Ministria e Brendshme në 1 javë – Buletin nr. 101 - Ministria e Brendshme
Postuar më: 02/09/2019

Ministria e Brendshme në 1 javë – Buletin nr. 101

Raporti Javor
26 gusht – 1 shtator 2019 – VIDEO

PUSTEC – MINISTRI LLESHAJ PRET HOMOLOGUN E MAQEDONISË SË VERIUT
Dakordësi për pika të përbashkëta kufitare me një ndalesë; vëmendje e projekte për bashkinë Pustec

Ministri Lleshaj u takua me homologun maqedonas Spasovski gjatë një vizite të zhvilluar në bashkinë Pustec të rrethit Korçë. Në takim u bisedua rreth bashkëpunimit dypalësh në fushën e sigurisë dhe rendit publik, me theks të veçantë rreth bashkëpunimit në fushën e menaxhimit të kufirit të përbashkët. Ministrat ranë dakord që në pikat kufitare mes dy vendeve të implementohet modeli “One stop shop”. Gjatë takimit u biseduan gjithashtu çështje të bashkëpunimit operacional policor, menaxhimit të integruar të kufirit, si dhe për çështje të tjera të luftës kundër krimit të organizuar.
Ministri Lleshaj tha se “kemi dakord për të vijuar më tej procesin e lehtësimit të lëvizjes së lirë të qytetarëve në pikat tona kufitare, me objektivin që në një kohë shumë të shpejtë, të kalojmë në modelin “One stop shop” në pikën e Qafë Thanës dhe me objektivin për t’u thelluar më tej edhe në pikat e tjera kufitare me qëllim që standardin “One stop shop” ta kemi në të gjitha pikat e përbashkëta të kalimit kufitar, midis Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë”.
Ministri i Brendshëm maqedon Oliver Spasovksi tha se “është e udhës të bëjmë gjithçka që ta lehtësojmë qarkullimin e lirë të njerëzve ndërmjet dy shteteve. Të bëjmë gjithçka që qarkullimi i njerëzve dhe mallrave të bëhet sa më i shpejtë. Dhe pikërisht kjo ishte temë e bisedave. Gjithashtu të nënshkruajmë një protokoll për menaxhimin e integruar të kufirit të përbashkët. Unë pres që në pak kohë të realizojmë atë që biseduam”. Një çështje tjetër e diskutuar është rakordimi i përpjekjeve në procesin e integrimit në BE të të dy vendeve. Pas takimit të mbajtur në bashkinë e Pustecit, ministrat dhanë edhe një prononcim të përbashkët me mediat.

KAPSHTICË – LLESHAJ DHE VELIU TAKOJNË FORCAT E FRONTEX
Lleshaj: Operacioni FRONTEX dëshmon pjekurinë e policisë shqiptare për bashkëpunim

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ardi Veliu, takuan në Pikën e Kalimit të Kapshticës, oficerët e FRONTEX që operojnë në bashkëpunim me Policinë Kufitare për sigurinë dhe menaxhimin e kufirit. Ministri Lleshaj theksoi se bashkëpunimi me FRONTEX është i rëndësishëm për Policinë shqiptare, jo vetëm në menaxhimin flukseve migratore e luftën kundër trafiqeve, por edhe në përcjelljen e përvojës personale të kësaj force. “Me kënaqësi të veçantë vizitova sot Pikën Kufitare të Kapshticës, ku së bashku me oficerët dhe punonjësit e tjerë të policisë shqiptare, kryejnë shërbim edhe oficerë policie të FRONTEX nga shumë vende europiane. Bisedova me ta dhe konstatova me kënaqësi se niveli i bashkëpunimit është shumë i lartë, efektiviteti i punës së tyre është i lavdërueshëm. Prej këtij bashkëpunimi Shqipëria po përfiton shumë. Po përfiton në radhë të parë eksperiencë të jashtëzakonshme nga përvoja e policive të ndryshme europiane, të cilat janë aktive në këtë operacion, por po ashtu Shqipëria po përfiton mbështetje të madhe në menaxhimin e kufijve të saj. Ky operacion, i pari që FRONTEX zhvillon në një vend jashtë BE-së, është një shans i mirë për të treguar nivelin e përgatitjes së policisë shqiptare, pjekurinë e saj për të bashkëpunuar në nivel europian. Kjo e gjitha është në funksion të përpjekjeve të Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Europian”, tha ministri i Brendshëm. Oficerët e FRONTEX konfirmuan se bashkëpunimi me kolegët shqiptarë është shumë i mirë, që nga nisja e misionit në maj 2019. Shqipëria është vendi i parë në rajon, me të cilin FRONTEX ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi dhe operon jashtë BE-së, në menaxhimin e integruar të kufijve.

INTEGRIMI EUROPIAN – VENDIMI PRITET NË MUAJIN TETOR
Lleshaj: KE ka rekomanduar pa kushte hapjen e negociatave, përmbushëm detyrimet

Ministri Lleshaj është shprehur se vendimi për hapjen e negociatave për Shqipërinë me BE-në do të merret në tetor dhe se gjithçka tjetër që thuhet është produkt që nuk bazohet në fakte. Ai u shpreh për mediat pas takimit të zhvilluar me homologun maqedon Oliver Spasovski (njëherësh zv.kryeministër i Maqedonisë) se :
“Detyrat e integrimit europian të Shqipërisë janë përmbushur më së miri dhe kjo është certifikuar nga Komisioni Europian, i cili ka rekomanduar pa kushte fillimin e negociatave dhe ne presim që në një kohë shumë të shkurtër, negociatat të hapen. Nuk ka ende një vendim, as për Shqipërinë, as për Maqedoninë e Veriut, sepse vendimi merret nga mesi i tetorit”. Ai i konsideroi informacione të pasakta ato që publikohen në media rreth mundësisë që Maqedonisë i është përcaktuar një datë dhe Shqipërisë jo. Lleshaj nënvizoi se rruga e integrimit për të dy vendet është e përbashkët dhe nuk mund të ndahet.
“Shqipëria e Maqedonia e Veriut janë në një rrugë të padiskutueshme integrimi, një rrugë e cila nuk mund të ndahet, ashtu sikundër ky rajon nuk mund të ndahet!” theksoi Lleshaj në deklaratën e bërë.

AZILKËRKIMI NË BE – RRUGË E GABUAR. ZERO SHANSE QË SHQIPTARËT TË PËRFITOJNË
Riatdhesohen nga Franca 60 shtetas që kërkuan azil apo shkelën rregullat e Schengen-it

Policia e Shtetit në bashkëpunim me autoritet policore franceze dhe Frontex, zhvilluan operacionin e radhës për rikthimin e 60 azilkërkuesve të paligjshëm në hapësirën Shengen. Shtetasit e kthyer u bartën me një avion charter që u nis nga qyteti francez Lille. Fluturimi nga Lilla për në Rinas u organizua nga autoritetet policore franceze në bashkëpunim me Frontex si dhe me mbështetjen e eskortës shqiptare. Nga 60 të riatdhesuarit, 20 prej tyre kishin kërkuar azil, ndërsa 40 të tjerë ishin me qëndrim të parregullt në vendet e BE-së. Operacionet e riatdhesimit do vijojnë edhe në javët e ardhshme dhe në këtë kontekst. Njëkohësisht Policia Kufitare, në pikat e kalimit do vijojë me kontrollet rigoroze në drejtim të verifikimit të dokumentacionit dhe plotësimit të kushteve për të udhëtuar në vendet e BE-së, si dhe të kontrollit më të rreptë të kufirit jeshil.

KRUJË – ANTIKABANISI, MEGA-OPERACION NË ZONËN MALORE
Pas një hetimi disa mujor u arrestuan 19 persona, 7 në kërkim

Policia e Shtetit ka vënë në pranga 19 persona për shkak se kanë kultivuar kanabis në zonat malore të linjës Krujë – Mamurras si dhe ka shpallur në kërkim 7 të tjerë. Arrestimi i tyre u bë pas një hetimi 3 mujor me metoda speciale hetimi, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë dhe në realizimin e tij ishin të përfshirë trupa policore nga Komisariati Krujë, në bashkëpunim me DVP Durrës dhe FLO. Shtetasit e arrestuar, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kultivuar bimë narkotike në zonën e pyllëzuar të fshatrave Shkretë, Mafsheq, Nojë, Qafë Shtamë, Picrragë, Brret, Borizanë të Bashkisë Krujë. Për të arrestuarit gjykata ka dhënë vendimin “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim. Ky megaoperacion pason 4 operacione të tjera të zhvilluara më herët, gjatë të cilëve janë arrestuar 27 persona dhe 2 janë shpallur në kërkim. Materialet procedurale, provat shkencore etj., janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Krujë, ndërsa hetimet vazhdojnë për të zbuluar lidhje apo persona të tjerë të përfshirë.

TIRANË – OPERACIONI KOMBËTAR KUNDËR INFORMALITETIT NË EKONOMI
8 vetë në pranga – falsifikonin biletat e transportit urban, për shmangien e detyrimeve tatimore

Policia e Shtetit arrestoi 8 shtetas të përfshirë në një skemë masive falsifikimi biletash urbani në Tiranë dhe abonesh, duke shkaktuar një dëm prej miliona lekësh. Autorët ishin administratorë, ortakë, ose punonjës kompanish të transportit urban. Operacioni u krye nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Tiranë në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës dhe Drejtorinë e Hetimit Tatimor. Gjatë këtij aksioni u sekuestruan 150 000 bileta të falsifikuara, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale. Vënia në përdorim e këtyre biletave, kap vlerën 6 milion lekëve.
Ky operacioni u zhvillua pas një hetimi njëmujor me metoda speciale të hetimit. Shtetasit e arrestuar dyshohet se duke bashkëpunuar me njëri -tjetrin kanë falsifikuar bileta të transportit urban në kohë dhe periudha të ndryshme, me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore dhe përfitim financiar të disa shoqërive operatore në transportin urban në qarkun Tiranë. Këta shtetas përdornin bileta urbani të falsifikuara dhe jo të prodhuara në Shtypshkronjën e Letrave me Vlerë, të cilat i kishin hedhur në qarkullim duke përfituar shuma të konsiderueshme monetare. Nëpërmjet këtyre veprimeve i kanë shkaktuar shtetit një dëm të madh ekonomik, i cili do të përllogaritet në vazhdimësi nga strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. U sekuestruan në cilësinë e provës materiale: disa aparate celulare, kartela të ndryshme financiare të plotësuara me shkrim dore, 5 libra arkash, 62 blloqe mandatesh arkëtimi, 350 kopje mandatesh arkëtimi, si dhe dokumente të tjera me shënime të ndryshme.

ANTIDROGA, SEKUESTROHET KOKAINË E KANABIS

Në Tiranë policia arrestuar një shtetas, i cili shpërndante kokainë në doza të vogla. Shtetasi u arrestua në flagrancë duke udhëtuar me motor, dhe me vete iu gjetën disa doza kokainë, të gatshme për shitje. Nga kontrolli në banesë, u gjetën dhe sekuestruan 306 gram kokainë. Po punohet për zbardhjen e ngjarjes dhe lidhjeve të mundshme të rrjetit të shpërndarjes.

Në Qafë Botë, Sarandë, policia arrestoi një shtetas të cilit iu gjet në makinë një sasi prej 32 kilogramë kanabis të cilën synonte ta trafikonte në shtetin fqinj. Zbulimi i lëndës narkotike u bë duke përdorur qenin antidrogë. Pas prangosjes së autorit, Policia Kufitare ka shkëmbyer menjëherë informacion me homologët grekë për të bërë të mundur kapjen dhe arrestimin e pritësit të lëndës narkotike. Në bashkëpunim me Prokurorinë Specialistët për Hetimin e Narkotikëve vijojnë punën për zbardhjen e plotë të kësaj tentative, me qëllim identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar.