashkët për media e ministrit të Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri dhe Komisionerit për Çështjet e Brendshme, Migracionin dhe Shtetësinë, Dimitris Avramopoulos:

 

Saimir Tahiri, Ministër i Punëve të Brendshme

Pas vizitës në Bruksel dhe pas ftesës që i bëmë mikut tim dhe mikut të Shqipërisë Dimitris, Komisioner për Çështjet e Brendshme dhe të Migrimit, patëm fatin ta kemi këtu për të diskutuar mbi një sërë çështjesh që janë platforma solide e bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Europian. Afirmuam të ardhmen europiane të Shqipërisë, e cila është konceptuar (jo vetëm në reformat e qeverisë por edhe si vokacion i qytetarëve) si një rrugë me një drejtim dhe me një destinacion – dhe ky është integrimi i Shqipërisë në BE.

Patëm një shkëmbim të pikëpamjeve lidhur me reformat e qeverisë të cilat tregojnë më së miri vendosmërinë tonë për të ndërmarrë hapa të vendosur shtetformues. Jo vetëm në kuadër të reformimit të sistemit në tërësi, por në mënyrë të veçantë të luftës kundër krimit të organizuar, kundër korrupsionit e kundër lëndëve narkotike, si dhe krijimit të një mjedisi më të sigurtë për Shqipërinë, vendet e rajonit e të BE-së, në mbrojtje të vlerave më të larta që përqafojnë shoqëritë tona.

Patëm mundësinë të shkëmbejmë ide dhe iniciativa të përbashkëta, përsa i takon bashkëpunimit më të mirë me institucione të veçanta të tilla (si EUROPOL) apo iniciativa të veçanta (rajonale e më gjerë), që do të mund të koordinonin energjitë tona për ta bërë rajonin më të sigurt dhe për të pasur një ndihmë më konkrete lidhur me

  • forcimin e kapaciteteve dhe burimeve njerëzore në Policinë e Shtetit,
  • krijimin e marrëdhënieve më të ngushta ndërmjet institucioneve,

në mënyrë që rezultatet e përbashkëta (në luftë kundër krimit të organizuar, korrupsionit, trafikut të lëndëve narkotike dhe në mënyrë të veçantë terrorizmit) të jenë produkt i bashkëpunimit tonë.

Afirmuam sukseset e deritanishme (veçanërisht për hetime të përbashkëta ku ka marrë pjesë dhe Shqipëria) në luftën kundër terrorizmit si një prioritet absolut i Shqipërisë, i rajonit, i BE-së patjetër, dhe global.

Në mënyrë të veçantë diskutuam edhe për çështjen e fluksit të emigrantëve, e cila është gjithashtu një shqetësim dhe një emergjencë humanitare që i bën thirrje vlerave më të larta të shoqërisë sonë dhe solidaritetit ndërmjet popujve, në raste të të tilla vështirësive.

Shqipëria është e gatshme të bëjë detyrat e saj, vendi ynë është i gatshëm të mbajë përgjegjësitë e veta (e konceptuar kjo si një përpjekje e vendit tonë në kuadër të një plani europian). Ne jemi shumë të gatshëm të kontribuojmë, përkrah vendeve të tjera të rajonit dhe BE-së, duke pasur parasysh që asnjë vend i vetëm nuk ia ka dalë të përballet me këtë problem. Por vetëm të gjithë bashkë nën flamurin europian (pavarësisht faktit se kush prej vendeve është anëtar apo jo) ne mund t’ia dalim të përballemi me një emergjencë të tillë humanitare dhe solidariteti.

Ndamë bindjen që duhet më shumë koordinim mes nesh edhe në këtë kuadër, duke pasur parasysh të gjithë hapat e këtij procesi:

– nga shkëmbimi i informacionit (me vendet e rajonit veçanërisht, e me institucionet e BE);

– deri tek pasja e strukturave solide për pritjen paraprake (edhe kjo e konceptuar si një përpjekje e përbashkët e BE-së, vendeve të rajonit dhe Shqipërisë si kontributore e denjë në këtë proces).

 

Gjithashtu  shpreha Komisionerit shqetësimin tim lidhur me domosdoshmërinë që kemi për të ecur përpara me një plan të tillë të përbashkët për të mos përsëritur skenarët që kemi parë në të kaluarën në vende të tjera. Nuk duhet të vonohemi për të pasur një plan europian! Ne duhet të veprojmë shpejt dhe në kohë, në mënyrë që çdo veprim të jetë i koordinuar dhe të jemi të përgatitur për çdo situatë të mundshme lidhur me fluksin e refugjatëve. Kemi marrë mbështetjen e plotë të Komisionerit, duke e konceptuar bashkarisht këtë si një çështje europiane në të cilën Shqipëria nuk mund të jetë vetëm – dhe nuk do të jetë vetëm.

Unë dua ta falënderoj edhe njëherë mikun e Shqipërisë, Komisionerin Dimitris Avramopoulos, dhe ta siguroj që Shqipëria do të jetë tërësisht e angazhuar për të përballur përgjegjësitë e saj krah për krah me partnerët tanë në rajon dhe në Bashkimin Europian.

 

Dimitris Avramopoulos, Komisioneri për Çështjet e Brendshme, Migracionin dhe Shtetësinë

Mirëdita të gjithëve!

Së pari dua t’i shpreh falenderimet më të ngrohta mikut tim Ministër i Brendshëm i Shqipërisë, Saimirit. Saimir Tahiri është një politikan mjaft i njohur këtu në Shqipëri, por dhe një përfaqësues shumë i mirë i Shqipërisë jashtë saj. Dëshiroj ta falënderoj atë për bashkëpunimin e shkëlqyer që kemi pasur gjatë kësaj kohe por dhe në të kaluarën dhe dëshiroj të them që me anën e këtij bashkëpunimi të shkëlqyer është hapur tashmë një kapitull i ri në marrëdhënien mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian. Siç e dini, prej mëngjesit të sotëm kam pasur takime me Presidentin e Republikës z.Nishani, Kryeministrin Rama dhe Ministrin e Jashtëm z. Bushati. Takime të frytshme e shumë konstruktive, në një ambient shumë miqësor.

Me ministrin Tahiri patëm një diskutim shumë të frytshëm mbi bashkëpunimin tonë në trajtimin e sfidave të lidhurame çështjet e migracionit dhe të sigurisë.

Do të dëshiroja ta përdorja këtë mundësi për të vlerësuar përfshirjen e Shqipërisë në trajtimin e kësaj krize refugjatësh, në kuadër të takimeve mbi të ashtuquajturën “Rrugëtimi i emigrantëve në Ballkanin Perëndimor”. Siç e dini, Europa po përballet me një situatë të paprecedentë, për të cilën në fillim nuk ishte e mirëpërgatitur. As shtetet anëtare nuk ishin të mirëpërgatitura për t’u përballuar me një situatë kaq komplekse dhe të vështirë. Në fakt ende nuk e dimë cilat do të jenë pasojat e vërteta në rajonin më të gjerë të ashtuquajtur “rajoni i fqinjësisë së mirë”. Por mund t’ju them qartë që Shqipëria nuk gjendet e vetme në trajtimin e kësaj çështjeje – natyrisht në rast se do të ketë një situatë.

Lejomëni të jem shumë i qartë në këtë çështje. Deri tani nuk ka sinjalizime që Shqipëria të jetë prekur nga flukse të papritura të migrantëve, por të gjithë duhet të jemi të përgatitur për çfarëdolloj eventualiteti. Komisioni Europian, së bashku me FRONTEX, po e monitorojnë vazhdimisht situatën në terren. Ndaj kam mirëpritur lajmin për përgatitjen e një plani emergjence nga ana e Qeverisë Shqiptare mbi si mund të trajtohet një fluks i mundshëm i emigrantëve dhe i refugjatëve. E kotë të thuhet që Komisioni Europian sigurisht do të japë të gjithë mbështetjen e nevojshme, në rast se ajo do të kërkohet. Ndërkohë Komisioni Europian po i jep mbështetje Shqipërisë në mënyra të ndryshme me anë të instrumenteve të ndryshme.

Po ashtu Komisioni ka propozuar që Shqipëria të njihet si një vend i sigurt origjine. Ky propozim bëhet për listën e vendeve europiane që janë të sigurta. Megjithatë Shqipëria duhet të bëjë më shumë përpjekje që të ulë numrin e shtetasve shqiptarë emigrantë të paligjshëm. Kjo do të kërkojë një sërë masash, si:
1. mbrojtja efikase e kufirit;
2. shkëmbimi i informacioneve mes shteteve anëtare;
3. ndjekja penale ose kapja e sekserëve të këtij emigracioni (si agjenci udhëtimi apo transporti);
4. realizimi i fushatave efikase informuese mbi të drejtat dhe detyrimet e lëvizjes së lirë pa viza në Bashkimin Europian;
5. bashkëpunim me vendet anëtare për çështje të ndryshme (si falsifikimi i dokumenteve).
Ne besojmë se aplikimi i këtyre masave ndaj qytetarëve shqiptarë do të sjellë me siguri një ulje të aplikimeve të tyre për azil në muajt apo vitet në vijim.

Një tjetër çështje shumë e rëndësishme të cilën ne e diskutuam me ministrin është ajo e sigurisë. Ne duhet të forcojmë bashkëpunimin tonë në mënyrë që të luftojmë krimin e organizuar dhe terrorizmin. Për shembull duhet të punojmë më ngushtë me njëri-tjetrin për të luftuar trafikimin e armëve në Europë (në kuadër të një planveprimi të Komisionit Europian, miratuar në dhjetorin e vitit 2015). Po ashtu duhet të bashkëpunojmë në kuadrin e iniciativave të ndryshme në Ballkanin Perëndimor kundër terrorizmit, në mënyrë që
–    të parandalojmë radikalizimin,
–    të luftojmë aktivitetet terroriste,
–    të trajtojmë çështje që kanë të bëjnë me financimin e terrorizmit.

Dëshiroj të theksoj por edhe t’ju përgëzoj për punën vërtet mbresëlënëse që është bërë në reformimin e Policisë.  Dhe në luftën kundër drogës e veçanërisht kundër korrupsionit në radhët e Policisë, rezultatet janë të dukshme. Të qarta. Për të gjithë. Ne kemi besim që Shqipëria do ta vijojë këtë rrugëtim të mirë, që qeveria do ta vijojë këtë punë për miratimin e reformave të nevojshme në vend në të gjithë sektorët (si reforma institucionale, administrative dhe në drejtësi).

Të dashur miq.

Sfidat e emigrimit dhe sigurisë nuk njohin kufij. Dhe asnjë vend nuk mund t’i përballojë apo zgjidhë ato i vetëm. Qoftë vend i Bashkimit Europian apo jo, ne gjendemi të gjithë në të njëjtat ujëra. Dhe mund t’i trajtojmë me efikasitet këto çështje vetëm nëse bashkëpunojmë me njëri-tjetrin. Prania ime sot këtu, në këtë qytet vërtet mikpritës e përtej bisedave miqësore që pata, ka një mesazh të qartë. Sepse synimi ynë ka qenë të dërgojmë një sinjal të qartë mbi rëndësinë që mbart harmonizimi e konsolidimi i të gjitha përpjekjeve tona në kuadër të migrimit e çështjeve të brendshme, si dhe koordinimi i zgjidhjeve të bashkërenduara në nivel europian.

Për Bashkimin Europian Shqipëria është partneri më i rëndësishëm në rajon për t’i trajtuar këto sfida. Dhe përsëris sërish atë që  thashë në nisje të fjalës sime: Shqipëria nuk është e vetme në këtë betejë! Sepse i  gjithë vendi, e gjithë qeveria kanë mbështetjen tonë të fortë, dhe ne do vijomë të punojmë së bashku në të ardhmen, në mënyrë që ta zgjerojmë e thellojmë më tej këtë bashkëpunim. E për të arritur ato rezultate që synojmë, atëherë duhet gjithmonë të punojmë krah për krah, me frymën e përgjegjësisë e të solidaritetit. Dhe këto dy elementë (përgjegjshmëria dhe solidariteti) janë dy parime që përcaktojnë të ardhmen  europiane të Shqipërisë.

Lejomëni sërish të pranoj para jush e të përgëzoj autoritetet qeveritare për përpjekjet mbresëlënëse dhe rezultatet konkrete të arritura muajt e fundit. Bashkimi Europian është partner i Shqipërisë, dhe Shqipëria është partnere e Bashkimit Europian. Ndaj dhe një herë do të doja të falënderoja qeverinë shqiptare, e në veçanti mikun tim të mirë Ministrin e Punëve të Brendshme Tahiri, që më ftuan të vija sërish në Tiranë (ku, siç mund ta dini, kam qenë shumë herë më parë).

Unë e dua Shqipërinë. Dhe ju dërgoj një mesazh të fortë solidariteti europian, si Komisioner europian i Migrimit dhe Çështjeve të Brendshme por dhe si një nga miqtë tuaj të vjetër e më të mirë në rajon. Natyrisht mezi pres që në të ardhmen të bashkëpunojmë sërish po kaq mirë sa kemi bërë tashmë, mbi çështje të interesit të përbashkët.

Shumë faleminderit.

 

(Duke iu drejtuar përfaqësuesve të medias, të pranishëm në sallën e konferencave për shtyp në Gardën e Republikës). Dhe tani lejomëni ta hap këtë seancë pyetje-përgjigjesh duke ju bërë një pyetje: sa kanale televizive ka në Shqipëri? Sepse nuk kam parë një spektakël të tillë më parë, sado që kam udhëtuar nëpër Europë. Impresionuese! Kjo është shprehje e pluralizmit dhe demokracisë. Mbajeni dhe ruajeni këtë vlerë kaq të madhe.

 

Pyetje: Dëshiroj t’i drejtoj një pyetje komisionerit, lidhur me vonesën e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Zoti Avramopoulos, a keni një përgjigje për shqetësimin e shtetasve të Kosovës se kur do të përfundojë ky proces?

Komisioneri Avramopulos: Liberalizimi i vizave është një çështje edhe politike edhe teknike. Është një ndërthurje e të dyjave, një situatë që unë po e ndjek nga afër dhe qëndroj në komunikim të hapur me autoritetet kosovare. Ju e dini mirë që Kosova duhet të përmbushë disa standarde. Ne i bëjmë thirrje autoriteteve që t’i përshpejtojnë përpjekjet për këtë gjë. Për ne situata në Kosovë është e rëndësishme. E kuptojmë që ajo është e etur të shohë sinjale të prekshme sa më shpejt të jetë e mundur. Ne nuk kemi dërguar kurrë sinjale negative, përkundrazi. Jemi përpjekur që ta ndihmojmë Kosovën në përpjekjen që ka ndërmarrë për t’i përmbushur të gjitha këto kërkesa të njohura tashmë. Kam ndërmend të shkoj në Kosovë shpejt. Dëshira ime është që të ndihmoj. Por edhe të më ndihmojnë.

 

Pyetje:  I nderuar Komisioner. Gjatë takimit që keni patur sot me autoritetet më të larta përfshirë edhe ministrin Tahiri, a keni drejtuar një kërkesë specifike nëse situata në vendin tonë do të ndryshojë? Dhe a shpresoni që në takimin e sotëm në Bruksel (mbi krizën e refugjatëve) do të ketë një zgjidhje?

Komisioneri Avramopulos: Shpresoj që takimi në Bruksel të kurorëzohet me sukses, sepse është shumë e rëndësishme bashkëpunimi me Turqinë – një aktor kyç në rajon. Pra duhet gjetur patjetër një modus operandi. E di që dje udhëheqësit kanë vënë në tryezë një propozim, por deri tani nuk kam lajme nga Brukseli.  Nuk e di nëse ndoshta keni ju ndonjë lajm (më thoni nëse po).

Lidhur me pyetjen tjetër: ne kemi diskutuar gjithçka me ministrin. Tani Shqipëria është më e mirëpërgatitur ta trajtojë këtë çështje (gjithmonë në rast se kjo ndodh). Ju thashë që në fillim. Nuk kemi ndonjë sinjal që fluksi i refugjatëve të jetë duke ardhur drejt Shqipërisë, por në rast se kjo ndodh Shqipëria nuk do të jetë e papërgatitur. E kam thënë dhe e përsëris: në rast fluksi refugjatësh, çfarëdo lloj kërkese që do të vijë nga qeveria shqiptare reagimi ynë ka për të qenë pozitiv. Ne do të jemi këtu për ta mbështetur e ndihmuar Shqipërinë – në rast fluksi refugjatësh (për të cilin nuk kemi sinjalizime për momentin por që nuk mund të përjashtohet). Ne e dimë si operojnë trafikantët e qenieve njerëzore. Ndërsa flasim ka një trysni shumë të madhe në kufirin mes Turqisë dhe Greqisë. Ju thashë diçka që në fillim: kur filloi të shfaqej kjo krizë e refugjatëve, edhe Europa u gjend e zënë në befasi (madje edhe shtete anëtare si Italia dhe Greqia). Kështu që Shqipëria është në një pozitë më të mirë. Jo vetëm për përvojën ose mësimet që kemi nxjerrë gjatë dy viteve të fundit, por edhe për anën tonë përgatitore dhe mbështetjen tonë (jo vetëm në aspektin financiar por edhe në terma politikë). Kjo është një krizë humanitare dhe nuk duhet të lejojmë të shndërrohet në një katastrofë humanitare.

 

Pyetje: Si e shikoni zgjidhjen për këtë krizë?

Komisioneri Avramopulos: T’i jepet fund luftës!

 

Pyetje: Luftës mund t’i jepet zgjidhje që nesër, por kriza humanitare do të vazhdonte…

Komisioneri Avramopulos: Jua thashë dhe u përpoqa të isha shumë i qartë në përgjigjen ndaj pyetjes suaj (nëse doni një analizë më të gjatë e më të gjerë natyrisht mund t’jua jap): ne e dimë cilat janë shkaqet e asaj krize! Të gjitha përpjekjet që po bën Bashkimi Europian dhe të gjithë aktorët e tjerë globalë duhet të synojnë vetëm një gjë: t’i jepet fund kësaj drame! Dhe diçka tjetër: ka shumë teori përsa i përket shifrave, por nuk duhet të harrojmë që kjo çështje ka të bëjë me qenie njerëzore. Duhet të sillemi dhe të reagojmë në përputhje me jurisprudencës ndërkombëtare dhe legjislacionin e Bashkimit Europian. Unë thashë diçka më parë, përmenda dy parime: përgjegjshmërinë dhe solidaritetin. Pra nuk ka rëndësi nëse jemi shtete anëtare të Bashkimit Europian apo jo, të gjithë së bashku duhet të punojmë për t’u përballur me këtë sfidë. Le t’i japim fund ndërtimit të mureve dhe gardheve! Dua të përgëzoj qeverinë shqiptare, sepse ata e kanë thënë që në fillim “Ne nuk kemi synim të ngrejmë mure, sepse muret do të minonin këtë sistem vlerash dhe parimesh të Bashkimit Europian!”.Ndaj mesazhi është tepër i qartë: ne jemi këtu që të trajtojmë këta njerëz me humanitet dhe dinjitet. Jam në një vend që e ka përjetuar më parë këtë lloj përvoje: miliona shqiptarë u larguan nga Shqipëria pas rënies së regjimit komunist për të gjetur një jetë më të mirë në të tjerë shtete, e ndoshta të gjithë e mbani mend se si u trajtuan shqiptarët në fillim. Ndaj ky komb, ky vend, është kaq delikat kur vjen puna për këtë çështje. Dhe ndaj mënyra si ka reaguar qeveria Shqiptare përbën një qasje të pastër europiane e të qytetëruar.

 

Ministri Tahiri: Unë besoj se ajo që tha Komisioneri është shumë e qartë. Në historinë e shkurtër 20-vjeçare të pasviteve ‘90, vendi ynë ka dëshmuar se ka ditur të kërkojë mikpritjen e popujve të tjerë dhe ka dhënë mikpritjen këtu. Dhe ne e dimë shumë mirë ç’do të thotë të besosh në vlera të tilla si humanizmisolidariteti.

Ashtu siç jemi mjaft të vetëdijshëm se asnjë vend nuk është imun nga sjelljet e përbashkëta. Se qenia “anëtarë” ose jo në Bashkimin Europian nuk na pengon të kemi sfida të përbashkëta, për të cilat duhen zgjidhje të përbashkëta. E mua më vjen mirë që u përsërit disa herë nga Komisioneri se Shqipëria nuk është vetëm, ashtu siç ne gjendemi krah për krah me partnerët tanë në Bashkimin Europian dhe vendet e rajonit, për t’u përballur me përgjegjësitë tona dhe për t’i dhënë zgjidhje përfundimtare problemeve që shoqërojnë dhe shqetësojnë më shumë vendet dhe shoqëritë tona. Kjo është më e rëndësishme në kuadër jo vetëm të krizës së emigrantëve, por mbi të gjitha edhe në kuadër të luftës kundër terrorizmit dhe sfidës tonë të përbashkët për të ndërtuar siguri dhe paqe në Shqipëri, rajon dhe në vendet e Bashkimit Europian.

Ne e dimë shumë mirë që sfida jonë më  e madhe është eleminimi i burokracisë, heqja e pengesave për ta bërë bashkëpunimin ndërmjet nesh sa më të ngushtë dhe sa më solid. Vizita e Komisionerit është shenja më e qartë e mbështetjes së Bashkimit Europian për zhvillimin, reformat dhe sfidat që ka sot Shqipëria në rrugën e integrimit Europian.

Ju faleminderit.