Inaugurohet Zyra e Shërbimit për Qytetarët në Komisariatin e Policisë së Librazhdit - Ministria e Brendshme
Postuar më: 16/07/2019

Inaugurohet Zyra e Shërbimit për Qytetarët në Komisariatin e Policisë së Librazhdit

Fjala e ministrit Lleshaj gjatë përurimit të Zyrave të Shërbimit për Qytetarët – VIDEO:

Mirëdita,

I nderuar Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit,

Zonja Burcher, përfaqësuese e Ambasadës së Suedisë në Shqipëri,

I nderuar kryetar i bashkisë së Librazhdit, z. Gurra,

Drejtor i Drejtorisë së Elbasanit,

Të nderuar zonja dhe zotërinj,

Është vërtet një kënaqësi e veçantë që gjetëm mundësinë për të ardhur, për ta inauguruar zyrtarisht këtë investim të rëndësishëm, i cili ndërkohë ka filluar punën e tij siç e përmendi edhe zv.ambasadorja e Suedisë. Edhe shiu që bie sot, këto pak pika shiu që bien sot në këtë stinë të nxehtë dhe le t’i quajmë si një shenjë bekimi dhe një ogur i mirë për të ardhmen edhe të qytetit, por dhe të Komisariatit të Policisë në Librazhd.

Kjo zyrë do t’u shërbejë rreth 82 mijë qytetarëve të Librazhdit dhe më gjerë. Siç u përmend, është pjesë e investimit të rëndësishëm të qeverisë suedeze, e cila bëhet në kuadër të një programi të madh që lidhet me Policimin në Komunitet. Është me rëndësi dhe prandaj kam ardhur ndonëse nuk duket ndonjë gjë shumë impozante dhe shumë e madhe, kam ardhur pikërisht për të theksuar rëndësinë e mesazhit që jep ky program i rëndësishëm, i pagëzuar tashmë si “Policimi në Komunitet”, përmes të cilit synohet jo vetëm të përmirësohet një infrastrukturë e rëndësishme në shërbim të qytetarëve, por më së pari synohet të mbillet një koncept i ri i policimit. Një koncept, i cili nënkupton që siguria është një produkt, që krijohet së bashku midis policisë, komunitetit, qytetarëve, shoqërisë civile dhe gjithë aktorëve të tjerë.

Si një ndër nevojat më të rëndësishme të një shoqërie  dhe të një komuniteti, siguria është e tillë, është aq komplekse sa nuk mund të ndërtohet kurrë vetëm nga policia. Policia është vetëm një ndër aktorët të cilët marrin pjesë në ndërtimin e kësaj të mire të madhe publike, që ne i themi siguria. Dhe prandaj është e rëndësishme që përmes këtij projekti suedez, jo vetëm të përmirësojmë infrastrukturën e komisariateve të policisë, por në radhë të parë  të vendosim një standard të ri dhe të mbjellim një model të ri të rëndësishëm, që do të thotë policimi në komunitet, që do të thotë siguri e krijuar së bashku me qytetarët.

Ky projekt, siç u përmend edhe më parë, është në proces në të gjithë Shqipërinë dhe pothuajse në shumicën  e qarqeve apo të bashkive të vendit, gjeni modele të ngjashme, jo kopje të njëri-tjetrit por në princip të njëjta për nga mesazhi që përcjellin. Unë gjej rastin ta falënderoj qeverinë suedeze përmes përfaqësueses së saj këtu sot, për këtë kontribut të çmuar me përmbajtje të thellë jo vetëm në kuptimin fizik por siç e përmenda dhe në kuptim të mesazhit që përcjell.

Ne shpresojmë që ky model, i cili mbillet si një lloj fare, të përhapet dhe të zgjerohet, dhe ne kemi ndërmend që në të gjitha investimet e mëdha që kemi plan të zhvillojmë në të gjithë Shqipërinë për përmirësimin e strukturës së komisariateve, ta përdorim këtë si një model i cili duhet të zgjerohet dhe të perfeksionohet më tej, me qëllimin që njerëzit të afrohen te policia, por më tepër akoma, policia të afrohet tek qytetarët, për arsye se është shumë i rëndësishëm ky dimension i policisë. Një polici e cila nuk merret vetëm me pjesën negative, kriminale ose të kriminalizuar të shoqërisë, por në radhë të parë merret me pjesën pozitive, pra që është shumica absolute, dhe përmes saj mundohet ta kontrollojë, ta moderojë, ta frenojë, ta parandalojë edhe ta dënojë atë pjesë, e cila për fat të keq futet në rrugën e krimit.

Në këtë proces të rëndësishëm, Policia e Shtetit duhet thënë që ka realizuar shumëçka, ka arritur të përmirësojë në vijueshmëri marrëdhëniet e saj me publikun dhe, sot, sipas të gjitha sondazheve që bëhen jo nga ne, por nga institucionet prestigjoze dhe të specializuara në këtë fushë, për të gjithë ata që duan t’i besojnë sondazhet, rezulton për fat të mirë që Policia e Shtetit është në krye të listës së institucioneve publike të besuara nga shqiptarët. Të jesh në krye të listës është vetëm diçka. Ajo që kërkohet është që ne duhet ta thellojmë më tej punën për ta rritur besimin e qytetarëve ndaj Policisë së Shtetit. Dhe rritja e besimit të qytetarëve ndaj policisë do të thotë që policia vetë të përmirësojë nivelin e punës së saj, të përmirësojë sjelljen, të përmirësojë paraqitjen, të përmirësojë trajnimin dhe mbi të gjitha të përmirësojë shërbimin ndaj qytetarëve, duke e kuptuar vetveten përherë si shërbim dhe jo si sundim.

Policia e Shtetit është një strukturë që u shërben qytetarëve që kanë nevojë për siguri. Pra që kanë nevojën bazike të tyre. Këtij procesi dhe këtij mesazhi i shërben jo vetëm puna në drejtim të policimit në komunitet përmes policisë, por edhe ngritja e strukturave të tjera, të cilat po vijojnë të aktivizohen nëpër  bashki të ndryshme, siç janë ato këshillat e sigurisë nëpër bashkitë e ndryshme. Në Elbasan, ky Këshill është aktualisht aktiv dhe është ndër shembujt e mirë, edhe në Librazhd, dhe ne synojmë që këtë praktikë ta zhvillojmë në të gjitha qarqet dhe në të gjitha bashkitë e vendit, me qëllim që siguria realisht të bëhet çështje e qytetarëve, e autoriteteve vendore dhe të mos jetë një ekskluzivitet i policisë.

Në shërbim dhe në funksion të përmirësimit të nivelit të shërbimit të Policisë së Shtetit, ne po bëjmë investime jo vetëm në infrastrukturë, siç përmenda përpjekjen dhe programin e madh që do të nisim së shpejti për rikonstruksionin ose rindërtimin e Komisariateve të Policisë për arsye se dihet, që ne ende trashëgojmë Komisariate të Policisë, të cilat janë të ndërtuara në vitet ‘60, ‘70 dhe i përgjigjen një koncepti tjetër të sigurisë, por edhe një shpërndarjeje tjetër të popullsisë.

Ndërkohë që pas viteve ‘90, migracioni i rëndësishëm që ka ndodhur për jashtë vendit, por edhe një migracion i brendshëm që ka ndodhur, ka bërë që pjesë të mëdha të popullsisë të spostohen nga zonat rurale në drejtim të qyteteve të mëdha. Por kjo nuk është reflektuar domosdoshmërisht edhe me ndërtimin e kapaciteteve të reja të policisë.

Po ju them që qytetet e mëdha si Elbasani, Durrësi, Shkodra, Tirana, Vlora, Fieri ende kanë pak a shumë atë strukturë Komisariatesh që kanë pasur në vitet ‘90, ndërkohë që popullsia e këtyre qyteteve është disa-fishuar dhe ne do të realizojmë një program të rëndësishëm që do të sjellë strukturat e policisë pranë qytetarëve. Duke shtuar Komisariate të reja, duke modernizuar ato ekzistueset, por siç thashë kjo është vetëm një anë, infrastrukturë, kushtet ose parakushte bazë.

Ajo që vlen më shumë është përmirësimi i kualitetit të vetë Policisë, të atyre që shërbejnë prapa këtyre mjediseve tashmë të sjella në parametra normalë. Për modernizimin e policisë ne do të përpiqemi në disa plane. Njëri ndër këto është kualifikimi i vazhdueshëm dhe i thelluar i saj, përmes shtimit të prurjeve të reja në Policinë e Shtetit. Ne kemi filluar, ky proces është në zhvillim e sipër.

Por ne së shpejti do të kemi edhe dy aksione të mëdha sa i përket rekrutimit në Policinë e Shtetit. Brenda këtij viti, pra në muajin shtator ne presim të kemi shpallur ndërkohë konkursin për pranimin e 500 oficerëve të rinj, në rolin bazë të policisë, pra në Akademinë e Policisë do të pranohen edhe 500 djem dhe vajza të rinj, të cilët do të fillojnë karrierën e tyre në polici. Ndërkohë që 100 të tjerë, nga ata që kanë përfunduar universitetin me rezultate shumë të larta, do t’i shtohen po ashtu Policisë së Shtetit pas trajnimit përkatës në kursin e oficerit të policisë kriminale. Pra rreth 600 vetë, presim që në një kohë të shkurtër t’i shtohen Policisë së Shtetit dhe ky proces do të vazhdojë në mënyrë konsekuente, intensive, me qëllim që Policia e Shtetit të përmirësojë cilësinë e saj përmes prurjeve të reja dhe përmes arsimimit modern.

Nga ana tjetër ne do përpiqemi që edhe ata punonjës policie, të cilët për arsye të moshës, edhe të kohës, do të duhet ta lënë Policinë e Shtetit, të vijojnë të trajtohen në kushte dinjitoze, ashtu sikur të ishin anëtarë të Policisë së Shtetit. Dhe me ndryshimet që po bëjmë me ligjin për trajtimin financiar të punonjësve të policisë, që largohen për arsye moshe nga radhët e Policisë së Shtetit, që largohen para kohe nga radhët e Policisë së Shtetit, trajtimi financiar i tyre do të vazhdojë të mbetet pothuajse i pandryshuar nga trajtimi që do kenë në radhët e Policisë së Shtetit. Kjo bëhet me qëllim që tranzicioni të bëhet pa dhimbje, por edhe me qëllimin tjetër që këta punonjës policie, të cilët do largohen nga radhët e Policisë së Shtetit për arsyet që përmenda, të jenë përsëri në njëfarë mënyre, një rezervë e Policisë së Shtetit, të paguar prej saj, jo prej institucionit të sigurimeve, por prej policisë, dhe të shërbejnë si një kontingjent civil, rezervë i vetë Policisë së Shtetit për të rritur sa më mirë të jetë nevoja, shërbimin ndaj qytetarëve të këtij vendi.

Duke përfituar nga ky moment (do dal pak nga tema, vetëm për një çështje të cilën për arsye të pranisë së medias) gjej rastin ta përsëris për qytetarët, në vitin aktual ne jemi në një moment të rëndësishëm që ka të bëjë me përfundimin ose skadimin e dokumenteve të identitetit apo pasaportave për një numër të madh qytetarësh, të cilët i kanë marrë ato thuajse njëkohësisht në vitin 2009. Janë mbi 1 milion karta identiteti dhe pasaporta qytetarësh, të cilët mbarojnë afatin e vlefshmërisë këtë vit. Dhe është me rëndësi të madhe që qytetarët të shfrytëzojnë kohën për të aplikuar, sa nuk është vonë për të mos e lënë që në fund të vitit të mblidhen e të shtohen radhët dhe të krijojmë situata të panevojshme. Për fat të keq konstatojmë që ende flukset e aplikimit nuk janë ato që duhet, sepse ne përgjithësisht ne tentojmë t’i lëmë gjërat për në sekondën e fundit. Por gjej rastin edhe njëherë t’i ftoj të gjithë qytetarët të aplikojnë për t’u pajisur me kartën e identitetit dhe pasaportën biometrike, ende sa ka kohë, sa sportelet janë të lira për arsye se shumë shpejt ne do të ndërmarrim masa shtesë që do të thotë, ne do t’i kushtëzojmë përdorimin e dokumenteve aktualë, megjithëse janë ende në fuqi, me aplikimin. Do të thotë që në një periudhë të caktuar, e cila do të shpallet, besoj nga muaji tetor, nëse dikush do të tentojë të udhëtojë jashtë shtetit me një pasaportë, të cilës i mbaron afati në dhjetor, nuk do të mund të udhëtojë pa pasur bashkë me pasaportën që skadon, edhe një dokument që vërteton që ai e ka bërë aplikimin për pasaportën e re. Po kështu shërbimet që lidhen me kartën e identitetit, nuk do të ofrohen nëse karta nuk shoqërohet me një dokument që provon se qytetari e ka bërë aplikimin për të renë. E gjitha kjo bëhet për t’i kujtuar qytetarët që 31 dhjetori është afati i fundit, por nuk mund të prodhohen të gjitha kartat në datën 31 dhjetor! Do të duhet që gjithë kjo kohë, përpara datës 31 dhjetor të shfrytëzohet nga çdo qytetar në mënyrë që të evitojmë radhët, stresin dhe të gjitha problemet që lidhen me këtë çështje.

Duke e përfunduar, edhe njëherë falënderoj përzemërsisht Qeverinë suedeze për këtë projekt fantastik që ka realizuar, për këtë standard të lartë dhe për këtë model të cilin ne do ta zhvillojmë më tej në të ardhshmen, ndërkohë që i uroj Policisë së Elbasanit, Komisariatit Librazhd, Bashkisë Librazhd, punë të mbarë dhe gjithë të mirat!

Faleminderit!