Ministria e Brendshme në 1 javë – Buletin nr. 102 - Ministria e Brendshme
Postuar më: 09/09/2019

Ministria e Brendshme në 1 javë – Buletin nr. 102

Raporti Javor – VIDEO
2 – 8 shtator 2019

BERLIN – MINISTRI LLESHAJ PRITET NGA MINISTRI I BRENDSHËM FEDERAL, SEEHOFER
Mbështetje e pakushtëzuar e Gjermanisë për aspiratën europiane të Shqipërisë

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj zhvilloi një vizitë punë në Gjermani, ku u prit nga Ministri i Brendshëm Federal Horst Seehofer. Qëllimi i vizitës ishte forcimi i bashkëpunimit mes dy vendeve sidomos sa u përket çështjeve që kanë të bëjnë me sigurinë dhe luftën kundër krimit të organizuar, por edhe probleme të tjera siç janë azilantët e paligjshëm, migracioni, menaxhimi i kufijve etj. Në takim u bisedua gjithashtu edhe për mbështetjen e Gjermanisë Federale ndaj aspiratës së Shqipërisë për t’u integruar në BE, çështje për të cilën Ministri Seehofer shprehu mbështetje të pakufizuar. “Gjatë këtij takimi pata rastin të konstatoj me kënaqësi të madhe se Gjermania e mbështet në mënyrë të pakushtëzuar aspiratën europiane të Shqipërisë. Ministria e Brendshme gjermane mbështet dhe shprehu gatishmërinë për ta shoqëruar udhën tonë drejt Bashkimit Europian edhe në aspektin e bashkëpunimit midis policive tona përkatëse. Ishte një takim i cili tregoi qartë simpatinë e veçantë që Gjermania ka për përpjekjet e popullit shqiptar në drejtim të integrimit të tij në familjen europiane”, tha Ministri Lleshaj. Në lidhje me bashkëpunimin policor mes dy vendeve, Lleshaj theksoi se “Ministri i Brendshëm gjerman shprehu mbështetje të pakushtëzuar edhe ndaj përpjekje e për reformimin e strukturave të sigurisë, veçanërisht të Policisë së Shtetit. Konstatuam më kënaqësi një nivel të shkëlqyer të bashkëpunimit dypalësh në të gjitha fushat, kryesisht në fushën e luftës kundër krimit të organizuar, në fushën e menaxhimit të kufijve, në fushën e Policisë në tërësi dhe në fushën e arsimimit në veçanti”. Në këtë takim është diskutuar edhe për mbështetjen e Gjermanisë në trajnimin dhe specializimin e oficerëve tanë të policisë. “U theksuan nevoja dhe vullneti për ta thelluar bashkëpunimin në fushën e arsimimit të policisë, pra të oficerëve të Policisë së Shtetit. Së shpejti do të hapim mundësi për dërgimin e oficerëve të Policisë së Shtetit në institucionet e trajnimit dhe të arsimimit në Gjermani, me qëllim që të japim një impuls të ri në këtë drejtim. Me oficerë të kualifikuar sipas standardeve perëndimore, ne do të jemi në gjendje të kryejmë detyrat e Policisë ashtu siç duhet, sipas këtyre standardeve,” nënvizoi ndër të tjera z. Lleshaj.

BERLIN – MINISTRI LLESHAJ TAKON PRESIDENTIN E POLICISË FEDERALE, ROMANN
Konfirmim i nivelit të shkëlqyer të bashkëpunimit me Policinë e Shtetit

Gjatë vizitës në Gjermani, Ministrit Lleshaj zhvilloi një takim mjaft të frytshëm me kreun me Presidentin e Policisë Federale gjermane Dr. Dieter Romann. U diskutua në terma konkretë bashkëpunimi mes policisë shqiptare dhe asaj gjermane, ku u konfirmuar niveli i shkëlqyer mes dy organizatave partnere.
Në lidhje me kontrollin kufitar, luftën kundër migrimit të paligjshëm etj, u nënvizua bashkëpunimi i mirë, shkëmbimi i shpejtë i informacionit dhe prania e ekspertëve të policisë gjermane pranë asaj shqiptare. Në takim u bisedua gjithashtu edhe për rritjen e mundësive për specializimin e oficerëve të policisë shqiptare në Gjermani dhe trajnimin e forcave speciale. Gjermania është një ndër vendet partnere që ka kontribuar në shifra të konsiderueshme për pajisjen dhe trajnimin e trupave të Policisë së Shtetit.

TESTOHEN ME SHKRIM 2120 APLIKANTË PËR 500 VENDE PËR PATRULLË TË PËRGJITHSHME
Vijon fuqizimi i bazës ripërtëritëse të trupës së Policisë së Shtetit

Mbi 2100 aplikantë morën pjesë në fazën e parë të testimit për për t’u bërë pjesë e Patrullës së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, nga të cilët do të përzgjidhen 500 vetë të cilët do të ndjekin Akademinë e Sigurisë. Kandidatët ishin ndarë sipas qarqeve dhe u futën në testim të grupuar sipas përkatësisë rajonale. Testimi ishte në bazë të njohurive të fituara në shkollën e mesme, dhe pyetjet e testit bëheshin të njohura vetëm në momentin e hyrjes së kandidatëve në sallë. Gjithë procesi ishte i monitoruar rreptësisht, me qëllim shmangin e abuzimeve apo kopjimit ndërsa u ndaluan rreptësisht telefonat në sallë. Pas përfundimit të testit me shkrim, korrigjimet u bëmë me një skaner të posaçëm. Dixhitalizimi i procesit bënte të mundur që rezultatet të mësoheshin në kohë reale dhe kësisoj të shmangej çdo dyshim, abuzim apo falsifikim i rezultatit. Procesi ndiqej nga zyrtarë të lartë të Policisë së Shtetit, përfaqësues të misioneve partnere pranë policisë dhe media.

HODAJ: PJESËMARRJA, SHPREHJE E INTERESIT TË LARTË PËR POLICINË
Zv.ministri i Brendshëm shpjegon me detaje procesin e testimit me shkrim të aplikantëve për në Akademinë e Sigurisë

Zv.ministri i Brendshëm Julian Hodaj ka shpjeguar gjatë një inteviste në studio të Report TV, të gjitha fazat e konkurrimit të aplikantët duhet të kalojnë për të hyrë në Akademinë e Sigurisë ku do të ndjekin kursin për Patrullë të Përgjithshme. Hodaj nënvizoi se kjo fazë është më e rëndësishmja në përzgjedhje dhe vlerësohet se është rreth 70% vendimtare në përzgjedhjen finale.  Hodaj u shpreh se “janë 2 120 kandidat për 500 vende. Testi ka në bazë njohuritë e shkollës së mesme. Pra mosha minimale për të aplikuar për Patrullë të Përgjithshme në test është 18 vjeç e sipër. Përgatitet testi sipas rregullave të maturës së përgjithshme e merret në dorëzim nga Policia kur të gjithë aplikantët kanë hyrë ne sallë”. Në lidhje me procedurat e zhvillimit të testimit, ai shpjegoi se “futja në sallë bëhet përmes kontrollit të rreptë të kandidatit. Në sallë çdo kandidat merr një numër unik. Nuk lejohen telefona. Media ishte prezent dhe ka monitoruar situatën. Gjatë zhvillimi të testimit, salla monitorohet me kamera. Ka një staf shumë të madh njerëzish nga akademia e Policisë për mbikëqyrje. Kjo është hera e 5 që realizohet ky konkurs dhe gjithnjë ka qenë transparent dhe ka pasur një numër minimal ankesash, të cilat nuk lidhen me thelbin e gjithë këtij konkursi”, tha ai. Në lidhje me peshën që ka kjo fazë e testimit të aplikantëve në raport me dy fazat e tjera, ai sqaroi se “faza e parë, testi me shkrim është 70% e vlerësimit total. Pas kësaj të kualifikuarit kalojnë testet fizike, atletike, për të kuptuar nëse dikush është i aftë fizikisht për ta përballuar punën. Kjo vlen 20%, e vlerësimit total. në fund janë intervistat, që ne i quajmë test psikologjik, kjo është 10% e vlerësimit total”, tha ai. “Nga ky testim me shkrim seleksionohen më shumë se 500 persona, se do kalojnë te faza e dytë, te testimi i pjesës fizike. Të kesh luksin të zgjedhësh në mbi 2 000 persona është gjë e madhe dhe tregon interes të lartë. Interesi edhe më parë ka qenë i kënaqshëm. Policia e Shtetit tashmë frymëzon besim, shihet si garantues i të drejtave qytetare”, tha zv.ministri Hodaj.

TIRANË – FINALIZOHET OPERACIONI POLICOR I KODUAR “INFORMALITETI”
Në pranga 15 administratorë të shoqërive dhe kompanive të ndryshme, të dyshuar për evazion

Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë Tiranë, finalizuam një operacion të gjerë të koduar “Informaliteti”, në kuadër të të cilit u ndaluan 15 shtetas, administratorë në kompani dhe shoqëri biznesi, të dyshuar për evazion fiskal. Ndalimi u bë pasi këta shtetas dyshohet se kanë kryer shitje dhe blerje të faturave fiktive. Autorët kanë aktivitete të ndryshme ekonomike si: Ndërtime konstruksion godinash, ndërtime të ndryshme, import, eksport, tregtim me shumicë e pakicë të mallrave të ndryshme industrialë, ushqimore, makineri e pjesë këmbimi, pajisje elektrike, elektronike, hidraulike, lëndë të para, materiale ndërtimi etj.. Shitjet janë kryer vetëm tek një subjekt tregtar, për të cilin nuk jepen të dhënat për arsye hetimi. Nga analizimi i librave të blerjes rezultoi se shoqëria në total nuk ka kryer asnjë blerje ose importe sipas deklarimeve të subjektit në organin tatimor. Subjekti gjithashtu nuk ka bërë asnjë deklarim tjetër në organin tatimor.
Në kuadër të këtij procedimi janë shpallur disa shtetas në kërkim dhe për arsye hetimore nuk jepen të dhëna të tjera. Materialet procedurale në ngarkim të shtetasve i kaluan Prokurorisë Tiranë, për veprat penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, “Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

EKSTRADOHEN NGA GJERMANIA DHE ITALIA DY SHTETAS NË KËRKIM NDËRKOMBËTAR
Njëri prej autorëve ishte trafikant minorenesh për prostitucion, tjetri mashtrues në shifra të mëdha financiare

Interpol Tiranë në bashkëpunim me partnerët gjermanë ekstradoi nga Gjermania një shtetas në kërkim ndërkombëtar, i cili ishte i dënuar nga gjykata shqiptare me 7 vite burg për mashtrim në shumë të mëdha. Autori i kishte marrë një shtetaseje një shumë prej 230 mijë eurosh në vitin 2012 duke e mashtruar si “drejtor banke”. Për këtë vepër, ai ishte dënuar nga gjykata e Tiranës me 7 vite burg. Nga Italia u ekstradua një shtetas tjetër, 27 vjeç i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi ka trafikuar dhe shfrytëzuar për prostitucion, në Itali, në periudhën 2012-2013, një shtetase, e cila në atë kohë ishte minorene. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Roma, u bë i mundur arrestimi i tij në Itali, duke u finalizuar me ekstradimin drejt vendit tonë.