Vlorë e Himarë/Ministri Lleshaj takime për masat mbi mbarëvajtjen e sezonit turistik - Ministria e Brendshme
Postuar më: 19/07/2019

Vlorë e Himarë/Ministri Lleshaj takime për masat mbi mbarëvajtjen e sezonit turistik

Vlorë – Fjala e plotë e Ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj në takimin e Komitetit Rajonal për Zhvillimin e Turizmit për qarkun Vlorë, në të cilin morën pjesë edhe Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, Zv.ministrja e Financave dhe Ekonomisë Belinda Ikonomi, Prefekti i Qarkut Vlorë Flamur Mamaj, Drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale Tonin Vocaj, përfaqësues nga institucione dhe agjenci vendore, etj.

Të nderuar zonja dhe zotërinj,

Unë nuk kam asnjë thirrje, se thirrjet u bënë. Unë dua të mos zgjatem, se u thanë shumë, pothuajse të gjitha gjërat. Madje Prefekti përmendi një seri shifrash pozitive, impresionuese. Ndërsa Ministri i Mjedisit përmendi vetëm një shifër, që ka të bëjë me nivelin e paligjshmërisë në bregdetin tonë. Nga 139, vetëm 11 janë të ligjshme nga këto që keni në vijën bregdetare. Dhe besoj vetëm kjo shifër e bën gjithë analizën dhe na i shteron të gjitha diskutimet. Vetëm 11 janë të ligjshme në bregdetin, të cilin kontrolloni ju, të nderuar zonja e zotërinj. Shumica, jo të gjithë, se ka dhe të ftuar këtu. Kaq e vërtetë dhe kaq e hidhur është shifra dhe realiteti.

Bëhet fjalë për një pasuri publike. Vija e bregdetit shqiptar, ujërat e tij nuk janë pronë private. E vetmja gjë që s’privatizohet, për fat të mirë deri sot, kjo është, këtu e në gjithë botën! Është pronë publike, e cila shfrytëzohet nga persona privatë.

Dhe ndodh ky paradoksi që publiku vjen në breg te prona e tij, te rëra e tij, tek uji i tij dhe paguan te një privat, i cili, çfarë bën? Nuk i kthen as edhe një qindarkë mbrapsht si shërbim, përmes taksës! Ky është realiteti, të cilin kemi këtu.

Kush është zgjidhja? Sigurisht thirrjet janë gjithmonë të mira, por unë mendoj që tashmë është shumë vonë për thirrje, sepse jemi pothuajse në mes të sezonit dhe këtu e vetmja gjë që ka nevojë të bëhet, është veprimi. Veprimi i vendosur për të vendosur ligjin, aty ku ai mungon. Pikërisht në asetin më të çmuar që kemi ne, në vijën tonë bregdetare, dhe në kurorën e tij, që është Vlora dhe pjesa tjetër e rivierës.

Sot doja të merrja me vete Drejtorin e Krimit Ekonomik dhe të Korrupsionit në Policinë e Shtetit. Meqenëse ai ishte i ngarkuar, kam marrë shefin e tij, që është Drejtori i Departamentit të Hetimit në Policinë e Shtetit, z.Vocaj, për të thënë një mesazh të qartë për ata që kanë përgjegjësi zyrtare për këtë gjendje: e vetmja rrugë për të dalë nga kjo situatë, është ushtrimi i përgjegjësive, rivendosja e ligjit në çdo centimetër katror të bregut të Shqipërisë.

Në këtë rast themi të pjesës më të bukur të tij që është bregu i Vlorës. Nuk mund të pranohet asnjë person, i cili zapton bregun dhe nuk paguan asnjë cent, që nuk ka asnjë letër. Nuk mund të kthehet në xhungël urbane pjesa më vitale e Shqipërisë, dhe për këtë jeni ju përgjegjës, secili nga një këndvështrim i caktuar. Më duket se pikërisht ngaqë jemi kaq shumë përgjegjës, ngelet jetime përgjegjësia. Se edhe dy vetë do të mjaftonin për ta vënë nën kontroll gjendjen e këtij bregdeti; dy jo tre, 2! Një polic dhe një inspektor.

Kështu që dua t’ju njoftoj që java që vjen do të jetë javë veprimi nga të gjitha strukturat, me qëllim që këtu në këtë bregdet të operohet vetëm në bazë të ligjit.

Të mos ketë as zaptues, as grabitës. Sepse, nëse do ta lejomë këtë gjendje, atëherë do të jemi të detyruar t’i përgjigjemi pyetjes: A jemi të paaftë për të vendosur gjendjen? Apo nuk duam ta rivendosim gjendjen aty ku duhet?

Ne duhet të jemi në gjendje t’u përgjigjemi pyetjeve të publikut të cilët thonë: Përderisa ju nuk e rivendosni ose nuk vendosni ligjin, do të thotë ju bashkëpunoni me këta zaptuesit! Dhe këtë nuk mund ta lejojmë.

Java që vjen është afati i fundit për këtë qëllim. Nëse ne nuk do të arrijmë që brenda javës që vjen, të jetë rivendosur gjendja, do të ketë dy mundësi: ose do të ketë përgjegjësi penale, për shpërdorim detyre dhe korrupsion për personat, që nuk kanë ushtruar përgjegjësinë e tyre dhe, nëse kjo nuk ndodh, do të keni një drejtor policie mangut këtu. Pra, duhet të gjejmë një drejtor tjetër të policisë. Qoftë në qendër këtu në Vlorë, qoftë në Drejtorinë e Krimit Ekonomik. Nuk ka asnjë mundësi tjetër. Është turpëruese dhe e papranueshme gjendja.

As edhe një i vetëm dhe të gjitha historitë, alibitë jo s’ka lidhur kontratën, jo s’ka këtë, jo s’ka paguar taksat vjet, prandaj nuk i lidhim kontratë sivjet dhe absurditete të papranueshme nga logjika elementare, duhet të marrin fund.

Puna e parë që duhet bërë është që Kryetari i Bashkisë, përfaqësuesit e tij të shkojnë te çdo subjekt, që është në vijën e bregdetit, me kontratën e gatshme dhe t’i kërkojnë vendosjen e firmës në çast.

Zoti Nënkryetar, kjo duhet të ndodhë, i shkohet aty ku ushtron biznesin dhe të vendosni firmën në çast. Pastaj plotësoni të gjithë letrat e tjera, por e para duhet të formalizohet në çast, ose të përdoret ai instrumenti magjik që funksionon më shumë nga të gjithë, shiriti i policisë, i cili atë zonë e konsideron një zonë të mbyllur.

Këtë e kam thënë në Himarë, ata e kanë marrë angazhimin dhe shpresoj që do ta mbajnë fjalën, po jua them edhe juve. Që nga e hëna, për të mos thënë që nesër, por nga dita e hënë, ekipe të bashkisë me tufat e kontratave në dorë, të shkojnë pranë çdo subjekti, ta vënë përpara zgjedhjes, ose firmën ose ngre plaçkat dhe vazhdo atje ku e ke vendin. Dhe kjo të konsiderohet si një ndihmë e madhe, si një amnisti e madhe që po u bëhet këtyre subjekteve, të cilat duhet t’i kishin bërë kontratat që në muajin mars. Dhe kontratat duhet të bëhen me efekt prapaveprues. Jo nga sot e tutje, por me efektin prapaveprues që nga koha kur ata kanë filluar të ushtrojnë veprimtarinë këtu. Dhe ato taksa që gjenerohen nga kjo veprimtari t’u kthehen këtyre njerëzve që u takon, qytetarëve të këtij vendi. Të kthehen në më shumë shërbime për qytetarë të tjerë, për bashkinë e për kështu me radhë.

Dhe duhet të kini të qartë një gjë, që nuk flasim për diçka të vogël, por flasim për një industri të tërë, biznes të tërë, i cili gjeneron shumë të jashtëzakonshme financiare. Një shezlong ose çift shezlonesh në bregdetin për të cilin bëhet fjalë, kushton afërsisht sa një dhomë hoteli në një hotel të mesëm në Europë. Pra shkon deri në 50 euro, shkojnë çmimet e këtyre, ka edhe tjetër, por deri atje shkon. Nuk po flasim për gjëra të vogla, por flasim për gjëra shumë të rëndësishme, të cilat nuk janë në administrim, megjithëse kemi një armatë të tërë personeli i cili duhet të mbajë këtë përgjegjësi.

Ndaj, edhe kështu publikisht, e kam me Drejtorin e Policisë, Policia e Shtetit, krahas të tjerave, duhet që të jetë në mbështetje të autoriteteve vendore për ta ushtruar këtë përgjegjësi deri në fund të javës. Nga fundi i javës, nuk keni më marrëdhënie me autoritetet vendore, keni marrëdhënie tjetër, do keni mbështetje.

Mbështetja mbaron të premten që vjen dhe nga e premtja e tutje, raporti juaj me autoritetet që kanë përgjegjësi, do të jetë tjetër. Do të jetë ai tjetri që e thashë në fillim, se s’dua ta përmend, se besoj që do e bëni këtë pjesë.

Në thelb, kjo punë është 100% një mbështetje që u shkon bashkive, sepse bashkitë përfitojnë buxhete të konsiderueshme nga kjo veprimtari. Dhe bashkitë duhet ta përfitojnë për të eliminuar edhe pikëpyetjen e madhe që thuhet: – përse bashkitë nuk e përfitojnë këtë, përse nuk e kërkojnë këtë taksë?! Përse? Janë të paafta, apo është ajo pyetja tjetër që nuk dua t’i japim përgjigje sot!

Kështu që duke ju falënderuar për vëmendjen, ju uroj që java që vjen të jetë javë, e cila do të sjellë një ndryshim radikal në mënyrën se si menaxhohet bregdeti në bashkinë dhe në qarkun e Vlorës!

Sot kam ardhur vetëm për Vlorën, sepse e kam përgjegjësi. Në Qeveri, i kemi ndarë, i gjithë bregu i Shqipërisë është ndarë në zona përgjegjësie midis ministrave. Unë, për fatin tim të mirë, kam Vlorën si zonë përgjegjësie, kështu që vij këtu vetëm si i ngarkuar për Vlorë, pa hequr dorë nga funksionet që kam, por këtu vij në këtë cilësi. Madje edhe Kryeministri ka po këtë, është zonë përgjegjësie që e ka edhe Kryeministri, Kryeministri së pari, unë; dhe dijeni që edhe po të duam të shmangemi, nuk shmangemi dot, na keni këtu, deri sa kjo punë të jetë e vendosur.

Jemi krejt të qartë dhe i zgjodha sot fjalët e hidhura, se në fillim thuhen të hidhura, normalisht, për t’i thënë fjalët e mira pastaj kur punët të ecin ashtu siç duhet të ecin. Faleminderit!

 

Himarë – Fjala e ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj në takimin me Task Forcën për mbarëvajtjen e sezonit turistik, ku mori pjesë Prefekti i Vlorës, Kryetari Bashkisë, drejtues të agjencive lokale dhe të Policisë Vendore e Kufitare:

Përshëndetje,

kam ardhur në kuadër të inspektimeve që zhvillojmë e gjithë Qeveria, në pjesën e plazheve për arsye se kjo stinë, ky sezon konsiderohet mjaft i rëndësishëm për ekonominë e vendit.

Turizmi është një ndër motorët kryesorë të ekonomisë dhe detyra e përgjegjësia jonë është të ofrojmë ato shërbime që duhen që ky proces të funksionojë normalisht.

Për fatin e mirë, apo të keq, nuk e di, unë kam segmentin Vlorë – Himarë, që e mbulojmë bashkë me Kryeministrin si segment, ndërkohë që të gjithë Ministrat kanë nga një segment të caktuar, por këtë Vlorë – Himarë, sa për informacion, e ka Kryeministri dhe unë si përgjegjësi.

Për ne është mirë, nuk e di se si do të jetë për ju, sepse t’ju them të drejtën, me këto që dëgjoj dhe me informacionet që kam, nuk rezulton që kemi arsye për të qenë të kënaqur me shërbimin e ofruar dhe me punën e bërë.

Menaxhimi i fluksit turistik kërkon që institucionet përkatëse, agjencitë shtetërore dhe ato vendore, të kryejnë dhe të plotësojnë përgjegjësitë që kanë.

Së pari, në drejtim të sigurisë së jetës, sigurisë ushqimore, sigurisë shëndetësore, çështjet që kanë të bëjnë me evazionin fiskal.

Këto që dëgjoj nga ju, edhe raportet që kemi, evidentojnë shqetësime të rëndësishme, shqetësime që lidhen së pari me masat e marra për sigurinë e jetës.

Ndoshta këtu s’kemi pasur incidente, por kemi pasur në segmente të tjera të plazheve, incidente edhe të rënda, humbje jete, për arsye të ndryshme, edhe për arsye shëndetësore. Por edhe për arsye shëndetësore është një problem, se dhe një atak që mund të ndodhë në kontaktin e parë me ujin është një problem për të cilin ne nuk mund të ngremë duart e të themi, – po ja, e ka fajin vetë ai që u fut, se s’di!

Detyra është që të mundohemi që qytetarëve, publikut t’i ofrojmë ndihmë, këshillim, mbështetje e kështu me radhë.

Sa i përket sigurisë së jetës, me shqetësim të madh mbetet vendosja e personelit në kullat e vrojtimit në të gjitha plazhet.

Të gjithë këta operatorë që operojnë në stacione plazhi, duhet që të ofrojnë shërbimin e duhur të sigurisë për klientët e tyre. Ata klientë, të cilët paguajnë të gjithë tek këta operatorë plazhi dhe për më tepër kur kemi operatorë plazhi, të cilët thjesht kanë zaptuar një segment plazhi, dhe publikut, shtetit, bashkisë i paguajnë zero lekë.

Pra të gjitha paratë që mbledhin nga pushuesit i fusin në xhep dhe u ofrojnë asgjë. Dhe kjo situatë nuk ka nevojë as të shpjegohet, nuk ka asnjë mirëkuptim.

Po ju them të gjithëve, administratorët që kanë përgjegjësi për këtë gjendje, do të mbajnë përgjegjësi të rëndë, dhe ndaj e kam Drejtorin e Policisë me vete, ndërkohë që pasdite në Vlorë do të kem drejtorin përkatës të Departamentit që vjen nga Tirana.

Për t’ju thënë një gjë të qartë, vija bregdetare e Shqipërisë është pronë e popullit shqiptar, e publikut. Ajo nuk mund të zaptohet për interesa private të kurrkujt. Dhe këtu s’ka shpjegim, nuk ka arsyetim. Aq më tepër kur ata që operojnë në vijën bregdetare, nuk ofrojnë as minimumin e përgjegjshmërisë që duhet të ofrojnë.

Të paguajë një student, ta lerë te kulla dhe t’i thotë të paktën t’i bjerë bilbilit ose sinjalizo nëse ka një incident, e dikush ka nevojë për ndihmë! Kaq, një minimum të tillë, ne nuk mund ta tolerojmë. Se nuk jemi në xhungël, jemi në një zonë urbane, ku duhet të ofrojmë shërbime dhe të ofrojmë siguri për qytetarët shqiptarë, për turistët e huaj, të cilët duhet ta ndiejnë që ky vend ka përkujdesje. Nuk të merr vetëm paratë, ai i hotelit, apo i restorantit, apo i plazhit atje, por dhe të japin diçka për ato që të marrin. Aq më tepër kur bëhet fjalë për sigurinë e jetës.

I nderuar Prefekt, 
i nderuar Kryetar i Bashkisë, 
zoti Drejtor i Policisë,

nuk duhet të ketë tolerancë as edhe një milimetër. Në qoftë se bashkia i toleron, sa i përket kontratës, po themi, nuk do t’u marrë parà atyre, dakord ne do të bëjmë sivjet sikur nuk e dimë këtë gjë, sivjet. Por sa i përket sigurisë se jetës, këtu nuk mund të bëjmë sikur nuk e dimë, këtu duhet marrë masë urgjente. Kushdo ka një sektor, ka një stacion plazhi, duhet të ketë edhe një staf të caktuar për siguri dhe për shërbim të njerëzve, të cilëve ai u merr parà. Nuk po them pastaj që për ato parà, a taksohet, a lëshon faturë? Por siguria është një element, i cili nuk mund të tolerohet.

Sigurisht që përveç kësaj, mbeten me rëndësi të madhe edhe disa çështje të tjera. Se nëqoftëse ne lodhemi të gjithë që të kemi mbarëvajtje të turizmit, angazhojmë të gjithë administratën, të gjithë shëndetësinë, të gjithë policinë, të gjithë pjesën tjetër dhe, në fund, produkti i turizmit, shkon në xhepa privatë, pa u përkthyer në asnjë lloj takse, në asnjë lloj përfitimi publik, atëherë ç’kuptim ka?

Kush do ta paguajë angazhimin tuaj dhe të strukturave të tjera shtetërore, nëqoftëse ata që operojnë në plazh, në vijën e parë apo dhe në vijën e dytë, nuk japin asnjë parà për buxhetin, për publikun me një fjalë! Sepse, në një farë mase, që të funksionojë ky modeli këtu, duhet të funksionojë Prefekti, Kryetari i bashkisë, Tatimet, Taksat, Shëndetësia, Policia e të tjera me radhë. Këto funksionojnë, të gjitha i shërbejmë këtij (operatorit); po ky kujt i shërben? Vetëm vetes? Kjo nuk mund të lejohet.

Kjo është çështja e dytë që lidhet me financat. Nuk mund të lejojmë evazion masiv, ndërkohë që ne masivisht jemi vënë në shërbim të funksionimit të këtij sistemi. Në qoftë se mijëra nëpunës të shtetit shqiptar janë në funksion të një turizmi që të ecë mirë, që të ketë pastërti, që të ketë shërbim shëndetësor, që të ketë siguri, qetësi, polici e të tjera me radhë, dhe operatorët të punojnë thjesht për vete, ky është absurd që nuk mund të lejohet. Pyetja e madhe është përse ndodhin këto? Janë “çmendur” operatorët apo jemi “çmendur” ne, administratorët?

Ka dy opsione për këtë. Thuhet nga njëra anë që janë “çmendur” operatorë të caktuar, të cilët bëjnë evazion, por ama thuhet dhe tjetra, që janë “çmendur” administratorët, të cilët bëjnë korrupsion.

Administratorë që bëjnë korrupsion, mbyllin sytë dhe nuk bëjnë detyrën. Dhe nuk e bëjnë detyrën, jo se nuk e dinë, jo se nuk kanë instrumentet ligjorë në dorë, por sepse nuk duan ta bëjnë, sepse kanë paguar një çmim të korrupsionit, kanë pranuar një çmim të korrupsionit dhe lejojnë pastaj që operatorë të caktuar të mos paguajnë taksat, ai tjetri t’i shmanget kushteve të cilësisë ushqimore, ai tjetri kushteve të sigurisë së jetës e kështu me radhë.

Prandaj dua t’ju them qartësisht, të nderuar anëtarë të kësaj Task Force dhe të pranishëm të tjerë, duhet të vlerësoni me seriozitetin maksimal dhe me përgjegjësinë më të lartë që ju jep detyra, këtë moment në të cilin ne jemi.

Nuk ekzistoni të gjithë ju për të bërë mbledhje, vetëm mbledhje; ekzistoni për të bërë verifikime në terren dhe për të ndryshuar gjendjen, pa shqetësuar ata që janë miqtë, dmth objekti kryesor që janë pushuesit, të cilët nuk duhet ta ndiejnë praninë e kurrkujt si shqetësim. Por ata që janë për shërbim, shërbëtorët, qoftë administrata qofshin bizneset duhet të jenë 24 orë në këmbë. 24 orë në këmbë duhet të jetë pronari i këtij hoteli, apo tjetri me radhë në mënyrë që sezoni të eci mirë dhe që nga sezoni të ketë përfitim publiku. Të ketë përfitim gjithë shoqëria, jo 3 vetë.

Sepse siç edhe e përsërita vija jonë bregdetare, është pronë publike. Ujërat e Shqipërisë janë pronë publike, dhe në qoftë se këto ujëra përdoren për të përfituar, për të gjeneruar të ardhura, këto të ardhura duhet të shkojnë edhe tek ata që i gjenerojnë, por edhe të publiku.

Duhet të teprojnë dy parà edhe për Pilurin lart që t’i bëhet rruga apo ujësjellësi, e kështu me radhë, pra kjo është ideja! Dhe kjo është përgjegjësia e secilit prej jush.

Në fakt duke e marrë në konsideratë situatën e përsëritur të informalitetit në vijën bregdetare, që prej vitesh vazhdon të jetë një situatë e agravuar informaliteti, ne jemi duke studiuar opsionet e tjera për të thënë që nëse, në përfundim, do të arrijmë në konkluzionin që bashkitë nuk arrijnë dot ta menaxhojnë vijën që iu është lënë në menaxhim; në qoftë se bashkitë na prodhojnë një nivel informaliteti të papranueshëm, siç është – (jo në Himarë, Himara është më mirë se sa bashkitë e tjera) – ne do të kërkojmë zgjidhje të tjera për t’iu thënë bashkive, meqenëse nuk e bëni dot këtë përgjegjësi, atëherë do të ngarkojmë një agjenci tjetër ose një strukturë tjetër shtetërore, e cila ta bëjë këtë me rreptësinë e padiskutueshme të ligjit.

Vija bregdetare e Shqipërisë është aset i qytetarëve shqiptarë dhe duhet të përdoret në interesin e tyre dhe jo të feudalizohet në duar personash, të cilët nuk japin atë për të cilën ekzistojnë dhe duhet të jenë aty.

Kështu që jemi në pikun e sezonit, ju kërkoj impenjim maksimal, në qoftë se nuk doni të ballafaqoheni dhe të befasoheni nga masat, të cilat ligji i parashikon për secilin, që nuk e kryen dot ose nuk do ta kryejë dot këtë përgjegjësi dhe këtë detyrë për të cilën ekzistojnë në këto funksione.

Ndërhyrjet e Qeverisë, të organeve të tjera ligjzbatuese do të jenë të forta për të bërë këtë që po kërkojmë dhe kjo është fare e thjeshtë. Ligjshmëri dhe drejtësi në përdorimin e këtyre aseteve unikale për vendin tonë.

Kështu që në përfundim ju uroj punë të mbarë, ju uroj suksese!

Në radhë të parë i uroj suksese Kryetarit të Bashkisë, mikut tim të vjetër, por edhe juve të gjithëve, duke ju lutur që ta mbani këtë që ju thashë në konsideratë me seriozitetin më të madh. Faleminderit!