Ministria e Brendshme në 1 javë – Buletin nr. 100 - Ministria e Brendshme
Postuar më: 26/08/2019

Ministria e Brendshme në 1 javë – Buletin nr. 100

Buletini Javor Nr. 100
19 – 25 gusht 2019

ANTIKANABISI, KONTROLL MASIV NË TË GJITHË TERRITORIN
Policia e Shtetit angazhon forca të shumta në një aksion të shtrirë në të gjithë vendin për evidentimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike

Në kuadër të zbatimit të Planit të Veprimit Antikanabis, 1600 trupa të Policisë së Shtetit kanë realizuar një operacion në shkallë vendi, me qëllim goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit, prodhimit, mbajtjes dhe trafikimit të lëndëve narkotike. Në kontroll janë angazhuar forca nga Drejtoritë Vendore të Policisë, Policia Kufitare, Forcat e Lëvizshme Operacionale, nën drejtimin e grupeve të posaçme nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Njësitë e policisë kanë ushtruar kontroll masiv të territorit, duke koordinuar veprimet me njësitë e Guardia di Financa-s, që monitoron nga ajri, duke përdorur edhe pajisje moderne gjurmimi, drone, etj., me qëllim verifikimin e çdo koordinate, ku dyshohet se mund të ketë të kultivuara bimë narkotike. Si rezultat i kontrollit, në të gjithë vendin janë evidentuar dy raste, një rast në Malësinë e Krujës me 93 bimë dhe një rast në Gjorm të Vlorës me 40 bimë narkotike, të dyshuara kanabis. Kontrolli i territorit dhe monitorimi nga ajri do të vijojë edhe në ditët e ardhshme në përmbushje të prioritetit kryesor, atë të parandalimit të kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.

POLICIA RRUGORE, KONTROLLE MASIVE KUNDRA CELULARËVE NË TIMON
Agjentë civilë dhe/ose me uniformë kanë monitoruar me pajisje speciale sjelljen e drejtuesve të mjeteve në rrugë të ndryshme të kryeqytetit. 380 gjoba vetëm për mbajtje celulari

Në Tiranë, efektivët e Policisë Rrugore kanë rritur kontrollet sipas Planit të Veprimit për evidentimin, dokumentimin dhe ndëshkimin e drejtuesve të mjeteve, që përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit. Monitorimi i shkelësve bëhet me pajisje speciale dhe në këtë aksion përfshihen edhe agjentë civilë. Në pak ditë janë evidentuar dhe proceduar 380 drejtues mjetesh, që përdornin aparatin celular në timon.
Policia Rrugore ka shtuar kontrollet edhe ndaj shkeljeve të tjera si drejtim i mjetit në gjendje të dehur, shpejtësisë mbi normat e lejuara, shkeljeve të sinjalizimit etj. Janë kapur në kushtet e flagrancës 26 drejtues mjetesh, nga të cilët 8 për drejtim mjeti në gjendje të dehur, 17 për drejtim mjeti pa leje drejtimi dhe 1 për trafikim të mjeteve motorike. Janë pezulluar 111 leje drejtimi, nga të cilat 33 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, 42 për shpejtësi mbi normat e lejuara dhe 36 për shkelje të tjera të rregullave të qarkullimit rrugor. Janë proceduar administrativisht 1 767 drejtues mjetesh, për qëndrim dhe pushim të mjeteve në kundërshtim me sinjalizimin rrugor. Janë vendosur 2 050 masa administrative për shkelje të tjera të rregullave të qarkullimit rrugor, nga këto 289 masa si rezultat i raportimit të qytetarëve në Komisariatin Dixhital dhe 74 masa nga raportimet në numrin 112. Në Elbasan, Policia Rrugore ka vendosur 1 183 masa administrative, duke proceduar dhe arrestuar 18 drejtues mjetesh, nga të cilët: 3 janë arrestuar për drejtim mjeti në gjendje të dehur, 8 për drejtim mjeti pa leje drejtimi dhe 7 të tjerë janë proceduar penalisht në gjendje të lirë. Janë pezulluar 25 leje drejtimi, nga të cilat 13 për drejtim mjeti me shpejtësi tej normave të lejuara, 9 për drejtim mjeti në efektin e alkoolit dhe 4 për shkelje të tjera të parashikuara nga Kodi Rrugor.

SIGURIA KIBERNETIKE
Kuko: Bashkë me UNICEF kemi nisur një projekt ambicioz, i cili do të vendosë barriera sigurie ligjore dhe teknike në hapësirën kibernetike

Zv.ministrja e Brendshme Romina Kuko mori pjesë në një takim ku u diskutua për krimin kibernetik dhe sigurinë kibernetike, në të cilin ishin të pranishëm ekspertë të fushës dhe përfaqësues nga organizmat ndërkombëtare. Kuko u shpreh se siguria kibernetike është një prioritet për Ministrinë e Brendshme. Ajo theksoi se “Në kuadër të Kapitullit 24 (me BE) dhe gjithë komponentët duke përfshirë sigurinë e të miturve online, në bashkëpunim me UNICEF kemi nisur një projekt ambicioz i cili do të vendosë barriera sigurie ligjore dhe teknike në hapësirën kibernetike”. Ministria e Brendshme po punon në drejtim të plotësimit të kuadrit ligjor për të parandaluar dhe luftuar krimin kibernetik. Nga ana tjetër, nëpërmjet programit të “fondit të ekselencës”, po tërhiqen pranë Policisë së Shtetit ekspertë IT për t’u bërë pjesë e trupës që do të gjurmojë krimin kompjuterik (kibernetik).

VETTINGU NË POLICI, DENONCO RASTET E KORRUPSIONIT!
Komisionit i Jashtëm i Vlerësimit (Vetting-ut) fton qytetarët të denoncojnë në faqen e tij rastet e korrupsionit në Policinë e Shtetit

Pas ndryshimeve ligjore dhe plotësimit me staf të strukturave të vetingut, tashmë ka nisur zyrtarisht puna për verifikimin e zyrtarëve më të lartë të policisë, Gardës dhe SHÇBA-së. Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit (vetingut) po shqyrton dosjet përkatëse të këtyre zyrtarëve, dhe njëkohësisht ka hapur një faqe interneti për të gjithë qytetarët, ku mund të denoncohet çdo rast korrupsioni i subjekteve që po verifikohen. Publikimi i emrave në këtë faqe bëhet me qëllim realizimin e një procesi sa më transparent ndaj publikut, i cili tashmë njihet në kohë reale me emrat e oficerëve të policisë, që shqyrtohen nga komisioni. Në faqen e internetit të KJV ka një rubrikë të posaçme për denoncime nga qytetarët, të cilët mund të dërgojnë çdo informacion që lidhet me procesin e vettingut, në rast se kanë të dhëna për abuzime apo shkelje ligjore nga subjektet në verifikim. Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit deklaron se do të trajtojë me përgjegjësi e paanshmëri çdo informacion të vlefshëm. Vettingu në polici kryhet nëpërmjet 3 filtrash që janë : vlerësimi i pasurisë; kontrolli i figurës dhe vlerësimi i aftësive profesionale.
Ftesa ndaj qytetarëve bëhet me qëllim realizimin e një procesi shterues verifikimi, për të ngritur një polici të denjë e të besueshme për të gjithë!IKMT PRISH NJË

OBJEKT PA LEJE NË HIMARË
Abuzimet në bregdet – IKMT aksion për shkatërrimin e ndërtimeve pa leje në vijën bregdetare

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT), i mbështetur edhe nga punonjës të Policisë së Shtetit, ka ndërhyrë në një rast flagrant paligjshmërie në bregdetin e Himarës, duke prishur një restorant luksoz, të ngritur mbi troje publike, nga një shtetas, i cili u bë i njohur pas një incidenti të turpshëm me një familje spanjolle, që kishte ardhur si turiste në Shqipëri. Për shkak të impaktit që kishte në opinion publik, procesi i shkatërrimit të këtij ndërtimi pa leje, u transmetua drejtpërdrejt në disa televizione publike dhe u komentua gjerësisht në media. Aksioni i IKMT synonte rikthimin e normalitetit në atë zonë turistike dhe ishte një paralajmërim për këdo që mund të keqpërdorte lirinë për të abuzuar në shkelje të ligjit dhe në dëm të interesit publik.

EKSTRADOHET NGA SHBA NJË SHTETAS I DËNUAR
Një tjetër ekstradim nga Gjermania, për trafik të mbi 100 kg kanabis drejt Maqedonisë së Veriut

Interpol Tirana në bashkëpunim me Shërbimin Diplomatik të Sigurisë në Ambasadën e SHBA në Tiranë (DSS) ka ekstraduar nga SHBA-ja në Shqipëri një shtetas, i cili ishte i dënuar në Shqipëri për falsifikim të dokumenteve. Autori ishte dënuar edhe në SHBA, ku kishte kryer 5 vite burg për veprën penale “Vjedhja me armë, në bashkëpunim”. Nga Gjermania u ekstradua një shtetas tjetër, i kërkuar për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike” në bashkëpunim. Autori, 21 vjeç, lindur në Dibër, ishte i shpallur në kërkim, nga Gjykata për Krimet e Rënda Tiranë në vitin 2017, pasi tentoi të trafikonte drejt Maqedonisë së Veriut 104,75 kg cannabis sativa.