Tiranë - Ministri Lleshaj pret Ministrin e Brendshëm të Turqisë, Soylu - Ministria e Brendshme
Postuar më: 26/07/2019

Tiranë – Ministri Lleshaj pret Ministrin e Brendshëm të Turqisë, Soylu

Tiranë – Ministri Lleshaj pret Ministrin e Brendshëm të Turqisë, Soylu – VIDEO

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj priti sot ministrin e Brendshëm të Republikës së Turqisë, z. Süleyman Soylu. Kjo vizitë zyrtare e ministrit turk, pason takimin që dy ministrat patën në Ankara disa muaj më parë. Bisedimet u fokusuan mbi mundësitë, për rritjen e bashkëpunimit në funksion të sigurisë publike.

Ministri Lleshaj i vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira, duke theksuar se ky është një moment për t’u dhënë një shtysë të re atyre.

Ministri Soylu falënderoi z. Lleshaj për mikpritjen dhe bujarinë. Ai e cilësoi Shqipërinë si një vend mik dhe marrëdhëniet historike e rrënjësore si të shkëlqyera, me mundësi për t’i çuar përpara. Shqipëria është një nga vendet e rajonit, me të cilën Turqia bashkëpunon më së shumti, u shpreh z. Soylu, duke pohuar se ka disa bashkëpunime funksionale që uroi të jenë të vazhdueshme.

Gjatë takimit u trajtuan fushat ku do të ndalet e kërkohet të thellohet bashkëpunimi, mes dy ministrive të Brendshme e Policive përkatëse. Ky bashkëpunim synohet të thellohet mes dy Akademive të Sigurisë, në fushën e luftës kundër krimit ekonomik e financiar, trajnimi i personelit policor, pajisjet për Policinë e Shtetit, si dhe ekspertiza për sistemin e menaxhimit doganor shqiptar.

Ministri Lleshaj veçoi si prioritar bashkëpunimin për luftën kundër krimit ekonomik dhe financiar, trajnimet e efektivëve dhe pajisjet policore.

Dy ministrat e Brendshëm vizituan më pas, Repartin e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH) në Tiranë, ku pati një prezantim të shkurtër të punës dhe rezultateve të kësaj force, si dhe u panë nga afër ambientet e trajnimit dhe stërvitjes së tyre.