Lufta antikanabis/Rezultate mbresëlënëse, por kërkohet ende angazhim - Ministria e Brendshme
Postuar më: 07/07/2017

Lufta antikanabis/Rezultate mbresëlënëse, por kërkohet ende angazhim

War Against Drugs. Remarkable results, but commitment is still required

VIDEO– Fjala e zv/ministres së Punëve të Brendshme, njëkohësisht drejtuese e Task Forcës Qendrore kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit Rovena Voda, në takimin informues të mbajtur në Kryeministri, ku u prezantuan rezultatet e deritanishme në këtë luftë:

I nderuar Z. Kryeministër,

kam privilegjin dhe kënaqësinë që në cilësinë e drejtueses së Task Forcës Qendrore të hap sot takimin për prezantimin e punës, për zbatimin e Planit Kombëtar të Veprimit në fushën e parandalimit dhe luftës kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit.

Miratimi i këtij plani veprimi dhe i urdhrit të Kryeministrit për implementimin e tij nëpërmjet krijimit të Task Forcës Qendrore, është shprehje e vullnetit të qeverisë Rama për luftën pa kompromis ndaj këtij fenomeni jo vetëm nga një institucion por nëpërmjet një qasjeje të re, atë të përpjekjes së përbashkët ndërinstitucionale.

Në takimin e zhvilluar në Ministrinë e Punëve të Brendshme në mars të këtij viti në praninë Tuaj, ne u angazhuam që në reflektim të vullnetit politik Tuajin dhe të Qeverisë ta bënim vitin 2017, vitin e heqjes së Shqipërisë nga harta e kultivimit të kanabisit.

Rezultatet janë mbresëlënëse, por gjithsesi ende të pamjaftueshme për çrrënjosjen përfundimtare të këtij fenomeni.

Krijimi i kësaj Task Force Qendrore, e cila ka mobilizuar në një front më të gjerë lufte edhe institucione të tjera, përfaqësues të të cilëve janë të pranishëm sot këtu, ka për qëllimi të sistemojmë një herë e përgjithmonë këtë problem me efekte negative, jo vetëm për imazhin e Shqipërisë, por edhe për kriminalitetin që e shoqëron, për koston e madhe sociale, për perceptimin e gabuar se njeriu mund të begatojë edhe me rrugë të tilla joligjore.

Kur themi ta sistemojmë këtë problem, kemi parasysh jo vetëm ta shërojmë shoqërinë shqiptare sot, por edhe ta ‘vaksinojmë’ atë në mënyrë që ky problem mos të ketë mundësinë të jetë më pjesë e realitetit shqiptar.

Faleminderit!