Miratohet p/ligji për trajtimin financiar të punonjësve të Policisë, Gardës, SHÇBA pas ndërprerjes së marrëdhënieve të punës - Ministria e Brendshme
Postuar më: 24/12/2019

Miratohet p/ligji për trajtimin financiar të punonjësve të Policisë, Gardës, SHÇBA pas ndërprerjes së marrëdhënieve të punës

Këshillimi i Ministrave miratoi projektligjin për trajtimin financiar të punonjësve të Policisë, Gardës, SHÇBA pas ndërprerjes së marrëdhënieve të punës.

Projektligji i plotë – Kliko

Miratimi i këtij projektligji është i domosdoshëm për faktin se, detyrat institucionale që ligji i ngarkon Policisë së Shtetit, janë të një rrezikshmërie e vështirësie shumë të lartë në raport me detyrat institucionale që kanë strukturat e tjera shtetërore që aktualisht janë subjekte të ligjit për pensionet e ushtarakëve.

Nevoja e trajtimit financiar dinjitoz të punonjësit të policisë siç përcaktohet në këtë projektligj, pas ndërprerjes së marrëdhënies së punës, buron edhe nga dispozitat e neneve 46 dhe 49 të ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, në të cilat përcaktohet se nëse punonjësi i policisë, pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, ndërpret marrëdhënien e punës dhe përfiton pension të parakohshëm suplementar apo pension shërbimi, nuk ka të drejtë të rikthehet në polici. Në nenin 46, pika 3, përcaktohet se punonjësit, të cilit i shkurtohet funksioni organik në kuadër të pakësimit të limitit të përgjithshëm organik të policisë dhe nuk ka vend të lirë për gradën që mban, i ofrohet një funksion i një niveli më të ulët, duke ruajtur gradën për një periudhë deri në një vit. Pas kalimit të këtij afati, në pamundësi sistemimi për gradën që ka, punonjësi lirohet nga policia dhe duhet të trajtohet sipas kritereve të përcaktuar në këtë projektligj.

Aktualisht, mosha mesatare e punonjësve të policisë është 45.6 vjeç. Me miratimin e këtij projektligji për një periudhë prej 3 vitesh mosha mesatare e punonjësve të policisë ulet në 44.1 vjeç, pra një ulje mesatare me 1.5 vite.

Projektligji është një garanci për punonjësit e policisë që janë në marrëdhënie pune dhe një vazhdim logjik i statusit të tyre kur ndërpresin karrierën. Miratimi i këtij projektligji do të ndikojë, në cilësinë e punës dhe të performancës së punonjësve të policisë në detyrë, në rezultatet në luftën kundër krimit në përgjithësi dhe krimit të organizuar në veçanti, në treguesit e luftës kundër korrupsionit si brenda dhe jashtë policisë, si dhe në objektivitetin e zbatimit të ligjit.

Nisur sa më sipër, projektligji i paraqitur për miratim është në harmoni të plotë me reformën e pensioneve të ndërmarrë nga qeveria, me skemat tjera të sigurimit suplementar për kategoritë e tjera të punonjësve të shtetit, me kontributin real të punonjësve të policisë së shtetit në skemën e sigurimit suplementar dhe në raport të drejtë me kontributin që ata japin për rendin e sigurinë publike dhe luftën kundër kriminalitetit.