OSBE: Përgëzim Policisë për kapjen e kanabisit, të vijojë lufta kundër narkotrafikut dhe pasurive kriminale - Ministria e Brendshme
Postuar më: 24/02/2017

OSBE: Përgëzim Policisë për kapjen e kanabisit, të vijojë lufta kundër narkotrafikut dhe pasurive kriminale

VIDEO/ 24 Shkurt, Tiranë  – Prononcimi i ministrit të Punëve të Brendshme Saimir Tahiri dhe Ambasadorit të OSBE në Shqipëri Bernd Borchardt, në kuadër të luftës kundër kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotikëve:

Ambasadori i OSBE në Shqipëri, Bernd Borchardt:

Qëllimi i takimit të sotëm ishte dorëzimi nga ana ime ministrit Tahiri të një raporti vlerësimi të bashkëpunimit midis Prezencës së OSBE në Shqipëri dhe Policisë së Shtetit shqiptar, raport që mbulon periudhën 2009 në 2015 dhe përmban një numër rekomandimesh dhe përfundimesh, për të cilat diskutuam.

Më pas sigurisht diskutuam disa plane  për bashkëpunime në të ardhmen, të cilat i kemi trajtuar dhe me Policinë e Shtetit, dhe për të cilat do të donim të vijonim mbështetjen tonë në disa fusha. Ato shtrihen nga terrorizmi dhe lufta ndaj ekstremizmit të dhunshëm, policimi në komunitet, deri tek krimi i organizuar.

Pyetje: Para pak ditësh në një deklaratë thatë se qarkullonin 2 miliard euro, a i qëndroni kësaj deklarate?

Bernd Borchardt: Natyrisht. Pati një keqkuptim në opinionin publik, të cilin e sqaruam dje përmes një statusi në Twitter. Në 2013 ne kemi pasur një vlerësim ndërkombëtar të prodhimit të kanabisit në Shqipëri, të cilat flasin për 1 mijë tonë Kanabis që, përllogaritur me vlerën e tregut të shitjes në Berlin, Romë apo Evropën Perëndimore, arrijnë në 2 miliard Euro. Vitin e kaluar pamë shkatërrimin e rreth 2,5 milion bimë Kanabis, çka tregon se shumë prej energjisë kriminale mbetet. Unë do të doja të përgëzoj Policinë e Shtetit që identifikoi kaq shumë (bimë narkotike). Megjithatë, sekuestrimet e vazhdueshme në Adriatik, në kufirin me Greqinë e vende të tjera, tregojnë se kjo punë duhet të vijojë. Dhe me ministrin Tahiri ne diskutuam dhe mbi mënyrat, mjetet dhe si ne mund të mbështesim forcat policore në këtë punë.

Në të njëjtën kohë ne diskutuam shkurt edhe për nevojën për të çuar përpara Reformën Zgjedhore, në mënyrë të veçantë për të ndaluar paratë e pista të futen në sistemin elektoral. Dhe gjithçka që thashë dje, e postuam në Twitter me katër fjali po ditën e djeshme.

Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri:

Unë dua t’ju siguroj ju, dhe nëpërmjet jush publikun, se beteja jonë me kanabisin është e vazhdueshme, intensive, nuk ka mbaruar. Dhe do të vazhdojmë me më shumë forcë, me më shumë intensitet të bëjmë atë që askush nuk ka bërë më parë – asnjë qeveri e të kaluarës – duke e lënë Shqipërinë të mbytur në kanabis. Dhe ata që e lanë Shqipërinë kështu, sot çirren duke synuar të dëmtojnë rezultate e Policisë në luftën kundër kanabisit.

Dua t’i kujtoj publikut se para vitit 2013 as nuk flitej për luftën kundër kanabisit. Përpara vitit 2013 kur Lazarati ishte aty dhe kur e gjithë Shqipëria ishte e zhytur në kanabis, qeveria e kaluar – që sot janë në bunker – as nuk flisnin për luftën kundër kanabisit. As nuk kishte debat publik për luftën kundër kanabisi. As punohej kundër kanabisit. Përkundrazi, struktura të caktuara shtetërore ndihmonin që plantacionet të rriteshin, siç bëhej në Lazarat dhe në vende të tjera të Shqipërisë.

Historia jonë dallon shumë qartë: lufta kundër kanabisit ka nisur pas vitit 2013. Kjo për shkak të vendosmërisë sonë për të bërë në Shqipëri atë që nuk ka bërë askush më parë. Siç fituam në Lazarat do fitojmë në çdo cep të Shqipërisë. Më shumë se sa për këshilla apo qasje morale, Policia e Shtetit ka nevojë për ndihmë konkrete dhe për investime konkrete. Ua kam thënë të gjithë partnerëve, e them sërish: Nëse duhet të kemi sukses, duhet të kemi ndihmë konkrete për Policinë Shqiptare, e cila po lufton e vetme një fenomen që nuk e ka as origjinën këtu dhe as mund të zgjidhet vetëm prej nesh, pa bashkëpunimin e ngushtë të partnerëve.

Sa i takon pastaj debatit publik, deklaratave publike dhe baltës së përditshme që hidhet mbi Policinë e Shtetit, ju siguroj siç kam bërë dhe herë të tjera, siç besoj e keni provuar që nuk kam folur kot: lëreni Policinë të punojë! Dhe keni për të parë që do ketë rezultate spektakolare. Ne do ta mbyllim kapitullin e Shqipërisë me kanabis njëherë e mirë. Dhe ky vit është vit deciziv. E filluam me Lazaratin, do e mbarojmë me çdo cep të Shqipërisë. Ju siguroj që do takohemi sërish dhe do i keni rezultatet në dorë se si do bëjmë atë që kurrë më parë qeveritë e kaluara dhe këta që sot çirren as e kanë imagjinuar, dhe jo më të lëviznin gishtin për të bërë ndonjë gjë.

Sot kundër Policisë ngrihet Saliu që ka 27 vjet në pushtet. Në 27 vitet e kaluara ka qenë President dhe Kryeministër dhe s’ka bërë gjë kundër kanabisit. Ai dhe gjithë tufa e tij e ministrave dhe e drejtorëve që i mban te çadra nuk kanë bërë kurrë asnjë gram punë për të luftuar kanabisin në vend.

Pas 2013-s filloi lufta, këtë vit mbaron, të jeni të bindur. Këtë vit përfundojmë atë që kemi nisur ditën e parë të detyrës tonë. Ua shpjegova: e nisëm me Lazaratin, e përfundojmë ditën e fundit të mandatit. Do të thotë do të bëjmë çdo ditë nga një luftë për të mos lejuar që Shqipëria të bëjë hapa pas, por, përkundrazi të vazhdojmë rrugët pozitive të reformave që kemi nisur.

Reforma në Drejtësi është kyç për zhvillimin e vendit, ashtu siç është edhe themelore për ta bërë Shqipërinë më të drejtë. Ata që sot pengojnë reformën në Drejtësi janë të njëjtët që e lanë Shqipërinë të zhytur me kanabis. Dhe siç do humbasin në betejën që ka populli me gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar, ashtu do humbasin dhe betejën kundër Policisë dhe kundër të gjithë atyre që sot luftojnë për ta bërë Shqipërinë më të mirë, më të drejtë dhe sigurisht më të sigurt.

Faleminderit.