Plani antikanabis dhe masat për procesin elektoral/Takim me Prefektët - Ministria e Brendshme
Postuar më: 01/06/2017

Plani antikanabis dhe masat për procesin elektoral/Takim me Prefektët

Plani kombëtar antikanabis dhe masat për procesin elektoral – Dy zv/ministrat e Brendshëm takim me Prefektët e Qarqeve në Elbasan

Zv/ministrja e Punëve të Brendshme Rovena Voda, e cila drejton Task-Forcen Qendrore në kuadër të Planit kombëtar antikanabis, zhvilloi në Elbasan një takim me Prefektët e qarqeve, ku bëri të njohura pikat kryesore të këtij programi.

Në mbledhje ishte i pranishëm edhe zv/ministri Stefan Çipa, i cili nënvizoi disa prej detyrave më të rëndësishme të Prefektit me të cilat do të përballen gjatë periudhës në vazhdim.

Zonja Voda theksoi se Prefektët, si pjesë e Task Forcës për luftën kundër narkotikëve në rang qarku, kanë një detyrë të vështirë, por njëherësh mjaft të rëndësishme në finalizimin me sukses të këtij procesi ku janë të përfshira disa institucione.

Duke folur rreth risive të PKKK, ajo nënvizoi se në të janë parashikuar indikatorë që masin suksesin e strukturave të ngarkuara me parandalimin dhe goditjen e fenomenit.

“Indikatorët kryesorë matin kryesisht suksesin në identifikimin, zbulimin, ndalimin dhe vënien para drejtësisë të financuesve dhe drejtuesve të grupeve dhe rrjeteve kriminale.

Në ndryshim nga qasjet e mëparshme strategjike, praktika e ndjekur nga organet ligjzbatuese, PKKK e orienton përpjekjen e institucioneve në fazat e hershme të ciklit të kultivimit të kanabisit,” tha ndër të tjera Voda.

Zv/ministri i Brendshëm Stefan Çipa, pas një prezantimi të përgjithshëm të kornizës ligjore brenda së cilës vepron institucioni i Prefektit, u ndal në detyrimet që rrjedhin nga fakti i të qenit drejtues në disa Task Forca, në qarqe.

Më tej ai vuri në dukje se Prefektët kanë një rol të rëndësishëm edhe në kuadër të Task Forcës për luftën kundër trafikut të personave.

“Gjatë kësaj periudhe, pranë institucioneve të Prefektëve të qarqeve janë zhvilluar rregullisht mbledhjet e Komitetit Rajonal Antitrafik dhe të Tryezës Teknike Rajonale,” tha Çipa.

Duke folur për sfidat që duhet të përballen në ditët në vijim, ai theksoi rolin që kanë Prefektët në përgatitjen e infrastrukturës për zgjedhjet e përgjithshme.

“Në zbatim të Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë, për zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit 2017, Prefektët e qarqeve marrin masat e duhura sipas përcaktimeve ligjore.

Prefekti i qarkut ndjek me korrektësi përcaktimin e objekteve brenda territorit të qarkut, që përmbushin kushtet e parashikuara, lidhur me Vendndodhjen e Qendrave të Votimit, selive të KZAZ-ve dhe Vendeve të Numërimit të Votave duke paraqitur KQZ-së listën e plotë,” theksoi zv/ministri Çipa.

Në takim u fol për problematikën dhe masat që duhen të merren për përmbylljen me sukses të procesit zgjedhor si edhe funksionim e shtabit të punës për mbarëvajtjen e sezonit turistik.