Ministria e Brendshme në 1 javë - Buletin nr. 95 - Ministria e Brendshme
Postuar më: 22/07/2019

Ministria e Brendshme në 1 javë – Buletin nr. 95

RAPORTI JAVOR NR. 95 – VIDEO

15 – 21 Korrik 2019

Lleshaj: Prefekturat në detyrë, muaji Gusht vendimtar për të përmbushur procesin e konstituimit të të gjithë strukturave të pushtetit vendor

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, ka zhvilluar një takim me Prefektët e 12 qarqeve të vendit, në funksion të përgatitjeve të procesit të konstituimit të organeve të reja të qeverisjes vendore, të cilat kanë dalë pas zgjedhjeve të datës 30 qershor. Ministri Lleshaj e ka cilësuar si një moment shumë të rëndësishëm, i cili meriton vëmendjen dhe angazhimin e qartë e të fortë të gjithë strukturave të prefekturave dhe strukturave të tjera të administratës vendore.  Për këtë arsye, ai ka kërkuar funksionimin e pandërprerë të punës së administratës vendore gjatë gjithë fazës tranzitore. “Të gjitha strukturat e prefekturave do të jenë në punë gjatë muajit gusht, për arsye se muaji gusht është muaj vendimtar për të përmbushur procesin e konstituimit të të gjithë strukturave të pushtetit vendor në Shqipëri. I njëjti mesazh vlen edhe për të gjithë strukturat e tjera të bashkive, ndaj të cilave nuk kam fuqi të drejtpërdrejtë urdhri, por kam fuqi për t’u kërkuar që të jenë në krye të detyrës me qëllim që të mundësojnë tranzicionin normal të pushtetit nga kryetarët ekzistues, tek kryetarët e rinj, që kanë dalë pas zgjedhjeve të datës 30 qershor. Është me shumë rëndësi që punonjësit e administratës së bashkive të vendit të kuptojnë që në një pjesë të madhe të tyre janë nëpunës të administratës publike dhe u nënshtrohen detyrimeve të legjislacionit përkatës”, ka thënë Lleshaj. Ministri ka kërkuar që gjatë gjithë procesit të tranzicionit, në asnjë moment të mos cënohet cilësia e shërbimeve që u ofrohen qytetarëve. “Që të ndodhin këto duhet që nën drejtimin e prefektëve, të intensifikohet kontrolli i vijueshëm mbi performancën e të gjitha institucioneve që ofrojnë shërbime për qytetarët në territorin e RSH. Si ndaj administratës së bashkive, ashtu dhe ndaj administratës së degëve territoriale vendore, në mënyrë që të dyja këto struktura të performojnë si në ditën e tyre më të mirë, me seriozitetin më të lartë dhe në mënyrë që asnjë shërbim ndaj qytetarëve dhe sidomos ndaj pushuesve, mos të cedojë aspak. Dhe kjo është përgjegjësia e drejtpërdrejt e juaja, e cila duhet të realizohet nëpërmjet kontrollit dhe masave të pa kompromis në çdo rast që evidentohen shkelje, apo pakujdesi, apo mos ushtrim i detyrës nga çdo punonjës i administratës qoftë asaj vendore, qoftë asaj qendrore që funksionon nëpër qarqet e vendit”, ka thënë ministri. Lleshaj është ndalur edhe në masat që po merren për mbarëvajtjen e sezonit turistik në vend dhe ka kërkuar bashkërendimin e punës së strukturave të pushtetit vendor për përballimin e fluksit të lartë të turistëve, që vizitojnë Shqipërinë.

Inaugurohet Zyra e Shërbimit për Qytetarët në Komisariatin e Policisë së Librazhdit

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Zyrës së Shërbimit për Qytetarët në Komisariatin e Policisë së Librazhdit. Kjo zyrë do t’u shërbejë rreth 82 mijë qytetarëve të Librazhdit dhe është pjesë e një investimi të rëndësishëm të qeverisë suedeze, e cila bëhet në kuadër të programit “Policimi në Komunitet”. Ministri Lleshaj në fjalën e tij ka theksuar se përmes këtij programi synohet jo vetëm të përmirësohet një infrastrukturë e rëndësishme në shërbim të qytetarëve, por më së pari synohet të mbillet një koncept i ri bashkëpunimi midis policisë, komunitetit, qytetarëve, shoqërisë civile, etj.  “Si një ndër nevojat më të rëndësishme të një shoqërie  dhe të një komuniteti, siguria është e tillë, është aq komplekse sa nuk mund të ndërtohet kurrë vetëm nga policia. Policia është vetëm një ndër aktorët të cilët marrin pjesë në ndërtimin e kësaj të mire të madhe publike, që ne i themi siguria. Dhe prandaj është e rëndësishme që përmes këtij projekti suedez, jo vetëm të përmirësojmë infrastrukturën e komisariateve të policisë, por në radhë të parë  të vendosim një standard të ri dhe të mbjellim një model të ri të rëndësishëm, që do të thotë Policimi në Komunitet, që do të thotë siguri e krijuar së bashku me qytetarët.  Ky projekt, siç u përmend edhe më parë, është në proces në të gjithë Shqipërinë dhe pothuajse në shumicën  e qarqeve apo të bashkive të vendit, gjeni modele të ngjashme, jo kopje të njëri-tjetrit por në princip të njëjta për nga mesazhi që përcjellin. Unë gjej rastin ta falënderoj qeverinë suedeze përmes përfaqësueses së saj këtu sot, për këtë kontribut të çmuar me përmbajtje të thellë jo vetëm në kuptimin fizik por siç e përmenda dhe në kuptim të mesazhit që përcjell”, u shpreh ministri.

Ndryshimet në Kodin Penal, Lleshaj: Duhet forcuar dhe ashpërsuar ligji ndaj poseduesve të armëve

Kuvendi i Shqipërisë miratoi në seancën e radhës projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7895, dt. 27.1.1995, “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar”. Gjatë diskutimeve plenare, në replikë me deputetin demokrat Myslim Murrizi, ministri Lleshaj u shpreh se është e rëndësishme që të forcohet dhe ashpërsohet ligji dhe ndëshkimi penal ndaj posedimit të armëve. “Shqipëria, ashtu si shumica e vendeve europiane ka një politikë penale relativisht liberale sa i përket dënimit penal. Ju e dini që ne jemi një vend që nuk e ka dënimin me vdekje, ndërkohë që ka vende të tjera që kanë dënim me vdekje dhe ndjekin politika shumë liberale ndaj armëve, po themi Amerika, e cila i lejon armët, por bashkë me armën të jep mundësinë e uljes në karrigen elektrike apo në shtratin e infuzionit helmues kur ti e shkel. Ne që e kemi hequr dënimin me vdekje, duhet të heqim edhe mundësinë fizike që dikush të vrasë. Kur ja kemi hequr këtë mundësi ligjit dhe shtetit për të vrarë, duhet t’ia ngushtojmë mundësinë çdo qytetari, i cili siç thatë ju nuk mund të pengohet kurrë për t’u çmendur, që një ditë të caktuar duke e patur lehtësisht në dorë armën, edhe mund ta përdorë keq edhe mund të vrasi njeri. Kjo është pak a shumë ideja që është mbrapa këtij propozimi. Të forcojmë dënimin penal ndaj atyre që posedojnë në mënyrë të paligjshme armë, sepse këto armë nuk janë instrumente muzikore nga ato të ahengut që përmendët, po janë mjete të cilat kanë vetëm një funksion – për të vrarë. Sa më shumë ta ngushtojmë hapësirën e përdorimit të armëve ose mbajtjes së armëve, aq më shumë i kemi shërbyer jetës së qytetarëve tanë”, ka thënë ministri.

Sezoni turistik, Ministri Lleshaj takim me autoritetet vendore në Vlorë e Himarë

Gjatë inspektimit të zhvilluar në plazhet që mbulon Bashkia Himarë, ministri Lleshaj ka theksuar edhe njëherë detyrimin që kanë operatorët turistikë për të investuar në sigurinë, qetësinë dhe higjienën e pushuesve. Ai ka folur me tone kritike në takimit me përfaqësuesit e Task-Forcës lokale që ka për detyrë mbikëqyrjen dhe mbarëvajtjen e sezonit turistik, sidomos në aspektin e formalizimit dhe respektimit të kuadrit ligjor që rregullon këtë veprimtari. “Kam patur një takim me Task Forcën. Konstatojmë që është bërë një punë e vlerësueshme, por ende ka mjaft për të bërë, sidomos në drejtim të formalizimit të stacioneve të vijës bregdetare, të stacioneve të plazhit si edhe të përmirësimit të kushteve të sigurisë. Këto të dyja janë çështje, të cilat meritojnë vëmendje të madhe dhe ne do të ushtrojmë që të gjithë përgjegjësinë, por edhe të gjithë forcën për të bërë të mundur që kushdo që operon në vijën tonë bregdetare, çdo subjekt privat që operon në vijën bregdetare të vendit, të jetë i përgjegjshëm përballë klientëve të tij në aspektin e sigurisë”, tha ndër të tjera ministri Lleshaj. Në këtë inspektim ai shoqërohej nga Prefekti i Qarkut të Vlorës, Kryetari i Bashkisë Himarë, drejtues të agjencive lokale dhe të policisë vendore e kufitare. Lleshaj tha se ai është ka në patronazh mbikëqyrjen e bregdetit në segmentin Vlorë – Himarë, dhe se këtë detyrë e mbulonte bashkë me Kryeministrin Rama. Në lidhje me sjelljen e disa operatorëve turistikë të cilët tentojnë të shmangin detyrimet fiskale, Lleshaj u shpreh se “vija bregdetare është pronë e publikut, e qytetarëve shqiptarë dhe gjithë publiku, gjithë qytetarët shqiptarë duhet të përfitojnë nëpërmjet taksave një pjesë të vlerës që gjenerohet nga këto taksa. Duhet të bëjmë që qytetarët të kenë siguri dhe që subjektet që operojnë të prodhojnë taksa në shërbim të qytetarëve”. Më tej, duke nënvizuar rëndësinë prioritare që ka siguria e përdoruesve të plazheve dhe detyrimet që kanë operatorët në këtë drejtim, ai u shpreh se “sa i përket sigurisë së jetës, me shqetësim të madh mbetet vendosja e personelit në kullat e vrojtimit në të gjitha plazhet. Të gjithë këta operatorë që operojnë në stacione plazhi, duhet që të ofrojnë shërbimin e duhur të sigurisë për klientët e tyre. Ata klientë, të cilët paguajnë të gjithë tek këta operatorë plazhi dhe për më tepër kur kemi operatorë plazhi, të cilët thjesht kanë zaptuar një segment plazhi, dhe publikut, shtetit, bashkisë i paguajnë zero lekë. Pra të gjitha paratë që mbledhin nga pushuesit i fusin në xhep dhe u ofrojnë asgjë. Dhe kjo situatë nuk ka nevojë as të shpjegohet, nuk ka asnjë mirëkuptim”. Ministri Lleshaj paralajmëroi zyrtarët e ngarkuar me mbarëvajtjen e sezonit turistik se mund të mbajnë përgjegjësi në rast mospërmbushje të detyrës. “Administratorët që kanë përgjegjësi për këtë gjendje, do të mbajnë përgjegjësi të rëndë, dhe ndaj e kam Drejtorin e Policisë me vete, ndërkohë që pasdite në Vlorë do të kem drejtorin përkatës të Departamentit që vjen nga Tirana.  Për t’ju thënë një gjë të qartë, vija bregdetare e Shqipërisë është pronë e popullit shqiptar, e publikut. Ajo nuk mund të zaptohet për interesa private të kurrkujt. Se nuk jemi në xhungël, jemi në një zonë urbane, ku duhet të ofrojmë shërbime dhe të ofrojmë siguri për qytetarët shqiptarë, për turistët e huaj, të cilët duhet ta ndiejnë që ky vend ka përkujdesje. Aq më tepër kur bëhet fjalë për sigurinë  e jetës”, u shpreh ai.

Plarent Ndreca emërohet Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme

Plarent Ndreca është emëruar Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme. Ai zëvendëson në këtë detyrë Dritan Palnikaj, i cili është emëruar në një detyrë të re, në kabinetin e Kryeministrit. Prezantimi i z. Ndreca është bërë në ambientet e Ministrisë së Brendshme në një ceremoni, ku mori pjesë ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, trupa e lartë drejtuese e MB-së dhe institucioneve të varësisë.  Ministri Lleshaj ka vlerësuar punën dhe kontributin e z. Palnikaj në pozicionin e Sekretarit të Përgjithshëm dhe është shprehur i bindur se z. Ndreca do të sjellë impulse të reja në drejtimin e administratës së Ministrinë e Brendshme, falë eksperiencës së deritanishme. Më herët Plarent Ndreca, i diplomuar si jurist, ka mbajtur postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Arsimit, Rinisë dhe Sporteve, si dhe Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit dhe Turizmit.

Riatdhesohen 29 shtetas nga Franca, mes tyre edhe një familje me 5 anëtarë

Vijojnë operacionet e përbashkëta për riatdhesimin e shtetasve shqiptarë që shkelin rregullat e qëndrimit në zonën Shengen. Në bashkëpunim me Policinë Franceze, janë realizuar dy fluturimeve me charter nga Franca janë riatdhesuar 29 shtetas shqiptarë, të cilëve u është refuzuar azili në Francë, në njërin prej fluturimeve një familje me 5 anëtarë. Gjithashtu janë deportuar nga vendet e BE-së edhe 17 shtetas të tjerë me motivin ”Qëndrim i parregullt në territor”, ”Përfunduar vuajtjen e dënimit në vendet e BE -së”, ” Tentativë kalimi ilegal për në Mbretërinë e Bashkuar”, ”Tejkalim i afatit të qëndrimit në territor” dhe ”Refuzim azili në vendet e BE-së”. Operacionet e riatdhesimit do vijojnë edhe në javët e ardhshme. Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit u drejtohen të gjithë shtetasit shqiptarë që udhëtojnë për në vendet e BE-së që të respektojnë rregullat e lëvizjes në hapësirën Schengen, si dhe mos bëjnë asnjë tentativë për të kërkuar azil, pasi shanset për t’a fituar atë janë zero.  Njëkohësisht Policia Kufitare në pikat e kalimit do vijojë me kontrollet rigoroze në drejtim të verifikimit të dokumentacionit dhe plotësimit të kushteve për të udhëtuar në vendet e BE-së, si dhe të kontrollit më të rreptë të kufirit jeshil.

OPERACIONE POLICORE

“BIZARK”, sekuestro preventive mbi llogari bankare, truall dhe ranishte në pronësi të pjesëtarëve të dyshuar të një grupi të strukturuar kriminal.

Njësia Hetimore pranë Task-Forcës Speciale Qendrore, në Departamentin e Policisë Kriminale, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda dhe në bashkëpunim me Agjencinë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, finalizoi fazën e dytë të operacionit policor “BIZARK”. Si pasojë 5 shtetas janë ndaluar për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, në bashkëpunim dhe “Grup i strukturuar kriminal”. Bazuar në Vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, u vendosën nën sekuestro 72 000 € Euro në llogarinë e Shoqërisë me inicialet “TRC” sh.p.k, pranë një banke të nivelit të dytë;  truall tokë dhe sipërfaqe ranishte në fshatin Draç, Ishëm, në Gjirin e Lalzit, Durrës; etj. Vazhdojnë veprimet procedurale në bashkëpunim me Agjencinë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, për kalimin në administrim nga shteti të të gjitha këtyre pasurive. Policia e Shtetit është e vendosur që nëpërmjet strukturave të specializuara të saj, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese, të gjurmojë, evidentojë dhe sekuestrojë të gjitha pasuritë që rrjedhin nga veprimtaritë kriminale.

Mallakastër – Himarë/Uniformat blu u vijnë në ndihmë turistëve

Policia, në dy raste të ndryshme, u ka ardhur në ndihmë një familjeje italiane dhe dy turisteve gjermane, të cilët kishin humbur rrugën dhe kanë kërkuar ndihme. Rasti i parë është shënuar në Himarë, ku uniformat blu u kanë ardhur në  ndihmë dy turisteve gjermane, të cilat kishin humbur rrugën në Kanionin e Gjipesë. Menjëherë janë organizuar shërbimet e Policisë Himarë, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe Zjarrfikëset e Bashkisë, të cilët filluan kërkimet për gjetjen e tyre. Pas 3 orë kërkimesh, gjithashtu nëpërmjet pajisjeve speciale është bërë e mundur gjetja e tyre në një terren shumë të vështirë të këtij kanioni. Të dy shtetaset nuk kanë pësuar asnjë lëndim. Ndërkohë në zonën e Rabijes, Mallakastër, policia i ka ardhur në ndihmë një familjeje turistësh italianë, të cilët duke eksploruar zonën kishin humbur rrugën gjatë natës dhe kanë kërkuar ndihmën e policisë.  Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mallakastër janë vënë në kërkim të turistëve dhe pas disa orë kërkimesh, turistët italian (burri, gruaja shtatzënë dhe 2 fëmijët) u gjetën në kushte të mira shëndetësore.

Krujë/Kultivonin kanabis, shkatërrohet një grup kriminal

Policia e Durrësit ka finalizuar me suksese operacionin policor “Ndëshkimi”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike. Për pasojë janë arrestuar 9 persona dhe një tjetër është shpallur në kërkim. Gjatë kontrollit të kryer janë sekuestruar 3 armë zjarri, 5 armë gjahu dhe municion luftarak, ndërkohë që janë asgjësuar fidanë kanabis të kultivuar, në një zonë të pyllëzuar të fshatit Shqezë të Krujës. Operacioni është finalizuar pas një hetimi 2 mujor me metoda speciale të hetimit, të realizuara nga Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë dhe SHÇBA – në, të mbështetur nga Forcat e Lëvizshme Operacionale në Policinë e Shtetit.