Ministria e Brendshme në 1 javë – Buletin nr. 97 - Ministria e Brendshme
Postuar më: 05/08/2019

Ministria e Brendshme në 1 javë – Buletin nr. 97

Raporti Javor Nr. 97 – VIDEO

29 korrik – 4 gusht 2019

Lleshaj me oficerët e ardhshëm të Policisë Kriminale: Do të ngremë një strukturë të fortë për luftën kundër krimit ekonomik

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, i shoqëruar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu dhe drejtues të Akademisë së Sigurisë zhvilloi një bashkëbisedim me studentët, që brenda pak javësh përfundojnë kursin për Oficerë të Policisë Kriminale. Me këtë rast, Ministri Lleshaj ftoi çdo student të diplomuar me rezultate të larta, që ka dëshirë të bëhet pjesë e Policisë së Shtetit, të aplikojë deri në 15 shtator. “Ky është kursi i parë që bëhet. Ne do të hapim tjetrin në muajin tetor, dhe duam që të vërtetojmë që është e mundur të bëhen oficerë policie nga universitetet. Ju e keni në dorë që përmes performancës suaj, të justifikoni rrugën dhe ta mbani hapur atë për të tjerët, që do të vijnë pas jush. Ne do t’i mbajmë hapur të dy kanalet; edhe kanalin që vjen nga universitetet, edhe kanalin që vjen nga shkolla e mesme dhe nga policia”, u shpreh z. Lleshaj.  Më tej, duke nënvizuar rëndësinë që ka lufta ndaj krimeve të sofistikuara si ai ekonomik e kompjuterik, ministri bëri një ekspoze të nevojave që ka Policia e Shtetit për ekspertë të kualifikuar në trajtimin e këtyre veprave penale. Ai theksoi se “do të ngremë një strukturë të fortë për luftën kundër krimit ekonomik”. Kjo është një thirrje për kursin e dytë që hapet nga Policia e Shtetit, për të rekrutuar studentë të diplomuar me rezultate të larta, me qëllim afrimin e kapaciteteve profesionale për strukturat e hetimit të Policisë Kriminale, parandalimit të pastrimit të parave dhe krimit kompjuterik.

Shtyhet deri më 15 shtator, afati për ekselentët që duan të rekrutohen në Polici, për 100 vende

Policia e Shtetit ka shtyrë deri më datën 15 shtator 2019 afatin për aplikimet për rekrutimin e 100 studentëve që kanë përfunduar universitetin me rezultate të larta dhe dëshirojnë të bëhen pjesë e Policisë. Shtyrja e afatit lidhet me kërkesat e shumta, adresuar Policisë së Shtetit, për shkak të përmbylljes së diplomimit të një numri të madh studentësh në këto javë, që kanë shprehur dëshirën për të konkurruar dhe bërë pjesë e Policisë. Në përfundim të kursit, studentët do të bëhen pjesë e strukturave të hetimit të Policisë së Shtetit dhe do të marrin gradën policore Nënkomisar. Tashmë është zgjeruar edhe mundësia për dorëzimin e dosjeve, ku veç drejtorive vendore të policisë, aplikantët mund t’i dorëzojnë ato edhe pranë Komisariateve që janë pranë çdo njësie vendore. Kandidatët që kanë kryer programin Master me notë mesatare mbi 8, duhet të plotësojnë kriteret e përgjithshme dhe ato të veçanta në mënyrë që të futen në procedurën e përzgjedhjes. Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit fton dhe nxit të gjithë studentët që kanë kryer ciklin e studimeve që përmbushin kriteret, të marrin pjesë në garën për t’u bërë pjesë e Policisë së Shtetit!

Shtyhet deri në 15 gusht, afati për aplikimet në Shkollën Bazë të Policisë për “Patrullë e Përgjithshme”, për 500 vende

Nisur nga kërkesat e shumta të adresuara në adresat zyrtare të Policisë së Shtetit dhe në Drejtoritë Vendore të Policisë nga qindra të rinj e të reja, të cilët kanë shprehur dëshirën për të konkurruar dhe bërë pjesë e Policisë, por për arsye të ndryshme nuk kanë mundur dot të plotësojnë gjithë dokumentacionin deri më datën 3 gusht, Policia e Shtetit ka shtyrë deri më 15 gusht 2019, afatin për aplikimet për pranim në Kolegjin Profesional të Lartë për “Patrullë e Përgjithshme”. Policia e Shtetit, u vjen në ndihmë aplikantëve, të cilët dy prej dokumenteve të kërkuara, certifikatën familjare dhe dëshminë e penalitetit, do t’i marrin në zyrat e shërbimit për qytetarët. Njëkohësisht të gjithë aplikantët që janë regjistruar në kursin për Leje Drejtimi, të paraqesin në dokumentet e kërkuara, vërtetimin që ndjekin këtë kurs, dhe në momentin që shpallen fitues në fazën e parë të konkurrimit, duhet të paraqesin Lejen e Drejtimit, në të kundërt skualifikohen dhe nuk kanë të drejtë të vijojnë fazat e mëtejshme të konkurrimit.

Drejtori Veliu inspektim në Portin e Durrësit për masat për sezonin turistik

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu zhvilloi një inspektim në Portin e Durrësit për të vëzhguar nga afër zbatimin e masave në pikat e kalimit kufitar, me qëllim përballimin e fluksit të lëvizjeve, parandalimin e azilkërkimit si dhe rritjen e forcës goditëse ndaj dukurive kriminale e paligjshmërisë. Veliu kërkoi angazhim maksimal nga punonjësit e policisë në sportele në shërbim të qytetarëve dhe ofrimin e një shërbimi sa më cilësor dhe në kohë.  Ai porositi drejtuesit e Drejtorisë për Kufirin dhe Migracionin që në rast të një fluksi të madh, të aplikojnë procedura të përshpejtuara, por pa neglizhuar kontrollin e personave apo mjeteve të dyshimta. Veliu vuri në dukje se “gjatë muajit korrik, vetëm në Portin e Durrësit kanë hyrë mbi 110 mijë shtetas shqiptarë dhe të huaj, me rreth 25 mijë mjete dhe kanë dalë rreth 32 mijë shtetas shqiptarë dhe të huaj me rreth 9 mijë mjete”. Gjithashtu Drejtori Veliu kërkoi kontroll rigoroz të dokumentacionit të qytetarëve që dalin jashtë vendit që të jenë në përputhje me kushtet e lëvizjes në hapësirën Schengen, dhe të ndalojnë ata persona që përpiqen të përfitojnë nga rasti për të bërë kërkesë të paligjshme për azil.  Parandalimi i këtij fenomeni është një nga prioritetet e Qeverisë, Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit.

Lufta kundër informalitetit dhe evazionit fiskal

Policia e Shtetit ka thelluar goditjet kundër informalitetit dhe evazionit fiskal nëpërmjet një serë kontrollesh rrënjësore në subjekte të ndryshme që ushtrojnë veprimtari ekonomike duke u përpjekur të shmangin detyrimet ligjore. Në rrezen e goditjes kanë rënë edhe zyrtarë të pushtetit lokal të përfshirë në marrëdhënie korrupsioni nëpërmjet shpërdorimit të detyrës. Rezultatet u bënë të ditura gjatë një deklarate për media të kreut të Hetimit të Krimit Ekonomik në Policinë e Shtetit, Lutfi Minxhozi, i cili theksoi se janë kontrolluar mbi 800 subjekte, në një pjesë të cilave janë konstatuar shkelje të ndryshme. Minxhozi deklaroi se “si rezultat i këtyre kontrolleve janë evidentuar 89 subjekte në shkelje të ligjit dhe të gjithë përfaqësuesit e tyre janë proceduar penalisht për veprat penale: fshehja e të ardhurave, moslëshim i kuponit tatimor, ushtrim aktiviteti tregtar i paligjshëm, mospagim i taksave dhe i tatimeve, ndërtim i paligjshëm etj., të cilat ndiqen në bashkëpunim me prokuroritë e rretheve gjyqësore përkatëse”. Minxhozi tha se gjatë kontrolleve të bëra janë marrë si masa procedime penale dhe arrestime në radhët e zyrtarëve lokalë, në disa rrethe. “Janë proceduar penalisht 30 zyrtarë të administratës për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, nga të cilët 23 nëpunës të bashkive; 3 nëpunës të sistemit fiskal; 4 nëpunës të Drejtorive Rajonale të Punësimit. Nga nëpunësit e proceduar penalisht, 5 prej tyre janë arrestuar në flagrancë, konkretisht Kryetari i një Njësie Administrative, Bashkia Fier; 4 punonjës të Tatim-Taksave, në Bashkinë Shkodër”, nënvizoi Minxhozi.

OPERACIONE POLICORE

Avari në det/Policia Kufitare e Vlorës shpëton 5 persona

Policia Kufitare e Vlorës u ka ardhur në ndihmë 5 shtetasve të cilëve iu rrezikua jeta si pasojë e zjarrit të rënë në mjetin lundrues në të cilin ndodheshin. Mjeti lundrues i “Aqua Marine” duke qenë se punon me turistët nga Moli i Vlorës drejt Karaburunit, për shkak të luhatjeve të kohës, është shkëputur nga Moli i Vlorës fundjavën e kaluar dhe është ankoruar në Karaburun, me qëllim që të ishte e përgatitur për vozitjen e turistëve atje. Në orët e para të mëngjesit të së hënës, në Karaburun pranë plazhit të Shën Vasilit, në këtë mjet lundrues ka rënë zjarr duke u rrezikuar jeta e disa shtetasve. Pas njoftimit të marrë, Policia Kufitare me mjetet e saj lundruese, nën drejtimin orientues të QNOD Durrës, shkoi në ndihmë të personave që kërkuan ndihmë, duke bërë të mundur konstatimin e mjetit lundrues pranë gjirit të ‘Dhimo Kushtës’ dhe shpëtimin e sigurt të personave në bordin e saj. Grupi hetimor po kryen veprimet e mëtejshme në lidhje me sqarimin e rrethanave dhe zbulimin e shkaqeve të rënies së zjarrit.

Policia e Shtetit ka realizuar me sukses dy operacione kundër krimit ekonomik e financiar, përkatësisht në Durrës dhe Tiranë, të koduara “Gjobvënësit” dhe “Investimi”. Në Durrës, në bashkëpunim me Prokurorinë e rrethit, pas një hetimi me metoda speciale, janë arrestuar 3 persona për shkak se në bashkëpunim me njëri – tjetrin me anë të kanosjes dhe dhunës, kanë shtrënguar një shtetas në Durrës, për dhënien e një shume prej 50 000 eurosh.  Gjatë operacionit u sekuestruan një sasi eurosh, si provë materiale, që ishin paguar në formë kësti nga shtetasi viktimë e kanosjes.

Në Tiranë, Policia e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, finalizoi operacionin policor të koduar “Investimi”, për sekuestrimin e 1 500 000 euro llogari bankare, të një shtetasi, ish – zyrtar i lartë në Drejtorinë e ALUIZNI-t  në vitet 2006 – 2011. Ky shtetas dyshohet se ka konsumuar veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, duke kryer disa investime në pasuritë e paluajtshme. Nëpërmjet një banke private, shtetasi i dyshuar ka tentuar transferimin e 1 milionë eurove jashtë vendit, me justifikimin për investime financiare, ndërkohë 500 000 Euro të tjera i ka vendosur në depozitë me afat.

Lezhë/Policia rrugore ndalon të riun për mitdhënie

Arrestohet në flagrancë një drejtues automjeti, banues në Firence, Itali, i cili tentoi tu ofroi ryshfet punonjësit të Policisë Rrugore, me qëllim shmangien e masës administrative. Ngjarja ka ndodhur në aksin rrugor Thumanë – Milot, kur 19-vjeçari pasi ka shkelur rregullat e qarkullimit rrugor duke drejtuar mjetin e tij tej normave të lejuara të shpejtësisë, gjatë momentit të ndalimit nga patrulla e policisë, i ka ofruar punonjësit të Policisë Rrugore së bashku me dokumentacionin një kartëmonedhë të prerjes 50 euro, me qëllim shmangien e masës administrative. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë në ngarkim të shtetasit të lartpërmendur, për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 244 i Kodit Penal.

Durrës, Gjirokastër, Tiranë/Arrestohen 3 shtetas për kanabis e shpërndarje heroine 

Në Durrës dhe Gjirokastër, Policia ka arrestuar dy shtetas, të cileve iu është gjetur lëndë narkotike Cannabis Sativa. Në Durrës droga, një sasi prej 42.26 kg lëndë narkotike kanabis sativa, u gjet në një një makinë e cila u ndalua në mbikalimin e Shkozetit. Policia sekuestroi lëndën narkotike, mjetin dhe materiale në të tjera në cilësinë e provës materiale. Policia e Gjirokastrës ka ndaluar një 21-vjeçar banues në fshatin Picar, Gjirokastër, pasi nga kontrolli i ushtruar në afërsi të stanit të tij, u gjet një sasi rreth 14 kg lëndë narkotike e dyshuar Cannabis Sativa, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale

Ndërkohë në Tiranë, uniformat blu arrestuan një shtetas tjetër, të cilit iu gjetën disa doza lënde narkotike heroinë, e gatshme për t’u shitur. Gjatë kontrollit në banesë, këtij shtetasi iu gjetën 20 doza heroinë, një peshore dhe një sasi parash të përfituara nga shitja e drogës. Autori u ndalua në bazë të informacioneve të grumbulluara nga policia në rrugë operative.