Lufta antikanabis/Raportim në Zyrën Operacionale të Situatës - Ministria e Brendshme
Postuar më: 18/07/2017

Lufta antikanabis/Raportim në Zyrën Operacionale të Situatës

“Jemi zotuar që këtë vit do të shkruhet fjala FUND në historinë e gjatë të kultivimit të kanabisit në shkallë të gjerë dhe ky zotim do të mbahet me se s’bën #PërSHQIPËRINËQËDUAM

Fjala e zv/ministres së Punëve të Brendshme, Drejtuese e Task Forcës Qendrore Antikanabis, Rovena Voda:

I nderuar zoti Kryeministër,

të nderuar pjesëmarrës,

Lufta kundër kultivimit dhe trafikimit të narkotikëve mbetet një prej prioriteteve kyçe në çështje rendi dhe sigurie, prej marrjes së detyrës.

Këtë javë u kryen disa operacione kundër trafikimit të narkotikëve në Vlorë e Kavajë dhe rezultatet janë domethënëse. Mbi 16 ton kanabis e kultivuar vitet e kaluara u sekuestrua dhe në pranga janë vënë rreth 15 persona. Mes tyre edhe punonjës policie.

Kjo dëshmon se lufta kundër kultivimit dhe trafikimit kërkon akoma më shumë angazhim dhe nuk mund të konsiderohet e fituar.

Dëshmon gjithashtu se Vettingu që po prek sistemin e drejtësisë, shpejt do të shtrihet edhe në rradhët e Policisë së Shtetit. Nuk mund të qëndrojnë brenda rradhëve të tyre, punonjës të implikuar në rrjete kriminale apo që shpërdojnë detyrën.

Nëse 2014 ishte viti që shënoi nisjen dhe përfundimin e kultivimit të Kanabis në Lazarat, një fshat i quajtur “Republikë” për autonominë dhe lirinë që i kish dhënë qeveria e mëparshme në zhvillimin e aktivitetit të paligjshëm;

2017 do jetë vit vendimtar në luftën kundër kultivimit të lëndëve narkotike në përgjithësi, Kanabis në veçanti, për ta zhdukur përfundimisht fenomenin.

Ndryshimi në qasjen shtetërore është evident.

Kjo konfirmohet nga statistikat zyrtare të Policisë së Shtetit dhe policive partnere.

Kjo konfirmohet nga përfaqësuesve të organizmave ndërkombëtarë në vend, të cilët pranojnë rezultatet e deritanishme në këtë kuadër dhe përgëzojnë Policinë Shqiptare për to, duke na nxitur të vijojmë përpjekjet tona për të cilat na mbështesin.

Në 2017 prej janarit deri në korrik sipërfaqja e kultivuar me narkotikë 20 herë më pak  se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Nga Tropoja e Dukagjini, Bjeshkët e Shoshit në Pult të Shkodrës, deri në Llakatund të Vlorës, duke kaluar përmes Kavajës, Vrionit të Fushë Krujës e Voskopojës së Korçës, raportimet e Policisë së Shtetit kanë folur për efektivë në aksion edhe në zona të thella malore e në temperatura të larta.

Disa prej tyre duke rrezikuar dhe jetën, në operacione nga ajri e toka – si polici i ndihmuar nga ajri në Malin e Sopotit, apo një i aksidentuar pasi kthehej nga monitorimi nga toka. Siç me të drejtë vëren media “edhe ajo sasi e papërfillshme e mbjellë në vende dhe zona malore është e destinuar të shkatërrohet”.

Kontrollet do të vijojnë në të gjithë vendin çdo ditë.

Në cilësinë e Drejtueses së Task Forcës Qendrore ju informoj, se:

në 12 qarqet janë ngritur Task Forcat Vendore të drejtuara nga Prefektët, të cilat koordinojnë punën e institucioneve në nivel lokal, të ngarkuara me detyra në zbatim të Planit Kombëtar Antikanabis.

Gjatë muajit Qershor në Linjën e gjelbër 0800 90 90 kanë ardhur informacione për raste te dyshuara për kultivim të bimës narkotike.

Duke parë si domosdoshmëri parandalimin e këtij fenomeni dhe identifikimin në kohë të rasteve të kultivimit të bimëve narkotike, nga ana e Drejtorisë së Inspektoriatit Policisë Pyjore në rang vendi, janë kryer 475 inspektime, duke mbuluar përafërsisht 30% të fondit pyjor dhe kullosor. Nga këto, 27 inspektime janë kryer në bashkëpunim me strukturat vendore të Policisë së Shtetit.

Drejtoria e Prodhimit Bujqësor ka zhvilluar aktivitete informuese me fermerët në Njësitë Administrative me qëllim rritjen e efektivitetit dhe të ardhurave nga kultivimi i tokave me kultura të ligjshme duke i kushtuar rëndësi të veçantë edhe informimit, motivimit dhe përgatitjes së dokumenteve të fermerëve aplikantë për të përfituar nga skemat e mbështetjes financiare në bujqësi.

Gjithashtu për çdo njësi administrative janë përcaktuar dhe listuar, zonat e riskut që mund të mbillen me bimë narkotike duke përfshirë, tokat shtetërore me origjinë ish-ndërmarrjet bujqësore, tokat e braktisura, tokat larg qendrave të banuara etj.

Në këtë kuadër rol ka pasur edhe Ministria e Mbrojtjes nëpërmjet kryerjes së kontrolleve ajrore, detare dhe sistemit të zbulimit optiko-pamor. Konkretisht janë kryer 11 orë lundrimi dhe 34 misione fluturimi.

Qendra Ndërinstitucionale Operacionale Detare ka kryer 3 operacione kundër trafikimit të kanabisit.

Jo vetëm kontrolli i territorit është një ndër aspektet e rëndësishme të parandalimit të fenomenit, por po aq i rëndësishëm është informimi i publikut në lidhje me pasojat qofshin këto penale apo shëndetësore si dhe mbi mundësinë e formimit profesional apo programeve të nxitjes së punësimit nga Shërbimi Kombëtar i Punësimit.

Në kuadër të programit për nxitjen e punësimit nëpërmjet formimit për punë gjatë vitit 2017 janë punësuar mbi 1500 punëkërkues të papunë, ndërsa nëpërmjet programit të nxitjes së punësimit të personave me aftësi të kufizuar vetëm gjatë 5 mujorit të parë të vitit 2017 janë punësuar 72 punëkërkues.

Është nënshkruar Marrëveshja e Bashkëpunimit ndërmjet Prokurorisë së Përgjithshme dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Është miratuar urdhri i Prokurorit të Përgjithshëm për angazhimin dhe bashkepunimin maksimal të Prokurorive të Rretheve Gjyqësore për zbatimin e Planit të Veprimit kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit.

Drejtoria e Doganave po kryen inspektime në degë doganore për kontrollin e vlerave monetare në kufi. Gjithashtu janë identifikuar subjektet që importojnë fara dhe janë modeluar profilet për rritjen e nivelit të riskut.

Detajet për punën e Policisë do t’i raportojnë zyrtarët e lartë të saj, por në emër të Ministrisë së Punëve të Brendshme shpreh angazhimin për të thelluar rezultatet e deritanishme në këtë luftë, të cilën mund ta fitojmë të gjithë bashkë, përfshirë institucionet dhe shoqërinë.

Faleminderit!