Turqi/Ministeriali i Procesit të Budapestit, Partneriteti për Migracionin në Rrugën e Mëndafshit - Ministria e Brendshme
Postuar më: 20/02/2019

Turqi/Ministeriali i Procesit të Budapestit, Partneriteti për Migracionin në Rrugën e Mëndafshit

Turqi/Ministeriali i ‘Procesit të Budapestit’, Partneriteti për Migracionin në Rrugën e Mëndafshit

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, në emër të Qeverisë shqiptare shprehu dakordësinë me Planin e Veprimit 5-vjeçar të propozuar në Ministerialin e ‘Procesit të Budapestit’, Partneriteti për Migracionin në Rrugën e Mëndafshit.

Qëndrimi u bë i njohur gjatë takimit shumëpalësh që po zhvillohet në Stamboll, me praninë e Ministrave të Brendshëm të vendeve pjesëmarrëse të kësaj nisme. Takimi është organizuar bashkërisht nga Ministri i Brendshëm i Turqisë Soylu, homologu hungarez Szijjarto dhe Sekretariati i ICMDP (Qendra Ndërkombëtare për Zhvillimin e Politikave Migratore). Punimet e këtij Ministeriali ndiqen edhe nga Komisioneri i BE-së për Migracionin dhe Çështjet e Brendshme, Dimitris Avramopoulos.

Duke marrë fjalën, Ministri Lleshaj theksoi se “Ministria e Brendshme e Shqipërisë dhe Policia e Shtetit kanë marrë hapa konkrete për të parandaluar migrimin e parregullt, duke rritur bashkëpunimin me vendet fqinje dhe ato të BE-së, edhe duke përgatitur plane gjithëpërfshirëse veprimi e operacionale, në respektim të kuadrit ligjor, detyrimeve dhe standardeve ndërkombëtare”.

Gjatë vitit 2018, Shqipëria pati një rritje 6-fish, krahasuar me 2017, të migracionit të paligjshëm, me rreth 6900 migrantë të paligjshëm. Shifra tregojnë se ka një tendencë në rritje për ta përdorur Shqipërinë si një vend tranzit me qëllim arritjen në vendet e BE-së.

Në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar, Ministri nënvizoi marrëveshjen e nënshkruar me FRONTEX për bashkëpunimin dhe mbrojtjen e kufijve të përbashkët. “Para hapjes së negociatave me BE-në, në tetor 2018, Shqipëria nënshkroi një marrëveshje me Bashkimin Europian, e para e këtij lloj për BE-në me një vend kandidat, mbi bashkëpunimin për menaxhimin e kufijve ndërmjet Shqipërisë dhe FRONTEX. Kjo është një shenjë e vendosmërisë së Shqipërisë për të qenë pjesë e përpjekjeve të koordinuara europiane në përballjen e flukseve të parregullta migratore”, tha z. Lleshaj.

Më tej ai bëri të njohur faktin se në shtator 2018 është lançuar Strategjia Kombëtare për Menaxhimin e Migracionin dhe Plani i Veprimit që e shoqëron, të cilat janë në hapat e fundit të finalizimit dhe pritet të miratohen në Këshillin e Ministrave. Ministri nënvizoi se Shqipëria, duke qenë në zonën mesdhetare, duhet të përballet me sfida të tjera siç janë krimi i organizuar transnacional, kthimi i luftëtarëve terroristë të huaj në vendet e origjinës dhe ekstremizmi i dhunshëm.

Pasi shprehu miratimin e deklaratës së përbashkët të Ministerialit, Lleshaj tha se “Qeveria shqiptare është e bindur se vetëm me bashkëpunim dhe partneritet të forcuar, mund të adresojmë migracionin dhe sfidat e tjera të sigurisë. Ne duam dhe mbetemi të angazhuar në promovimin e migracionit të rregullt, duke mbrojtur njëherësh të drejtat e migrantëve dhe refugjatëve, si dhe sigurinë e vendeve dhe popujve tanë”.