Ministria e Brendshme në 1 javë – Buletin nr. 98 - Ministria e Brendshme
Postuar më: 11/08/2019

Ministria e Brendshme në 1 javë – Buletin nr. 98

Raporti Javor Nr. 98
5 – 11 gusht 2019

FORMOHEN KËSHILLAT BASHKIAKE NË RRËSHEN E LAÇ
Lleshaj: Rilindja urbane i dha Rrëshenit pamjen që meritonte. Qeveria do të mbështesë agroturizmin

Ministri Lleshaj mori pjesë në ceremonitë e përurimit të këshillave bashkiake në bashkitë e Rrëshenit dhe Kurbinit, gjatë të cilave kryetarët e zgjedhur të bashkive respektive, bënë betimin sipas ligjit. Me këtë rast Lleshaj bëri të njohur edhe disa nga projektet e posaçme që qeveria Rama ka hartuar për këto zona, me synim zhvillimin ekonomik dhe rritjen e cilësisë së jetesës për banorët.
“Konstituimi i Këshillit Bashkiak të Mirditës dhe betimi për herë të dytë i Ndrec Dedës, si kryetar i rizgjedhur i kësaj bashkie, na bën shpresëplotë, se për katër vitet në vijim, për mirditasit do të ketë më shumë zhvillim ekonomik dhe social, dhe kjo, përmes investimeve në infrastrukturë, arsim dhe kulturë. Rilindja urbane i dha Rrëshenit pamjen që meritonte. Programi i 100 fshatrave, duke nxitur gjithpërfshirjen, do të hapë më shumë dyer në zhvillimin e ekonomisë jo vetëm familjare, por të të gjithë zonës,” tha Ministri Lleshaj në Rrëshen.
Në Laç, Ministri theksoi se qeveria do të mbështesë dhe nxisë projektet e fermerëve për agroturizmin, me synim promovimin dhe zhvillimin e gjithanshëm të sektorit turistik.
“U konstitua Këshilli Bashkiak i Kurbinit dhe Kryetarja e re e Bashkisë Majlinda Cara bashkë me betimin, u angazhua për të nisur një rrugëtim 4-vjeçar, me projekte në shërbim të përmirësimit të cilësisë së jetës për banorët e kësaj zone. Qeveria do të vijojë të jetë mbështetëse e projekteve dhe promotore për nxitjen e tyre. Jo vetëm nē infrastrukturë, por edhe në arsim, shëndetësi e në zonat rurale për të mbështetur iniciativat e fermerëve dhe agroturizmin, si një promotor i fortë për zhvillimin e turizmit,” u shpreh ai pas kësaj ceremonie.

HOMAZHE NË 10 VJETORIN E RËNIES SË 4 “DËSHMORËVE TË ATDHEUT”
Voda: Nderim dëshmorëve të atdheut Fatos Xhani, Altin Dizdari, Kastriot Feskaj dhe Sajmir Duçkollari, rënë në detyrë

Me rastin e 10-vjetorit të rënies në krye të detyrës të katër punonjësve të policisë, Zv.ministrja e Brendshme Rovena Voda, drejtues të lartë të Policisë së Shtetit dhe familjarë të të rënëve, bënë homazhe në varrezat e dëshmorëve, ku prehen trupat e tyre. Në fjalën e mbajtur në këtë ceremoni, Voda theksoi sakrificën sublime të dëshmorëve Fatos Xhani, Altin Dizdari, Kastriot Feskaj dhe Sajmir Duçkollari, të cilët humbën jetën gjatë një aksioni për kapjen e një personi të rrezikshëm, në Durrës në muajin gusht 2009.
“Dhjetë vjet më parë, dora makabre e krimit nuk kurseu plumbat ndaj ruajtësve të ligjit dhe u mori jetën para kohe katër punonjësve të Policisë së Shtetit, sot Dëshmorë të Atdheut. Vrasja në krye të detyrës e mbrojtësve të ligjit, Fatos Xhani, Altin Dizdari, Kastriot Feskaj dhe Sajmir Duçkollari, rënë në detyrë me 7 gusht 2009, shënoi një tronditje të thellë për familjarët, kolegët e tyre në radhët e Policisë dhe miqtë e tyre,” – u shpreh Voda.
Duke përmendur faktin se numri i përgjithshëm i punonjësve të policisë, të rënë në detyrë, është 224, ajo vuri në dukje interesimin e përhershëm të qeverisë dhe institucioneve për familjarët e të rënëve.
“Aktualisht janë 224 punonjës të policisë, të rënë në detyrë. Asnjë institucion tjetër ligjzbatues i shtetit shqiptar, nuk ka kaq shumë të rënë e dëshmorë sa Policia e Shtetit. Me qëllim lehtësimin sadopak të dhimbjes dhe përballimin e vështirësive të natyrshme të jetës së përditshme, Ministria e Brendshme ka përgatitur një paketë mbështetëse ndaj familjarëve të policëve të rënë në detyrë,” tha ndër të tjera Voda.
Ajo përmendi gjithashtu faktin se Ministri Lleshaj, ka marrë kontakt me të gjithë familjarët e punonjësve të policisë të rënë në detyrë, që prej ditëve të para të emërimit si ministër, me qëllim për t’iu gjendur pranë për çdo shqetësim apo problem që ata mund të kishin. Voda tha gjithashtu se një nga premtimet e bëra është vendosja e të gjithë të rënëve të Policisë në varrezat e Dëshmorëve.

VODA SHPJEGON RISITË E P/LIGJIT TË RI “PËR SHTETËSINË”
“Janë zgjeruar mënyrat e fitimit të shtetësisë, duke parashikuar edhe fitimin e shtetësisë me origjinë”

Zv. ministrja e Brendshme, Rovena Voda, gjatë një takimi me mediat ka shpjeguar detaje të rëndësishme të projektligji të ri “Për Shtetësinë”, ku vuri në dukje zgjerimin e bazës së individëve që mund ta fitojnë atë përmes origjinës, lidhjeve apo interesit ekonomik etj. Ajo nënvizoi faktin që në këtë p/ligj ka si risi futjen e konceptit të origjinës, si një nga mënyrat e përfitimit të shtetësisë.
Ky p/ligj është hartuar nga Grupi Ndërinstitucional i Punës, i ngritur me urdhër të Ministrit të Brendshëm, – tha Voda, dhe në të ka pasur përfaqësues edhe nga disa ministri të tjera, përveç asaj të brendshme. Duke folur për mënyrën e fitimit të shtetësisë përmes origjinës, ajo u shpreh se: “te koncepti origjinë, kemi futur lidhjen e gjakut deri në tre breza. Pra, të gjithë ata të huaj që jetojnë jashtë, por që arrijnë të provojnë se kanë një lidhje deri në shkallë të tretë me një person me shtetësi shqiptare, do të mund ta përfitojnë nënshtetësinë shqiptare. Pra, lidhjen deri në shkallë të tretë e kemi bërë duke patur parasysh origjinën dhe jo etninë”.
Voda u ndal edhe në rastet e revokimit të nënshtetasisë për ata individë të natyralizuar si shqiptarë, por që përfshihen në akte të paligjshme që rrezikojnë sigurinë kombëtare. “Një e veçantë tjetër në interes të sigurisë kombëtare është dhe ajo e lidhjes me organizatat terroriste. Ne kemi futur edhe rastin kur shtetasi heq dorë vullnetarisht, por edhe kur i hiqet edhe pa kërkesë. Këto raste janë kur vërtetohet kur personi është pjesë e grupeve kriminale ose terroriste. Në këtë rast kjo bëhet me kërkesë të Ministrit të Brendshëm”, tha Voda.
Në lidhje me parashikimet ligjore të rasteve kur një person fiton shtetësinë si rast i veçantë, Voda sqaroi se: “projektligji parashikon dhe rregullon fitimin e shtetësisë me natyralizim, si rast të veçantë, në rastet kur Republika e Shqipërisë ka një interes ekonomik, shkencor, kulturor dhe sportiv, si dhe kombëtar, duke autorizuar rregullimin me akt nënligjor, pasi një gjë e tillë ka munguar, duke bërë që të mos ndiqet një procedurë e përcaktuar dhe e unifikuar për të gjitha rastet, në institucionet përgjegjëse”. Në p/ligj ka shumë lehtësira për shqiptarët që kanë emigruar jashtë vendin dhe që kanë probleme të regjistrimit të fëmijëve të lindur në vende të huaja. Po kështu ka lehtësime edhe për personat që duan të rimarrin shtetësinë shqiptare pas kërkesës për lënie të saj, në rastet e dyshtetësisë etj. Ligji synon të reduktojë fenomenin e pashtetësisë, duke respektuar detyrimet që ka vendi ynë në kuadër të aderimit në konventat e shtetësisë dhe të reduktimit të pashtetësisë.

Vlorë, Hapet zyra e re e aplikimit për karta ID e pasaporta biometrike

Zyrat e aplikimit për dokumente biometrike do të jenë të hapura në fundjavë dhe gjatë ditëve të festës zyrtare të Kurban Bajramit në të gjithë vendin, tha Zv.ministrja e Brendshme Rovena Voda gjatë vizitës së saj në Vlorë ku së fundmi është hapur një zyre e re moderne për këtë qëllim. E shoqëruar nga Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile z. Bledar Doracaj, ajo u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të Vlorës, të nxitojnë dhe të aplikojnë për dokumentet e reja, në rast se ato janë prodhuar gjatë vitit 2009 dhe skadojnë këtë vit. “U bëj thirrje qytetarëve të cilëve u ka skaduar, pra kanë qenë të parët në fashën e atyre që u ka skaduar afati për karta identiteti dhe pasaporta biometrike, të vijnë të aplikojnë sa më parë!”
Voda vuri në dukje se qeveria shqiptare, me qëllim që të lehtësojë procesin e aplikimit për shtetasit, ka kërkuar që zyrat të rrinë të hapura edhe për fundjave dhe në ditë feste. “Ditën e shtunë, zyrat e aplikimit të “Aleat” janë të hapura, por edhe ditën e hënë, në të gjitha qytetet e mëdha, edhe pse është një ditë feste zyrtare të gjithë mund të shkojnë të aplikojnë për pasaporta dhe karta identiteti,” u shpreh Zv.ministrja.
Gjatë këtij inspektimi ajo vuri nw dukje se “Në zyrën e re operojnë 12 operatorë, pra ofrohen 12 poste aplikimi ku qytetarët mund të aplikojnë për karta identiteti dhe pasaporta biometrike”. Në lidhje me procedurat dhe kohën që e aplikimit ajo nënvizoi se “fluksi është qetësuar goxha, njerëzit për 2-3 minuta mund të mbarojnë punë.”

Policia u kthen qytetarëve rreth 14 000 m2 hapësirë publike në plazhe

Operacioni “Plazh i lirë”, procedohen dhjetëra shtetas e zyrtarë lokalë në Vlorë, Kavajë, Durrës, Lezhë e Pogradec
Policia e Shtetit ka “çliruar” rreth 14 mijë metra katrorë hapësira publike në plazhe, të cilat ishin zaptuar nga individë që nuk kishin leje nga autoritetet vendore për përdorimin e tyre. Gjatë ditët e fundit, patrullat e policisë kanë zhvilluar operacione në gjithë vijën bregdetare, ku përfshihen plazhet në Golem, Durrës, Vlorë, Shëngjin, Velipojë dhe liqenin e Pogradecit. Me këtë rast janë proceduar mbi pronarë subjektesh për veprat penale “Fshehja e të ardhurave”, “Mospagim i taksave”, “Pushtimi i tokës”, “Zënia e hapësirave publike”, “Moslëshimi i kuponit tatimor”, “Punësimi i paligjshëm”. Po kështu janë proceduar penalisht zyrtarë të bashkive Kavajë, Lezhë e Pogradec për “Shpërdorim detyre”. Gjatë këtij aksioni, policia ka sekuestruar edhe qindra shezlone e çadra plazhi që u përkisnin individëve zaptues të këtyre hapësirave.  Operacioni kundër informalitetit dhe lirimit të plazheve të zaptuara në mënyrë të kundërligjshme, i koduar i “Plazh i lirë”, do të vijojë deri në formalizimin e çdo operatori që përfiton në mënyrë abuzive duke mos paguar detyrimet fiskale sipas ligjit. Deri më sot, këta operatorë procedohen dhe ndëshkohet me gjoba, por në p/ligjin që po hartohet, parashikohen edhe dënime më të rënda.

TIRANË, KONTROLLE TË RREPTA PËR CELULARËT

“Policia Rrugore ndëshkon 758 drejtues mjetesh për përdorim të aparatit celular gjatë drejtimit të mjetit”
Gjatë ditëve të fundit Policia Rrugore ka ndërmarrë kontrolle rigoroze me qëllim evidentimin dhe ndëshkimin e shoferëve që përdorin celularin në timon. Gjatë këtyre kontrolleve janë evidentuar dhe ndëshkuar të paktën 758 drejtues mjetesh. Në një apel të bërë me këtë rast, Policia e Shtetit u kujton qytetarëve rrezikun që shkakton celulari në timon, qoftë për vetë përdoruesin, ashtu edhe për kalimtarët apo mjetet e tjera.
“Nisur nga rreziku potencial që mbart përdorimi i aparatit celular gjatë drejtimit të mjetit, si dhe nga fakti që në shumë aksidente rrugore, është provuar se shkak është bërë përdorimi i aparatit celular, rrugorët e kryeqytetit janë angazhuar me forma kontrolli nga me efikaset, përfshi edhe agjentët civilë, të cilët monitorojnë dhe dokumentojnë sjelljen e përdoruesve të rrugës në zona të ndryshme të kryeqytetit,” thuhet ndër të tjera në këtë apel. Synim i këtyre kontrolleve nuk është ndëshkimi, por ndërgjegjësimi i përdoruesve të automjeteve për problemet që shkakton përdorimi i celularëve gjatë lëvizjes.
Policia Rrugore e Tiranës njofton se do të vijojë në mënyrë permanente me verifikimet dhe procedimet administrative për këtë shkelje, pasi vetëm gjatë ditëve të fundit janë verifikuar dhe ndëshkuar 758 drejtues mjetesh për përdorim të aparatit celular gjatë drejtimit të mjetit.

ARRESTOHEN 3 SHTETAS PËR SHITJE DHE TRAFIK TË LËNDËVE NARKOTIKE

Policia arrestoi 3 shtetas për shitje dhe trafik drogë në qytetet Himarë, Shkodër e Durrës.

Në Himarë, gjatë operacionit “Vunoi”, policia, në bashkëpunim me forcat e FNSH-së Fier, arrestoi në flagrancë një shtetas 29 vjeç, me banim në Berat, të cilit gjatë kontrollit në mjet iu gjet 16 kg lëndë narkotike. Policia sekuestroi drogën e kapur dhe sende të tjera në të tjera në cilësinë e provës materiale.
Në Shkodër, Policia Kufitare arrestoi në flagrancë një 27-vjeçar, i cili tentoi të trafikonte në drejtim të Malit të Zi, 20 kg lëndë narkotike Cannabis Sativa. Mjeti, lënda narkotike dhe sende të tjera u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.  Në kuadër të operacionit të koduar “Sukthi”, policia arrestoi në flagrancë një shtetas në Durrës, të cilit iu gjet me vete një sasi kokaine, që dyshohej se do ta shiste te klientë përdorues droge. Nga kontrolli i ushtruar në automjetin e tij u gjetën rreth 18.5 gr kokainë, e cila u sekuestrua. Gjatë kontrollit në banesën e këtij shtetasi u gjet dhe u sekuestrua një peshore elektronike si dhe sende të tjera në cilësinë e provës materiale. Autori u zbulua në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative.