Francë/Ministri Lleshaj pritet nga homologu Castaner - Ministria e Brendshme
Postuar më: 27/03/2019

Francë/Ministri Lleshaj pritet nga homologu Castaner

Njoftim i përbashkët për shtyp i Ministrisë së Brendshme franceze dhe Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë

(Njoftimi ne frengjisht – KLIKO)

Ministri i Brendshëm i Republikës Franceze, z. Christophe Castaner, priti në zyrën e tij më 26 mars Ministrin e Brendshëm të Republikës së Shqipërisë, z. Sandër Lleshaj.

Në kuadër të procesit të përafrimit të Shqipërisë të Shqipërisë me Bashkimin Evropian, të dy ministrat biseduan për çështjet e migracionit dhe ato të sigurisë dhe luftës kundër kriminalitetit të organizuar. Castaner dhe z. Lleshaj bënë bilancin e aksionit të përbashkët të ndërmarrë në kuadër të Planit të Veprimit franko-shqiptar që prej korrikut 2017 për të luftuar kundër imigracionit të parregullt shqiptar në Francë.

Ata shprehën kënaqësinë e tyre për aksionin e ndërmarrë nga Shqipëria për eliminimin e fluksit të migracionit të parregullt, veçanërisht për masat e ndalimit në nisje në 35.000 raste që paraqisnin rrrezik migracioni, masat për informim mbi kushtet e qëndrimit në hapësirën Schengen, vendosjen e oficerëve shqiptarë të ndërlidhjes pranë strukturave të Ministrisë së Brendshme franceze në kuadër të marrëveshjes së nënshkruar mes Francës dhe Shqipërisë, si edhe bashkëpunimit të vendosur për lehtësimin e ripranimit në Shqipëri të rreth 3.200 shtetasve shqiptarë në situatë të parregullt në Francë gjatë vitit 2018.

Të dy ministrat sollën në vëmendje gjithashtu aksionin e ndërmarrë nga Franca, në mbështetje pikërisht të kontrollit të nisjeve të parregullta nga Shqipëria, për të siguruar kontrollet e qytetarëve shqiptarë në hyrje të kufijve francezë, dhe për të ulur atraktivitetin e kërkesës për azil për qytetarët shqiptarë në Francë, duke mbajtur parasysh që Franca e konsideron Shqipërinë vend me origjinë të sigurtë, dhe për të mbështetur veçanërisht përpjekjet e ndërmarra nga Zyra e Mbrotjtjes së Refugjatëve dhe Apatridëve (OFPRA) për trajtimin me prioritet dhe kohë të shkurtuar të kërkesave për azil nga Shqipëria.

Gjatë takimit, z. Castaner dhe z. Lleshaj ranë dakord për të përforcuar aksionin e përbashkët. Të dy ministrat u dakordësuan veçanërisht për masat e mëposhtme:

  • forcimin e këmbimit të informacionit dhe të statistikave mes Francës dhe Shqipërisë dhe ngritjen e grupeve të punës ndërmjet administratave përkatëse për të forcuar luftën kundër rrjeteve të trafikantëve dhe të kriminalitetit të organizuar transnacional, si edhe shtimin e numrit të operacioneve të koordinuara për çmontimin e rrjeteve të kriminalitetit të organizuar transnacional;
  • intensifikimin e koordinimit për trajtimin e çështjes së të miturve të pashoqëruar shqiptarë në Francë, si dhe për forcimin e kontrollit në nisje nga territori shqiptar të të miturve të moshës mbi 16 vjeç;
  • garantimin e zbatimit në Francë të dispozitave, të hyra në fuqi më 1 janar 2019, të ligjit të 10 shtatorit 2018 lidhur me imigracionin e kontrolluar, për të drejtën për azil efektiv dhe integrimin e sukesshëm, me qëllim përshpejtimin si të procedurave të azilit ashtu edhe të procedurave të largimit nga territori francez të qytetarëve shqiptarë të cilëve u është refuzuar e drejta e azilit;
  • uljen e atraktivitetit të kushteve materiale të pritjes në Francë nëpërmjet rishqyrtimit të modaliteteve të dhënies së ndihmës për azilkërkuesit (ADA);
  • rritjen e numrit të largimeve të qytetarëve shqiptarë në situatë të parregullt në Francë, nëpërmjet rritjes së numrit të masave për detyrim largimi nga territori francez dhe shtimit të numreve të fluturimeve të kthimeve në grup me qëllim ripranimin në Shqipëri.

Christophe Castaner u shpreh se “aksionet e ndërmarra bashkërisht ndërmjet Shqipërisë dhe Francës deri më sot kanë dhënë prova të prekshme me uljen prej 25% të kërkesës për azil të shqiptarëve në Francë për vitin 2018. Niveli i pajustifikueshëm i kësaj kërkese duhet të vazhdojë të ulet edhe më tej, ky është edhe qëllimi i vendimeve të forta që kemi marrë sot me homologun tim Sandër LLeshaj. Me ftesë të tij, unë do të vizitoj Shqipërinë në muajt e ardhshëm për të parë së bashku zbatimin e këtyre masave”.

Sandër Lleshaj u shpreh se “bashkëpunimi i paprecedent që kemi vendosur me Francën është në vazhdën e partneritetit të ndërtuar ndërmjet Shqipërisë dhe Francës nga Kryeministri Edi Rama dhe Presisdenti i Republikës Emmanuel Macron. Ky bashkëpunim është dëshmi e vullnetit të Shqipërisë për të qenë partnere e përgjegjshme për të mundësuar një bashkëpunim të ngushtë me partnerët evropianë”.

Të dy ministrat shprehën gjithashtu kënaqësinë për progreset e realizuara nga Shqipëria në vënien në jetë të reformave të ndërmarra në kuadër të përafrimit ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.

 

VIDEO – Prononcimi i ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj, pas takimeve që zhvilloi me homologun e tij francez, Christophe Castaner, në Ministrinë e Jashtme dhe drejtues të Policisë Kombëtare dhe Xhandarmërisë franceze:

Pata kënaqësinë që të takoj e të zhvilloj një bisedë të gjatë me Ministrin Castaner dhe delegacionin e tij, ku trajtuam çështje të rëndësishme të bashkëpunimit midis dy Ministrive tona.

Konstatoj me kënaqësi që bashkëpunimi midis Ministrisë së Brendshme të Francës dhe të Shqipërisë është në nivel të shkëlqyer, ashtu siç u konfirmua edhe nga Ministri francez.

Patëm rastin të bëjmë një bilanc të bashkëpunimit të deritanishëm në tërësi dhe të hedhim piketat për thellimin e tij në të ardhmen.

Ky bashkëpunim do të njohë një intensifikim dhe shtrirje të gjerë dhe shpresoj që takimin e ardhshëm, që do të zhvillojmë me Ministrin francez, në një vizitë të tij të shpejtë të ardhshme në Tiranë, do të kemi mundësinë që ta thellojmë më tej atë që kemi nisur sot.

Me rëndësi të veçantë trajtuam edhe çështjen e emigracionit të paligjshëm. Konstatuam se kjo ende mbetet një çështje me rëndësi në marrëdhëniet midis dy palëve. Fatkeqësisht ekziston ende një numër shqiptarësh që aplikojnë pa shpresë, por gjithsesi aplikojnë për marrjen e azilit në Francë. Nga pala franceze dhe nga pala jonë u theksua që kushtet për kërkim azili në Francë nuk ekzistojnë.

Shqipëria konsiderohet vend i origjinës së sigurt dhe shanset për marrjen e azilit në Francë janë pothuajse zero. Me këtë rast u zhvilluan edhe bisedime për ndërtimin e mekanizmave të caktuar në shërbim të parandalimit të këtij fenomeni.

Takime dhe bisedime të rëndësishme zhvillova në disa institucione të Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Jashtme në Francë.

Patëm takime me Policinë dhe Xhandarmërinë franceze ku diskutuam për rritjen dhe intensifikimin e mëtejshëm të bashkëpunimit midis institucioneve përkatëse të sigurisë franceze dhe shqiptare, për çështje të interesit të përbashkët si lufta kundër krimit të organizuar, kundër migracionit të paligjshëm, kundër trafiqeve si dhe për bashkëpunimin në interes të zhvillimit të kapaciteteve të reja të Policisë shqiptare dhe strukturave të tjera të sigurisë.

Gjeta një mirëkuptim të plotë në Policinë franceze, në Xhandarmërinë franceze për të thelluar bashkëpunimin në këto fusha.

Me rëndësi të veçantë ishte edhe takimi në Ministrinë e Jashtme franceze ku diskutuam kryesisht çështje të integrimit europian të Shqipërisë.

Mora mbështetje të rëndësishme nga autoritetet franceze të Ministrisë së Punëve të Jashtme për qëndrimin francez në mbështetje të procesit integrues të Shqipërisë. Ne dhamë garancitë e nevojshme se procesi i reformave, kryesisht reforma në drejtësi, dhe në fusha të tjera do të vijojnë me intensitetin e duhur, në interes të përshpejtimit të të gjithë procesit, me shpresën e madhe që vendimi i pritshëm për hapjen e negociatave të merret në favor të Shqipërisë në muajin qershor.
Faleminderit!