Elbasan – “Forca e Ligjit”, finalizohet operacioni policor “KRASTA” - Ministria e Brendshme
Postuar më: 14/06/2019

Elbasan – “Forca e Ligjit”, finalizohet operacioni policor “KRASTA”

VIDEO  Elbasan – “Forca e Ligjit”, finalizohet operacioni policor “KRASTA”

  • Zbardhen dhe dokumentohen me prova ligjore 3 ngjarje kriminale të ndodhura më parë
  • Goditet edhe një rast korrupsioni i kryer nga punonjës shtetërorë të Autoritetit të Mediave Audiovizive dhe të sektorit privat
  • Sekuestrohen një sërë sendesh të kundra ligjshme

Në datë 14.06.2019, në kuadër të operacionit “FORCA E LIGJIT”, nga Njësia Hetimore pranë Task Forcës Speciale Qendrore, në Departamentin e Policisë Kriminale, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan, pas një hetimi një vjeçar, në bashkëpunim më Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan, forcat speciale RENEA, FNSH, sot në orët e para të mëngjesit kanë zhvilluar operacionin policor të koduar “KRASTA”,  për të bërë të mundur ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan të masave të sigurimit personal “Arrest me Burg” dhe kontrollin e banesave e ambienteve për llogari të hetimeve të procedimeve penale të rifilluara, si më poshtë:

Procedimit penal nr. 40 të vitit 2006, i regjistruar për veprat penale të “Vrasjes me paramendim mbetur tentativë”, “Mbajtjes pa leje armëve dhe municionit luftarak” parashikuar nga nenet 78-22, 278/2 të Kodit Penal, që bën fjalë për tentativën e vrasjes së shtetasit F.M, ngjarje e ndodhur më datë 30.01.2006 në Elbasan.

Procedimit penal nr. 1121/2012, i regjistruar për veprat penale të “Vrasjes në rrethana cilësuese e kryer në bashkëpunim”, “Mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak” parashikuar nga nenet 79/dh-25, 278/2 të Kodit Penal, që bën fjalë për vrasjen e shtetasit G.B (alias A.M) dhe të babait të tij shtetasit N.B, ngjarje e ndodhur më datë 15.08.2012,  në lagjen “Çlirimi” Elbasan.

Procedimit penal nr. 627-2013, i regjistruar për veprat penale të “Heqjes së paligjshme të lirisë”, “Plagosjes më dashje”, “Mbajtje pa leje te armëve dhe municioneve luftarake” parashikuar nga nenet 88, 110/2, 278/2 të Kodit Penal, ngjarje e ndodhur në datë 19.04.2013 në qytetin e Elbasanit.

Si rezultat i hetimeve intensive për këto ngjarje të kryera nga kjo njësi në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan, është bërë e mundur që të tre këto ngjarje të zbulohen dhe të dokumentohen me prova ligjore, dhe konkretisht:

Për procedimin penal nr. 40 viti 2006 nga hetimet e zhvilluara ka rezultuar se, autor i kësaj ngjarje është shtetasi F.Ç., 38 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan lagjia “Emin Matraxhiu”. Për këtë shtetas u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, me vendimin nr. 477 datë 11.06.2019,  për të cilin ishte caktuar masa e sigurimit “Arrest me burg” i dyshuar për veprat penale të “Vrasjes me paramendim të mbetur tentativë” dhe “Mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”.

Për procedimin penal nr. 627 viti 2013 nga hetimet e zhvilluara ka rezultuar se autorë të kësaj ngjarje janë shtetasit:

  • M.L. (alias S.Ç), 31 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan “Lagjia 5 Maji”, aktualisht person i shpallur në kërkim për një tjetër vepër penale;
  • E.Ç, 30 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan, aktualisht i ndaluar për një vepër tjetër penale dhe vendimi ndaj këtij shtetasi u ekzekutua në ambientet e IEVP Elbasan.

Për procedimin penal nr. 1121, viti 2012 nga hetimet e zhvilluara ka rezultuar se autorë të kësaj ngjarje janë shtetasit:

  • E.B, 38 vjeç, lindur në Kavajë dhe banues në Elbasan, “Lagjia Shënkoll”, i cili është shpallur në kërkim;
  • E.C., 28 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan “Lagjia Çlirimi”, i cili është shpallur në kërkim.

Në kuadër të hetimeve të kryera mbi procedimin penal nr. 627 viti 2017, është bërë e mundur të dokumentohet aktiviteti jashtëligjshëm në lidhje me disa veprime korruptive, të kryera nga punonjës shtetërorë të Autoritetit të Mediave Audiovizive dhe të sektorit privat.

Si rezultat i hetimeve u arrit që përmes provave ligjore të dokumentohej aktivitetit korruptiv i shtetasve të mëposhtëm, si dhe u ekzekutuan  vendimet e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan për të cilët është caktuar masa e sigurisë “Arrest me Burg” për veprat penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” dhe “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”, parashikuar nga nenet 244, 245/1,2, dhe 149/a:

  • B.K., 39 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan
  • A.B., 61 vjeç, lindur e banues në Elbasan
  • A.N., 67 vjeç, lindur Sarandë dhe banues në Tiranë
  • S.M., 40 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë
  • I.H., 51 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë
  • A.D., 34 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan
  • SH.S., 38 vjeç, lindur dhe banues në Labinot Mal, Elbasan, i cili u shpall në kërkim
  • E.T., 40 vjeç, lindur dhe banues në Tropojë.

Në vijimi të ekzekutimeve të vendimeve për kontrollet e banesave dhe ambienteve, janë gjetur e sekuestruar në cilësinë e provës materiale sendet si më poshtë:

  • Revolver “Nagant” me mulli , me gjashtë fishekë, kalibër 9 mm.
  • Pistoletë gjysëm automatike e markës “Zoraki”, me gjashtë fishekë, kalibri 7.65 mm
  • Nje krehër pistolete TT, me katër fishekë, model 54.
  • 26 copë fishekë, model 54.
  • 4 jelekë antiplumb
  • Një shkop metalik nga ata me hapje me stampo police USING
  • Një portofol lëkure me stampe policia e shtetit.
  • 7 palë targa automjetesh, shqiptare dhe të huaja.
  • 4 radio marrëse dhe dhënëse
  • Një peshore elektronike
  • 735 gr. lëndë narkotike e dyshuar marijuanë, e paketuar në atë formë e përgatitur për tu tregtuar.
  • telefona celular, një prej tyre satelitor.

Gjithashtu nga kontrollet e banesave si rezultat i sendeve të paligjshme  të gjetura në banesa është bërë dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve H.Gj (S), 40 vjeç, për veprat penale “Mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve, lëndëve shpërthyese dhe i municionit”, “Prodhimi, mbajtja dhe shitja pa leje e armëve të ftohta”, dhe “Mbajtja pa të drejte e uniformës”, vepra të parashikuara nga nenet, 278, 279 dhe 247 të Kodit Penal.

Si dhe është shpallur në kërkim shtetasi Q.H, 25 vjeç, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e Narkotikëve” vepër e parashikuar nga neni 283 i Kodit Penal.

Në përfundim ju bëjmë me dije se vijojnë hetimet intensive në lidhje me një numër ngjarjesh të vjetra të ndodhura në Qarkun e Elbasanit dhe Tiranës, duke bashkëpunuar me autoritet e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan.