Ministria e Brendshme në 1 javë – Buletin nr. 94 - Ministria e Brendshme
Postuar më: 15/07/2019

Ministria e Brendshme në 1 javë – Buletin nr. 94

Raporti Javor Nr.94 – VIDEO

8 – 14 korrik 2019

Përurohen ambientet e reja të stacionit të Policisë Kufitare në PKK Hani i Hotit

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj mori pjesë në ceremoninë e përurimit të ambjenteve të reja të stacionit policor në PKK Hani i Hotit në Shkodër. Në këtë takim ai shoqërohej nga Drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veli, Prefekti i Qarkut, Ambasadori i Shqipërisë në republikën e Malit të Zi dhe autoritete të tjera shtetërore. Duke theksuar rëndësinë që kanë pikat e hyrjes në kufi për vendin tonë, Lleshaj tha “jam sot këtu, më shumë për të dhënë një mesazh që ne duhet t’i përmirësojmë portat e hyrjes së Shqipërisë. Qeveria shqiptare është e angazhuar që portat e hyrjes së Shqipërisë të jenë moderne, dinjitoze dhe funksionale, të lira për kalim të rregullt dhe të jenë të pakalueshme për kalimin e parregullt”. Ministri përmendi rëndësinë që ka faza e kompletimit me personelin e duhur që duhet të kenë profesionalizmin e duhur dhe integritet njerëzor. “E rëndësishme është që ne t’i përgjigjemi me një nivel shumë të lartë profesionalizmi dhe integriteti. Janë dy kritere të cilat janë të pashmangshme, që duhet të karakterizojnë çdo punonjës të Policisë së Shtetit të tërësi, por sidomos punonjësit e Policisë Kufitare, të cilët duhet të jenë në lartësinë e këtij misioni shumë të rëndësishëm. Ai theksoi më tej se “Këto investimeve kanë një impakt të rëndësishëm mbi turizmin në vend. Turizëm i cili po zhvillohet me një ritëm të kënaqshme dhe duke marrë në konsideratë klimën jo krejt të favorshme që kemi pasur gjatë gjysmës së parë të këtij viti. Ne kemi një rritje pothuajse 10% në krahasim me vitin e kaluar të fluksit turistik në pikat tona të kalimit kufitar”. Ministri solli në vëmendje të të pranishmëve faktin që në disa pika të tjera kufitare të vendit, ekziston një gjendje problematike, me infrastrukturë të mbetur që nga vitet ’80-të të shekullit të kaluar, kur në këto pika nuk kalonte pothuajse askush. Duke marrë fjalën, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Ardi Veliu vuri në dukje se “Ky stacion i Policisë Kufitare, ka një objekt bashkëkohor, ku krahas zyrave për akomodimin e personelit, siguron edhe ambientet për shërbimin e qytetarëve, bllokun e dhomave të shoqërimit për meshkuj, femra e të mitur, zyrën e marrjes së kallëzimit/intervistimit, dhomën e mjekut, zyrën procedurale, sallën e “IT”-së, ambientet për regjimin e uniformës (meshkuj, femra), magazinat dhe ambientet ndihmëse, arkivin, sallën e mbledhjeve dhe parkingun. Është realizuar sistemimi i jashtëm, duke u unifikuar me sistemimin e kryer nga delegacioni Evropian, si dhe ndriçimi i jashtëm, vëzhgimi me kamera, etj., duke krijuar një ambient funksional dhe estetik bashkëkohor”. Ky është investimi i dytë i këtyre përmasave gjatë këtyre dy viteve të fundit në pikat e kalimit të Kontrollit Kufitar, pas investimit të bërë në Morinë.

Hapet Zyra e Oficerit Ndërlidhës së EUROPOL në Tiranë

Në Tiranë është hapur Zyra Ndërlidhëse e EUROPOL-it. Një oficer i kësaj agjencie do të punojë në një zyrë të posaçme në Policinë e Shtetit. Në ceremoninë zyrtare të hapjes ishin të pranishëm Ministri Lleshaj, Drejtorja Ekzekutive e EUROPOL-it, Catherine De Bolle, Ambasadori i BE-së në Tiranë Luigi Soreca, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu dhe oficerë ndërlidhës të vendeve partnere. Ministri  Lleshaj tha se hapja e Zyrës Ndërlidhëse të EUROPOL-it në Tiranë, e para në rajon, është dëshmi e angazhimit të vazhdueshëm për të parandaluar dhe trajtuar krimin e organizuar dhe kërcënimet që rrjedhin nga ky fenomen. “EUROPOL hapi sot në Shqipëri të parën zyrë në rajon dhe të dytën pas Uashingtonit. Një lajm i rëndësishëm për integrimin europian të vendit dhe për luftën kundër krimit të organizuar”. Duke folur rreth bashkëpunimit me këtë agjenci, Ministri nënvizoi se “Bashkëpunimi në luftën kundër krimit të organizuar kërkon kapacitete profesionale, kapacitete teknike dhe organizative, kanale të sigurta komunikimi etj. Por mbi të gjitha ai kërkon besim. Besim reciprok, i cili mund të krijohet dhe të forcohet vetëm nëpërmjet punës së përbashkët si kjo që po nisim dhe sot me EUROPOL. Besimin duhet vetëm ta fitojmë. Atë as nuk mund ta blejmë, as nuk mund ta marrim donacion nga partnerët tanë. Duhet ta fitojmë vetë. Jam i bindur se hapja e Zyrës së EUROPOL-it në Tiranë do të intensifikojë më tej bashkëpunimin midis shteteve anëtare të BE-së dhe Shqipërisë si dhe do të kontribuojë për forcimi e besimit reciprok mes përfaqësuesve të agjencive tona ligj zbatuese”. Asistenca e EUROPOL-it në përmirësimin e analizës së informacionit kriminal në përgjithësi, si edhe përfshirja e Policisë së Shtetit në hetimet dhe operacionet e përbashkëta, është një objektiv që po ndiqet me vendosmëri e këmbëngulje, në luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit ndërkombëtar, trafikut të lëndëve narkotike dhe migracionit të paligjshëm, tha Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu.

Korçë/Inspektim në zyrën e aplikimit. Doracaj: Aplikoni sa më parë, që të mos krijohen radhë pritjeje!

Në Bashkinë e Korçës janë hapur dy ambiente të reja për aplikim për dokumente biometrike, në mënyrë që qytetarët të mund të marrin një shërbim sa më cilësor dhe të shpejtë në kohë. Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, Bledar Doracaj, Prefekti i Qarkut Korçë, Dhori Spirollari, drejtuesi i Kompanisë Koncesionare Jean Alean, të shoqëruar nga nënkryetari i Bashkisë Korçë, Kletion Kita, kanë inspektuar nga afër sportelet e reja. Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, Bledar Doracaj, duke vlerësuar angazhimin e Bashkisë Korçë dhe kompanisë koncesionare në këtë proces, u shpreh se tashmë qytetarëve të Korçës, ashtu si dhe në të gjitha bashkitë e tjera të vendit, do t’iu ofrohet një shërbim tejet komod. “Këto zyra aplikimi u ngritën falë bashkëpunimit të shkëlqyer që Ministria e Brendshme, Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, ka me Bashkinë e qytetit të Korçës, me kompaninë koncesionare me Prefekturën gjithashtu, për t’iu ofruar qytetarëve shqiptarë, kushte sa më të mira aplikimi për ID kartë dhe pasaportë biometrike”, u shpreh Doracaj. Në të njëjtën kohë ai ka apeluar që qytetarët, të cilëve u ka përfunduar afati i vlefshmërisë së kartave të identiteti, të aplikojnë sa më parë në mënyrë që të mos krijojnë radhë pritjeje. Nënkryetari i Bashkisë Korçë , Kletion Kita, theksoi në fjalën e tij se Bashkia është e gatshme të ofrojmë edhe ambiente të tjera, në rast se do të të krijohet fluks aplikimesh, në mënyrë që qytetarët të mos presin në radhë për të aplikuar.

Kuko intervistë në “Vizion Plus”: Policia e Shtetit ka nevojë për rigjenerim të radhëve të saj

Zv.ministrja e Brendshme Romina Kuko, e ftuar në emisionin “7pa5”, ka folur për prurjet e reja që do të ketë në “Akademinë e Sigurisë”, mënyrën se si do të bëhet aplikimi dhe kushtet e kërkuara, shtysat dhe nevojat për të bërë rifreskim të trupës së Policisë së Shtetit. Kuko sqaroi se policia ka nevojë gjithmonë për rifreskim në staf e prurje të reja, duke qenë se trupa e Policisë së Shtetit përbëhet prej mbi 10 mijë personash. Duke folur rreth aplikimit dhe procedurave që ndiqen, ajo u shpreh “janë hapur dy faza për Akademinë e Sigurisë, bëhet fjalë për Patrullën e Përgjithshme, si dhe për personat të cilët kanë mbaruar ciklin e parë apo të dytë të studimeve universitare dhe janë “ekselentë” sidomos në fushat e studimeve juridike, ekonomike dhe të teknologjisë së informacionit. Bëhet fjalë për një rifreskim të Patrullës së Përgjithshme, duke qenë se kërkesat në territor për të pasur një shërbim të tillë, janë shumë të larta. Numri i mungesave shkon në 500 vakanca në Akademinë e Sigurisë. Gjithë kjo po bëhet në kuadër të një reformimi të tërë, një kombinim i përgjithshëm, duke filluar nga reforma në Akademinë e Sigurisë, një sistem i ri shkollimi, tek procesi i vetingut në Policinë e Shtetit, që krijon nevoja të reja për të mbuluar vakancat. Po shikohet për një skemë të re pensionesh ku policia të ketë mundësinë e një pensioni të hershëm, e gjithë kjo për të rinuar organizatën e policisë”, tha zv.ministrja Kuko. Lidhur me afatet që duhet të përmbushin aplikantët Kuko sqaroi se “aplikanët për Patrullën e Përgjithshme duhet të dorëzojnë dosjet e tyre manualisht deri në 3 gusht.  Lidhur me ekselentët, që kanë mbaruar universitetet, sqaroj që jepet mundësia të bëhen pjesë menjëherë pa kaluar gradat e tjera. Kjo sepse ka kërkesa të reja, kanë ndryshuar format e krimit, krimi kibernetik, pra krimi është bërë më i sofistikuar”. Sipas Kukos, faza tjetër pas dorëzimit të dokumentacionit do vijojë nga komisioni përkatës, i cili do shqyrtojë dosjet paraprakisht nëse janë përmbushur si duhet kushtet, kriteret e kërkuara për të vazhduar më tej fazën e aplikimit.

Zv.Ministri i Brendshëm Julian Hodaj flet për vetingun në radhët e Policisë së Shtetit

Gjatë një interviste me disa televizione, zv.ministri i Brendshëm, Julian Hodaj, ka sqaruar disa nga fazat e procesit të quajtur si vetting në radhët e Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe SHÇBA. Ai nënvizoi se në këtë proces janë shumë të rëndësishme kriteret e integritetit dhe ato të pasurisë, të cilat në rast mosplotësimi, sjellin largimin e menjëhershëm nga radhët e policisë. Hodaj tha se të gjithë oficerët e Policisë së Shtetit që do të largohen për shkak të vetingut, nuk kanë asnjë mundësi për t’u rikthyer sërish brenda radhëve të uniformave blu, fakt ky që parashikohet në ligjin për policinë. Në lidhje me kohën kur do të nisë ky proces, dhe afatet e parashikuara, ai u shpreh se “Në fillim të muajit gusht pritet të shqyrtohen dosjet për 45 personat e parë që do t’i nënshtrohen procesit të vetingut”. Hodaj deklaroi më tej se për 245 oficerët që kanë gradat më të larta, procesi i vetingut parashikohet të përfundojë deri në qershor të 2020-ës. Procesit të vettingut, për të tre komponentët, integritetin, pasurinë dhe profesionalizmin do t’i nënshtrohen rreth 11 mijë efektivë policie. I pari që do të dalë para komisionit është Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, e më pas vartësit e tij, si dhe punonjës së Gardës së Republikës e të Shërbimit për Çështjet e Brendshme e Ankesave. Ndryshe nga procesi i rivlerësimit në gjyqësor, Hodaj tha se nëse një oficer ka integritet dhe justifikon pasurinë, por nuk ka profesionalizmin e duhur, atëherë nuk do të shkarkohet, por do të marrë trajnimin e duhur në Akademinë e Sigurisë.

Studentët e Akademisë së Sigurisë pajisen me Kartën e Studentit

Më shumë se gjysma e studentëve që ndjekin studimet në Akademinë e Sigurisë, janë pajisur tashmë me “kartën e studentit”, e cila aplikohet për herë të parë në të gjithë vendin. Në një takim të zhvilluar me studentët në ambjentet e Akademisë së Sigurisë, Zv. ministri i Brendshëm, Julian Hodaj, falënderoi Bashkinë e Tiranës për bashkëpunimin e saj në pajisjen me karta të studentëve të kësaj akademie. Ai u shpreh gjithashtu se janë duke nisur nga puna për ngritjen e kampusit të ri, në bashkëpunim me bashkinë. “Po fillojmë punën me Bashkinë e Tiranës për kampusin e ri të Akademisë dhe shpresojmë që të kemi sërish një produkt cilësor të integruar në kampusin e Qytetit Studenti”, deklaroi Hodaj. Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i pranishëm në këtë takim, vlerësoi së tepërmi punën e Policisë së Shtetit, sidomos në ruajtjen dhe rendit publik. Ai tha ndër të tjera se “falë punës së përditshme të forcave të rendit dhe të oficerëve që nxjerr Akademia, Tirana është sot një nga qytetet më të sigurta në Europë dhe me nivel kriminaliteti shumë të ulët”. Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Sigurisë, Bilbil Mema shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e Bashkisë së Tiranës për këtë shkollë, duke vënë në dukje se bashkëpunimi mes dy institucioneve do të vijojë edhe në projekte të tjera.

MB drafton projektligjin “Për trajtimin financiar me pension shërbimi të punonjësve të Policisë së Shtetit që ndërpresin marrëdhëniet e punës”

Ministria e Brendshme ka hartuar projektligjin “Për trajtimin financiar me pension shërbimi të punonjësve të Policisë së Shtetit që ndërpresin marrëdhëniet e punës”, i cili ka për qëllim tu garantojë efektivëve të Policisë së Shtetit, që ndërpresin marrëdhëniet e punës, trajtim financiar për pension shërbimi. Miratimi i këtij projektligji është i domosdoshëm për faktin e Policia e Shtetit, përballet gjatë punë së përditshme me një rrezikshmërie e vështirësie shumë të lartë në raport me detyrat institucionale që kanë strukturat e tjera shtetërore që aktualisht janë subjekte të ligjit për pensionet e ushtarakëve. Nga viti 1991 dhe në vazhdim kanë humbur jetën në krye të detyrës 223 punonjës policie dhe janë plagosur 248;  gjatë këtyre viteve ka dhe punonjës policie të vrarë apo plagosur pas ndërprerjes së karrierës nga elementë kriminal, që janë vetëvrarë apo kanë pësuar trauma të rënda psikike/psikologjike për shkak të kryerjes së detyrave të vështira dhe specifike, duke sjellë paaftësinë e tyre për punë në Policinë e Shtetit në një moshë relativisht të re. Për më tepër, punonjësi i policisë, për vetë natyrën e punës në këto struktura, e ka të limituar periudhën e ushtrimit të detyrave të cilat kërkojnë aftësi të larta fizike dhe rrjedhimisht do të largohen nga strukturat e policisë, para arritjes së moshës për pension pleqërie. Ndërkohë, që punësimi i tyre në shërbimet e tjera publike/private është thuajse i pamundur, pasi mosha dhe arsimimi i tyre ndikojnë ndjeshëm në një mundësi të tillë.  Nevoja e trajtimit financiar dinjitoz të punonjësit të policisë siç përcaktohet në këtë projektligj, pas ndërprerjes së marrëdhënies së punës, buron edhe nga dispozitat e neneve 46 dhe 49 të ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, në të cilat përcaktohet se nëse punonjësi i policisë, pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, ndërpret marrëdhënien e punës dhe përfiton pension të parakohshëm suplementar apo pension shërbimi, nuk ka të drejtë të rikthehet në Polici. Në nenin 46, pika 3, përcaktohet se punonjësit, të cilit i shkurtohet funksioni organik në kuadër të pakësimit të limitit të përgjithshëm organik të policisë dhe nuk ka vend të lirë për gradën që mban, i ofrohet një funksion i një niveli më të ulët, duke ruajtur gradën për një periudhë deri në një vit. Pas kalimit të këtij afati, në pamundësi sistemimi për gradën që ka, punonjësi lirohet nga policia dhe duhet të trajtohet sipas kritereve të përcaktuar në këtë projektligj. Aktualisht, mosha mesatare e punonjësve të policisë është 45.6 vjeç. Me miratimin e këtij projektligji për një periudhë prej 3 vitesh mosha mesatare e punonjësve të policisë ulet në 44.1 vjeç.  Projektligji është një garanci për punonjësit e policisë që janë në marrëdhënie pune dhe miratimi i tij do të ndikojë, në cilësinë e punës dhe të performancës së punonjësve të policisë në detyrë, në rezultatet në luftën kundër krimit në përgjithësi dhe krimit të organizuar në veçanti, në treguesit e luftës kundër korrupsionit si brenda dhe jashtë policisë, si dhe në objektivitetin e zbatimit të ligjit.

Veliu – Henzler: Bashkëpunimi i deritanishëm në nivele të shkëlqyera

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit priti në një takim Zv/presidentin e Policisë Federale Kriminale Gjermane, z. Peter Henzler. Forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar, mbështetja e projektit “ORKA” për identifikimin dhe goditjen e aktivitetit kriminal midis grupeve shqiptare dhe rezidentëve gjermanë, si dhe konfiskimi i pasurive të paligjshme, ishte fokusi kryesor i takimit. Gjatë takimit, Veliu vlerësoi bashkëpunimin e shkëlqyer mes dy policive ndër vite, në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar në tërësi, nënvizuar si të vyer ndihmën dhe mbështetjen e dhënë Policisë Shqiptare në lidhje me trajnimet e ofruara, për rritjen profesionale dhe të kapaciteteve të burimeve njerëzore në Policinë e Shtetit, shkëmbimin e informacionit në kohë reale nëpërmjet kanaleve zyrtare të komunikimit Interpol/Europol, ndihmën për hetimin e përbashkët të disa grupeve kriminale me aktivitet kriminal në të dyja vendet tona, bashkëpunimin intensiv me oficerin e kontaktit gjerman në Shqipëri, Herbert Massen dhe ndihmën për ngritjen e Task-Forcës “Antiskifter”. Henzler theksoi se “Bashkëpunimi ndërkombëtar, shkëmbimi i informacionit në kohë reale në kuadër të luftës kundër krimit në tërësi, nisja e hetimeve të përbashkëta për grupet kriminale, të cilët kthehen në Shqipëri apo vazhdojnë aktivitetin e tyre jashtë vendit, është me rëndësi dhe ne do të vijomë t’ju mbështetim në punën tuaj në këtë drejtim. Përgëzoj Policinë e Shtetit për bashkëpunimin e deritanishëm në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar, e cilësoj një institucion serioz, të përkushtuar dhe partner të besuar të Policisë Gjermane. Ju falënderoj juve Drejtor dhe gjithë ekipin tuaj për gatishmërinë, për të qenë në dispozicion me të gjitha kapacitetet e Policisë në mbështetje të projektit ORKA”. Veliu informoi z.Henzler se në PSH është krijuar Departamenti i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, i cili ka prioritet bashkëpunimin me partnerët dhe ndjekjen e hetimeve të përbashkëta, përshpejtimin e procedurave të hetimit duke fshirë barrierat që kanë ekzistuar, për të arritur qëllimin e përbashkët.

OPERACIONE POLICORE

Vihet në pranga 34-vjeçari rus i kërkuari për terrorizëm

Drejtoria e Anti-terrorit në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese partnere dhe ato të inteligjencës, si dhe me Interpol Tirana kanë finalizuar në sukses një operacion për vënie në pranga një 34 – vjeçar rus i kërkuar për “Pjesëmarrje në organizatë terroriste”. Drejtoria e Anti-terrorit në Policinë e Shtetit, pas një pune disamujore, duke koordinuar veprimet me shërbimet ligjzbatuese partnere dhe ato të inteligjencës, lokalizoi, identifikoi dhe arrestoi me qëllim ekstradimin drejt Rusisë, një 34-vjeçar rus që kishte ardhur si emigrant i paligjshëm në Shqipëri dhe ishte shpallur në kërkim nga Interpol Moska. Në Qershor të vitit 2013 ky shtetas është larguar nga Rusia për në Siri, ku i është bashkuar një grupimi ilegal të armatosur, të ashtuquajturit “Shteti Islamik” (ISIS), duke qenë pjesëmarrës aktiv në luftime kundër forcave qeveritare në Siri.  Materialet e para hetimore të kryera për këtë ngjarje, i janë referuar Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, për veprën penale “Pjesëmarrja në veprime luftarake në një shtet të huaj”.

Vrau policin në Lazarat, 32-vjeçari depërtohet nga SHBA

Deportohet nga SHBA-ja, një prej pjesëtarëve të grupit të strukturuar kriminal, ku pas sulmit me armë në qershor të vitit 2015 në Lazarat, mbeti i vrarë punonjësi i Policisë Ibrahim Basha, sot “Dëshmor i Atdheut”, si dhe u plagosën dy efektivë të tjerë të Policisë. Si rezultat i një operacioni 1-vjeçar bashkëpunimi i Interpol Tiranës me Zyrën e Hetimeve Kriminale, pranë Shërbimit Diplomatik të Sigurisë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Tiranë (DSS), u bë i mundur deportimi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës drejt vendit tonë, për tu përballur me organet shqiptare të drejtësisë i shtetasit shqiptar Ruhan Hiraj, 22 vjeç, banues në Lazarat, Gjirokastër. Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë në vitin 2018, e ka dënuar këtë shtetas me 15 vjet burg për veprat penale “Kundërshtim i punonjësit të Policisë së Rendit publik me dhunë”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Prodhimi i armëve luftarake“, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, “Pjesëmarrja në bandën e armatosur”.

Bulqizë, tre në pranga për kultivim të bimëve narkotike

Finalizohet me sukses operacioni policor “Ballenjë-2019” në kuadër të parandalimit, evidentimit dhe goditjes së veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike. Në vijim të kontrollit të pandërprerë të territorit , si dhe në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, se në malin e Ballenjës, njësia administrative Martanesh, disa persona po përgatiteshin për të kultivuar bimë narkotike, nga ana e Komisariatit të Policisë Bulqizë, u organizuan shërbime sekrete, dhe si rezultat u finalizua me sukses operacioni policor “Ballenjë-2019” , duke arrestuar në flagrancë 3 shtetas, të cilëve iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale:  Një armë zjarri automatik model 56, me 30 fishek ; 1324 kubik(gota plastike), të mbjella të dyshuara me fara cannabis sativa; Vegla pune, tuba plastike që do shërbenin për kultivimin në tokë të fidanëve që u gjetën në gotat plastike.  Materialet hetimore iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhim dhe shitja e narkotikëve”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” kryer në bashkëpunim.