Ndryshimet e reja në Kodin Penal, rëndim të masës së dënimit për vepra penale që kryhen ndaj punonjësve të rendit - Ministria e Brendshme
Postuar më: 19/09/2019

Ndryshimet e reja në Kodin Penal, rëndim të masës së dënimit për vepra penale që kryhen ndaj punonjësve të rendit

Fjala e ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj në seancën e sotme parlamentare për ndryshimet në Kodin Penal – VIDEO

Të nderuar deputetë,

Kthimi i dekretit për ndryshimet në Kodin Penal nga Presidenti i Republikës duhet parë edhe si një mundësi e mirë për t’iu rikthyer edhe një herë kësaj teme kaq të rëndësishme. Domethënë e ka edhe një diçka të mirë kthimi në vetvete, se na bën të diskutojmë dy herë për një çështje me rëndësi shumë të madhe.

Para disa ditësh isha në Gjermani në një vizitë tek Policia Federale gjermane dhe aty protokolli e kërkoi që të bëjmë edhe një nderim tek përmendorja e 50 oficerëve të tyre të rënë në detyrë që nga viti 1954. Dhe bëhet fjalë për një polici, e cila ka rreth 50 mijë anëtarë dhe që kryen një spektër të gjerë detyrash në shumë vende të botës, përveç Gjermanisë. Pesëdhjetë të vrarë gjithsej nga viti 1954.

224 punonjës policie të Policisë së Shtetit kanë dhënë jetën që nga viti 1991 deri sot, pra në harkun e katër dekadave. Qindra të tjerë janë plagosur gjymtuar, goditur, sulmuar, kanosur etj. Në shumë raste autorët e tyre ende kanë mbetur të pandëshkuar për arsye të parashikimeve evazive të Kodit Penal apo dhe të vendimeve korruptive të gjykatave. Dhe ne nuk mund të lejojmë më që policët e Shqipërisë të vriten, të kanosen, të plagosen, të gjymtohen.

Për këtë arsye ndryshimet e reja në Kodin Penal kanë parashikuar rishikim të masës së dënimit, në drejtim të rëndimit të masës së dënimit për disa vepra penale që ushtrohen ndaj punonjësve shtetërorë, ndaj zyrtarëve shtetërorë, me theks të veçantë ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit.

Kryesisht “Goditje për shkak të detyrës” dhe “Kanosja për shkak të detyrës”. Janë ato vepra të cilat do të ndëshkohen më rëndë dhe për të gjithë ata që do të tentojnë në të ardhmen besoj që nga nesër, për këtë punë duhet që të bëjnë llogaritë me masa të rënda të dënimi. Nuk ka më gjobë për ata që vënë dorë mbi policët e Shqipërisë, por ka vetëm dënim me burg, i cili fillon nga një dhe mbërrin deri në pesë vjet, nëqoftëse bëhet fjalë për dy veprat që thashë më sipër goditja apo kanosja për shkak të detyrës.

Besojmë që me këto masa ne do t’iu japim punonjësve të policisë, mbrojtje të nevojshme. Atë mbrojtje të nevojshme e cila atyre u duhet për të kryer me profesionalizëm, me përkushtim dhe më përgjegjshmëri detyrën në mirë të sigurisë sonë të përgjithshme.

Gjithashtu ndryshimet e reja në Kodin Penal parashikojnë ndërhyrje në nenet që kanë të bëjnë me armëmbajtjen pa leje. Sidomos pas vitit 1997, Shqipëria është mbushur me armë, të cilat kanë rënë në dorën e qytetarëve, në dorën e civilëve. Ndoshta shumë vetëve 97-ta u duket larg, për arsye se një pjesë e madhe e shqiptarëve që jetojnë sot, kanë lindur pas 97-ës dhe nuk e dinë se çfarë do të thotë realisht 1997-ta.

Janë 1.3 milionë qytetarë shqiptarë që kanë lindur pas 97-ës. Pra një pjesë e madhe e jona nuk e di se çfarë ka ndodhur dhe ndoshta për ata vlen të thuhet që ‘97-ta ka qenë vit i një tragjedie shumë të rëndë, ku ndër të tjera ndodhi hapja e depove të ushtrisë, shpërndarja e armëve. Me këto armë janë vrarë rreth 224 punonjës policie. Me këto armë janë vrarë 6099 qytetarë të Shqipërisë. Për të mos thënë që këto armë janë trafikuar edhe në vende të tjera, duke ndihmuar, mbështetur krimin e organizuar dhe struktura të tjera kriminale.

Dënimet e dhëna ndaj personave të kapur me armë kanë qenë të pamjaftueshme. Vetëm gjatë këtij viti janë kapur 900 armë, një vit më parë mbi 1000 armë e kështu me radhë, dhe dënimet përgjithësisht kanë qenë simbolike, në mjaft raste ato kanë munguar. Por këto armë nuk përdoren për argëtim, këto armë përdoren për krim në përgjithësi dhe ka ardhur koha që qytetarët shqiptarë të ndahen nga armët.

Për këtë arsye Kodi parashikon rëndim të masës së dënimit për të gjithë qytetarët që kapen me armë pa leje duke qarkulluar në rrugët e vendit dhe dënimet fillojnë nga 5 vjet dhe përfundojnë me 15 vjet në raste përsëritjeje. Dhe kjo është një masë e rëndë, e domosdoshme dhe e merituar, kur kemi parasysh edhe situatën shpërndarjes së armëve dhe gjendjen e kriminalitetit që ka shoqëruar vendin në këto vite.

Ne do të bëjmë përpjekje që krahas kësaj të rëndojmë edhe kushtet e marrjes së armëve me leje, se përveç morisë së armëve pa leje që qarkullojnë në vendin tonë, ka edhe shumë armë me leje.

Janë mbi 109 mijë armë me leje, kryesisht armët e gjahut, por të cilat vrasin. Dhe këto armë përveçse kanë shkaktuar masakra të mëdha në faunën e vendit, kanë shkaktuar jo rrallë edhe viktima njerëzore. Ne parashikojmë që në ligjin e ri për armët, t’i shtrëngojmë edhe më tej kushtet për të marrë armë edhe me leje. Do të thotë që ne po përpiqemi që armën në përgjithësi ta bëjmë një mall shumë vështirë të aksesueshëm për këdo, me qëllim që të ulim rriskun për sigurinë dhe të mendojmë që sigurinë t’ua besojmë organeve të specializuara për të dhe jo çdo qytetari në vetvete.

Dhe, së fundi, një nen tjetër i Kodit Penal që ndryshohet, ka të bëjë me pengimin e qarkullimit. Përgjithësisht është bërë një lloj mode në Shqipëri që kushdo është i pakënaqur nga veprime të caktuara të administratës, të qeverisë, të gjyqësorit, të ushtrojë një lloj vetëgjyqësie moderne duke bllokuar herë pas here rrugët si përgjigje ndaj vendimeve që dikush nuk i pranon.

Dhe këtu ka ardhur koha dhe është mirë që Kodi Penal parashikon qartësisht masa ndaj atyre që bllokojnë rrugët e vendit. Mentaliteti parashtetëror i vetëgjyqësisë për të bllokuar rrugët sa herë je i pakënaqur me vendime të caktuara të administratës apo të gjyqësorit duhet të marrë fund dhe qytetarët shqiptarë, përfshi dhe politika duhet të kuptojnë se zgjidhja e problemeve ka vetëm një derë dhe kjo është dera e drejtësisë. Ndërkohë që rrugët kanë një tjetër funksion – t’i shërbejnë komunikimit, ekonomisë, lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe ata që do të tentojnë të bllokojnë rrugët e vendit për arsye private, personale apo politike, duhet të llogarisin me masa të reja të parashikuara në Kodin Penal. Bllokimi apo pengmarrja e rrugëve nuk mund të vazhdojë më. Dhe këto janë faktet, këto janë dhe shifrat zyrtare që qëndrojnë prapa vendimit të mazhorancës për ta ndryshuar Kodin Penal.

Të gjitha bëhen në favor të qytetarëve, në favor të përmirësimit të parametrave të sigurisë publike në vend, në favor të ruajtjes së jetës së punonjësve që ofrojnë shërbimin e sigurisë në vend, pra të Policisë së Shtetit, apo edhe zyrtarëve të tjerë, sepse Kodi Penal parashikon mbrojtje të veçantë për një kategori zyrtarësh apo punonjësish, të cilët përballen me veprime të dhunshme në rastet e ofrimit të shërbimit, si mjekët dhe zyrtarë të tjerë shtetërorë.

Në këto kushte unë mendoj që nuk ka arsye të përpiqemi për ta kuptuar motivin e Presidentit për ta rikthyer mbrapsht Kodin Penal.

Megjithatë unë mendoj që kthimi mbrapsht vlen për arsye se na jep mundësinë që t’i ritheksojmë, t’i ripërsërisim edhe njëherë këto ndryshime, të cilat janë ndërhyrje e rëndësishme në favor të sigurisë në vend, në favor të mbrojtjes së jetës së profesionistëve që ofrojnë sigurinë apo shërbime të tjera në vendin tonë.

Dhe për këtë arsye ju ftoj të gjithëve që të votojmë në favor të ndryshimeve dhe në disfavor të dekretit të Presidentit të Republikës. Faleminderit!