Ministria e Brendshme në 1 javë – Buletin nr. 99 - Ministria e Brendshme
Postuar më: 19/08/2019

Ministria e Brendshme në 1 javë – Buletin nr. 99

Raporti Javor Nr. 99
12 – 19 gusht 2019

MINISTRI LLESHAJ NË LEZHË, KONSTITUOHET KËSHILLI BASHKIAK
“Ky qytet historik duhet të përbëjë një nyje tërheqëse për turizmin dhe Shëngjini të kthehet në një portë të rëndësishme komunikimi të Shqipërisë me botën”

Gjatë ceremonisë së konstituimit të Këshillit Bashkiak të Lezhës dhe betimit të kryebashkiakut të ri Pjerin Ndreu, ishin të pranishëm Ministri Lleshaj, kryetari i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, z. Talat Xhaferi dhe disa deputetë të kuvendit të Shqipërisë. Ministri Lleshaj u shpreh se Lezha ka një potencial të fuqishëm turistik por ka ende mungesa në infrastrukturë për të përballuar këto flukse. Ai theksoi se qeveria Rama do ta ketë në qendër të vëmendjes Lezhën për këtë mandat 4-vjeçar. “Premtimet për zhvillimin ekonomik të zonës janë përkthyer në projekte konkrete, të cilat kanë mbështetje nga qeveria. Për 4 vitet e ardhshme do të ketë më shumë vëmendje për turizmin, agrikulturën dhe infrastrukturën. Lezha duhet të marrë dinjitetin që i takon, qoftë nëpërmjet mirë-administrimit të pushtetit vendor, ashtu dhe prej mbështetjes qeveritare. Ky qytet historik duhet të përbëjë një nyje tërheqëse për turizmin dhe nëpërmjet Shëngjinit, duhet të kthehet në një portë të rëndësishme komunikimi të Shqipërisë me botën”, – u shpreh Ministri. Transferimi i detyrës nga drejtuesit e vjetër te aktualët u krye pa ndonjë problem, në ndryshim nga disa bashki të tjera ku ka pasur rezistencë në forma të ndryshme nga pushtetarët që linin detyrën.

LLESHAJ, TAKIM ME DREJTUESIT E LARTË TË POLICISË
“Rritje e përpjekjeve parandaluese kundër personave me rekorde kriminale dhe rrezikshmëri të lartë”

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj zhvilloi një takim me drejtuesit kryesorë të Policisë së Shtetit të nivelit qendror dhe vendor. Gjatë takimit, drejtuesit e Policisë së Shtetit raportuan për gjendjen e sigurisë dhe të rendit publik në vend. Ministri i Brendshëm Lleshaj u ndal në mënyrë të veçantë tek nevoja e intensifikimit të punës së drejtuesve dhe strukturave të PSH kundër veprimtarisë së rëndë kriminale në vend. Sezoni i suksesshëm turistik ka sjellë si rezultat që Shqipëria të ketë aktualisht rreth dy herë më shumë banorë sesa në ditët e zakonshme të vitit. Bashkë me rritjen e jashtëzakonshme të numrit të përgjithshëm të njerëzve në vend, janë rritur shumë edhe sfidat dhe problemet me të cilat duhet të merret Policia e Shtetit, e cila është po ajo.
Ministri Lleshaj kërkoi me forcë rritjen e përpjekjeve parandaluese kundër personave me rekorde kriminale dhe rrezikshmëri të lartë, të cilët përpiqen të shfrytëzojnë këtë periudhë për qëllime kriminale.  Duke kritikuar disa drejtues vendorë për ngjarje kriminale të ndodhura gjatë muajit gusht, z. Lleshaj përcaktoi detyra të qarta që duhet të ndiqen në periudhën në vijim. “Presingu” i mirëfilltë ndaj personave me profil kriminal, përfshirë edhe ata që kthehen në vend gjatë pushimeve, mbikëqyrja parandaluese ndaj tyre, kontrollet e mjediseve të frekuentuara prej tyre, e automjeteve dhe e veprimeve u përcaktuan si detyrë e dorës së parë.  Po ashtu, u kërkua shtimi i kontrolleve për armëmbajtjen pa leje në mjedise publike si në qarkullimin rrugor, bare e diskoteka etj.
Ministri kërkoi angazhim të fortë për menaxhimin efektiv të qarkullimit rrugor, në kushtet e rëndimit të tij për shkak të flukseve të mëdha dhe të sjelljes së papërshtatshme të disa qytetarëve.  Për strukturat kundër Krimit Ekonomik u kërkua thellimi i angazhimit në operacionin e përbashkët kundër informalitetit në ekonomi. Lleshaj vuri theks të veçantë në masat kundër kultivimit dhe trafikimit të bimëve narkotike, ku evidentoi nevojën për vigjilencë të pandërprerë në këtë fushë. Në kushtet e volumeve shumë të shtuara të angazhimit të Policisë së Shtetit, e cila ka kapacitete të limituara njerëzore, teknike dhe financiare, e vetmja rrugë e arsyeshme për sukses është bashkëpunimi efektiv me publikun. Në këtë drejtim u kërkua përmirësim i komunikimit, tërheqje efektive e informacionit dhe reagim i shpejtë ndaj tij. Mbetet sfidë e rëndësishme e PSH gjetja e rrugëve për rritjen e pjesëmarrjes së publikut në shërbim të sigurisë. Ministri i Brendshëm e vlerësoi faktin që drejtuesit e Policisë së Shtetit dhe strukturat e saj janë në krye të detyrës, edhe në kulmin e sezonit të pushimeve në vend si dhe kërkoi që ky ritëm intensiv pune të vazhdojë me seriozitet edhe në ditët në vijim.

SEZONI TURISTIK, VODA, INSPEKTIM NË DURRËS
“Inspektim në plazhet e liruara, të zaptuara nga subjekte në mënyrë të paligjshme në zonën e Currilave dhe Golemit”

Zv.ministrja e Brendshme Rovena Voda, e shoqëruar nga kryetarja e Bashkisë Durrës Valbona Sako, dhe Prefekti i Qarkut Durrës, Roland Nasto, zhvilluan një inspektim në plazhet e “Currilave” dhe të “Shkëmbit të Kavajës”, për të parë nga afër zbatimin e masave të marra, pas aksioneve të ditëve të fundit nga Policia e Shtetit. Në këtë inspektim kishte prani të ndjeshme edhe nga drejtues vendorë të Policisë së Shtetit dhe Policisë Bashkiake, të cilët janë angazhuar drejtpërdrejt në operacione për çlirimin e plazheve të zaptuar në mënyrë të paligjshme nga subjekte dhe operatorë turistikë. Durrësi ka një vijë të gjerë bregdetare dhe përballon një fluks të jashtëzakonshëm pushuesish e turistësh gjatë sezonit veror. Me qëllim mbarëvajtjen e të gjithë procesit, në Durrës është ngritur Task Forca vendore për problemet e turizmit, që drejtohet nga Prefekti i Qarkut. Gjatë inspektimit, Zv.ministrja Voda takoi edhe një prej patrullave me forca policore italiane, të cilat janë të angazhuara gjithashtu në mbarëvajtjen e sezonit veror në Shqipëri. Operacioni i policisë “Plazhe të lira” do të vijojë edhe gjatë ditëve në vijim, në mënyrë që t’i vihet fre shkeljes së ligjit dhe abuzimit nga subjekte të ndryshme.

DOKUMENTET BIOMETRIKE, MUND TË APLIKONI EDHE NË FUNDJAVË
“Çdo të shtunë, zyrat e shërbimit të qytetarëve janë të hapura dhe qytetarët mund të shkojnë të aplikojnë, edhe jashtë orarit zyrtar”

Zv.ministrja Voda bëri me dije se zyrat e aplikimit, të gjendjes civile dhe ato të shërbimit unik për qytetarët do të jenë të hapura për fundjavë, me qëllim që t’u lehtësojë procedurat dhe kursejë kohën qytetarëve, që duan të aplikojnë për rinovimin e dokumenteve të identitetit. Voda nënvizoi gjithashtu se duke iu afruar 3-mujorit të fundit të vitit, qytetarët që nuk kanë dokumente biometrike do të kenë vështirësi në marrjen e shërbimeve, prandaj ajo përsëriti thirrjen që kjo kategori të aplikojë në kohë.  “Me një urdhër të Drejtorit të Policisë së Shtetit për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve por edhe emigrantëve, të cilët kanë ardhur për të aplikuar për pasaporta biometrike, çdo të shtunë tashmë, zyrat e shërbimit të qytetarëve janë të hapura dhe qytetarët mund të shkojnë dhe të aplikojnë, edhe jashtë orarit zyrtar,” u shpreh zv.ministrja Voda. Ajo theksoi më tej se “duke filluar që nga e shtuna që shkoi, – përfshirë këtu edhe ditën e hënë që ishte ditë pushimi, por në fakt ishte një ditë pune për zyrat e Gjendjes Civile dhe zyrat e aplikimit për karta identiteti dhe pasaporta biometrike, – çdo zyrë e Gjendjes Civile do të jetë e hapur dhe çdo zyrë e aplikimit për karta identiteti dhe pasaporta biometrike do të jenë të hapura”. Voda, duke përsëritur apelin për qytetarët, tha se “thirrja ime për qytetarët do të jetë, ju lutem vazhdoni të aplikoni jo vetëm për pasaporta biometrike, por edhe për karta identiteti pasi që nga muaji tetor, nëse ju nuk do të keni edhe kuponin e aplikimit për kartën e re të identitetit, do të jetë shumë e vështirë që t’ju ofrohet një shërbim me kartën e vjetër. Ndaj ju lutem aplikoni në kohë, shmangni radhët.”

LAÇ, HAPEN ZYRAT E REJA PËR APLIKIM

Bashkia Kurbin tashmë ka një zyrë të re moderne për aplikim për dokumentet biometrike. Në ceremoninë e përurimit ishin të pranishëm kryetarja e bashkisë Kurbin znj.Majlinda Cara, Prefekti i Qarkut Lezhë z. Gjokë Jaku, si dhe Drejtori i Përgjithshëm të Gjendjes Civile z.Bledar Doracaj.
Ambjentet e reja janë ngritur e pajisur falë bashkëpunimit me autoritetet e pushtetit vendor dhe kompaninë koncesionare “Aleat”. Pajisjet e reja dhe personeli i trajnuar do të bëjë të mundur shfryrjen e presionit të krijuar nga fluksi i aplikimeve të qytetarëve që duan të rinovojnë dokumentet e identitetit.
Drejtori i Gjendjes Civile vuri në dukje se qytetarët mund të aplikojnë edhe në fundjavë, pasi zyrat e aplikimit janë urdhëruar të qëndrojnë të hapura çdo ditë.
“Përfitoj nga rasti për t’u bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Laçit, dhe jo vetëm të Laçit, që dita e shtunë është ditë pune për të gjithë zyrat e gjendjes civile, zyrat e aplikimit për pasaporta, karta ID, por edhe për për zyrat, ose komisariatet e policisë ku bëhet aplikimi për formular policie. Kjo do të vazhdojë deri sa ne të arrijmë të përballojmë fluksin me sukses. Gjithashtu operatorët e kompanisë Aleat, nëpunësit e zyrave të Gjendjes Civile janë porositur e urdhëruar që do punojnë çdo ditë, pavarësisht orarit, deri sa të mbarojë edhe i fundit në radhë që pret për të aplikuar për ID dhe pasaporta biometrike,” u shpreh z.Doracaj.
Kryebashkiakja e re e Kurbinit Majlinda Cara theksoi se kjo zyrë e lehtëson fluksin e krijuar nga aplikantët që janë kryesisht shqiptarë që jetojnë jashtë vendit.
“Eshtë një zyrë me parametra shumë më të mira dhe me hapësira më të mëdha sesa zyra që ishte ekzistente më përpara dhe patjetër që e qetëson fluksin. Ky është një premtim i imi gjatë kohës së fushatës së zgjedhjeve të 30 qershorit që u kam dhënë banorëve të Kurbinit. Që do jem çdo ditë në shërbim të qytetarëve për t’iu ofruar shërbime cilësore dhe kjo do të vazhdojë edhe në ditët në vazhdim,” u shpreh Cara. Ajo falënderoi posaçërisht për mbështetjen e dhënë Kryeministrin Rama, Ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj, dhe deputeten Lindita Nikolla.

U KTHEHEN QYTETARËVE EDHE 4800 M2 PLAZH
“Operacioni “Plazh i lirë”, procedohen dhjetëra pronarë subjektesh në Durrës, Lezhë e Himarë”

Operacioni “Plazh i lirë” vijon të thellojë bilancin e rezultateve dhe këtë javë shënohen edhe 12 procedime të reja ndaj individëve, që kishin zaptuar hapësira publike në plazhe, duke mos zbatuar ligjin. Në Himarë, Durrës e Lezhë, Policia e Shtetit ka “çliruar” rreth 4800 metra katrorë hapësira publike në plazhe, të cilat ishin “pushtuar” nga individë në mënyrë abuzive. Policia procedoi gjatë këtyre operacioneve 12 pronarë subjektesh për veprat penale “Fshehja e të ardhurave”, “Mospagim i taksave”, “Pushtimi i tokës”. U sekuestruan gjatë këtyre operacioneve edhe qindra shezlone e çadra plazhi që u përkisnin subjekteve shkelëse të ligjit.
Individët, subjekte të shkeljes së ligjit, shfrytëzonin hapësirat e plazhit (brezit ranor), pa paguar detyrimet financiare si dhe pa u pajisur me kontratë qiraje për përdorim nga autoritetet lokale. Deri më sot, autorët e këtyre shkeljeve ligjore ndëshkohen vetëm me gjoba, por në p/ligjin që po hartohet, janë parashikuar dënime më të rënda.

TIRANË, ARRESTOHET NJË VRASËS ME PAGESË
Interpol Tirana ekstradon nga Italia një shtetas të akuzuar për trafik të qenieve njerëzore

Tiranë – Policia arrestoi në flagrancë një shtetas shumë të kërkuar, i cili dyshohet se kishte planifikuar të kryente një vrasje. Në momentin e arrestimit atij iu gjet me vete një pistoletë dhe 14 fishekë, të cilat u sekuestruan bashkë me provat e tjera materiale. Autori, 28 vjeç, lindur dhe banues në Shkodër, në 2018 ishte dënuar nga gjykata me 20 vjet burg, për “vrasje me dashje”. Në një ngjarje të ndodhur në 2014, ai ka vrarë me armë zjarri një shtetas dhe ka plagosur një tjetër. Arrestimi i tij u bë i mundur falë sinjalizimit nga qytetarët të cilët dyshuan se ai mund të ishte i armatosur dhe se mund të kryente ndonjë akt kriminal.
Një shtetas shqiptar i shpallur në kërkim ndërkombëtar është ekstraduar nga Italia falë bashkëpunimit të Interpol Tirana me homologët e vet italianë. Shtetasi ishte pjesë e grupit kriminal të kontrabandimit të personave me qëllim emigrimin drejt SHBA-së, Kanadasë dhe Mbretërisë së Bashkuar, të goditur në kuadër të mega-operacionit të koduar “One If – By Land”.
Autori, 27 vjeç ishte arrestuar në Milani dhe akuzohet se në bashkëpunim me persona te tjerë, ka kryer kontrabandim të shtetasve shqiptarë drejt SHBA-së, UK dhe Kanadasë, me karta identiteti të falsifikuara, kundrejt pagesës deri në 25000 dollarë.